Metoda e vjetër e veprimtarisë së Sigurimit të Shtetit karakterizohej nga vlerësimi i fajësisë së të akuzuarit në bazë të dyshimit formal dhe jo të veprimtarisë konkrete
Dita ndërkombëtare e jodhunës, sipas Kombeve të Bashkuara, kremtohet për të shpërndarë në gjithë botën mesazhe kundër dhunës, nëpërmjet edukimit e ndërgjegjësimit të publikut. Pavarësisht kujdesit për të mos lënë gjurmë të përdorimit të dhunës fizike, (ndërkohë që dhuna verbale dhe gjuha e urrejtjes karakterizojnë dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit), interesant është fakti që në historikun e tretë pranohet që deri në ‘48 është përdorur tortura në hetuesi, por duke ia faturuar këtë Koçi Xoxes, njeriut që u bë kurban pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave.
Kësisoj: “Metoda e vjetër e veprimtarisë së Sigurimit të Shtetit karakterizohej nga vlerësimi i fajësisë së të akuzuarit në bazë të dyshimit formal dhe jo të veprimtarisë konkrete: nga përdorimi në hetuesi i sugjestionit, provakacionit dhe i torturës si të vetmet mjete për të vërtetuar gjoja faktin mbi të akuzuarin. Ç’është e vërteta këto ishin metoda të organeve policeske të vendeve imperialiste, të huajtura nga UDB-ja jugosllave dhe të futura në organet e Sigurimit të Shtetit nga Koçi Xoxe e pasuesit e tij. Kjo i kishte shpënë organet e Sigurimit në shkeljen flagrante brutale e arbitrare të ligjeve të shtetit dhe vënien e këtyre organeve mbi Partinë”. Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, bën të ditur se historikët e Sigurimit të Shtetit, 7 vëllime, janë deklasifikuar dhe mund të vihen në dispozicion të të interesuarve pranë AIDSSH, në zbatim të ligjit 45/2015 i ndryshuar.
Riorganizimi i shërbimit sekret
Me ardhjen e qeverisë së re nga Berati në Tiranë, në fund të tetorit të vitit 1944, në kuadrin e ristrukturimit të dikastereve të saj, u bë dhe ai i Ministrisë së Punëve të Brendshme, që tashmë do të drejtonte: Shërbimin Sekret (Sigurimin e Shtetit), Policinë Popullore, kufirin dhe prapavijën (profilin e vet). Ministri i Punëve të Brendshme nga nëntori i vitit 1944 deri në nëntor 1948 ishte dhe zëvendëskryeministër dhe sekretar organizativ i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare.
Shërbimi Sekret varej drejtpërsëdrejti nga ministri, që kishte dy degë kryesore: Zbulimin politike fushë veprimi jashtë kufijve dhe rrjetin sekret përkatës; Kundërzbulimi me fushë veprimi brenda vendit me rrjetin sekret të shtrirë në të gjitha fushat e jetës si, në ushtri, polici, kufi, në terren, ekonomi, kulturë, arsim, shkencë etj, me kategoritë përkatëse: rezidentë, agjentë, informatorë e strehues, duke filluar nga dikasteret qendrore deri në qarqe, rrethe, lokalitete e fshatra.
Në qarqe e rreth u ngritën seksione të mbrojtjes së popullit. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Sigurimi i Shtetit, mbulohej me degën përkatëse dhe disa seksione për specialitetet e kohës, si për vëzhgimin, përgjimin, shifrën, ekspertizën, hetuesinë etj, me rrjetin nga qendra në bazë, kishte dhe një detashment ushtarak, Batalioni i Disiplinës që shpejt u inkuadrua në Brigadën e Mbrojtjes së Popullit me krijimin e saj dhe pak më vonë me krijimin e divizionit të parë të Mbrojtjes së Popullit u inkuadrua në të, me partizanë të zgjedhur, besnikë e të sprovuar gjatë Lëvizjes Nacionalçlirimtare me detyrë kryesore, spastrimi i vendit, sidomos në krahinat veriore e të Shqipërisë së Mesme, ku kundërshtarët e pushtetit komunist qenë të inkuadruar në njësi e grupe të shumta e të armatosur (që në dokumente e kohës janë quajtur banda).
Veçanërisht në nëntor 1944 – tetor 1953, kur u kap grupi i fundit i të arratisurve të brendshëm, këto rezistonin duke luftuar kundër njësive ushtarake dhe të forcave të divizionit të Mbrojtjes së Popullit për të përmbysur pushtetin dhe regjimin komunist në fuqi.
Fillimisht, në vitet 1944 – 1946, për të përballuar situatën e sipërme, vendi në aspektin ushtarak qe organizuar në tre krahina ushtarake ku qenë dislokuar dhe njësi të mëdha, korpus, divizione, brigadë, regjimente, etj. Krahinat ushtarake ishin: Krahina e veriut me qendër në Shkodër, krahina e Shqipërisë së Mesme meqendër në Tiranë dhe krahina e jugut me qendër në Gjirokastër. Pranë këtyre u ngrit Seksioni i Mbrojtjes së Popullit të Krahinës (SMPK). Në vitet 1946-1947 u shkrinë krahinat dhe vendi u nda në njësi administrative: prefekturat në 10 qarqe dhe nënprefekturat në rrethe, këshilla popullore në lokalitete dhe në fshatra. Pranë qarqeve dhe rretheve, krahas organeve të tjera, u ngritën dhe Seksione të Mbrotjes së Popullit (SEMP) dhe rrjetin që shtrihej në qarqe, rrethe, lokalitete dhe në fshatra.
Më vonë, në nëntor 1948, në vargun e masave për ristrukturim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, SEMP-et u shkrinë në Seksione të Sigurimit të Shtetit të degëve të punëve të brendshme të rretheve. Nga fillimi i vitit 1949, kur u vu nq zbatim Platforma e parë, siç trajtohet, në vend të këshilltarëve të EDB-së erdhën këshilltarët e KGB-së (rreth 30 këshilltarë), struktura organizative, operative dhe emërtesë ishte e njëjta me atë të shërbimit sekret sovjetik deri në vitin 1960 (që u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, kur këshilltarët e KGB-së u larguan), por organet e Sigurimit të Shtetit funksionuan me të njëjtën strukturë.
Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme nga nëntori i vitit 1944 deri në tetor të vitit 1948 nuk i jepte llogari askujt, sepse ishte vet dhe sekretar organizativ i KQ të PKSH dhe nënkryeministër dhe anëtar i Byrosë Politike. Ai i kontrollonte të gjithë, me përjashtim të sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, i cili ishte dhe kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Popullore të Shqipërisë, si i tillë ishte mbi të gjithë. Kjo ishte në fakt struktura si në anën organizative dhe në metodat dhe format e punës, pra të njëjta me ato të shërbimit sekret të Jugosllavisë, kaq sa dhe emërtimet siç ishte OZNA dhe më pas UDB-ja jugosllave, sepse në fakt në çdo sektor të Ministrisë së Punëve të Brendshme me Koçi Xoxen në krye, punonin këshilltarët e OZNA-së, e më pas të UDB-së.
Edhe format e metodës së punës ishin po ato të shërbimit sekret jugosllav. U la mënjanë trashëgimia e Shërbimit Informativ të LANÇ dhe të paraardhësve tanë. Mbizotëronte provokacioni, shantazhi, tortura e mashtrimi. Kjo praktikë del dhe në direktivat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe në praktikën e saj në vitet 1945-1948. Dhe Koçi Xoxe nuk mund të bënte sipas kokës së tij pa konsultimin e pëlqimin e sekretarit të Përgjithshëm të partisë, që ishte mbi të gjithë nga vet funksionet kryesore që mbante dhe përgjigjej. Por gjithçka e keqe që kishte ndodhur në të gjithë sektorët në mbarë Shqipërinë, jo vetëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme (Sigurimin e Shtetit), iu ngarkua Koçi Xoxes me shokë, si mbështetës dhe agjentë të UDB-së.
Nga nëntori i vitit 1948 deri në 1990, degët e punëve të brendshme të rretheve kishin sektorët përkatës: Sigurimin, Policinë popullore. Prapavijën dhe degën kufitare edhe kufirin. Strukturë kjo sipas drejtimeve përkatëse të Ministrisë së Punëve të Brendshme: Drejtoria e Sigurimit të Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Popullore, Drejtoria e Kufirit, Drejtoria Ekonomike (prapavija), Drejtoria e Ruajtjes së udhëheqjes së shtetit dhe të partisë si dhe Drejtoria e Zbulimit Politik, me drejtorë e zëvendësministër përkatës si dhe Drejtoria e Kuadrit. Kuadrot drejtuese të këtyre drejtorive me zëvendësministrat përkatës vareshin drejtpërsëdrejti nga ministri.
Secila nga këto drejtori kishin sektorë përkatës në degët e punëve të brendshme të rretheve, kurse ajo e sigurimit të Shtetit shtrinte rrjetin edhe në lokalitete dhe në fshatra që mbulonte të gjithë sektorët. Po kështu edhe rrjeti i Sigurimit të Ushtrisë shtrihej në të gjitha njësitë ushtarake ku dislokoheshin. Ritheksoj se varësi ishte e dy dhe trefishtë. Ministri varej drejtpërsëdrejti dhe jepte llogari për çdo gjë para sekretarit të parë të KQ të PKSH. Ndërsa kryetari i degës së punëve të brendshme jepte llogari para sekretarit të parë të komitetit të partisë së rrethit, para ministrit përkatës dhe për raste të jashtëzakonshme para sekretarit të parë të KQ të PKSH.
Me një strukturë të tillë, Enver Hoxha nuk kishte nevojë të kishte një rrjet sekret të veçantë personal, për të ruajtur veten dhe për të kontrolluar të tjerët. Sepse ai kishte sekretarët e parë të partisë të rretheve njerëz besnikë e të sigluar nga ai, me të cilët kishte lidhje direket telefonike dhe me shifër tepër rezervate, që i raportonin për gjithçka e në çdo kohë. Pa miratimin e sekretarit të parë të partisë së rrethit asgjë nuk mund të bënte kryetari i degës së punëve të brendshme të rrethit që varej direkt nga ai dhe ministri përkatës. Gjithashtu ministri nuk mund të bënte dot asgjë për Sigurimin e Shtetit (Zbulimin Politik dhe Kundërzbulimin) pa pëlqimin (siglimin) e sekretarit të parë të KQ të PPSH).
Ashtu siç nuk mund të bënin dot asgjë drejtorët përkatës të këtyre drejtorive, pa miratimin e ministrit dhe zëvendësve të tij. Kjo është e sanksionuar në Platformën e ligjet përkatëse, pas vitit (nëntor 1948) dhe ka vijuar deri në vendimin e 2 korrikut të vitit 1991 kur shkrihet Sigurimi i Shtetit dhe krijohet Shërbimi Informativ Kombëtar./Fjala.al