Me një kërkesë të re, Ministria e Drejtësisë kërkon informacion nga Prokuroria e Përgjithshme, lidhur me tre të akuzuarit për vrasjen e komisar Artan Cukut.
Teksa kërkon informacion nga organi hetimor, ministria kërkon që të dijë, nëse mund të bëjë kërkesë të dytë për ekstradimin e Bledar Jamebllit, i njohur ndryshe si Rikardo Muho, Kristaq Lecit dhe Gerti Kajos.
Në shkresën zyrtare thuhet se “Ministria e Drejtësisë, në vijim të komunikimit në kuadër të çështjes së ekstradimit nga Greqia në Shqipëri të shtetasve Kristaq Leci alias Gerti Kajo dhe Bledar Jambelli alias Rikardo dhe në referencë të shkresës nr. 1259/1, Prot. A.H datë 26.12.2019, pasi ju ka informuar mbi refuzimin e ekstradimit të këtyre shtetasve nga ana e autoriteteve greke të drejtësisë për arsye politike referuar nenit 3 të “Konventës Europiane të ekstradimit”, të vitit 1957, lutet ta informojë mbi fazën aktuale të gjykimit të çështjes së shtetasve të lartpërmendur si dhe nëse është regjistruar ndonjë procedim penal tjetër ndaj tyre me qëllim riparaqitjen e kërkesës për ekstradimin e tyre”.
Bledar Jambellin dhe Kristaq Leci, akuzohen si porositësit e vrasjes së komisar Artan Cukut, në 8prill të vitit 2017 pranë banesës së tij në Tiranë.
Ata akuzohen se paguan Mikel Shallarin për vrasjen, i cili ndodhet në qeli si “këmbëza” e atentatit, përkundër pagesës së 25 mijë eurove.
Bledar Jambelli ishte arrestuar nga Artan Cuku kur ky i fundit ishte drejtor i Policisë së Vlorës në vitin 2012.
Pas arrestimit Jambelli e kërcënoi Cukun në zyrë duke i’u drejtuar me fjalët “këtë nuk do ta harroj kurrë”./Bl.Ba/Fjala.al