Lidhjet me PD-në ishin edhe gjenetike për Enkelejd Alibeajn, duke ardhur nga familje të persekutuara, por u fut me “këmbët e veta” brenda strukturave të partisë dhe më pas i ngjiti shkallët e karrierës. Ish-ministri i Drejtësisë mbetet një nga zërat denoncues dhe eksperti ligjor kryesor në Partinë Demokratike. Sot PD-ja, shtatë muaj para zgjedhjeve, ende nuk zien nga entuziazmi, organizimi, hapja e madhe apo një fushatë intensive. Në një intervistë për emisionin “HARD TALK” nga Roland Qafoku, Alibeaj tregon për pritshmëritë në zgjedhje dhe shprehet i bindur se opozita do të fitojë.
Nga Roland Qafoku
A gabuat në djegien e mandateve?
Ne i dogjëm mandatet, sepse ne nuk kishim një sistem gjyqësor i cili të kundërshtonte mazhorancën. Ne s’kemi Gjykatë Kushtetuese, që të paktën ligjet e dala në mënyrë flagrante të shqyrtohen dhe rrëzohen nga Gjykata Kushtetuese. Dhe për këtë arsye çfarë bëmë ne?
Fasadë nuk kthehemi, do të ishte rrënim jo vetëm i yni, por edhe i demokracisë. Dolëm, besoj unë kemi bërë aktin e duhur dhe, sigurisht, dita e gjykimit do të jetë 25 prilli. Dhe besoj se do të na vlerësojnë. Analizën do të duhet t’ua lëmë shqiptarëve. Nëse ndodh që shqiptarët vitin e kaluar, në 30 qershor, për shkak se ne nuk morëm pjesë në zgjedhje, do të na konsiderojnë që kemi bërë gabim, faj, nuk e meritojmë ndoshta të jemi në politikë, e sigurt që nesër do të na ndëshkojnë.
-Zoti Alibeaj, pas tetë vitesh në opozitë, a ka krijuar një frymë PD-ja?
Nuk e kam një lakmues që të jap një përgjigje për këtë pyetje. Fryma është një koncept jo juridik, jo politik. Di të të them se çfarë kemi bërë. Nëse shqiptarët sot janë të neveritur, për shkak të të gjitha simptomave të qeverisjes së Ramës, papunësia, humbja e shpresës, ekonomia në humnerë, lënia e vendit në dorë të krimit, kthimi i këtij vendi në një parajsë të pastrimit të parave dhe të drogës, kriminalizimi i politikës, mund t’ju them me bindje se ajo çka kemi bërë në këto tetë vite ka qenë totalisht e kundërta e asaj çfarë pushteti ka bërë. Dhe unë besoj që shqiptarët do të vlerësojnë pikërisht këtë gjë. – Sigurimi i Shtetit sot ka kapur policinë. Mbi 500 persona që kanë punuar në Sigurimin e Shtetit dje, që kanë lyer duart me gjak në vetë të parë, sot janë marrë dhe drejtojnë Policinë e Shtetit.
-Mund të na thuash ndonjë emër?
Albert Dervishi, Gjovalin Loka.
-Kanë qenë agjentë të Sigurimit të Shtetit?
-Spiunë. Unë kam dalë në deklaratë për këtë çështje.
-Albert Dervishi dhe Gjovalin Loka e kanë nisur karrierën dhe kanë punuar edhe në qeverisjen e PD-së në ’92-’97 dhe 2005-2013
Më the thuaj dy emra dhe të thashë dy emra. Dhe janë dy zëvendësdrejtorë të Policisë së Shtetit.
-Kanë punuar dhe në administratën tuaj
Po diskutojmë janë – s’janë sigurimsa, apo kur kanë punuar? Diktatura është kthyer në emra, është kthyer në strukturë, është kthyer në mënyrë të menduari, është rikthyer dhe si një regjim politik.
-Çfarë do të bëjë PD-ja lidhur me reformën në drejtësi, nëse vjen në pushtet?
Një parti politike konkurron për të marrë pushtetin në Parlament. E vetmja gjë që mund të bëjmë ne, pasi Kushtetuta kaq të lejon, është nëse gjithmonë e marrim një mbështetje nga shqiptarët. Nëse mbështetja që do të marrim nga shqiptarët nuk është në nivele të shumicës së cilësuar, pra 84 vota, nuk mund të bëjmë ndonjë gjë të madhe. Mund të bëhen ndërhyrje në bazën ligjore, vetëm kur ke votat e tua. E drejta e Parlamentit për të ndërhyrë dhe për të bërë ndryshime përmirësuese në ligje bazohet thjesht te kartoni i tij. Pjesa tjetër e reformës, zbatimi i saj, është në dorë të atyre njerëzve që tashmë janë emëruar. Kaq është mundësia që Kushtetuta i jep Parlamentit për të ndërhyrë në reformën në drejtësi.
-Zoti Alibeaj, mund të na rendisni disa nga arsyet se përse shqiptarët duhet t’ju votojnë juve në 25 qershor?
Sepse në këtë seli në këto tetë vite ka ndodhur një metamorfozë lidhur edhe me përfaqësimin strukturor nga 2013-a deri më sot. Dhe kjo besoj është një fakt apo akt që ne e kemi bërë publik. Kemi bërë ç’është e mundur me atë që quhet transfuzioni i kalimit jo vetëm të brezave, por edhe të përfaqësuesve nga 2013-a edhe sot. Dhe kjo është një lloj shenje, një lloj prove.
-Kjo është arsyeja e parë
Së dyti. Ne kemi ndërmarrë akte të forta, besoj të moralshme. Djegia e mandateve, mospjesëmarrja në zgjedhje, lufta e pakompromis ndaj kanabizimit të vendit, lufta e pakompromis ndaj kriminalizimit të vendit, ka qenë një kalë beteje i gjatë dhe vazhdon ende. Lufta e fortë, denoncimet e përditshme ndaj vjedhjes dhe komprometimit të zgjedhjeve. Së treti, kemi pasur dhe kemi sot të konkretizuar një program të qartë ekonomik.
-Zoti Alibeaj, çfarë lideri është zoti Basha?
Njeri normal.
-Po ç’do të thotë njeri normal? Njerëzit kanë nevojë për një njeri të veçantë.
Njeri të veçantë mbani Edi Ramën. Njeri me probleme. I veçantë në këtë kuptim, hero në këtë kuptim, ekstravagant në këtë kuptim. Njeri me probleme të mëdha psikologjike. Unë besoj që kjo e bën të veçantë. Lulzim Basha është njeriu që si unë dhe shumë të tjerë në vitin 1992 doli për liri dhe demokraci. Ndoqi rrugën e arsimit jashtë vendit, dhe ka bërë një karrierë të vetën, është bërë me duart e veta.
-Kjo është e diskutueshme.
Të ta garantoj unë. Njeriu i bërë vetë, me duart e veta, jep garanci.
-Edi Rama është i bërë vetë.
Jo, jo, jo! Për Edi Ramën ta them unë se si është bërë. Lulzim Bashës si shumë të tjerë, edhe mua, anëtarë të KOP-it na u dha një mundësi dhe ky është vërtet një akt për të cilën falënderimi ndaj Sali Berishës është i pafund, por pjesa tjetër pastaj është pjesë që duhet ta bësh vetë.
-Nëse PD-ja humbet zgjedhjet, a duhet të largohet nga drejtimi i PD-së Lulzim Basha?
PD-ja s’ka për t’i humbur zgjedhjet. Ka për t’i fituar. Opozita në fakt, opozita e bashkuar ka për t’i fituar zgjedhjet. Dhe opozita e bashkuar e ka kryeministrin. Për të gjitha arsyet që listuam tek ajo çfarë në publik thuhet, ndihet, shprehet e, për këtë arsye, besoj se jemi të qartë. Pastaj pyetja juaj teorike, nëse humbet zgjedhjet a duhet të largohesh apo jo, unë them: Po, do të duhet të mbash përgjegjësi. Kjo është një nga rregullat që është vendosur në këtë seli.
-A do t’i njohë zgjedhjet PD-ja?
Zgjedhjet maten nëse janë të ndershme apo jo. Çështja nëse janë të lira dhe të ndershme, apo jo, është çështje faktesh dhe provash. Është çështje fakti, jo çështje dëshire. Si ka ndodhur për zgjedhjet e 2017-s? Si ka ndodhur për zgjedhjet e 2016-s në Dibër? Apo dhe të 2015-s? Momentet e para ju e patë. Dolëm humbës apo jo? Dolëm humbës dhe në ato momente nuk dolëm të thoshim që fajin na e ka tjetër kush. Ama, me daljen e provave, të fakteve, të përgjimeve të Bildi-t besoj u bë e qartë të paktën në dy qarqe të mëdha se si ishin vjedhur zgjedhjet. Kështu që çështja e njohjes apo jo, nuk është çështje opinioni, është çështje faktesh. Deri tani ne kemi bërë maksimumin për të krijuar elementet bazike të garancive. Dhe marrëveshja e 5 qershorit këtë synonte. Po i përdori siç i ka përdorur zgjedhjet deri tani, këto nuk mund të jenë më zgjedhje të ndershme.
-Është për t’u përshëndetur ngritja e Komisionit për verifikimin e figurave të kandidatëve për deputetë. Ajo që diskutohet më shumë në këto kohë është emri i liderit historik të PD-së, zotit Sali Berisha. Cili është shpjegimi juaj?
Unë mendimin tim për Salli Berishën e kam dhënë që në vitin 2013. Në 2013 unë nuk isha në listë. Në një farë mënyre u mënjanova dhe jam shprehur që atëherë për rolin e Sali Berishës.
-Ju jeni duke thënë që ai duhet të jetë sërish deputet?
Ai do të duhet t’i nënshtrohet të njëjtit proces, siç po i nënshtrohen të gjithë. Dhe do të shihet, a ka performuar?
-A ka performuar Sali Berisha?!
Ja, e dhatë përgjigjen.
-Ajo që quhet hapje e PD-së. Ku është hapur?
Varet çfarë kupton me hapje. Unë mund t’ju them që rregulli apo koncepti i hapjes është se kushdo që gjatë këtyre tetë viteve i është bashkuar me vullnet të plotë kauzës opozitare, jo PD-së, pra të qenit kundër regjimit, kundër Ramës, kundër kësaj qeverisjeje, kundër të gjitha gjëmave që ka shkaktuar, unë besoj që ata të gjithë, nëse kanë dëshirë e kanë një derë të shpalosur në PD.
-Po si mund të mos futet Jozefina Topalli? Cili është mendimi juaj?
Kushdo që në këto vite ka qenë në kauzën opozitare, si gazetar që bëni studime të thelluara, ju mund të shikoni të gjitha deklaratat përkatëse dhe të shihni aktivitetin politik në këto vite. Në politikë matesh jo kush ke qenë, por çfarë aktesh politike bën. Dhe, tek e fundit, edhe nga dëshira që ke, do të bashkohesh apo jo me partinë politike që ke. Nuk ka më mirë se të pyesësh bazën.
-Baza për Jozefina Topallin e ka thënë fjalën e saj.
Nuk do Jozefina. Është kaq e thjeshtë, këtu mbyllet historia. /Ra.my.Fjala.al/