ATJONI DHE FJALA

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

– Miq të rinj dhe të përhershëm –                                     

Atjon V. Zhiti është mik i fjalës, e kërkonte dhe e donte atë, pra është dhe i gazetës sonë “Fjala”, që e do dhe e kërkon atë. Atjoni studionte për filozofi në Universitetin “Sacro Cuore” të Milanos, në Itali. Ndërkaq ishte dhe anëtar i Parlamentit Rinor Evropian, përfaqësonte të rinjtë shqiptarë, por ishte dhe anëtari më i ri i PEN Clubit italian. Atjon Zhiti është autor i librit, “Për atë që dua(m)”, (bot. 2015) një përmbledhje me ese, recenca, poezi, intervista e përkthime, i pritur me dashuri nga lexuesi, sidomos të rinjtë dhe kritika, ku guximi në ide gërshetohet me ëndrrën dhe përkushtimin, që bëjnë të besosh se brezi i ri di të dojë, të kërkojë dhe të presë nga vetja, ku vizioni lidhet me kritikën konstruktive, për të ecur përpara si vend.

Po kështu, ai është autor dhe i albumit “Opera Atjon” (në shqipe dhe italishte, bot. 2017), ku janë riprodhuar të gjitha vizatimet dhe pikturat e tij të fëminisë dhe adoleshencës, me vlerësime nga studiues e kritikë arti nga vendi, më pas dhe nga të huaj. Këtë vit, me rastin e 25-vjetorit të lindjes së Atjonit, enti botues “Bogdani” në Prishtinë nxori librin “Jam Atjoni”, përmbledhje skicash dhe shkrimesh të ndryshme.

Artikuj të Atjonit kanë dalë në shumë media në Shqipëri e Kosovë dhe në diasporë, në Itali, Zvicër, Mbretëri e Bashkuar, SHBA. Pjesë të tyre janë përkthyer dhe në gjuhë të tjera, si italisht e rumanisht. Po kështu, ka dhe botime të tjera, libra të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit, me kopertina dhe ilustrime nga Atjon Zhiti. Për “Studentin e përhershëm” siç e quan gjenerata e tij, kanë folur dhe shkruar personalitete të njohura të kulturës shqiptare, por dhe asaj të huaj. Festivali Ndërkombëtar i Filmit për Fëmijë “Giffoni” jep një çmim me emrin “Atjon Zhiti” për anëtarin më të mirë të jurisë, ku ai bënte pjesë dhe ishte dalluar në takimet në Shqipëri dhe Itali. Dhe në letërsi jepet çmimi ndërkombëtar “Atjon Zhiti” nga Shoqata e Shkrimtarëve “Bogdani”, me qendrat në Prishtinë dhe Bruksel. Ky çmim së pari shkoi në Argjentinë dhe së fundmi në Japoni.

Emri i Atjonit është bërë më i njohur dhe më i dashur për të gjithë ata që e kanë njohur ose lexuar. Mediat në Shqipëri dhe Kosovë dhe në diasporë, në Evropë dhe Amerikë e kujtuan datëlindjen e tij. Ai çeli një rrugë dashurie e drite për të rinjtë dhe vërtet në Tiranë është emërtuar dhe “Rruga e Atjonit”, ajo në hyrje të Parkut të Madh, që bashkohet me Rrugën “Faik Konica”, të cilin ai e adhuronte.

Në nderim të Atjonit tonë, si ideal dhe frymëzim, po sjellim pjesë nga shkrimet e tij.

 ATJON ZHITI

 

ÇËSHTJE PËR TË CILAT DUHET FOLUR

                                                                                                                         

  1. E BUKURA NË JETË

(ose letër një studenteje në Britaninë e Madhe)

 

Jeta nuk duhet mbivlerësuar duke menduar se është e gjatë dhe e përjetshme, nuk kemi kohë për gjithçka, por njëkohësisht nuk duhet nënvlerësuar, duke thënë se është e kotë, e shkurtër dhe e pavlefshme, jeta është një hua dhe ne duhet ta lajmë atë, duke bërë mirë. Shumë herë kemi thënë të filozofojmë, por asnjëherë nuk e kemi bërë tamam. Direkt ndiej atë frymën, atë entuziazmin dhe atë dëshirën e të bërit atë çka dua e më pëlqen. …Në qoftë se ti vërtet ndien dhe ke dëshirë të bësh filozofi, jo vetëm si degë (fakulteti), ti duhet patjetër ta bësh atë… Filozofia është gjithçka, por jo gjithçka është filozofi. Të bësh mirë ti e di çfarë d.m.th.; nuk flitet vetëm për nota e sjellje. Flitet për pasion, dëshirë, këmbëngulje, sakrifica, ndoshta dhe vuajtje, por pasioni është kryesori. Dashuria për dije është e pakohë dhe e tillë do të jetë. Dostojevskij thoshte se bukuria do të shpëtojë botën, nuk flitet vetëm për atë fiziken, por edhe shpirtëroren.

Bëj çka të duket më e bukur!

Lexo edhe :  Media italiane: Shqipëria, mes 15 destinacioneve me plazhet më të bukura në Evropë

 

  1. SHTIRJA SI SPEKTAKËL

(ose mesazh një emisioni televiziv)

 

Duhet kuptuar shoqëria për të folur për një fenomen shoqëror, sado pak. Sot, në shoqërinë tonë, tërë jeta e shoqërive, ku mbretërojnë kushtet moderne të prodhimit, prezantohet si një akumulim i madh spektaklesh. Spektakli… nuk është më një bashkësi imazhesh, por një raport social që ka imazhin si medium. Realiteti kështu lind spektaklin dhe spektakli bëhet real. Imazhi është mall dhe malli kështu ngarkohet me imazhe, imazhe spektakolare, të cilat e mbushin mallin plot jetë dhe çojnë konsumatorin e pamundur për shumë në iluzion. Ky mall i kthyer kështu, nuk e ka çliruar njeriun nga nevoja, por i ka ushtruar një presion të ri, një kusht të ri, konsumizmin. Në saje të kthimit në mallit në parësi, malli ngarkohet me alegori e kuptim simbolik. Malli konsumohet me dukjen, nuk duhet më për mbijetesën dhe kështu pra kemi një mbijetesë të mbingarkuar. Akoma më e shterpët se nevoja e mbijetesës.    Në shoqërinë tonë është dramatike se si të qenët zëvendësohet nga dukja.

 

NARCIZIZËM I DËMSHËM

(ose një përgjigje shoqërore)

 

Lideri i opinionit publik, tregon Richart Hoggart (sociolog anglez), ka prirje që nën ndikimin e mediatizimit, të bjerë në narcizizëm, pra t’i pëlqejë vetja dhe mendimet e tij në mënyrë të atillë që të mos pranojë asnjë dialog me të tjerët, të mos pranojë gabime, të mos tregojë kufijtë e dijes së vet, përballë së cilës nis injoranca e tij. A nuk mendoni se ky pohim u përshtatet drejtuesve tanë, kur flasin… për ato që vetë nuk i bëjnë dhe nuk flasin për ato që bëjnë?

 

 

  1. PATRIOTIZMI

(ose një status pas një ndeshjeje ndërkombëtare)

 

Nuk e gëlltis dot shumë patriotizmin e lindur befas nga një ndeshje, ka një të qenë të zbehtë, të shtirur e të pavlerë. Atdhetarizmi i vërtetë, kur ndihet, arrihet të shprehet në të gjitha mënyrat e manifestimit që ka, qofshin të heshtura dhe të padukshme. Nëpër mend më kalon kënaqësia e krenaria për progreset e arritura, për kulturën që ekziston në dheun ku kjo ndjenjë të përket, për dëshirën për të ruajtur karakteristikat, trashëgiminë, e pse jo dhe traditat… Patriotizmi ama nuk është vetëm kaq, patriotizmi ka dhe një fizionomi etike, sepse bashkë me atdheun dhe tek atdheu shihet një standard, një vlerë morale më vete, që duhet forcuar vazhdimisht, duhet përkryer e rrezatuar në çdo akt tonin. Ndërkaq një individ i tillë, që në të vërtetë ndihet i përfshirë në këtë “rrymë”, vendos interesat e kombit përpara atyre personalë, diçka e tillë “leverdis” shumë e më shumë, sesa të varfrat nevoja vetjake. …Shteti në periudha tranzicioni, bile edhe më përpara, nuk ka pasur një politikë etnike reale, kurrë nuk jemi shqetësuar si mendësi paraprake, por si mund i mëpastajmë, kur duhet ditur më së miri të vendosim të parat shkencërisht të drejtat tona si komb e të drejtat tona historike.

…Ajo çka fatkeqësisht dimë të bëjmë më mirë, është të tejçojmë vuajtjet e të parëve tanë brez pas brezi, të flasim me mllef (me të drejtë në shumë raste, po jo e drejtë gjithashtu, sepse politika nuk përbën një popull të tërë, edhe vetë nuk besoj të jam ndier i përfaqësuar nga politikat e vendit tim.) …dua të shtoj se ndjenja e dashurisë kundrejt vendit rritet ende më shumë bashkë me njohjen, qoftë dhe duke parë më shumë e më shpesh trojet tona…

 

 

  1. KËRKIMI

(ose letër një studenteje në SHBA)

 

Mënyra më e mirë sot për të bërë equality është që lëvizjet feministe të mos ekzistojnë. Sado të forta ose jo, në qoftë se një organizatë e tillë ekziston, detyrimisht kuptohet që femra në përgjithësi ndihet e subordinuar. Nuk dua të bëj si guru, se është vdekje, por reflekto mbi konkurrencën e çfarë është… Pas saj do të jesh goxha më lehtë… Kompeticioni në përgjithësi është budallallëk, mendoj. Dhe kompeticioni me vetveten është akoma më shumë, sepse në kompeticion ti afirmon të qenët tënd. A nuk është humbje kohe afirmimi i diçkaje që already është. Ne i futemi thellë së vërtetës. Sa thjesht e zhveshim atë. Preferojmë sinusitetin e elegancën ndaj mbulesës, por në fund del që lëkura lakuriq është më e komplikuar se mbulesa dhe fundi pastaj bëhet i thjeshtë… Por rruga është keq. Ka shumë gropa.

Kërkimi është zhveshje

 

SKICA NGA ATJON ZHITI   

Të fundit

Meta i drejtohet Biden përmes medies amerikane: Mos harroni Shqipërinë dhe rajonin

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta përmes një interviste për medien amerikane Fox News, i ka kërkuar presidentit...

“Rrënimi nis te shitja e votës”/ Gjekmarkaj nuk ndal sulmet nga Kukësi

Nënkryetari i Rithemelimit Agron Gjekmarkaj, e nisi fjalën e tij nga takimi me demokratë në Kukës, duke u kërkuar ndjesë për trazimet që “politikanët...

Grabitën turistët italianë, Vlora Marina mbulon vlerën e vjedhur

Vlora Marina është ofruar vullnetarisht që të mbulojë vlerën prej 2 500 € që i janë vjedhur turistëve italianë në Vlorë dy ditë më...

Analiza/ 2.3 miliardë euro nga Diaspora tek ne?

Nga Fatos Çoçoli  Sot, të 5 mijë e 141 vendet e uljes në Stadiumin Olimpik “Galatsi” në Athinë ishin mbushur si kurrë më parë, me...

A shkakton ankthi ëndrra të këqija? Ja ç’thonë psikologët

Ndodh që ëndrrat e këqija pasqyrojnë gjërat që keni përjetuar gjatë ditës apo ngjarje në botën reale. Por, duket se këto ëndrrat mund të...

Lajme të tjera

Web TV