Thuajse në të njëjtën kohë pesë personazhe të politikës kaluan koronavirusin dhe tregojnë përjetimet e ditëve të vështira. Gazeta “Fjala” sjell rrëfimin e tri personazheve që e fituan betejën me COVID-19 dhe tmerrin e përjetuar si nga rëndimi i sëmundjes, ashtu edhe nga frika e prekjes së të afërmve.
Deputeti i PS-së, Eljo Hyska, ai i LSI-së, Ralf Gjoni, dhe politikani Murat Basha tregojnë dy javët ku jeta dhe vdekja ndahej nga një fije e hollë…
Kryebashkiaku Erion Veliaj fiton betejën me sëmundjen, ndërsa ish-deputeti i PS-së, Fatmir Toçi, edhe pse e ka kaluar sëmundjen, ende ndodhet në spital nga pasojat post-Covid.
Nga Ina Allkanjari
“Lufta” me koronavirusin, mes përjetimit dhe frikës, pasi zbuluan se ishin prekur nga COVID-19, simptomave dhe shqetësimeve shëndetësore, të shoqëruara me ankth për përhapjen e infeksionit në rrethin familjar, tre politikanët shqiptarë Eljo Hysko, Ralf Gjoni dhe Murat Basha tregojnë për gazetën “Fjala” eksperiencën e tyre të hidhur gjatë betejës me virusin.
Ndonëse kanë kaluar rreth 20 ditë nga momenti që deputeti i Partisë Socialiste, Eljo Hysko, zbuloi se ishte prekur nga virusi dhe, fatmirësisht, sot gëzon shëndet të plotë, duke e fituar betejën me COVID-19, në një intervistë për gazetën “Fjala”, u bën apel qytetarëve të tregohen të kujdesshëm, teksa thekson se nuk ia uron askujt ankthin e pritjes së rezutateve të tamponit të familjarëve, pasi mund të bëhemi burim infektimi për ta.
Deputeti shprehet se një ndër momentet e vështira lidhej edhe me faktin se virusin duhet ta përballonte i karantinuar i vetëm, në mënyrë që mos të rrezikonte familjarët dhe të afërmit e tij, teksa thekson se është shumë e rëndësishme të ruhet optimizmi, për të mos i shkaktuar vetes strese të mëtejshme. Nga ana tjetër, Murat Basha, i Lëvizjes së Legalitetit, i cili gjithashtu ka fituar betejën për jetën ndaj koronavirusit, tregon se si zbuloi se ishte prekur nga virusi.
Pas shtrimit në Spitalin Infektiv, familja i fshehu faktin se e shoqja po luftonte me koronavirusin në spitalin Covid 2. Basha tregon rrugëtimin e hidhur nga momenti që iu shfaqën simptomat e para deri në shtrimin në spital, teksa u bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe ta duan njëri-tjetrin.
Deputeti Ralf Gjoni, në një reagim për gazetën “Fjala”, tregon se ndonëse e kaloi sëmundjen pa shumë kompikacione, është i ndërgjegjshëm se COVID-19 mund të bëhet fatal për më të moshuarit dhe ai apelon për më shumë përgjegjshmëri dhe njohje të rrezikut.
Ndërsa gazeta “Fjala” mori rrëfimin ekskluziv të tri personazheve publike të politikës, të prekura nga koronavirusi që e fituan betejën me të, nga Ministria e Shendetësisë edhe dje mbërritën lajme të trishta. Strukturat shëndetësore bënë me dije se numri i rasteve të reja të personave të infektuar me COVID-19 vijon të jetë në shifra të larta.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 625 testime për të dyshuar të prekur nga COVID-19, ndërsa 141 persona janë konfirmuar pozitivë me COVID-19. Aktualisht në Spitalin Infektiv dhe atë “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 116 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19. 20 pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve të intubuar.
Fatkeqësisht, gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën prej koronavirusit 3 qytetarë. Konkretisht, një 65-vjeçar nga Elbasani dhe dy qytetarë nga Tirana, një 66-vjeçar dhe një 76-vjeçare.
Rrëfehet deputeti i PS-së, Eljo Hysko: Ja si e përjetova lajmin se isha me COVID-19
“Në momentin kur zbulova që isha me COVID-19, nëse ka një gjë që të paktën mua si të ri më dha shqetësim, ishte pritja e përgjigjes së tamponit të mamasë sime, pasi kisha pasur kontakt me të. Nuk ia uroj askujt që të ketë këtë ankth pritjeje, për rezultatet e familjarëve apo të të afërmve dhe miqve të tij”.
Kështu u shpreh deputeti i Partisë Socialiste, Eljo Hysko, në një intervistë për gazetën “Fjala”, teksa tregon përjetimin dhe shqetësimin që e pushtoi në momentin kur zbuloi se ishte prekur nga virusi i rrezikshëm COVID-19.
Hysko tashmë e ka fituar betejën me koronavirusin, por tregon se “lufta” me këtë virus ishte shumë e vështirë dhe shqetësimi nëse ishte bërë burim infektimi për të afërmit e tij, ishte tejet i madh.
Deputeti shprehet se një ndër momentet e vështira lidhej edhe me faktin se virusin duhet ta përballonte i karantinuar i vetëm, në mënyrë që mos të rrezikonte familjarët e tij. Teksa tregon simptomat që iu shfaqën gjatë periudhës që ishte i prekur nga Covid-i, Eljo u bën thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të rrisin vigjilencën.
Gjithashtu, Hysko bën apel që në momente të tilla të vështira është shumë e rëndësishme të ruhet optimizmi, ndërsa thekson se duhet të jemi psikologjikisht të fortë gjatë përballimit të COVID-19, për të mos i shkaktuar vetes strese të mëtejshme.
Rreth 20 ditë më parë ju u konfirmuat pozitiv me COVID-19. Si e përjetuat lajmin kur morët vesh se ishit prekur nga virusi?
Kisha rreth 24 orë që po përjetoja disa simptoma të ngjashme të Covid-it dhe vura menjëherë në dijeni autoritetet përkatëse. Më pas u izolova deri në pritje të tamponimit edhe të marrjes së rezultatit.
Të jem i sinqertë, nuk pata panik. Shqetësimi më i madh ishte për familjarët, të afërmit dhe miqtë e mi, nëse isha bërë burim infektimi për ta apo jo. Fatmirësisht, pas tamponimit të tyre, ata rezultuan të gjithë negativë dhe ky ishte një çlirim shumë i madh për mua. Sigurisht, ky është një virus shqetësues.
Të jem i sinqertë, simptomat nuk janë aspak të lehta. Nuk mundet që të mohohet në asnjë lloj rrethane shqetësimi që të shkakton si virus. Realisht ishte një moment që sillte shqetësim. Kontaktova me autoritetet përkatëse, fatmirësisht, mjeku i familjes më bëri një kurë të përshtatshme për rastin tim.
Cili ishte momenti më i sikletshëm gjatë peridhës që ishit me virus?
Momenti më i sikletshëm ishte izolimi dhe qëndrimi në karantinë. Duke qenë se duhej të qëndroje i karantinuar i vetëm, në mënyrë që mos rrezikoje familjarët. Edhe nga ana psikologjike ky moment ishte i vështirë.
Unë kam qëndruar thuajse 17 ditë i izoluar, deri në momentin që mora përgjigjen e tamponit, negative. Ishte një moment vërtet i vështirë.
Nga momenti që zbulova se isha pozitiv me Covid, deri më sot, kanë kaluar më shumë se 20 ditë.
Si e përjetuan familjarët tuaj kur morën vesh se ishe prekur nga virusi?
Sigurisht që u shqetësuan, u krijua një situatë e pakëndshme por nuk pati panik. Sigurisht që shqetësimi ekziston, pasi virusi shfaqet i rrezikshëm dhe në forma të ndryshme në individë të ndryshëm.
Normalisht, çdo gjë është e evitueshme, në momentin që ne marrim masat e duhura dhe kemi kujdesin e duhur për të parandaluar infektimin. Duke marrë parasysh që unë vetë personalisht kam qenë shumë i kujdesshëm dhe përsëri arrita të infektohesha, do të doja t’u bëja thirrje të gjithëve dhe, veçanërisht, atyre që e kanë marrë me mendjelehtësi, që duhet ta marrin shumë seriozisht virusin.
Jo vetëm për çfarë i shkakton shëndetit të tyre, sepse askujt nuk ia uroj të kalojë situatën që kalova unë me COVID-19, por askush nuk do të donte të kishte ankthin e frikës së rezultatit të familjarëve.
Cili ishte personi më i afërt, për të cilin ndjetë më shumë frikë se mund të ishte infektuar me virus, për shkak të kontaktit që mund të kishte pasur me ju?
Nëse ka një gjë që të paktën mua si të ri më dha shqetësim, ishte pritja e përgjigjes së tamponit të mamasë sime. Nuk ia uroj askujt që të ketë këtë ankth pritjeje, për rezultatet e familjarëve, të të afërmve dhe miqve të tij. Ata mund të kenë edhe sëmundje bashkëshoqëruese, pasi nuk është e thënë që të gjithë të jemi plotësisht të shëndetshëm.
Çfarë simptomash t’u shfaqën gjatë periudhës që ishe i prekur nga virusi?
Kisha shumë simptoma. Dhimbje të muskujve në të gjithë trupin, dhimbje të kokës ditët e para, më pas u shoqërua me humbje të shijes dhe të nuhatjes totalisht.
Gjithashtu, kisha ethe dhe temperaturë. Fatmirësisht, nuk kisha probleme me mushkërinë dhe me frymëarrjen. Edhe në skanerët që bëra, pasi rezultova negativ me Covid, isha totalisht në rregull me mushkëritë dhe ky ishte fati im i madh që nuk pata pasoja. Por ju siguroj që ato ditë çdokush do të donte t’i evitonte.
Gjatë kohës që qëndruat i karantinuar, përpos simptomave shqetësuese të shëndetit fizik, si mund ta përshkruani gjendjen tuaj emocionale në ato momente?
Të jem i sinqertë, e vetmja gjë që më mungonte ishte ritmi normal i punës dhe raporti me njerëzit e afërt. Por nuk pata shqetësim psikologjik, duhet ruajtur optimizmi dhe është shumë e rëndësishme që njerëzit të jenë edhe psikologjikisht të fortë gjatë përballimit të COVID-19, për të mos i shkaktuar vetes strese të mëtejshme.
A keni një apel për qytetarët lidhur me COVID-19?
Gjej rastin t’u bëj thirrje të gjithëve që të rrisin vigjilencën dhe të tregohen më të kujdesshëm. E di që jemi në sezon veror dhe njerëzit kanë kaluar një vit shumë të vështirë, qoftë me tërmetin më pas me pandeminë, apo prej shqetësimeve natyrale që kanë në proceset jetësore.
Por është shumë e rëndësishme që të marrim të gjitha masat e duhura për parandalimin e përhapjes së virusit, të ruajmë qetësinë, si dhe të bëjmë ç’është e mundur, duke respektuar distancimin e duhur dhe duke ruajtur higjienën përballë këtij virusi kaq të rrezikshëm.
Murat Basha: U shtrova tek Infektivi, nuk e dija se bashkëshorten e shtruan te Covid 2
Murat Basha, anëtar i Lëvizjes së Legalitetit, i cili fatmirësisht e ka fituar betejën për jetën ndaj koronavirusit, tregon se si zbuloi që ishte prekur nga virusi. Pas shtrimit në Spitalin Infektiv, familja i fshehu faktin se e shoqja po luftonte me koronavirusin në spitalin Covid 2. Basha tregon rrugëtimin e hidhur nga momenti që iu shfaqën simptomat e para deri në shtrimin në spital, teksa u bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe ta duan njëri-tjetrin.
Ju jeni një ndër personat që fatmirësisht e keni fituar betejën me koronavirusin. Mund të na tregoni si e zbuluat se ishit prekur nga virusi?
Më datë 22 korrik më filluan shenjat e para dhe fillova të kisha dyshime se isha prekur nga virusi. Kërkonim të bënim tamponat së bashku me familjarët dhe na thanë pas 8 ditësh. Më pas u përpoqa dhe erdhën më herët e më bënë tampon, si fillim djalit dhe mua.
Pas disa ditësh dolën përgjigjet dhe djali doli pozitiv, ndërsa unë negativ. Dërgova djalin që t’i bëj skaner në klinikë dhe doli negativ, mushkëritë i kishte të pastra.
Duke qenë se unë vazhdova të kisha simptoma shqetësuese të COVID-19, dhe nuk ndihesha mirë, shkova pas dy ditësh sërish dhe bëra skaner dhe dola me shenja të koronavirusit në mushkëri.
Çfarë ndodhi më tej?
Ndihesha i lodhur, me temperaturë, kisha kollë, oreks nuk kisha fare, kisha filluar të humbas peshë. Duke u nisur nga kjo dhe gjendja e rënduar shëndetësore, u shtrova në spital më 29 korrik dhe dola nga spitali pasi u rikuperova, pas 5 ditësh.
Cili ishte shqetësimi i parë kur kuptuat se virusi ishte tashmë brenda familjes suaj?
Ajo çfarë më shqetësoi më shumë ishte momenti kur mora vesh se djali mund të ishte me Covid. Në momentin që mua më doli pozitiv dhe djali doli negativ, u qetësova. Më tej mendova që duhet të luftoj dhe ta fitoj edhe këtë betejë, me ndihmën e Zotit.
Po pjesëtarët e tjerë të familjes, si e përjetuan këtë situatë, a u prekën nga COVID-19?
Në momentin që kam qenë i shtruar në spital, tek Infektivi, ime shoqe u shtrua në Sanatorium, te Covid 2, pasi kishte pasur shqetësime. Duke qenë se ishin të shqetësuar për gjendjen time shëndetësore, nuk më lajmëruan që ime shoqe ishte shtruar në spital me Covid.
Unë e kontaktoja, për porosi të ndryshme që mund të më duheshin gjatë peridhës që isha i shtruar, ndërkohë nuk më tregoi në asnjë moment që kishte shqetësime dhe ishte shtruar në Sanatorium. Nuk donin të më shqetësonin, pasi gjendja ime shëndetësore ishte më e vështirë.
Çfarë mund të na thoni rreth periudhës që qëndruat i shtruar në spital, si ishin kushtet?
Natyrisht, kushtet në spitalet tona janë të vështira, temperatura jashtë ishte 40 gradë, kurse ne qëndronim me dritare hapur. Por kujdesi i stafit ishte i mrekullueshëm dhe unë i falënderoj.
Gjatë gjithë kohës kujdesi i mjekëve ka qenë i mrekullueshëm, i profesoreshë Najada Çomos, i profesor Tritan Kalos, i doktoreshë Nevilës, i kryeinfermieres së pavijonit etj. Kishin një përkujdesje të jashtëzakonshme.
A keni një thirrje për qytetarët?
Thirrja ime për qytetarët është të bëjnë kujdes, të mos e marrin me shaka. Në momentin që u shfaqen simptomat e para menjëherë të këshillohen me mjekët, të mos neglizhojnë asgjë deri sa kjo e keqe të kalojë. ]
Unë mendoj se vaksina do të dalë, mendoj se shkenca do të shkojë përpara dhe njerëzimi do të shpëtojë nga kjo e keqe që është hedhur me dorë. Kjo është një e keqe që godet në mënyrë të tmerrshme. Pasi të hyn në trup, në momentin që të gjen një pikë të dobët, të masakron.
Ndaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe ta duam shumë njëri-tjetrin. Unë ndërmora edhe një veprim vetjak, gjë që në fakt i takonte shtetit ta bënte. Mora përsipër të dezinfektoj të gjithë shkallën e pallatit tim. Sepse nuk doja të isha shkaktar për asnjë nga banorët e pallatit, që ata të kishin probleme.
Këtu ka të moshuar, ka njerëz edhe të sëmurë, dhe unë nuk dua të jem shkaktari. Gjithashtu, ndonëse testet i kam negative, nuk do të rri 2 javë, por 21 ditë që askush mos të ketë probleme nga unë.
Nëse nuk jam i dobishëm për njerëzit, të paktën të mos u shkaktoj probleme dhe t’u sjell halle. Do të mundohem t’i flas gjithkujt për eksperiencën time të vështirë dhe u them të gjithve të kenë kurajë, dhe besim te Zoti, pasi çdo gjë kalohet.
Ralf Gjoni: Tregohuni të kujdesshëm, mendoni për të tjerët…
Ndihem shumë më mirë dhe besoj se jam drejt rehabilitimit të plotë të organizmit imunitar. Pavarësisht se unë isha me fat dhe nuk pata komplikacione, ky mund të jetë një virus vdekjeprurës për shumë njerëz me imunitet të dobët apo me sëmundje të tjera shoqëruese, si diabeti apo tensioni.
Pak a shumë si shumica e prindërve tanë. Ndaj një thirrje të sinqertë për të rinjtë në veçanti, që të tregohen të kujdesshëm e të mendojnë edhe për të tjerët. Çdokush gjatë këtyre javëve duhet të dalë në hapësira publike duke menduar se është i infektuar me COVID- 19.
Vetëm kështu mund të tregojmë përgjegjshmërinë maksimale sociale dhe mund ta ulim përhapjen e tij. Javët e ardhshme do të jenë kyçe për ecurinë e ekonomisë dhe për rikthimin e fëmijëve tanë nëpër shkolla, ndaj duhet vigjilencë maksimale komunitare.
Rrëqeth ish-deputeti me rrëfimin nga spitali Covid: Virusi ngjall vdekje kudo që prek
Ndonëse e fitoi betejën me COVID-19 dhe rezultoi negativ në tamptonin e kryer, ish-deputeti socialist, Fatmir Toçi, prej një muaji tashmë, vijon të jetë i shtruar në spitalin Covid-2 “Shefqet Ndroqi”, për rekuperimin e mushkërive nga pasojat që la pas virusi. Nëpërmjet një reagimi në rrjetin e tij social, Toçi tregon se kurrë në jetën e tij nuk e ka ndier veten më rëndë e më të rrezikuar për jetën sesa në këtë rast.
“Nuk do t’ia uroja askujt ta provojë këtë që po kaloj unë në këtë spital, ku kurrizi dhe dysheku janë bërë njësh që prej një muaji, për ta besuar se sa e rëndë dhe serioze është situata në këtë luftë, abdurde në dukje, me një armik të panjohur sa duhet e që ngjall vdekje kudo që prek”, shkruan Fatmir Toçi.
Ish-deputeti socialist kërkon ndërgjegjësimin e njerëzve përballë një situate të tillë, pasi, sipas tij, qytetarët duhet të tregohen shumë të kujdesshëm për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Toçi shprehet se jemi në “luftë” me një virus vdekjeprurës, teksa thekson se në spitalin “Shefqet Ndroqi”, aktualisht janë të shtruar mbi 200 pacientë të prekur nga virusi, duke e krahasuar me një spital lufte, nga ku fatkeqësisht dalin pa jetë 1-2 pacientë në 24 orë.
Nga spitali, ish-deputeti u bën thirrje qytetarëve të përdorin maskat për të ruajtur veten dhe familjarët e tyre. “Desha t’ju bëj një thirrje si mik, si vëlla, si një qytetar i këtij vendi, si një njeri që prej më shumë se 4 javësh lufton me vdekjen në emër të jetës: mbajeni atë dreq maske dhe bëni kujdes, mbroni jetën tuaj, të familjes suaj dhe të të tjerëve!
Jeta është e shtrenjtë, duhet mbrojtur e jetuar!”, shprehet ish-deputeti socialist Fatmir Toçi. Më 28 korrik kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bëri të ditur lajmin se ishte infektuar nga COVID-19, dhe prej asaj dite ka qëndruar në shtëpi i karantinuar. Mësohet se Veliaj së bashku me bashkëshorten e tij, Arjola Xoxa, kanë ribërë testin, i cili ka rezultuar negativ. Kryebashkiaku ka vendosur të shkojë në punë si normalisht, në krye të detyrës, në Bashkinë e Tiranës.
COVID-19 – Statistika (12 gusht 2020)
Testime totale 47676
Raste pozitive 6817
Raste të shëruara 3552
Raste aktive 3057
Humbje jete 208
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 1678
Durrës 367
Shkodër 263
Fier 126
Lezhë 119
Vlorë 115
Korçë 102
Kukës 91
Elbasan 73
Berat 51
Dibër 39
Gjirokastër 33