Pakti i arritur në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë duket se nuk është finalja e një marrëdhënie të gjatë problematike mes palëve. Kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë do të ulen sërish në dialog sot në Bruksel. Po çfarë fituan dhe çfarë humbën palët në marrëveshjen me 16 pika, që u firmos në praninë e presidentit Trump? Pse njohja nga Izraeli e Kosovës u cilësua si një fitore dhe çfarë do të ndodhë me negociatat e dirigjuara nga Bashkimi Evropian? Flasin për gazetën “Fjala” historiani Romeo Gurakuqi, ish-diplomati Mal Berisha dhe avokat Spartak Ngjela.
Nga Blerina Gjoka
Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë vijojnë të jenë një çështje e pazgjidhur, edhe pse në 4 shtator u nënshkrua një marrëveshje pompoze në praninë ne presidentit Trump. Kryeministri kosovar, Abdullah Hoti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, do të ulen vetëm 3 ditë më pas, në 7 shtator, në një tjetër tryezë të rëndësishme, atë të Bashkimit Evropian. Brukseli ka qenë i rezervuar në komente për “paktin e Uashingtonit”, duke vijuar agjendën evropiane për vazhdimin e dialogut mes dy vendeve ballkanike. Në fund të fundit, ceremonia në Shtëpinë e Bardhë prodhoi vetëm një pakt për stabilizim ekonomik, ndërsa shumë tema të nxehta politike mes vendeve vijojnë të jenë të hapura, si njohja reciproke dhe gjetja e të zhdukurve të luftës. BE-ja, që kërkon t’i integrojë të dyja vendet në Union, synon për një marrëveshje finale mes tyre. Për Kosovën finalizim i këtyre bisedimeve të gjata do të ishte vetëm njohja reciproke, si dy shtete të pavarura, një pritshmëri që nuk u arrit dot në SHBA, edhe pse negociatori i Trump-it, Grenell, e kishte futur si pikë në draftin fillestar të marrëveshjes. Kryeministri Hoti ndodhet në Bruksel, ku u takua dje me emisarin special të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, dhe zëvendësndihmëssekretarin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Matthew Palmer, për të përgatitur takimin e sotëm. Ai pranoi se në tavolinën e negociuar nga Brukseli është edhe teza e njohjes, duke theksuar se “marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke”. “Nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, parciale apo kreative, që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë. Do të ketë vetëm marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, që është sistematike dhe ku përfshihen të gjitha çështjet që duhet të adresohen mes dy vendeve të pavarura, duke u bazuar në konventat, standardet dhe praktikën ndërkombëtare të rregullimit të marrëdhënieve mes dy vendeve të pavarura.”- shkruan Hoti. Marrëveshja e iniciuar nga pala amerikane u ka kushtuar vëmendje çështjeve ekonomike mes dy vendeve. Për Bashkimin Evropian çdo çështje për të cilën ka pajtim mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë në përputhje me rregullat e bllokut. Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Peter Stano, ka thënë se BE-ja është duke pritur informata të mëtejme prej partnerëve të saj, përfshirë rreth asaj se si zotimet e bëra do ta ndihmojnë Kosovën dhe Serbinë në avancimin e shtegtimit të tyre evropian. “Palët kanë gjetur pika të përbashkëta se si t’i adresojnë çështjet e ndryshme, në kuadër të normalizimit të raporteve të tyre. Palët duhet të flasin për veten rreth çështjeve në dokumente. Për BE-në, gjithçka për të cilën arrihet pajtim, duhet të jetë tërësisht në përputhje me ’ EU acquis’, rregullat dhe ligjet tona, ashtu si edhe t’i kontribuojë stabilitetit rajonal.”- është shprehur Stano. Shumë analistë besojnë se vëmendja që mori takimi në zyrën e Trump-it duket se do t’i vlejë më shumë vetë Trump-it për zgjedhjet që e presin këtë vjeshtë, sesa realisht Kosovës e Serbisë, të cilat do t’u rikthehen çështjeve në dialog, për të synuar një marrëveshje më gjithëpërfshirëse. Gjithsesi, simbolika e atij takimi do të mbetet dhe për të treguar rikthimin e vëmendjes së SHBA-së në Ballkan, por dhe për të treguar shmangien e Serbisë nga linja e hershme proruse. Për Kosovën është shtuar një njohje e re pas 2 vitesh stanjacion dhe ajo është e rëndësishme, pasi vjen nga Izraeli, edhe pse iu desh të paguante një haraç për këtë njohje, duke u etiketuar nga Trump-i si një shtet mysliman, kur është në fakt një shtet laik.
/Fjala.al/Ke.Ba
Mal Berisha: Marrëveshja hoqi çdo dyshim për ndryshimin e kufijve
Romeo Gurakuqi: Pakti i Uashingtonit, një shenjë e mirë, por jo zgjidhje përfundimtare
Spartak Ngjela: Kosova fitoi nga politika e madhe që luajti Trump