Rritja e pagave për mjekët, paqartësi mbi kategoritë përfituese  

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ministrja e Shëndetësisë pret për herë të dytë në takim përfaqësues të bluzave të bardha, lidhur me pakënaqësitë e mjekëve dhe infermierëve në këtë situatë pandemie. Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor, njëkohësisht mjek i Spitalit Infektiv, Gentian Stroni, shprehet se një ndër kërkesat që kërkon vëmendje maksimale është paga e bluzave të bardha. Sipas tij, mjekët shqiptarë kanë pagesën më të ulët në rajon.

Nga Ina Allkanjari

 

“Ne jemi vendi me pagat më të ulëta në rajon, prandaj rritja e pagës është një ndër kërkesat tona që duhet trajtuar”. Kështu u shpreh mjeku Gentian Stroni, pas takimit të zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me plotësimin e 4 kërkesave të parashtruara më herët nga bluzat e bardha, të cilat konsistojnë në sensibilizimin e institucioneve shtetërore për pagat, si dhe garantimin e kushteve të sigurisë dhe shëndetit për punonjësit shëndetësorë në luftën kundër COVID-19. Në takimin që zgjati rreth 60 minuta ishin të pranishëm ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, drejtori i QSUT-së, Enkelejd Joti, zv.ministrja, Mira Rakacolli, Arben Gjata, mjeku Gentian Stroni dhe disa mjekë të tjerë. Mësohet se një ndër pikat e diskutimit të mjekëve me ekspertët e shëndetësisë ka qenë rroga e bluzave të bardha, ku qeveria ka premtuar rritje me 40% të pagave. Mjeku i Spitalit Infektiv, Gentian Stroni, tha se nga dita e hënë do të ngrihen grupet e punës për të diskutuar lidhur me 4 kërkesat e mjekëve dhe hartimin e plotë të draftit.

Pas takimit të zhvilluar në një prononcim për mediat, Gentian Stroni, kreu i Sindikatës së Mjekëve, deklaroi se mjekët shqiptarë kanë pagesën më të ulët në të gjithë rajonin dhe theksoi se kostoja e jetesës, është shumë e lartë. Më tej Stroni shtoi se nga dita e hënë mjekët do të paraqesin argumentet e tyre lidhur me rritjen e pagës, nëse do të pranohet 40%, siç është premtuar nga qeveria, apo do të kërkohet për pagë më të lartë. “Ne jemi vendi me pagesën më të ulët në të gjithë rajonin, prandaj do të duhet të rishikohen pagat. Kemi një kosto të lartë jetese, kostot tona janë më të larta se ato të mjekëve në Kosovë dhe Maqedoni.

Ky është një element që duhet rishikuar, se pse rritja e pagave të bluzave të bardha duhet të jetë 40% dhe jo më shumë. Ne kemi propozuar një draft tonin, i cili do të ballafaqohet me draftin e Ministrisë për të bërë specifikimet e duhura. Kemi lënë juristin tonë dhe të Ministrisë, që të arrijnë në detaje për draftin përfundimtar dhe më pas të miratohet. Të hënën pritet të ngrihen grupet e punës, pra të përcaktohen emrat e grupeve nga ana jonë për të bërë specifikimet e duhura dhe për të vijuar me procedurat përkatëse”, deklaroi Stroni. Mbetet ende e paqartë se në kërkesat e paraqitura nga mjekët përfiton i gjithë personeli mjekësor, apo rritja e pagave për ta do të bëhet në formën e kategorizimit. Ky grup pune do të ketë përfaqësi nga Sindikata e Mjekëve, Ministria e Shëndetësisë, si dhe nga zyra e bashkëqeverisjes në Kryeministri, për të parë nga afër pakënaqësitë e parashtruara nga personeli shëndetësor.

Kujtojmë se një javë më parë Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, deklaroi se duke nisur nga viti 2021 qeveria planifikon të rrisë pagat për mjekët dhe infermierët. Pas takimit të parë të zhvilluar në Kryeministri, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u shpreh se 4 pikat do të diskutohen në tryeza më teknike, pasi, sipas saj, janë çështje që adresojnë situata të ndryshme. Ministrja e Shëndetësisë tha se qeveria ka vullnetin për të vijuar në përmbushjen e kërkesave të mjekëve dhe infermierëve. “Qeveria ka vullnet për të vijuar në përmbushjen e kërkesave të mjekëve dhe infermierëve. Ashtu sikurse e kemi treguar mbështetjen për ta në çdo moment të punës sonë. Ne jemi së bashku. Jemi në të njëjtën anë të llogores. Do të vijojmë të punojmë për të mirën qytetarëve dhe, pa dyshim, për t’i adresuar të gjitha nevojat dhe kërkesat e mjekëve”, tha Manastirliu pas takimit me përfaqësues të Sindikatës. Ndërkohë vetë kryeministri Edi Rama, gjatë një konference, u shpreh se javën që vjen do të merret një vendim final në lidhje me rritjen e pagave për mësuesit, mjekët dhe infermierët. “Javën tjetër do të kemi besoj komunikimin final për pagat e mjekëve dhe mësuesve dhe do të vijmë me llogari, me fakte dhe me shifra. Përqeshja e shifrave në emër të popullit është bërë një sëmundje që duhet kuruar.

Lexo edhe :  I vetmi i arrestuar për masakrën në Dobraç,lirohet personi që i siguroi makinën autorëve

Kërkesat e mjekëve

-Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë, me këtë armik të padukshëm.
-Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën dhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.
-Rritje e vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.
-Personelit shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet në punë për parandalimin e infeksionit, sipas të gjithave standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

Nis vaksinimi kundër gripit, Manastirliu:

Vaksinat falas për grupet e rrezikuara

 

Nis programi i vaksinimit kundër gripit, pjesë e planit të vjeshtë-dimrit të autoriteteve shëndetësore për të minimizuar riskun nga komplikacionet që vijnë nga gripi stinor, sidomos në situatën e pandemisë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mborjtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit në Poliklinikën Qendrore në Tiranë, për nisjen e procesit të vaksinimit kundër gripit, shprehet se fillimisht vaksinat do të realizohen te presoneli shëndetësor. “Këtë vit, edhe në kuadër të strategjisë sonë të vjeshtë-dimrit, edhe të kontrollit të sëmundjeve infektive, kemi arritur që në një kohë shumë të shpejtë të bëjmë të mundur sjelljen e vaksinës së gripit në muajin shtator. Sot është dita e parë e nisjes së këtij programi, duke filluar me personelin shëndetësor”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se janë siguruar disa herë më shumë vaksina se një vit më parë, ndërsa thekson se janë siguruar 368 mijë doza vaksinash, sasia e parë e të cilave ka mbërritur dhe ka nisur të shpërndahet në qendrat shëndetësore, me qëllim vaksinimin e kategorive të riskut, duke filluar nga personeli shëndetësor, duke vijuar me mësuesit, edukatorët, duke vazhduar me të sëmurët kronikë, me ata mbi 65 vjeç, fëmijët. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico, theksoi se ka mbërritur sasia e parë në kohë, edhe pse në situatë pandemie dhe do të vijohet me ardhjen e dozave të tjera, sipas planit. “Këtë vit, përveç shumëfishimit të numrit të vaksinave, duhet të mbajmë parasysh që në periudhën e pandemisë dhe globalisht, dërgesat vaksinale bëhen me porcione. Ne kemi marrë pjesën e parë dhe, siç edhe e kemi gjykuar, bazuar mbi ligjin e sëmundjeve infektive, fillojmë me punonjësit shëndetësorë, të cilët, siç e pamë edhe sot e kanë filluar vaksinimin”, tha Fico. Përgjegjësja e Inteligjencës Epidemike në ISHP, Eugena Tomini, tha se nga vaksinimi do të përfitojnë disa grupe risku dhe në këtë situatë të shkaktuar nga COVID-19, vaksinimi do të jetë një masë parandaluese që këto grupe risku të mos infektohen nga virozat që qarkullojnë, meqenëse qarkullojnë paralelisht me COVID-19.

Situata e COVID-19 në vend

Shifra të larta të personave të infektuar me koronavirus vijojnë të paraqiten çdo ditë në vend, ku kryeqyteti vijon të kryesojë. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 842 testime dhe janë konfirmuar 131 të prekur me virusin Sars-Cov2 në këto bashki: 49 raste në Tiranë, 16 në Durrës, 8 në Elbasan, 7 në Shijak, 6 në Korçë, nga 5 raste në Kukës, Berat, nga 4 raste në Shkodër, Krujë, Fier, 3 raste Malësi e Madhe, nga 2 raste në Kurbin, Lezhë, Has, Vlorë, Përmet, Dibër, Klos, Patos, nga 1 rast në Kavajë, Pogradec, Sarandë, Delvinë. Në 24 orët e fundit 115 qytetarë e kanë fituar betejën me COVID-19, duke e çuar numrin e të shëruarvë në 7847 që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht, në Spitalin Infektiv dhe në atë “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 189 pacientë, 16 në terapi intensive nga të cilët vetëm 5 pacientë janë të intubuar. Ndërkohë në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID-19, një 47-vjeçar nga Shkodra; një 72-vjeçare nga Elbasani, një 75-vjeçare nga Tirana, me sëmundje bashkëshoqëruese. /Ra.My.Fjala.al/

 

 

Të fundit

Irani skeptik për bisedimet me SHBA, Khamenei: Nuk japin rezultat

Lideri suprem iranian është shprehur skeptik se bisedimet me Shtetet e Bashkuara për çështjen bërthamore do të çojnë në...

“Shpenzova 6 milionë lekë të vjetra”, kandidati demokrat: E kuptova planin e Ramës

Kandidati demokrat në qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja vijon të jetë i zhgënjyer me rezultatin që prodhuan zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri. Kalaja i...

“Nuk i do për vete”, Fiks Fare zbulon skandalin në Fshatin SOS

Një 18-vjeçare, e rritur në Fshatin SOS të Fëmijëve, ka denoncuar në emisionin investigativ “Fiks Fare” se nuk po merr fondet që i takojnë...

Macja trafikante, metoda origjinale e bandave për të futur drogë në burg (video)

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Kosta Rika, që nxori zbuluar dhe skemën e re të trafikut të drogës në këtë vend. Duket se...

Albin Kurti: Jemi të gatshëm për kompromise për qeverinë, por…

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, deklaroi se kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit të...

Lajme të tjera

Web TV