Bizneset vazhdojnë me humbje në Kosovë, shteti hesht

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kompanisë “Laberion”, e cila merret me prodhimin e lëngjeve në Kosovë, si pasojë e pandemisë me COVID-19, i janë shkaktuar humbje, të cilat mund të arrijnë deri në 5 milionë euro.

Pronari i kësaj kompanie, Bashkim Osmani, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se shitja e produkteve të tyre ka rënë në 40 për qind.

“Në muajin korrik kemi pasur 18 për qind rënie të shitjes apo qarkullimit, në muajin gusht kemi pasur rënie 22 për qind të shitjes, ky muaj (shtator) do të jetë me humbje edhe më të mëdha. Deri në fund të vitit, llogarisim që do të kemi rënie 40 për qind, që në vlerë monetare humbjet mund të jenë 4 deri në 5 milionë euro”, thotë ai.

Në kompaninë “Laberion”, janë të punësuar 130 punëtorë.

Osmani thotë se deri më tani nuk ka larguar nga puna asnjë punëtor, por ai kërkon nga autoritetet e Kosovës që të ndihmojnë bizneset, pasi që edhe vendet e punës nuk do të mund të jenë të sigurta në të ardhmen.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës dhënë Radios Evropa e Lirë, bizneset në Kosovë kanë pasur afër 900 milionë euro më pak qarkullim gjatë periudhës mars-korrik, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, tha për Radion Evropa e Lirë se bizneset në Kosovë kanë shënuar rënie të të hyrave dhe kjo, sipas tij, është mjaft shqetësuese për ekonominë e vendit.

“Që nga fillimi i pandemisë, nga muaji mars e deri në korrik, bazuar në të dhënat statistikore të ATK-së, rezulton se kemi pasur rënie të qarkullimit prej rreth 900 milionë euro, pra qarkullim më i ulët, që shprehur në përqindje i bie 22 për qind kemi rënie në periudhën mars- korrik 2020 në raport me periudhën e njëjtë në vitin 2019”, thotë Muretzaj.

Murtezaj shton se për të nxitur zhvillimin ekonomik duhet të ketë ndërhyrje nga ana e shtetit, në kuptimin e ngritjes së konsumit si promotor të zhvillimit ekonomik, pasi në të kundërtën, sipas tij, bizneset futen në krizë.

“Ka disa muaj që po proklamohet Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, i cili do të lehtësonte këtë rënie të qarkullimit të të hyrave të biznesit, por ky (projektligj) nuk u arrit të miratohet në kuvend. E gjithë kjo nënkupton, fatkeqësisht, se do të kemi përkeqësim të shtuar gjatë muajve në vijim, nëse vetëm nuk do të ketë ndërhyrje nga ana e shtetit”, thotë ai.

Lexo edhe :  Hyn në fuqi ligji, Kosova nuk do zhdoganojë makina më të vjetra nga 10 vjet

Kuvendi i Kosovës për herë të dytë të enjten, më 17 shtator, ka dështuar të votojë Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike COVID-19.

Ky projektligj, që më 22 korrik u miratua në Qeverinë e Kosovës, kap vlerën prej 385 milionë eurove. Projektligji synon që përmes politikave fiskale dhe monetare, t’iu ndihmojë bizneseve pas humbjeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Votimi i këtij projektligji po ashtu do t’iu mundësonte qytetarëve kontributpagues të tërheqin 10 për qind të mjeteve nga llogaria e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Përfaqësuesit e bizneseve në vazhdimësi u kanë bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që sa më shpejt të ndihmojnë në rimëkëmbjen ekonomike, pasi që çdo vonesë, sipas tyre, do të sillte probleme më të mëdha për bizneset dhe rrezik të falimentimit të tyre.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një konferencë për media të enjten, iu ka bërë thirrje deputetëve që urgjentisht të marrin masa konkrete për rimëkëmbje ekonomike, pasi që rreziqet janë të mëdha në ekonomi.

“Nëse nuk intervenohet me disbursim të mjeteve në ekonomi gjatë muajt shtator dhe muajin tetor, atëherë kolapsi ekonomik është i pashmangshëm që do të përcillet me humbjen e shumë vendeve të punës. Jemi duke folur për mbyllje të mijëra vendeve të punës dhe mbylljen e bizneseve. Bizneset nuk do të kenë alternativa dhe do të kërkohet të futen në procedura të falimentimi”, tha Rukiqi.

Kosova deri më tani ka zbatuar Pakon emergjente fiskale, në vlerë të rreth 180 milionë eurove. Kjo pako, e cila kishte për qëllim të zbuste problemet ekonomike dhe sociale, ishte miratuar në muajin mars, pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus, nga qeveria e udhëhequr nga ish -kryeministri Albin Kurti.

Kurse, disa nga masat e saj janë duke u zbatuar pas ardhjes së qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti.

Mekanizmat financiarë ndërkombëtarë në raportet e tyre të publikuar për efektet e pandemisë në ekonominë e Kosovë, kanë vlerësuar se janë shkaktuar dëme të mëdha.

Banka Botërore në raportin e saj ka paraparë një rënie ekonomike prej 4.5 për qind në Kosovë në vitin 2020/rel/Fjala.al

Të fundit

Cilat janë shkaqet e lëvizjes së pavetëdijshme në gjumë, somnabulizmi?

Somnambulizmi, ose ecja në gjumë, është një çrregullim që ndodh kur individët lëvizin ose ecin gjatë fazave më të...

Florian Marku arrestohet sërish, këtë herë në Angli!

Telashet për boksierin shqiptar, Florian Marku nuk kanë të mbaruar. Vetëm disa ditë pasi u lirua në Gjermani, sportisti shqiptar është arrestuar sërish, por...

A rrezikojmë izolimin nga virusi i “ri”? Alimehmeti apel qytetarëve: Shkakton sëmundje

“Virusi i ri, a rrezikojmë izolimin”, kjo ishte tema e emisionit në një studio televizive. Mjeku Epidemiolog Ilir Alimehmeti i ftuar në studio tha se...

Gjithë natën me 5 persona, zbardhet dëshmia e 21-vjeçares që alarmoi Tiranën

Forcat speciale të RENEA-s ndërhynë në një apartament në një pallat në Astir, aty ku këtë të enjte u ngujua një vajzë e moshës...

Përshpejton plakjen dhe rrit kolesterolin, ky është mishi më i keq për shëndetin tuaj

Është e vështirë për shumë njerëz të imagjinojnë një vakt pa mish, por duhet të mendojmë ta konsumojmë më rrallë, sepse ngrënia e tepërt...

Lajme të tjera

Web TV