Shkollat hapin dyert në shtator, masa antiCovid dhe mësim me turne

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ministrja e Arsimit bëri me dije ditën e djeshme se arsimi parauniversitar do t’i gjejë nxënësit këtë shtator në bankat e shkollës. Shahini bëri me dije se nga sondazhi i zhvilluar mes nxënësve, mësuesve dhe prindërve rezultoi se 87% e tyre dëshironin kthimin në shkolla dhe vetëm 13% ishin për vijimin e mësimit online. Ndërkohë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u shpreh se po vijon puna për detajimin e protokolleve të sigurisë antiCovid.

Nga Ina Allkanjari

Në shtator nxënësit do të rikthehen në bankat e shkollës. Një ndër problematikat më shqetësuese dhe të diskutuara së fundmi gjerësisht në botë, është pikërisht rihapja e shkollave. Pas përhapjes masive të koronavirusit, rreth 5 muaj më parë, një ndër hapat e ndërmarrë për uljen e rasteve me COVID-19 ishte mbyllja e menjëhershme e shkollave, dhe adaptimi i mësimdhënies nëpërmjet formave online. Ndonëse u konsiderua një masë e nevojshme për të parandaluar përhapjen e virusit, mësimi në shtëpi nuk u prit mirë nga shumë zëra. Një numër i madh prindërish kundërshtuan mësimdhënien online, duke u shprehur se produktiviteti i fëmijëve po bie, shoqëruar kjo edhe me problematika ekonomike ku jo çdo familje në vend mund t’u ofronte kushtet e duhura fëmijëve për ta ndjekur mësimin online.

Viti shkollor që lamë pas, mes shumë problematikash u përfundua, për të lënë shumë pikëpyetje për rifillimin e shkollës në shtator. Me hyrjen e muajit gusht, figura të ndryshmë në vend ngritën pyetje se si do të zhvillohët mësimi në Shqipëri, duke kërkuar nga instancat përkatëse sqarime lidhur me fillimin e vitit shkollor. Ditën e djeshme, ministrja e Arsimit, Besa Shahini, nëpërmjet një deklarate për mediat, konfirmoi kthimin e nxënësve në bankat e shkollës, në këtë vit të ri shkollor, që pritet të nisë në muajin shtator. Shahini u kërkoi ditën e djeshme 61 bashkive të vendit që të nisin pastrimin e shkollave, për t’i bërë gati për në shtator. Ministrja Shahini u shpreh se qëllimi është hapja e shkollave për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, por sipas specifikave të ndryshme, në varësi të shkollës, numrit të nxënësve etj.

Shahini bëri me dije se nga sondazhi i zhvilluar mes nxënësve, mësuesve dhe prindërve rezultoi se 87% e tyre dëshironin kthimin në shkolla dhe vetëm 13% ishin për vijimin e mësimit online. “Kemi zhvilluar një pyetësor për shkollat te nxënësit, prindërit dhe mësuesit, 87% mendojnë se duhet të kthehemi në shkollë, në fillim të vitit shkollor, dhe vetëm 13% duan kushte shtëpie. Ne pajtohemi me ju dhe, prandaj, kemi zhvilluar disa skenarë për mundësinë e hapjes së shkollave, në varësi të shkollës, numrit të nxënësve, gjendjes së shkollave dhe nevojave të komunitetit për të qenë fizikisht në shkolla”, deklaroi Shahini.

Sipas ministres, janë përgatitur disa skenarë lidhur me fillimin e vitit shkollor, ku konkretisht disa shkolla do të mund të vijojnë normalisht, ku mund të ruhet distancimi, ku ka pak nxënës. Ndërkohë Shahini theksoi se ka shkolla që punojnë me një turn, por do të ndahen me grupe të vogla, ndërsa disa shkolla të tjera, në zonat e tërmetit, ose ku ka numër të madh nxënësish të cilët duhet të organizohen në një formë tjetër për kthimin në shkollë dhe ruajtjen e distancimit social, duke i ndarë në më shumë turne, ose duke i çuar në shkollat më të afërta.

“Ne duam t’i hapim për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, por sipas specifikave, që kanë shkollat, duke e kombinuar me mësimin online, kur duhet të mbyllet një shkollë, apo një grup shkollash. Bashkitë duhet të fillojnë pastrimin e shkollave dhe përgatitjen për në shtator”, tha Shahini.

Masat për rihapjen e shkollave

Gjatë një komunikimi me qytetarët, së bashku me ministren e Arsimit për përgatitjet për çeljen e vitit të ri shkollor, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi se parakusht për hapjen e shkollave vlerësohet krijimi i kushteve dhe respektimi rigoroz i protokolleve të sigurisë, të përcaktuara tashmë nga ekspertët e shëndetit publik. “Grupet tona të ekspertëve janë në komunikim të vazhdueshëm, për një detajim të protokolleve të sigurisë, ku përfshihen masat e distancimit social, kushtet higjieno-sanitare, si dhe çdo masë që garanton kufizimin e përhapjes së virusit. Ndaj çdo vendim për hapjen e shkollave po koordinohet me përgjegjësi maksimale nga institucionet përgjegjëse për garantimin e masave të distancimit social dhe, sigurisht, duke vlerësuar në dinamikë situatën epidemiologjike”, tha Manastirliu.

Lexo edhe :  Hapet thirrja e dytë për subvencionin e 2 mijë familjeve për vendosjen e paneleve diellor

Nga pikëpamja epidemiologjike, nga vlerësimet sistemike të kryera nga Qendra Evropiane e Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve, rezulton se “transmetimi i sëmundjes në shkolla ka qenë i rrallë dhe, nëse merren masat e duhura të distancimit fizik, higjienës dhe masa të tjera, ato kanë pak gjasa të jenë mjedise efektive të shtimit të transmetimit të virusit, më shumë sesa vendet me densitet të njëjtë të njerëzve, si p.sh. në vendet e punës apo vendet argëtuese”.

Duke theksuar se qëllimi madhor mbetet siguria dhe shëndeti i fëmijëve, arsimtarëve, prindërve, gjyshërve dhe të gjithë qytetarëve, ministrja e Shëndetësisë kërkoi bashkëpunimin e çdo qytetari për zbatimin e rregullave që dikton normaliteti i ri. “Për sa i përket ecurisë së pandemisë, e vetmja konstante që ka një ndikim të drejtpërdrejtë është sjellja njerëzore. Që do të thotë se zbatueshmëria e të vetmeve armë që ne kemi në dorë sot, që janë distancimi fizik, higjiena dhe masat e tjera mbrojtëse, janë parakusht edhe për hapjen e institucioneve arsimore. Edhe një herë kërkojmë bashkëpunimin e secilit prej jush për zbatimin e rregullave që na dikton normaliteti i ri, për të kufizuar përhapjen e virusit, duke mos harruar që shëndeti vjen i pari.” – tha Manastirliu.

Hapja e shkollave në shtetet e tjera

Shtetet në gjithë botën janë duke u përballur me dilema rreth mënyrës së kthimit të fëmijëve nëpër shkolla, teksa vazhdon të ketë raportime për përhapje të koronavirusit. Në Shtetet e Bashkuara, vendin e prekur më fort nga ky virus, me më shumë se 4,7 milionë persona të infektuar, udhëheqësit e distrikteve shkollore janë duke analizuar një varg qasjesh. Në mesin e mundësive të ofruara për vitin e ri shkollor janë: shkuarja në klasa, mundësia e mësimit në distancë përmes platformave online, apo kombinimi i të dyja qasjeve.

Megjithatë, rritja e numrit të rasteve me koronavirus ka nxitur disa zona që ta shtyjnë mësimin nëpër klasa, të paktën në javët e para të fillimit të mësimit, duke përfshirë Los Anxhelosin, Filadelfian dhe Uashingtonin. Në Indiana, ku shkollat janë rihapur javën e kaluar, rritja e numrit të të infektuarve ka ndikuar në mbylljen e dy institucioneve shkollore, duke vënë në pah edhe një herë se sa i vështirë është kthimi në normalitet. Në Amerikën Latine, pothuajse i gjithë procesi mësimor është duke u kryer përmes platformave online, apo televizionit, meqë pandemia vazhdon të rëndojë gjendjen në këtë rajon. Meksika ka njoftuar që më shumë se 30 milionë fëmijë meksikanë do të nisin mësimin në distancë më 24 gusht, ndërkohë që ky shtet regjistron mbi 48000 të vdekur nga COVID-19.

Ndërkohë Gjermania dhe Zvicra deklaruan hapjen e shkollave rreth dy javë më parë, pa bërë shumë ndryshime në strukturat e tyre, ngaqë kanë klasa me numër të vogël nxënësish. Ndërsa Franca mësohet se do t’i ndajë nxënësit në grupe. Në Kosovë, më 1 shtator, fillon viti i ri shkollor 2020-2021 dhe qeveria e Kosovës është duke shqyrtuar mundësitë se si ta bëjnë hapjen e shkollave në mënyrë të sigurt, për shkak të pandemisë së COVID -19. Për rihapjen e shkollave, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon se çdo vend që vendos t’i hapë shkollat duhet të zbatojë masat për të parandaluar transmetimin e COVID-19.

Shkollat, sipas OBSH-së, duhet të zbatojnë verifikimin e gjendjes shëndetësore të nxënësve, mësimdhënësve dhe stafit përcjellës dhe të zbatojnë politikën e ashtuquajtur, “nëse nuk ndihesh mirë – qëndro në shtëpi”. Masat tjera të rekomanduara përfshijnë mbajtjen e distancës fizike të fëmijëve në klasa, larjen e shpeshtë ose dezinfektimin e duarve me dezinfektues me përmbajtje alkooli, mbajtjen e higjienës, mbajtjen e distancës fizike, rritjen e ventilimit përmes ajrit natyral të hapësirës se shkollave dhe vendosjen e maskave.

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

Pse shkaktoi reagime të forta propozimi i Trumpit për Gazën

Propozimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të zhvendosur palestinezët nga Gaza dhe për ta vendosur territorin nën kontrollin...

Koalicioni PD-PL/ Meta nga “313-ta” tek lista e sigurt e Berishës

Ish-Presidenti Ilir Meta duket se do ta fitojë mandatin për deputetet nga qelia. Sali Berisha, aleati i tij besnik, e ka konfirmuar se janë...

Diaspora, regjistrim dhe votim edhe me dokumente të skaduara

Të gjithë emigrantët mund të votojnë në zgjedhjet e 11 majit edhe pse mund të kenë një dokumentet e identifikimi jashtë afatit. Qeveria vendosi...

Çmimet e ushqimeve të importuara u ulen me 7% më 2024, por nuk u reflektuan! Ja faktorët

Një kilogram ushqim i importuar vitin e kaluar ka kushtuar 7% më lirë se në vitin 2023 sipas të dhënave zyrtare nga tregtia e...

Lajme të tjera

Web TV