Zgjedhjet parlamentare/Ç’do të ndodhë me Ramën, Bashën dhe Metën më 25 prill?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Tre liderët kryesorë të politikës në vend në provën e madhe ku ndahet jo vetëm pushteti, por edhe fati i secilit në të ardhmen, duke mos pasur më edhe një shans tjetër. Si pritet të ndryshojë pazëlli politik dhe kush rrezikon më shumë nga dështimi në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.

Nga Sebi Alla

Edi Rama, Lulzim Basha dhe Ilir Meta deri më tani fatet e tyre politike i kanë shkruar vetë, jo vetëm duke parë mbështetjen nga kutitë e votimit, por të mbështetur nga dikush i madh në politikë. Njëri (Edi Rama) vrau ‘babanë politik’dhe mori partinë, tjetri (Lulzim Basha) iu vardis me përulje ‘babait politik’ dhe ia trashëgoi partinë, ndërsa i treti (Ilir Meta) doli si ‘shtëpi më vete’ nga partia e madhe dhe ngriti një ngrehinë të tijën, të bezdisshme e të dobishme për dy big-ët PS-PD, që sa herë iu desh u strehuan në “karabinanë” e dikurshme LSI, e cila tashmë është bërë një ndërtesë shumë komode, edhe me luks. Dy do të ikin, njëri do të qëndrojë dhe është ndoshta nga të paktat raste në tragjikomedinë tonë të 30 viteve të fundit, që ende askush nuk mund të përcaktojë qartë se nga do të anojë pushteti…

Në orën 19:00, datë 25 prill 2021, nëse nuk ndodh ndonjë “kataklizëm alla shqiptare”, qytetarët do të kenë dhënë verdiktin e tyre. Brenda kutive të tejdukshme fshihen edhe fatet politike të tri personazheve që sot janë sy për sy e dhëmb për dhëmb. Zgjedhjet e ardhshme do ta kenë një të mirë, së paku mund të largojnë përfundimisht nga politika personazhe që kanë minimalisht 15 vjet dhe maksimalisht 29 vite që ndikojnë dhe me mënyrën e qeverisjes, ku kanë shkruar me penë të arta fatin e tyre, por me laps plumbi fatin e qytetarëve, që sot kudo shfaqin zhgënjim!

Ndonëse është ende shpejt për të kuptuar se nga 26 prilli e më pas do të ketë një qeveri establishment-i me emra të njëjtë apo të ndryshëm dhe pa asnjë ndryshim në mënyrën qeverisëse, të paktën zgjdhjet e vitit 2021 do të kenë rëndësi më të madhe se të tjerat. Është vija ndarëse e një anarkie totale në çdo sektor dhe detyrimisht do të sjellin largimin e të paktën dy personazheve përfundimisht nga politika, madje nuk është aspak çudi që bashkë me ikjen e tyre në ndonjë rast specifik të kryejnë edhe “mortin” e subjektit politik për të cilën milituan dhe u shpërblyen shumë më tepër nga sa u takonte.

Edi Rama

Në vigjilje të përbysjes së sistemit komunist, Rama tentoi të nisë një karrierë politike brenda PD-së, por për fare pak, diçka nuk ngjiti dhe me idenë se Berisha po instalonte një atoritarizëm të theksuar pegagodu i Arteve për kohën u kthye në një orakull në parashikim. Më pas la penelin dhe kapi penën, duke bërë rolin e “analistit të thelluar” ne median e njohur të kohës, gazetën “Koha Jonë”. Ishte koha kur idealet ende viheshin në peshoren e mendimit dhe jo vetëm të interesit, lobimit ekonomik dhe fjalës së tmerrshme korrupsion. Politikani atipik edhe nga larg ngjallte interes, të paktën ky ishte mendimi i liderit të kohës, Fatos Nano, i cili vetëm një vit pasi doli nga burgu dhe u bë kryeministër, e thirri Ramën për t’i dhënë në duar në dukje një ministri pa shumë rëndësi, si ajo e Kulturës. Ai e nisi me idenë e “kthimit në identitet”, duke i dhënë një fytyrë qoftë edhe për imazh “Kandaharit” të madh siç ishte kthyer Tirana.

Vetëm dy vite më vonë, Rama merr Bashkinë e Tiranës, gjithnjë me bekimin e Nanos dhe pikërisht aty duket se nisi mendimi i tij për të mbetur shumë më gjatë në politikë dhe jo më si i dyti apo i treti në renditje, por si i pari. Rasti i erdhi në vitin 2005, kur Partia Socialiste dhe Fatos Nano si lideri i saj, humbi pushtetin. Rama mori partinë, largoi përfundimisht nga skena politike aktive Fatos Nanon dhe nisi opozitarizmin, por gjithnjë nën pushtetin e Bashkisë Tiranë. Fati Ramës do t’i vinte thuajse në një sini të artë, në vitin 2013, kur pas marrëveshjes me Ilir Metën, çimentoi të majtën në vend e bashkë me të edhe të qenit në majën më të lartë. Mori i vetëm mandatin e dytë në vitin 2017, por tashmë pas tri vitesh në krye të qeverisë nuk ka më asnjë alibi se: “Fajin na e kanë të tjerët në bashkëqeverisje”.

Ka pushtetin qendror dhe lokal bashkë, duke përfituar nga një vendim minimalisht amator politik i opozitës që dogji mandatet e deputetëve dhe i la terren tërësisht të lirë për të fituar pa asnjë betejë edhe bashkitë e vendit. Në 22 vite aktive politike, Rama vetëm dy vjet ka qenë në opozitë të vërtetë 2011-2013, kur kishte humbur edhe Bashkinë e Tiranës. Më pas vetëm pushtet, madje për katër vite edhe i vetëm. Po më 25 prill, cili do të jetë fati politik i Ramës? Në rast fitoreje të mandatit të tretë, Rama do të futet në histori si lideri i parë në 30 vite “demokracie hibride” tonën që fiton tri mandate rresht. Ky do të ishte kulmi i suksesit personal dhe kryeministrit aktual Rama do t’i duhet të kuptojë se përse shqiptarët e votuan edhe për një mandat tjetër? Për Ramën ka edhe një zgjidhje të mesme, e cila mund të jetë e detyruar dhe e dhimbshme. Nëse Partia Socialiste nuk siguron 71 mandate deputetësh, por del si subjekt i parë politik, atëherë do t’i lindë e drejta të kërkojë koalicion me subjekte të tjera, ku ndoshta e para në listë do të jetë LSI-ja, ose disa deputetë të saj që, me apo pa aprovimin e “çiftit të partisë” mund të shkojnë në gjirin e PS-së.

Në arenën tonë politike asgjë nuk është e pamundur, për aq kohë sa është treguar në vitet e shkuara se për të vijuar pushtetin ka pasur plot “kapërcime ylberi” mes subjekteve politike që u ngjizën bashkë për të lindur “mushkën e pushtetit”. Në rast humbjeje më 25 prill, Rama do të kalojë në opozitë në një rotacion normal, por sa do të jetë në gjendje të vijojë ta mbajë timonin e partisë, kjo duket diçka përtej dëshirës. Në 22 vite aktive politike është lodhur më shumë nga pushteti sesa nga opozitarizmi, ndaj katër vjet pritje në opozitë, për të rimarrë edhe një herë pushtetin për kryeministrin aktual janë shumë, ndoshta deri në mosdëshirë, paçka të ëmblit pushtet që të tërheq vetishëm. Pas 25 prillit nëse Rama humbet, kjo asesi nuk do të thotë ikje e tij nga politika. Së pari, asnjë socialist, i ri apo i vjetër, nuk do ketë zë për të vënë me shpatulla për muri Ramën. Gjithashtu, është mjaftueshëm politikisht i pjekur për të mos lejuar askënd që të “vrasë babanë politik”… Dikur e provoi vetë!

Ai mund të tentojë vetëm një alternativë e cila i vjen për mbarë… Pasardhësin në Partinë Socialiste në rast të humbjes së pushtetit ta përzgjedhë me izmin e tij dhe gjithkush që do ta ketë këtë fat apo përgjegjësi para se të flasë për nismat e veta si kryeopozitar do të ketë si “detyrim” shprehjen: “sikurse e ka thënë edhe Rama”…! Humbja e kryeministrit pas tetë vitesh qeverisjeje nuk është tragjedi, përkundrazi një rotacion më se normal politik, për aq kohë sa ende mëtojmë në demokracinë hibride.

Lexo edhe :  Mes këngës e valles, Vlora hap zyrtarisht sezonin turistik

Luzim Basha

Nëse për Ramën dhe Metën ka gjithnjë një alternativë apo një plan B ose C, për Bashën nuk gjendet dhe s’ka si të kërkohet asnjë i tillë. Kreu i PD-së, Luzim Basha, është i dënuar për të fituar. Asnjë alternativë tjetër nuk mund të hedhë në lojë. Nëse Basha merr pushtetin në zgjedhjet e 25 prillit 2021, më së pari i shton jetë politike vetes dhe më pas do të matet me mënyrën e qeverisjes. Gjithashtu, edhe kundërshtarët brenda subjektit politik që dikur e anatemuan fort, i detyrohen një ndjesë publike, ndonëse karriera e Bashës nisi fort çuditshëm. I ardhur vetëm tre muaj para zgjedhjeve të vitit 2005 nga Holanda, Basha duket se e gjeti “tapetin të shtruar” që në Rinas, kur zbriti për të qëndruar gjatë.

Asnjë pengesë, asnjë betejë të fortë, pasi ishte Sali Berisha ai që kishte provuar opozitarimin për tetë vite dhe ngritur nga hiri subjektin politik që vetë e “dogji”. Basha nuk mbartte hijen e së shkuarës, por për të ora kishte nisur të ecte vetëm para, pa ngecur në asnjë moment, gjithnjë nën kurdisjen e përhershmë të Berishës. Ministër i Jashtëm, ministër i Brendshëm, ministër i Infrastrukturës dhe Transporteve ishin poste që i kaloi në qeverisjen Berisha 2005-2013. Më shumë se kaq nuk mund t’i ofrohej, madje as nuk mund të pretendoheshin prej tij. Pikërisht në momentin që këmbora i rëndoi si kryetar i PD-së pas dorëheqjes së Berishës, lideri aktual demokrat Lulzim Basha kuptoi përgjegjësinë që kishte, por dukshëm jo aq sa duhej.

Prova ishte në vitin 2017, kur PD pësoi dramën e madhe, duke mos marrë as votat që siguroi ish-kryeministri në ditët e tij më të vështira. Basha sërish qëndroi brenda PD-së, duke kthyer herë pas herë sytë nga “kurdisja” që vinte nga lideri i padiskutueshëm i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Tashmë kjo kohë e “përkëdhelisë në parti” ka përfunduar, ose pritet të përfundojë më 25 prill. Vetëm fitorja e shpëton politikisht jo vetëm Bashën, por edhe Partinë Demokratike, sepse lideri i saj aktual në rast humbjeje, nuk do të ketë më asnjë kredo morale dhe politike për të kërkuar edhe një shans tjetër, duke mbajtur sërish nga pas logon e rëndë PD. Edhe nëse do ta dëshirojë, të tijët janë gati brenda PD-së që ta ngrenë “tapetin e kuq”, të shtruar që në vitin 2005, dhe t’i hapin me ç’të mundin një “gropë të madhe”. Në moçalin tonë politik, por edhe publik po artikolohet edhe ideja se Basha dhe Rama mund të qeverisin bashkë në të ashtëquajturën “qeveri për integrimin në BE”, apo “qeveri e planeve të mëdha”. Të gjitha këto, çfarëdo emri t’i vënë nëse ndodh janë humbje edhe më e rëndë për vetë Bashën, ndonëse mbetet një alternativë fort e zvenitur, sepse do të shënonte një “Gines alla shqiptar”, ku në demokraci të ketë vetëm pushtet dhe jo opozitë!

 

Ilir Meta

Në takimet që Ramiz Alia bëri me studentët e rebeluar në vitin 1990, të cilët këkonin ndryshim sistemi, diku në mesin e tyre dukej edhe Ilir Meta. Nuk foli aty, dëgjoi dhe që nga ai moment e më pas iu bashkua Partisë Socialiste që doli si bijëza e së vjetrës PPSH. Gjithçka më pas për Ilir Metën ka qenë luftë dhe privilegje, por më shumë nga kjo e fundit ka anuar, duke mbajtur postin e kryeministrit, zëvëndëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, tashmë dhe të presidentit të vendit. Në çdo rast duket se Ilir Meta është më komod nga dy rivalët e tjerë politikë, Edi Rama dhe Lulzim Basha. Cilido të jetë verdikti i 25 prillit, Meta e ka të sigurt postin e kreut të shtetit deri në korrik të vitit 2022. Po më pas a mund të pensionohet Meta?

Kjo as që mund të mendohet për të, por do të jetë i detyruar të ndryshojë kurs në drejtimin politik, i cili mund ta fusë në një “autostradë”, por edhe në një kthinë që përfundon në greminë. Nëse PD-ja dhe LSI-ja bashkë me partitë e tjera të bllokut opozitar vijnë në pushtet, Meta do të ketë një lloj çlirimi, por me kredite të ulëta politike. Kur thuhet opozitë, pa dyshim që kjo nënkupton PD-në në krye dhe një Bashë kryeministër është i paprashikueshëm se si do të qeverisë, ku shumë shpejt mund t’i lindin andralla të cilat Meta nuk i parashikon dot tani, madje as pas 25 prillit. Nëse qeverisja shkon “vaj” me ndarje postesh PD-LSI, ku palët dalin të kënaqura, madje edhe ndarje me grafik të drejtorëve, Meta do të dilte i fituar dhe pse jo do të kërkonte edhe një mandat tjetër si president.

Po a do t’ia japë Lulzim Basha (kryeministër hipotetik), postin e kreut të shtetit personit që në vitin 2017 anatemoi më shumë se vetë Ramën? Pikërisht kjo është vija ndarëse, vetë Basha në daljen e fundit publike la të kuptohej se për momentin nuk mund të bënte llogari për të mbajtur edhe për pesë vite një president të zgjedhur më parë nga votat e Ramës. Këtu do të lindë përplasja e parë, ndaj nuk është çudi që gëzimi i Metës për Bashën kryeministër, të zgjasë jo më shumë se një vit, sepse korriku 2022 vjen shpejt. Në rast të fitores së opozitës aktuale të pushtetit në zgjedhjet e 25 prillit, Meta do ketë komoditetin të mendojë nëse do të “thyejë rekordin” për dy mandate presidenciale rresht, apo të rifutet në partinë e tij për t’i marrë me qejf dhe pa asnjë kundërshtim “vulën” bashkëshortes Kryemadhi?!

Një dilemë e ëmbël për Metën, por për të bërë llogari të tilla do t’i duhet të kalojë lumin e rrëmbyeshëm të 25 prillit. Bota politike e Metës mund të binte për disa kohë, nëse Rama merr mandatin e tretë, pa pasur nevojën e koalicioneve. Me Ramën tri herë kryeministër kundërshtari Ilir Meta do të përjetonte ndoshta mërzinë më të madhe të jetës, por kjo përkohësisht. Sepse fitorja e Ramës paradoksalisht do ta kthente Metën në “liderin e opozitës” dhe ky është një stof i cili i shkon, sidomos duke marrë në konsideratë problemet që kalon vendi. Por një Ramë i superfuqishëm mund të jetë edhe fundi politik për vetë Metën që të sigurt do të ketë vetëm peridhën prill 2021-korrik 2022, ku mbrohet edhe përtej “kangjellave” të Presidencës. Gjithçka më pas, në pikëpyetje! /Ra.My.Fjala.al/

 

Të fundit

Zbulohet faktori i ri që rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, ja për kë bëhet fjalë

Nëse do ta përfytyronit trupin tuaj si një makinë, zemra do të ishte motori. Zemra, një organ muskulor që ndahet...

Njohja e pensioneve me Italinë, nga e hëna drafti diskutohet në komisione parlamentare!

Marrëveshja me Italinë për njohjen e pensioneve të mbi 500 mijë shqiptarëve do të diskutohet nga e hëna në  komisionet parlamentare. Drafti parashikohet të prezantohet...

Puka dhe Tropoja bëhen bashkë dhe dhurojnë një mbrëmje të paharruar në “Gëzuar me ju”

Në programin “Gëzuar me ju” ishin të ftuar këngëtarët e njohur të muzikës popullore Perlat Sheqeri, me origjinë nga Puka, dhe Arif Dushaj, nga...

Thuajse të gjithë po e lexojnë gabim takimin e Ramës!

Nga Alban Daci Disa e quajnë takim elektoral me patronazhitë që ndoshta është edhe e vërtetë! Disa thonë se Rama e mbushi stadiumin me autobuzë nga...

Shkëmbimet tregtare / Ja ç’po ndodh me eksportet e vendit tonë në 5 vitet e fundit

Mallrat “Made In Albania” që shiten në Greqi janë dyfishur përgjatë 5 viteve të fundit. Të dhënat e Instat tregojnë se gjatë vitit 2023...

Lajme të tjera

Web TV