Nga Blerina Gjoka
Mazhoranca diskuton ndryshimet e Kodit Zgjedhor në Komisionin e Ligjeve dhe tërhiqet në momentet e fundit duke përjashtuar mundësinë që më 1 tetor të miratojë ndryshimet ligjore. Opozita e bashkuar sjell propozimet e saj për listat e kandidatëve dhe koalicionet. Meta: Çdo akt i njëanshëm është atentat ndaj rendit kushtetues. Yuri Kim – partive: Mos shkelni ”5 qershorin”!
Ndërsa pritej data 1 tetor për votimin e ndryshimeve ligjore në Kodit Zgjedhor, mazhoranca ka bërë një hap pas, duke e shtyrë në një tjetër kohë shqyrtimin në Parlament. Shkak duket se janë bërë dy zhvillime të orëve të fundit gjatë ditës së djeshme, ku opozita jashtëparlamentare paraqiti draftin e saj, duke kërkuar që Kodi Zgjedhor të ruajë koalicionet parazgjedhore, por edhe një qëndrim i ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila kërkoi që palët t’i diskutojnë pretendimet e tyre, por pa e shkelur marrëveshjen e 5 qershorit.
Nga zhvillimet e paradites së djeshme në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore mazhoranca shprehu vendosmërinë për të vijuar me draftin dhe për ta kaluar atë më 1 tetor, duke e konsideruar si “afat kushtetues”, por pasdite pati një ndryshim kursi. Në lojë është futur dhe presidenti Ilir Meta, i cili ka mbështetur propozimet e opozitës për Kodin Zgjedhor dhe paralajmëroi mazhorancën se çdo votim i njëanshëm ndaj marrëveshjes së 5 qershorit, e cila vulosi Kodin Zgjedhor, do të quhet një atentat ndaj demokracisë dhe rendit kushtetues. Gjithashtu, dje apeloi edhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim, e cila kërkoi që ndryshimet të jenë gjithpërfshirëse dhe transparente, pa prekur frymën e marrëveshjes së 5 qershorit.
Presioni amerikan
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ka shprehur dje kënaqësinë për faktin që opozita e bashkuar ka dorëzuar një draft të sajin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Kim nga Himara komenton se është e kënaqur që opozita mori përgjegjësitë dhe vijon të jetë e angazhuar.
Po ashtu, ajo riapelon që partitë duhet t’i qëndrojnë fjalës për ‘5 qershorin’.”Kam kuptuar që sot opozita ka bërë një propozim. Jam shumë e kënaqur që kam dëgjuar gjithashtu se PS-ja do ta marrë këtë kundërpropozim, dhe do të ketë debat. Ky standard sjell transparencë dhe përfshirje, është saktësisht çfarë duhet të presim nga një vend i NATO-s, kandidat për në BE, dhe kryesues i OSBE-së.
5 qershori u arrit në mënyrë gjithpërfshirëse dhe transparente. Çdo parti që ka nënshkruar atë letër duhet të mbajë fjalën, është çështje nderi. Firma ime nuk ndodhet mbi atë letër. Ata që kanë nënshkruar atë letër janë personat përgjegjës për të zbatuar 5 qershorin. Pritshmëria ime është që 5 qershori do të respektohet. Nëse palët do të bien dakord për masa të tjera pas saj, ne do t’i mbështesim.’’- tha Kim.
Dy paketa propozimesh
Debati zhvillohet në dy aspekte; në atë të koalicioneve parazgjedhore, të cilat mazhoranca me anë të propozimeve të saj tenton t’i bllokojë dhe me listat e kandidatëve ku ka dy propozime të ndryshme, për lista të hapura në masën 70% nga ana e PS-së dhe për lista të hapura 100%, ku bashkohen propozimet e dy opozitave. Debati tjetër ka të bëjë me pragun elektoral 3%, një prag që shihet nga partitë e reja që duan të garojnë të vetme në zgjedhje si një tentativë bllokuese për të hyrë në Kuvend.
Një tryezë e Këshillit Politik që pritet të mblidhet sot, me kërkesë të deputetes së opozitës parlamentare, Rudina Hajdari, do të tentojë t’i përafrojë qëndrimet e palëve. Opozita jashtëparlamentare, nga ana e saj, ka propozuar zyrtarisht që në zgjedhje të shkohet me kodin aktual, duke argumentuar se ndryshimet e bëra në Kushtetutë nuk imponojnë domosdoshmërisht ndryshimin e mënyrës se si shkohet në zgjedhje. “Me ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, më 30 korrik 2020, Kuvendi ka hequr nga neni 68 i Kushtetutës koalicionet zgjedhore të partive politike si subjekt me të drejtë propozimi të kandidatëve për zgjedhjet për Kuvendin. Në fakt, këtë të drejtë koalicionet parazgjedhore nuk e kanë pasur në Kodin Zgjedhor që nga viti 2003, sepse, sipas Kodit Zgjedhor, kandidatët mund të propozoheshin vetëm nga zgjedhësit dhe partitë politike.
Në këtë kuptim, ndryshimi i njëanshëm kushtetues nuk ka bërë asgjë tjetër vetëm sa ka rregulluar një situatë faktike që ka ekzistuar si e tillë që nga viti 2003! Për këtë arsye, dispozitat e Kodit Zgjedhor në fuqi lidhur me rregullat e koalicioneve parazgjedhore dhe formulës së shpërndarjes së mandateve janë tërësisht në përputhje me Kushtetutën në fuqi”, theksojnë dy anëtarët e opozitës në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili. Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve në Kuvend, përfaqësuesi i mazhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri, mbrojti propozimet e kësaj partie për Kodin Zgjedhor, ku ndër të tjera u shpreh se “së fundmi ndodhi një tërmet politik, siç është ndryshimi i Kushtetutës”.
“Ndoshta nuk kemi bërë ndryshimet e duhura kushtetuese, por tashmë ato janë bërë. Duhet të shkohet te minimumi i mundshëm i konfliktit. Kushtetuta vërtet nuk përmend fjalën koalicion, por në Evropë nuk mund të parandalohen aleancat. Reflektimet duhet të mos prekin 5 qershorin”, tha Gjiknuri. Ai pranoi se listat e hapura të kandidatëve që mbronte mazhoranca nuk janë të hapura në masën 100 për qind. “70% e votave shkojnë për ekipin”, – tha Gjiknuri duke u shtuar se për këtë janë zgjedhur modelet më të përparuara evropiane.
Meta, ultimatum PS-së
Presidenti Ilir Meta ka mbështetur draftin e opozitës së bashkuar për Kodin Zgjedhor, dhe i kërkon mazhorancës të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm në Kuvend që prekin marrëveshjen e 5 qershorit. Ai u shpreh dje se drafti i opozitës realizon hapjen e listave 100% dhe respekton marrëveshjen e 5 qershorit. Ndërsa më tej, presidenti shkruan se drafti i propozuar nga PS-ja, është vetëm një gënjeshtër.
“Përshëndes zyrtarizimin e propozimeve të opozitës së bashkuar në Këshillin Politik dje. Opozita është e vendosur për të ndërtuar konsensus, ndryshe nga rilindja, që kërkon me insistim konfliktin, shtrembërimin e zgjedhjeve dhe asgjësimin e Këshillit Politik si instrument vendimarrës konsensual.
Drafti i paraqitur nga opozita realizon hapjen e listave 100% dhe respektimin e plotë të barazisë gjinore, përkundrejt mashtrimit dhe mbylljes 100% të listave nga rilindja. Drafti i opozitës respekton konsensusin e arritur dhe marrëveshjen e 5 Qershorit. Drafti i opozitës kërkon opinionin e ODIHR-it për çështjet që nuk ka dakordësi, si një palë e paanshme dhe si vëzhguesit zyrtarë të zgjedhjeve.
Opozita ka ndërmarrë çdo hap që çon përpara procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, ku reforma zgjedhore, zbatimi i saj dhe hetimi i krimit elektoral janë kushtet kyç që përcaktojnë hapjen e negociatave për anëtarësim. Çdo akt i njëanshëm që përmbys marrëveshjen e 5 qershorit do të ishte një atentat dhe provokim i patolerueshëm dhe i paamnistueshëm ndaj rendit kushtetues e demokratik dhe së ardhmes evropiane të vendit. Koha për reflektim.” – apelon Meta./Jo.Be/Fjala.al