Nga Blerina Gjoka
Flet për gazetën “Fjala” një nga anëtarët e grupit të fundit të ngritur për të negociuar marrëveshjen me Greqinë, profesori i të drejtës ndërkombëtare, Ksenofon Krisafi: Dërgjimi në Gjykatën Ndërkombëtare, zgjidhje e drejtë. Ja si pritet të përfaqësohet Shqipëria në ndarjen e detit. Në një analizë për “Fjalën” ish-oficeri madhor i marinës, Osman Metalla, thekson se vendimi për dërgimin e çështjes për ndarje nga një palë e tretë asnjanëse, duket i drejtë, i vonuar, por duhet pasur kujdes. Përse palët nuk ranë dakord dhe përse kryeministri Rama dhe Micotaqisi e hoqën “përgjegjësinë” nga vetja për t’ua lënë në duar asnjanësve…
Një marrëveshje e re mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufirit detar do të përfundojë në një gjykatë ndërombëtare. Ideja për një zgjidhje që vjen nga një palë e tretë u përmend dje nga kryeministri Edi Rama, një ditë pas darkës që pati me homologun e tij grek, Qirjakos Micotaqis.
Kjo duket se është rruga e një zgjidhjeje që do t’i kënaqte të dyja palët dhe nuk do të linte vend për diskurs nacionalist në politikën e brendshme të të dyja vendeve. “Unë kam një ide të thjeshtë që e kam paraqitur më parë dhe shpresoj që sa më shpejt të arrijmë dakordësi. Kur bëhet fjalë për zona detare, ta zgjidhim çështjen me të tjerë, nëpërmjet një pale të tretë apo edhe gjykatave ndërkombëtare.
Kjo të jetë e drejtë dhe të mos përdoret nga ultranacionalistët atje dhe këtu”, u shpreh Rama në Athinë, ku po qëndron i ftuar në një forum të the Economist. Po, ai nuk detajoi se cila gjykatë mund të merrej me zgjidhjen e kësaj çështjeje që ka mbetur pezull mes dy vendeve, pasi një marrëveshje e arritur më parë në vitin 2009, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në Tiranë. Vendimi i Kushtetueses kushtëzoi dhe negociatat e dyta mes dy qeverive, të cilat u pezulluan në vitin 2018, pa asnjë marrëveshje konkrete.
Po Rama nuk detajoi se cili tribunal ndërkombëtar do ta merrte përsipër këtë çështje. Në një komunikim me gazetën “Fjala” ish-gjyqtari shqiptar i Gjykatës së Strasburgut, Ledi Bianku, sqaroi se nuk mund të jetë kjo gjykatë që mund të merret me çështjen e marrëveshjes mes dy vendeve për kufirin detar. Sipas tij, “kjo është një çështje që ka të bëjë ose me Gjykatën e Hagës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ose ajo e Hamburgut, Gjykata për të Drejtën e Detit, ose ndonjë arbitrazh ndërkombëtar”. Bianku nuk pranoi të komentonte më tej lidhur me idenë e hedhur nga kryeminisri për këtë çështje.
Ndërsa një nga anëtarët e grupit të fundit të ngritur për të negociuar marrëveshjen me Greqinë, profesori i të drejtës ndërkombëtare, Ksenofon Krisafi, i tha gazetës “Fjala” se një zgjidhje juridike që do të vinte nga një palë e tretë, do të ishte zgjidhja më e përshtatshme. Sipas Krisafit, kjo është një zgjidhje e mirë dhe do të garantonte objektivitet në trajtimin e çështjes.
Ndërhyrja turke
Në Athinë është krijuar perceptimi se Turqia është e interesuar për bllokimin e një marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjen e detit. Ky perceptim u përforcua dhe nga një vizitë miqësore që Rama zhvilloi në fundjavë, dy ditë para se të udhëtonte në Greqi, në rezidencën private të presidentit Erdogan.
Për këtë arsye kryeministri Rama është përfshirë në një debat me ish-ministren greke, Dora Bakojanis, e cila ka qenë firmëtare e marrëveshjes së parë dhe të vetme me Shqipërinë për kufirin detar, marrëveshje që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese me kërkesë të Partisë Socialiste, në atë kohë në opozitë. Replikat mes Ramës dhe Bakojanisit u bënë gjatë takimit të organizuar nga revista The Economist. “Marrëveshja e parë është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Kemi zhvilluar një dialog intensiv me qeverinë e mëparshme greke për shumë çështje. Duhet të mos ketë urrejtje mes ballkanasve. Kur bëhet fjalë për detin, ta zgjidhim me një palë të tretë, ose me anë të gjykatave ndërkombëtare, që të mos përdoren nga politikanë si patriotë”.
Kështu u shpreh ish-ministrja e Jashtme greke. Sipas saj, vendimi i Kushtetueses në Tiranë ndodhi pas ndërhyrjes së Turqisë dhe përkatësisht të presidentit Erdogan, por Rama e kundërshtoi menjëherë politikanen greke. “Ideja që kam dëgjuar nga autoritete të larta se kjo është një marrëveshje e cila është ndaluar nga ndërhyrja e Turqisë, është absolutisht e pavërtetë.
Mund të them se në asnjë takim nuk kam dëgjuar prej tij që kjo çështje të ketë interes për Turqinë.” – tha ai. Rama deklaroi se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga Turqia për marrëveshjen e 2009-s. “Në 2009-n asnjëherë nuk e kisha takuar dhe folur me presidentin Erdogan, nuk kishim asnjë raport dhe vendosëm që marrëveshjen ta çonin më gjykatë për një arsye shumë të thjeshtë, kishte një debat në opinionin publik.
Deklarata se kjo është një marrëveshje që është parandaluar nga ndërhyrja e Turqisë është e pavërtetë. Asnjëherë në asnjë takim me presidentin Erdogan nuk kam dëgjuar prej tij që kjo marrëveshje ka ndonjë interes për Turqinë. Kjo është e vërteta.” – tha Rama duke iu përgjigjur Bakojanisit. Më tej kreu i qeverisë shqiptare tha se ka besim që kjo çështje do të zgjidhet. “Së pari, kur ftoni ballkanasit në panel duhet të keni shumë kohë.
Se na pëlqen të flasim shumë. Mos u habisni. Kjo ka qenë një marrëveshje e hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Jam besimplotë që jemi në rrugën e duhur. Kemi zhvilluar intensivisht me negociata qeverinë e kaluar. Befas, herë pas here kthehen në patate të nxehta në politikën lokale. Por janë thjesht çështje që nuk kanë zjarr dhe rëndësi ku janë zhvilluar marrëdhëniet shqiptaro-greke. Sfida jonë është që ta bëjmë politikën mes dy vendeve siç janë marrëdhëniet mes njerëzve.”- theksoi ai. Në këtë mënyrë ai mbrojti idenë e tij për një zgjidhje që vjen jo nga dakordësia mes palëve, por nga një palë e tretë, neutrale.
A do të hiqet më në fund “ligji i Luftës”?!
Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Greqi, ka zhvilluar edhe një takim me emigrantët në vendin fqinj. Rama tha se heqja e ligjit të luftës është gur themeltar, për të hapur një epokë të re në marrëdhëniet dypalëshe. “Me qeverinë greke jemi në një situatë pozitive, për të trajtuar problematikat.
Hapi që hodhi Micotaqisi në parlament për lejet e drejtimit ishte akt i vullnetit të mirë. Duam marrëdhënie të mira mes dy vendeve. Kemi akoma çështje për të trajtuar disa çështje. Ligji për patentat në Greqi, lajm i mirë. Heqja e ligjit të luftës është gur themeltar për të hapur një epokë të re. Ramë dakord që shqiptarët në Greqi të gëzojnë të drejta dhe grekët në Shqipëri po ashtu të gëzojnë të drejta.
Ne gjithmonë i kemi respektuar grekët në Shqipëri. Micotaqis dëshiron të ndërtohen marrëdhënie të mira mes dy vendeve e popujve.”- deklaroi Rama në Athinë. Më tej, Rama theksoi se BE-ja sot nuk është në formën më të mirë, duke shtuar se Shqipëria duhet t’i forcojë marrëdhëniet me fqinjët. “Ne duam të jemi në BE dhe të gjithë punojmë për projektin e Bashkimit Evropian.
BE-ja po vuan nga shumë shpërqendrime. Është kyçe për Shqipërinë që të zgjidhë marrëdhëniet me fqinjët, sidomos ata të së shkuarës. Ka shumë shqiptarë që jetojnë në Greqi, ka shumë grekë që jetojnë në Shqipëri, kështu që shtetet tona kanë raporte të ndërsjella. Kështu është çdo vend në rajon, andaj duhet të ushqejmë raporte sa më të mira.” – deklaroi Rama.
Krisafi: Dërgimi i çështjes në një gjykatë ndërkombëtare, zgjidhja më objektive
Profesori i të drejtës ndërkombëtare dhe anëtar i grupit negociator shqiptar për marrëveshjen me Greqinë, për çështjen e detit, prof.dr. Ksenofon Krisafi, në një bisedë me gazetën “Fjala”, komenton idenë e kryeministrit Edi Rama për një zgjidhje ndërkombëtare për kufirin detar. Sipas tij, kjo është zgjidhje e përshtatshme dhe objektive, e cila bazohet në praktikat ndërkombëtare.
Profesor Krisafi, si e konsideroni idenë e hedhur sot nga kryeministri Edi Rama për dërgimin e çështjes së detit mes vendit tonë dhe Greqisë, në një gjykatë ndërkombëtare?
Në fakt, e përgëzoj Ramën për këtë ide që hodhi, edhe pse kjo është një ide që unë e kolegë të tjerë e kemi thënë me kohë. Kjo është zgjidhje e përshtatshme për të dyja vendet, të cilat do të duhet të ndjekin disa procedura konkrete, të imponuara nga gjykata ndërkombëtare që do të marrë përsipër të zgjidhë dhe të marrë një vendim për çështjet ku nuk bien dakord dy vendet fqinje. Një zgjidhje e tillë ka më shumë shanse për objektivitet dhe për një pranim të marrëveshjes finale nga të dyja palët.
Cila gjykatë mund ta marrë përsipër këtë çështje, sipas jush?
Ka disa gjykata që mund ta marrin përsipër zgjidhjen e një çështjeje të tillë, siç është ajo që njihet si Gjykata e Hagës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ose ajo e Hamburgut, Gjykata për të Drejtën e Detit. Por mund të zgjidhet edhe me ndonjë arbitrazh ndërkombëtar.
Në këtë rast, funksionon në këtë mënyrë: mund të formohet një trupë arbitrazhi, me propozim të palëve të interesuara, ku secila palë propozon anëtarët e saj. Arbitrazhi paraqet formë të zgjidhjes së kontesteve midis shteteve nga gjyqtarë të cilët zgjidhen nga vetë palët. Përbërja e tribunalit do të garantojë paanësi dhe vendimmarrje profesionale. Praktika të ngjashme ka shumë dhe këto funksionojnë.
Si mund të ndikojë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i vitit 2010 në një proces ndërkombëtar? A do të merreshin parasysh pikat ku ajo e sheh marrëveshjen e parë me Greqinë në kundërshtim me Kushtetutën shqiptare?
Sigurisht që mund të ndikojë, por do të jetë qëndrimi i palës shqiptare gjatë një procesi ndërkombëtar që, duke marrë parasysh këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, do të vendosë që të qëndrojë brenda disa vijave të kuqe që ka Shqipëria për çështjen.
Sa e pengon ligji i luftës, të cilin Greqia e ka akoma në fuqi me Shqipërinë, në arritjen e një marrëveshjeje të tillë, në një proces gjyqësor ndërkombëtar?
Ligji i luftës është një kërcënim potencial dhe nuk e kuptoj pse nuk hiqet, sepse në këto kushte dhe marrëdhëniet që kanë dy vendet, nuk ka asnjë kuptim.
A ka Shqipëria ekspertë të së drejtës së detit, që mund ta përfaqësonin në një përballje të tillë, në një tribunal ndërkombëtar?
Kemi ekspertë shumë të mirë. Kemi ekspertë këtu në Shqipëri, por dhe nëse nuk konsiderohen këta që kemi, ne kemi ekspertë të mirë edhe jashtë vendit dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore që t’i afrojmë për një rast të tillë./Jo.Be/Fjala.al