Kush janë 15 kryepolicët e vendit, fatet e tyre pasi hoqën uniformën

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kur kanë kaluar 28 vite nga ndryshimi i sistemit dhe rrëzimi i regjimit komunist, Policia e Shtetit, gjatë këtij harku kohor ka ndryshuar 15 drejtorë. Po kush janë 15 kryepolicët që kanë drejtuar një nga institucionet më të rëndësishme të vendit, nga vijnë dhe cila është karriera e tyre. Gazeta “Fjala” ka marrë në analizë të gjithë drejtorët e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, nga Astrit Mehja, kryepolici i parë i emëruar nga Partia Demokratike, pas marrjes së pushtetit në vitin 1992, e deri tek Ardi Veliu, i cili i drejton edhe sot uniformat blu. Metamarfoza e ish-kryepolicëve që përfunduan në emigracion, si poetë, ose edhe “roja”…

Nga Elvis Myrta

Me rënien e komunizimit, përveç ndryshimit të sistemit dhe futjes së Shqipërisë në rrugën e proceseve demokratike, ndodhën edhe disa ndryshime të rëndësishme në fushën e organizimit dhe rikonstruktimit të Policisë së Shtetit. Pas krijimit të Ministrisë së Rendit Publik, në vitin 1991, policisë iu dha statusi i një institucioni më vete. Gjatë viteve 1992-1996, u hartuan strategji konkrete dhe u zhvilluan disa reforma, në të cilën përfshihej ristrukturimi i policisë në të gjitha niveliet, rinovimi i personelit të policisë, zgjerimi i kuadrit ligjor dhe shkëmbimi i ekseperiencave me homologët e vendeve të Bashkimit Evropian.

Goditjen më të madhe Policia e Shtetit e ka përjetuar në trazirat e vitit 1997, kur u dogjën dhe u shkatërruan plot 10 komisariate në të gjithë vendin. Kur kanë kaluar plot 28 vite që nga rënia e sistemit komunist, Policia e Shtetit ka pasur plot 15 drejtorë të përgjithëshëm. Kryepolici i parë pas ndryshimit të sistemit, i emëruar nga Partia Demokratike, është Astrit Mehja, i pasuar më pas nga Sabri Jacaj dhe Agim Shehu, ky i fundit la detyrën dhe u largua fshehurazi nga vendi, pas trazirave të vitit të mbrapshtë 1997. Me ardhjen e socialistëve në pushtet, në krye të policisë u emërua Sokol Baraj, që u pasua nga Besnik Bregu, Hasan Ahmetaj, Veton Gjoliku, Veli Myftari, Bilbil Mema dhe Bajram Ibraj, të gjithë këta e kanë drejtuar policinë në harkun e viteve 1997-2005. Bajram Ibraj, ka qenë drejtori më jetëgjatë në Policinë e Shtetit, ku qëndroi në postin e drejtorit rreth 4 vite e gjysmë. Është i vetmi drejtor, i cili nuk është shkarkuar pas ndërrimit të pushteteve.

Ai mbajti postin e drejtorit për dy vjet edhe në mandatin e parë të qeverisë Berisha, por më pas zëvendësua nga Ahmet Prençi, i cili ia la detyrën Hysni Burgajt. Me ardhjen e Ramës në pushtet, në krye të policisë fillimisht u emërua Artan Didi, i vetëlarguar në shkurt 2015, kur u zëvendësua nga Haki Çako. Ky i fundit u shkarkua në maj të vitit 2018 dhe u zëvënëdësua nga Ardi Veliu, i cili e drejton edhe sot Policinë e Shtetit.

 

1) Astrit Mehja

Astrit Mehja, lindur më 5 mars të vitit 1955 në Rubjekë të Durrësit, ishte drejtori i parë që mori drejtimin e Policinë së Shtetit, pas rënies së komunizmit. Mehja u shkollua në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dega “Polici”. Ai e mori detyrën si drejtor i policisë në moshën 37-vjeçare dhe qëndroi në këtë pozicion për gati dy vite e dy muaj. Si drejtor i përgjithshëm Mehja u emërua në 1 maj të vitit 1992 dhe u shkarkua në 22 qershor të vitit 1993. Ai u lirua nga detyra me urdhër të presidentit të kohës, Sali Berisha, pasi u akuzua se ka qenë në detyra që kanë sjellë dënimin e shumë shtetasve gjatë regjimit monist. Pas shkarkimit, Mehjajt iu hoq edhe grada e gjeneralit. Më pas ai u emërua shef i mbrojtjes nga zjarri në Tiranë, por pas ardhjes në pushtet të socialistëve, në vitin 1998, u lirua edhe nga kjo detyrë. Astrit Mehja ndërroi jetë mëngjesin e 17 dhjetorit të vitit 2011, në Tiranë, dhe u varros në vendlindje.

 

2) Sabri Jaçaj

Më 22 qershor të vitit 1993 drejtimin e policisë do ta merrte Sabri Jaçaj. Ai lindi më 20 korrik të vitit 1962 në Shkodër. Mbaroi studimet në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dega “Polici”. Gjithashtu, pas viteve ‘90 ai studioi për Drejtësi në Fakultetin Juridik. Ishte 31 vjeç kur mori detyrën e parë si punonjës i Policisë së Shtetit, ndërsa në detyrën e drejtorit qëndroi vetëm dy vjet, pasi më 15 qershor të vitit 1995 u shkarkua nga detyra. Jaçaj ka mbajtur disa poste të rëndësishme, ka qenë edhe zëvendësministër i Rendit Publik. Gjithashtu, ai ka qenë edhe ndihmës i sekretarit të Shtetit për rendin publik. Sabri Jaçaj në vitin 1995 u lirua nga detyra me urdhër të presidentit të kohës, Sali Berisha. Pas shkarkimit atij iu hoq edhe grada e gjeneralit. Sabri Jaçaj u la pa punë për gati një dekadë. Ai u rikthye në polici në vitin 2004, por dy vite më vonë u shkarkua sërish nga puna, me motivacion “reformim strukture”. Në vitin 2013 Jaçaj u rikthye sërish në polici, ndërsa sot punon në administratën e Policisë së Shtetit.

3) Agim Shehu

Agim Shehu, lindur më 9 maj të vitit 1951, në fshatin Vasije të Dibrës, ishte drejtori i tretë i Policisë së Shtetit, që u emërua nga presidenti Sali Berisha, pa i mbaruar ende mandati i parë. Ai mori postin e drejtorit në 15 qershor të vitit 1995. Shehu studioi në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” dhe më pas vijoi studimet në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dega “Kufi”. Gjithashtu, ai ka mbrojtur gradën shkencore “Kandidat i Shkencave” në fushën e mbrojtjes.

Agim Shehu qëndroi rreth dy vite e një muaj si drejtor i përgjithshëm i policisë, pasi në qershor të vitit 1997 e la postin, për shkak të trazirave dhe kaosit, në të cilin u fut vendi. Përveç drejtorit të policisë, ai ka mbajtur edhe detyrën e zëvendësministrit të Rendit Publik, si dhe të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Tatim-Taksave. Shehu do të mbahet mend si drejtori që u largua fshehurazi nga posti. Ai qëndroi 8 vjet i fshehur jashtë vendit, pasi ishte në kërkim, i akuzuar për krime kundër njerëzimit. Akuzat ndaj tij u pushuan pas ardhjes në pushtet të Fatos Nanos. Pasi iu pushua çështja, Shehu u kthye në Shqipëri, ku me vendim gjykate përfitoi edhe vleftën e të gjitha pagave të funksionit që kishte mbajtur për kohën që nuk ka qenë në emigrim.

4) Sokol Baraj

Sokol Baraj u lind në Tiranë, më 05.08.1963. Arsimin fillor e ka kryer në vitin 1970-1974, në Lezhë, kohë kur i ati, ishte kryetar i Degës së Punëve të Brendshme në këtë rreth, ndërsa arsimin 8-vjeçar e kreu në Tiranë, në vitin 1978. Në periudhën 1978-1982, kreu arsimin e mesëm në Politeknikumin “7 Nëntori”, dega elektrike. Në shtator 1984 filloi arsimin e lartë në shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilën e përfundoi në vitin 1988, duke u diplomuar në specialitetin “Sigurim”.

Në fillim të korrikut 1997 Baraj u emërua drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit e njëkohësisht edhe zëvendësministër i Punëve të Brendshme, në vendin e lënë bosh nga Agim Shehu. Baraj mbajti për më shumë se dhjetë muaj detyrën e drejtorit të policisë, pasi më 16 maj 1998 u shkakrkua. Kujtojmë se në gusht të vitit 1990, ai u transferua në qytetin e Kavajës, ku kishin filluar trazirat dhe lëvizjet e para për ndryshimet politike në vend. Është i njohur fakti se në atë kohë Kavaja u kthye në epiqendër të revoltave dhe pati shumë konfrontime me policinë, madje edhe me forcat e repartit special nr. 326. Në tetor 1991, u transferua në Drejtorinë e SHIK-ut, në Tiranë, ku shërbeu deri në vitin 1993.

 

5) Besnik Bregu

Besnik Bregu, lindur më 29 mars të vitit 1955 në Kavajë ishte drejtori i radhës i policisë. Bregu mbaroi Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dega “Polici”. Në krye të uniformave blu ai qëndroi tre muaj e 18 ditë, më konkretisht detyrën e mori më 16 maj të vitit 1998 dhe e la më 4 shtator të po atij viti. Bregu ka mbajtur edhe disa detyra të tjera. Ai ka qenë oficer në grupin e shoqërimit të presidentit, por edhe këshilltar për policinë i ministrit të Brendshëm.

6) Hasan Ahmetaj

Postin e drejtorit të përgjithshëm në Policinë e Shtetit për dy muaj e ka mbajtur edhe Hasan Ahmetaj. Ai lindi në 15 korrik të vitit 1957 në Gjirokastër. Ashtu si paraardhësit e tij, ai përfundoi studimet në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dega “Kufi”. Detyrën si drejtor i përgjithshëm në Policinë e Shtetit e mori më 4 shtator të vitit 1998 dhe e la më 8 nëntor të vitit 1998. Gjithashtu, ai ka qenë oficer në grupin e shoqërimit të kryeministrit, si dhe drejtor i përgjithshëm i Policisë së Burgjeve. Nga detyra u lirua për ngjarjet kur u vra deputeti Azem Hajdari, por pas disa vitesh ai u rikthye sërish në detyrë. Ahmetaj ka një karrierë të gjatë në Policinë e Shtetit, pasi ka mbajtur disa poste të rëndësishme në qarqe si drejtues, por edhe në drejtorinë qendrore. Ai ka qenë edhe drejtor i Forcave Operacionale të Lëvizshme për Rendin dhe Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Prej gati një viti është emëruar drejtor i drejtorisë së policisë në Berat.

7) Veton Gjoliku

Veton Gjoliku, lindur më 12 qershor të vitit 1964 në Tiranë, ishte drejtori i radhës që mori përgjegjësinë për ta drejtuar policinë gjatë trazirave të vitit të mbrapshtë të 1997. Por pas dy muajsh, për shkak të kaosit në të cilën ishte përfshirë vendi dhe situatës aspak normale, ai dha dorëheqjen. Gjoliku u arsimuar në shkollën e lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në degën “Sigurim”. Gjithashtu, ai përfundoi studimet edhe në Juridik, ku u specializua për Administrim Publik. Detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit e mori në 9 nëntor të vitit 1998 dhe e la në 20 janar të vitit 1999, kur dha dorëheqjen për papajtueshmëri me eprorët. Më pas ai emigroi në SHBA.

Lexo edhe :  Tom Doshi, i ashpër me kryebashkiakun Benet Beci: Bën punën e PD në bashki

8) Veli Myftari

Veli Myftari lindi në Peqin, në 25 dhjetor 1952, ai mësoi në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” dhe më pas përfundoi Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dega “Polici”. Ai u emërua në krye të Policisë së Shtetit në 20 janar të vitit 1999 dhe u shkarkua në 22 nëntor të vitit 2000. Myftari është njohës i katër gjuhëve të huaja: rusisht, frëngjisht, anglisht, italisht. Veli Myftari do të mbahet mend si personi që në vitin 2000 shoqëroi në polici me pranga në duar Sali Berishën, i akuzuar për nxitje të trazirave që ndodhën në vitin 1998.

9) Bilbil Mema

Bilbil Mema, lindur më 15 shkurt të vitit 1959, në Fier, u emërua në krye të Drejtorisë së Përgjithshme në 23 nëntor të vitit 2000. Ai e mbajti gati dy vjet detyrën e drejtorit të përgjithshëm, duke u shkarkuar nga detyra më 19 gusht të vitit 2002. Bilbil Mema do të mbahet mend si drejtuesi i parë që tentoi ta shkëpusë policinë nga varësia politike. Në muajin gusht 2002, kur ai urdhëroi ndërmarrjen e një operacioni antitrafik në disa qytete të vendit, Mema u pezullua nga detyra pa motivacion, e pak ditë më vonë, u shkarkua nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të policisë, për t’u emëruar në një detyrë tjetër, por që nuk u emërua asnjëherë. Nga viti 2002 e deri më 7 prill 2008, me vendim gjykate përfitoi pagën e plotë të funksionit të drejtorit të përgjithshëm. Në ngjarjet e rënda që përfshinë vendin, në vitin 1997, Bilbil Mema iu përgjigj thirrjes publike për të kontribuar për stabilizimin e gjendjes së rënduar të rendit në vend. Në shtator 1997 ai u rikthye sërish në polici, duke u emëruar inspektor, e më pas shef i sektorit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Në korrik të vitit 1999 u emërua drejtor policie në Shkodër, një nga qarqet më më problematike të vendit në atë periudhë, ku qëndroi deri në vitin 2000. Në fillim të vitit 2000 Mema u emërua drejtor i policisë së Tiranës, ku qëndroi për tetë muaj. Tani ai mban postin e drejtorit të Akademisë së Sigurisë.

10) Bajram Ibraj

Bajram Ibraj, lindi më 28 mars të vitit 1964, në Shëngjin të Lezhës. Ai përfundoi shkollën e lartë të Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dega “Polici”. Më pas ai u diplomua edhe në Fakultetin e Drejtësisë, ku ka fituar lincencën e avokatit. Ibraj pak vite më parë ka marrë titullin doktor në shkencat politike dhe ndërkombëtare. Më 12 shtator të vitit 2002 Ibraj u emërua në krye të Policisë së Shtetit, detyrë të cilën e mbajti katër vjet e gjysmë e 19 ditë. Ibraj u lirua nga detyra e drejtorit të përgjithshëm në kohën kur kishte marrë vlerësime të larta në përmbushjen e misionit të policisë e funksionit që mbante. Me ardhjen e demokaricisë, Ibraj është drejtori më jetëgjatë në Policinë e Shtetit. Bajram Ibraj ka mbajtur disa detyra të rëndësishme në polici. Ai ka qenë shef i Sektorit të Masave të Sigurimit në Bankën e Kursimeve në Shkodër; i plotfuqishëm i ministrit të Rendit Publik në Drejtorinë e Policisë së Prefekturës së Kukësit gjatë vitit 1999, gjatë luftës Kosovë-Serbi; këshilltar i Sigurisë Kombëtare i kryeministrit; drejtor i DSIK; “drejtor” i Departamentit të Sigurisë në Bankën Amerikane të Shqipërisë, e cila më vonë u bë “Intesa Sanpaolo Bank Albania”; mban titullin “Ambasador i Paqes”.

11) Ahmet Prençi

Në mars të vitit 2007 drejtor i përgjithshëm në Policinë e Shtetit u emërua Ahmet Prençi. Përpara se të merrte drejtimin e policisë, ai ishte drejtor i policisë së Shkodrës. Ahmet Prençi u lind në Dibër më 1968. Studimet e larta i kreu në degët Ekonomi dhe Drejtësi në Tiranë. Ka vijuar kurse dhe trajnime për menaxhimin e lartë të drejtimit të policisë në vende të ndryshme perëndimore. Ka mbajtur detyra të larta, si drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtor i Hetimit Tatimor etj. Publikimet e para letrare i pati që në rini në disa gazeta të kohës. “Udhë në pasqyrë” (2016), vëllim me poezi, ishte përmbledhja e tij e parë. “Vice Versa është libri i tij i dytë. Autori ka botuar me dhjetëra artikuj, analiza dhe intervista në shtypin shqiptar dhe të huaj.

 

12) Hysni Burgaj

Hysni Burgaj në tetor të vitit 2009 zëvëndësoi Ahmet Prençin, duke u bërë drejtori i radhës i Policisë së Shtetit. Lindur më 16 prill të vitit 1960 në Shkodër, në mes të viteve ‘80 ai mbaroi arsimin e lartë në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dega “Kufi”. Burgaj ka mbajtur edhe disa poste të tjera përpara emërimit të tij. Ai ka qenë komandant i postës së policisë në Qytetin Studenti, si dhe ka qenë drejtor i policisë në Gjirokastër dhe në Kukës. Në 29 korrik të vitit 2008 ai u emërua zëvendësdrejtor i përgjithshëm për shërbimet mbështetëse në Policinë e Shtetit, duke zëvendësuar Arben Doçin. Pas ardhjes në pushtet të socialistëve, në tetor të vitit 2013, Hysni Burgaj dha dorëheqjen si drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

13) Artan Didi

Artan Didi, lindur më 27 shtator të vitit 1963 në Tepelenë, u emërua drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit më 9 tetor të vitit 2013. Pas marrjes së pushtetit, kryeministri Edi Rama, me propozim të ministrit të Brendshëm, pranoi dorëheqjen nga detyra të Hysni Burgajt, duke emëruar Didin në krye të policisë. Artan Didi, i dalë në lirim që nga viti 2005, u kthye nga SHBA-ja, ku kishte emigruar prej një dekade për të drejtuar policinë. Në karrierën e tij Didi ka mbajtur disa funksione drejtuese, ku më shumë ka spikatur si drejtues i repartit të forcave speciale RENEA, detyrë të cilën e ka mbajtur deri në vitin 2000. Më pas, për disa muaj ai drejtoi Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ku u emërua drejtor i Rendit dhe Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit. Këtë detyrë Artan Didi e mbajti deri në vitin 2005. Pas ndërrimit të pushteteve, ai u lirua nga detyra.

Pas daljes në reformë, Didi nisi një aktivitet privat, derisa bashkë me familjen e tij fitoi lotarinë amerikane, u pajis me Green Card dhe udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku jetoi për 8 vjet. Në karrierën e tij në polici, ai mbahet mend si komandant i RENEA-s, ku mori pjesë në disa aksione të rrezikshmërisë së lartë. Po në këtë detyrë Didi i shpëtoi një atentati, në 24 tetor të vitit 1998, gjatë një aksioni për kapjen e një shtetasi arabo-egjiptian që kërkohej për 25 krime dhe terrorizëm. Artan Didi mbeti i plagosur gjatë aksionit që u zhvillua pranë “Oxhakut” në Tiranë, kur një skuadër e RENEA-s shkoi për të arrestuar shtetasin arab që hapi zjarr ndaj policisë dhe më pas u fsheh në një lavatriçe, ku mbeti i vrarë.

14) Haki Çako

Haki Çako u emërua drejtor i përgjithshëm në Policinë e Shtetit në prill të vitit 2015. Ai ishte komanduar në këtë detyrë nga ministri i Brendshëm, ndërkohë që mbante detyrën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Çako e ka nisur karrierën e tij në janar të vitit 1998, si shef i Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë Kuçovë, e në muajin shtator të të njëjtit vit si shef i Policisë Kriminale të Komisariatit numër 1, në Tiranë. Më pas, është emëruar si inspektor kundër Akteve Terroriste. Sakaq, në vitin 2003 ka mbajtur detyrën e specialistit në Zyrën e Luftës kundër Drogave të Forta, dhe më pas shef i Komisariatit të Policisë Vlorë. Në vitin 2006 është emëruar specialist i Antiterrorit në Elbasan, për t’u larguar më pas me dëshirën e tij.

Çako është rikthyer në vitin 2010 në Policinë e Shtetit dhe në 2013 është emëruar zëvendësdrejtor i përgjithshëm për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda, detyrë që e ka mbajtur deri në 31 mars të 2014. 53-vjeçari Haki Çako, ka lindur në Ngurëz, Lushnjë dhe ka një karrierë prej 23 vitesh në Policinë e Shtetit. Për rreth 15 vite mësohet se Çako ka shërbyer në Policinë Kriminale dhe Hetimin e Krimeve. Ka qenë drejtues dhe pjesëmarrës në një sërë operacionesh policore, më i fundit operacioni antidrogë në Lazarat. Aktualisht mban detyrën e kreut të Emergjencave Civile.

15) Ardi Veliu

Ardi Veliu, ka lindur në 2 Mars të vitit 1972 në Delvinë. Është i martuar dhe babai i dy fëmijëve. Nga viti 1987 deri në vitin 1991, kreu shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”. Më pas vazhdoi studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë. Më pas ai shkon në Akademinë e Policisë në Ankara për të vazhduar studimet. Krahas këtyre studimeve diplomohet edhe në Fakultetin e Manxhimit të Biznesit, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, studime të cilat i kreu në vitet 2003-2007 pa shkëputje nga puna. Gjithashtu, Veliu ka përfunduar një sërë kursesh profesionale trajnuese të organizuara nga Pameca, ICITAP dhe OSBE brenda dhe jashtë vendit, si në Hungari, SHBA, Poloni, Itali dhe Akademinë e Sigurisë Tiranë. Ka përfunduar kursin 8-javor pranë qendrës ILEA, Budapest, organizuar nga ICITAP.

Është një njohës i mirë i gjuhës turke dhe angleze. Përpara se të bëhej drejtor i përgjithshëm Veliu ka mbajtur disa poste të rëndësishme. Në vitet ‘98-‘99 ka qenë komandant i “Postës së Policisë”, Memaliaj, Tepelenë. Më pas ai mori detyrën e shefit të rendit në Vlorë. Veliu ka mbajtur edhe poste të tjera në polici, duke përmendur atë të shefit të komisariatit të policisë në Durrës, zëvendësdrejtor për Sigurinë në Tiranë, Drejtor i Policisë Rrugore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. /Ra.My.Fjala.al/

Të fundit

Lezhë/ Kandidati i Bashës: Nënkryetari i bashkisë dhe drejtori i OSHEE po blejnë vota

Mbrëmjen e së hënës janë shënuar sërish tensione mes kampeve politike në Lezhë, me pretendimin për blerje votash. Nënkryetari i...

Kandidati për deputet i PD-së, Xhemal Gjunkshi, paraqitet në SPAK

Kandidati për deputet i PD-së, Xhemal Gjunkshi, është paraqitur mëngjesin e sotmë në SPAK. Xhemal Gjunkshi, ish-deputet dhe ish-shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura,...

Deputetët e Parlamentit Evropian thirrje Mitsotakis: Ndaloni shitjen e anijeve në Rusi!

Në flotën ilegale ruse lundrojnë shumë ish-anije greke. Shitja e anijeve të vjetëruara është fitimprurëse për pronarët grekë të anijeve. Deputetët e BE-së i...

Dy aksidente brenda pak minutash, raportohet për 1 viktimë dhe 2 të plagosur!

Dy aksidente rrugore janë regjistruar brenda pak minutash në dy segmente të ndryshme të rrugëve kombëtare në Qarkun e Elbasanit, duke sjellë pasoja të...

Shtyhet seanca për ish ministrin Fatmir Mediu, gjyqtarja Irena Gjoka me raport mjekësor

GJKKO ka shtyrë seancën gjyqësore për ish ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili eshte nen hetim per dosjen Gerdeci. Shkak është bërë mungesa...

Lajme të tjera

Web TV