Përfundon sot (e martë) afati i dorëzimit të ankesave për përfitimin e ndihmës financiare sipas Paketave 1 dhe 2. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka sqaruar se 25 gushti është afati i fundit i paraqitjes së ankesave nga qytetarët dhe bizneset.
Ankesat e dorëzuara deri tani nga subjektet dhe individët do të vijojnë të shqyrtohen nga administrata tatimore brenda afatit të caktuar. Përfituesit duhet gjithashtu tё kontrollojnë llogarinë e tyre në e-filling, me qëllim korrigjimin e të dhënave të llogarive bankare që ishin plotësuar në mënyrë të pasaktë.
Me Paketën 1 përfituan 3 këstet e pagesës minimale prej 26 mijë lekë, rreth 130,5 mijë qytetarë për 38,8 mijë biznese. Përfitues ishin edhe qytetarët që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe pagesë papunësie. Për t’i ardhur në ndihmë kësaj kategori qeveria vendosi dyfishim të 3 pagesave.
Për Paketën 2, sipas të dhënave të Ministrisë të Financave nga totali i përfituesve, rreth 23,4 mijë kanë përfituar ndihmën pas ankesave. Deri më 24 korrik ndihmën e përfituan 172,172 të larguar nga puna në 47,388 biznese nga 210 mijë që është numri total i përfituesve të pritshëm.
Me Masën 1 për subvencionim për punonjësit e larguar + aktualë në bizneset me të ardhura mbi 14 milionë lekë të mbyllur nga urdhrat e MSHMS-së janë paguar 9,419 punonjës për 819 biznese.
Me masën 2 kanë përfituar ndihmën prej 40 mijë lekë rreth 90% e punonjsëve të larguar nga puna për periudhën 1 mars-17 maj. Për këtë masë janë paguar 65,415 punonjës dhe 10,461 biznese. Fondi i paguar është 2,6 mld lekë.
Nga Masa 3, subvencionim për të gjithë punonjësit e bizneseve me të ardhura nën 14 milionë lekë (përjashtuar 8,000 persona në profesionet e lira, tregtia, farmacitë, përfituesit e pagës së luftës së Paketës 1, etj.) janë paguar rreth 70% e përfituesve nga 100 mijë që parashikohet totali i tyre. Deri tani janë paguar 68,260 qytetarë dhe 31,866 biznesi nga 46,520 që parashikohet totali i bizneseve përfituese. Fondi i paguar është 2,7 mld lekë.
Për punonjësit e sektorit të turizmit me masën 4 janë paguar 50% e punonjësve të strukturave akomoduese. Sipas të dhënave të Ministrisë, me Masën 4 janë paguar 4,920 punonjës në 1,004 biznese nga 10 mijë që parashikohej totali i përfituesve. Fondi i paguar është rreth 196,8 mln lekë. /Ra.My.Fjala.al/