Intervista/ Alfred Lela: Rama dhe PS-ja mendojnë si të ishin familje monarkike

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kryeministri Rama shpalli ambicien për një mandat të tretë qeverisës, duke përzgjedhur edhe grupin e të besuarve që do të drejtojnë fushatën zgjedhore në 12 qarqet e vendit. Cili mendoni se do të jetë “kali i betejës” për të kërkuar një mandat tjetër 4-vjeçar në zgjedhjet e vitit 2021?

Alternativlos. Gjermanisht për ‘mungesë të alternativës’, një term i përdorur nga kancelarja Merkel, për të thënë se nuk ka alternativë më të mirë se ajo. Ngjan se këtë do të bëjë edhe kryeministri Rama dhe, sigurisht, sekush është në të drejtën e vet të na thotë ose mendojë se Rama është si Merkel apo, qoftë dhe më i mirë se ajo. Kali i betejës i Ramës, me ç’kuptuam nga fjalimi i tij i së martës, është se ‘kundërshtarët janë humbës kronikë’. Si rrjedhojë, ai propozon që të zgjedhim edhe një herë diçka që është e sigurt, pra atë. Se sa të sigurt jemi me Ramën, këtë e di secili prej atyre që shkojnë ose nuk shkojnë në kutitë e votimit në zgjedhjet e ardhshme.

Në më shumë se 7 vite kryeministër, si do ta komentoni qeverisjen “Rama”, cili është bilanci i tij, arritjet dhe dështimet?

Bilanci i tij janë ‘ngjarjet’. Po shkëpus fjalën apo termin kyç ‘ngjarjet’ që ai përdori po vetë në fjalimin para grupit parlamentar të PS-së, duke iu referuar ish-kryeministrit britanik Harold MacMillan. Me ‘ngjarje’ MacMillan kuptonte se janë ato që mund të nxjerrin një qeverisje nga aksi. Rama iu referua tërmetit dhe pandemisë, pra fajësoi dy fatkeqësi natyrore për dështimet e qeverisë së tij. Apo, për të qenë të ndershëm dhe të saktë, të paktën pjesërisht dhe pa e përdorur fjalën ‘dështim’, sepse zoti Rama nuk ka se si mendon se ka dështuar. Dështimi është gjithmonë punë e të tjerëve. Por jemi të detyruar që të klasifikojmë si ‘ngjarje’ edhe ndodhi të tjera që nuk janë të natyrës, por ‘men made’, pra të dorës së njeriut apo të njerëzve në qeverinë e tij.

Këto ngjarje janë disa skandale të natyrës korruptive, të cilat po t’i përsërisim vetëm sa shtojmë zhurmën dhe biem në përsëritje. Por këto ‘ngjarje’ janë fakte dhe flasin për bilancin e qeverisë Rama. Negativ. Çfarë mund të konsideroj arritje? Rama ka një anim kah estetikja gjë që lidhet me formimin e tij, qoftë familjar, qoftë shkollor. Mund të thuhet se i ka dhënë ngjyra peizazhit politik dhe atij shoqëror në Shqipëri. Unë vetëm në këtë lëmë ia njoh ndikimin dhe gjurmën. Por mund të jem i gabuar. I tillë qofsha.

Lexo edhe :  ‘Turpi i rinumërimit!’/ Braçe ankohet për votat: Po më shpallen të pavlefshme

Në këto 29 vite demokraci, mandati i dytë qeverisës sjell një lodhje nga pushteti, a po shfaq edhe PS-ja shenja të tilla dhe si mundet në 8 muaj para zgjedhjeve t’i rekuperojë problemet me të cilat është përballur të paktën në mandatin e fundit?

Nuk e shoh këtë lodhje që shihni ju, edhe pse një kapitje e tillë është e natyrshme për qeveritë, këtu dhe në botë. Kjo ndodh sepse Rama dhe të tijët mendojnë se atyre u takon ta qeverisin këtë vend, edhe kur dështojnë, edhe kur bëjnë gabime, edhe kur rotacioni është mënyra e natyrshme e gjërave. Mendoj se këtu Rama dhe PS-ja bëhen shoqërisht të rrezikshëm, kur nuk shohin alternativë, kur mendojnë, si të ishin familje monarkike, se e drejta për të qeverisur u është dhënë një herë e përgjithmonë.

Sipas jush, sa shanse reale ka për një mandat të tretë qeverisës Rama?

Të gjitha shanset dhe njëkohësisht asnjë. Duke qenë se nuk është vetëm Rama në lojë, por edhe të tjerë, nuk është ai i vetmi që do të mund ta kondicionojë rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme. Nëse i beson perceptimit të krijuar nga propaganda qeveritare, Rama i fiton zgjedhjet, por ky perceptim krijohet nëpërmjet ‘votave të blera’. Dua të them krijohet prej medias që është në shumicë pro qeverisë. Ka një votues të heshtur, neutral, të tejngopur, që kërkon të hakmerret me votën e vet ditën e zgjedhjeve. Se ndaj kujt duhet dhe kërkon të marrë hak, mbetet për t’u parë.

Të fundit

Sërish lëkundje tërmeti në Shqipëri

Një tërmet me magnitudë 3.4 të shkallës Rihter është regjistruar këtë të enjte, në orën 13:51 në jugperëndim të...

“PD, parti që shkel ligjin”/ Çupi: Rinumërimi i votave ‘boomerang’ për Berishën

Analisti politik Frrok Çupi ka kritikuar ashpër Partinë Demokratike dhe kreun e saj, Sali Berisha, duke e krahasuar partinë si një organizatë muxhahedine, sipas...

Uji i çezmave publike në Rrëshen i ndotur, ndërpritet furnizimi

Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Mirdite ka urdhëruar ndërprerjen e menjëhershme të furnizimit me ujë nga çezmat publike të vendosura së fundmi në qytet, pasi...

“Burri im është ushtar”/ Trump preket nga gazetarja ukrainase

Presidenti amerikan Donald Trump u përfshi në një moment emocional me një gazetare ukrainase gjatë një konference për shtyp në përfundim të Samitit të...

“Jemi më shumë se një klub”, Laporta: Barça prodhon lojtarë, kurse Reali i ble

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, foli për “Mundo Deportivo”, duke u ndalur ndër të tjera edhe te ndryshimet midis menaxhimit të klubit të tij dhe atij...

Lajme të tjera

Web TV