Vera e re në fuçinë e vjetër/ Sigurimi i politikanëve nga Sigurimi i Shtetit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Çfarë tregon rasti i politikanit me inicialet I.M., që sipas Autoritetit të Dosjeve mund të jetë ish-presidenti Ilir Meta? Përse ky rast tregon se në këto 32 vjet procesi i verifikimit të pastërtisë së politikanëve ka dështuar? Përse në rastin më të keq ka patur paaftësi dhe në rastin më të mirë gjithçka është përdorur për të bërë shantazh dhe për të zhvilluar debate pa asnjë fakt.

Nga ROLAND QAFOKU

Në zhegun e kësaj vere lajmi rreth personit me inicialet I.M. përmbysën edhe historitë më të paparashikueshme. Aludimi se Ilir Meta mund të ishte agjent i Sigurimit të Shtetit kaloi në dy plane; Disa u tronditën dhe disa e quajtën fluskë sapuni aromantik. Pyetja dyshuese që bëri çdokush ishte si ka mundësi që një gjë e tillë doli pikërisht tani? Vetëm në pak orë nisi beteja e deklaratave dhe kundërdeklaratave si një zakon tipik shqiptar duke ndarë palët në dy llogore. Rrjetet sociale dhe portalet morën flakë në pak orë dhe opinion u ngarkua me një lajm që sigurisht nuk mund të kalonte lehtë. Zallamahia shkoi deri atje sa detyroi kryetaren e Kuvendit zonjën Lindita Nikolla jo vetëm të dalë vetë publikisht, por të bëjë një deklaratë që na tronditi me tronditjen:
“Rasti është tronditës dhe Kuvendi duhet të reagojë patjetër, prandaj kam thirrur kryetarët e grupeve, i kam informuar për identitetin e politikanit I.M. Falënderoj Autoritetin e Dosjeve për kurajën për këtë rast që ngre pyetje të rëndësishme. Në respekt të ligjit dhe rastit vërtetë tronditës nuk mund të flas më shumë për këtë fazë”.
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për periudhën 1944-1991, në një farë mënyre ia kishte lënë në derë kuvendit këtë histori. Kjo shkresë tronditi jo vetëm naivët dhe ata që nuk e njohin strukturën e shtetit por këdo që e lexon. Sqaroi Autoriteti:
“Në vijim të kërkesave dhe propozimeve tona të mëparshme, por sidomos duke marrë nxitje nga denoncimi më i fundit i ardhur në institucion mbi pastërtinë e figurës së një prej personaliteteve më të lartë të shtetit, siç është ish-presidentit i Republikës, Ilir Metaj, i pajisur me certifikatë të pastërtisë së figurës nga komisioni Mezini dhe Bezhani, e konfirmuar nga ana jonë me vendimin e autoritetit nr. 17, datë 28.04. 2017, rezulton se në fakt figuron në dokumentet e krijuara nga strukturat e ish-sigurimit të shtetit. Nëse institucioni do të ishte në kushtet e riverifikimit të pastërtisë së figurës së shtetasit Ilir Metaj, gjë të cilën nuk na e lejon neni 29, pika 4, e ligjit funksional, rezultatet e kërkimit do të ndryshonin”.
Vetë Meta e mohoi dhe hodhi poshtë këtë histori me një deklaratë që i vuri në dyshim edhe ata që ishin të bindur se vërtetë kishte bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit:
“Siguroj të gjithë qytetarët që Ilir Meta është këtu pas 30 vitesh angazhimi politik, sepse ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë i pastër në ndërgjegjen e tij dhe në të vërtetat e tij e do vijojë dhe 30-40 vite të tjera. Ata e dinë më mirë se kushdo se çfarë ka, çfarë s’ka dhe sa e manipuluar është ajo dosje që thonë ata. Me një email anonim elektronik, dhe jam i sigurt që kur të bëhet publik, do të gajaseni të gjithë, na qenka zbuluar se qenka një I.M.”
Edi Rama si rrallëherë shkroi një status koment ditën e shtunë dhe mes radhëve kupton shumë se çfarë pritet të bëjë mazhoranca:
“Unë nuk e di a është Ilir Meta apo Metaj, ky spiuni me inicialet I.M dhe as e kam parë vetë dosjen! Po ama një gjë është shumë fare e sigurtë: Mes Autoritetit të Dosjeve nga njëra anë, i cili thotë shkresërisht, se Iliri që doli nga Presidenca para pak ditësh është i njëjti Ilir, që doli edhe nga dosja e Sigurimit pak ditë më pas dhe nga ana tjetër, Ilir Metës apo Metajt, i cili shan e bërtet që bëhet fjalë për një Ilir tjetër dhe se kjo është një poshtërsi e madhe patronazhistësh, padiskutim që unë i besoj trupës së drejtuar nga Genta Sula e vetë asaj. E cila s’ka asnjë lidhje tjetër me politikën, përveç faktit që e ka propozuar në atë detyrë personalisht Ilir Meta apo Metaj. Dhe me sa duket ka qëlluar si rrallëherë dhe ku, pikërisht në atë dreq vendi ku djalli fshihet pas inicialeve, që të dalë i hajrit për ligjin e për shtetin një person i propozuar nga ajo parti, e cila së fundmi ndërroi edhe emrin e vet, mu si dikur Ilir Metaj, kur u kthye në Ilir Meta!”

Kundërshtarët e Ramës ishin në një linjë me Metën që publikuan disa skica me autor kryeministrin Edi Rama që shoqëronin tregime në revistën “Në shërbim të popullit”, organ propagandistik i Sigurimit të Shtetit. Thjesht një grindje e re për çështje të vjetra me një lajm të ri që ende nuk është vërtetuar. Ajo që vlen të thuhet pas kësaj tronditje është mënyra se si kuvendi dhe të gjitha instancat e shtetit do ta sqarojnë këtë rast. Kjo histori nuk mund të kalojë lehtë dhe ajo ka vetëm dy rrugë fundore: Nëse vërtetohet se Ilir Meta ka qenë agjent i Sigurimit të Shtetit duhet të dalë nga politika, mbështetur kjo edhe në ligj. Por ama, nëse vërtetohet e kundërta, pra që ai nuk ka ka qenë bashkëpunëtor, dikush duhet të jetë përgjegjës për këtë stisje. Ky do ishte rasti që për këto 32 vjet të krijojmë perceptimins e politikanët tanë paskan qenë të siguruar nga Sigurimi i Shtetit. Është më e rëndë të shpifësh për dikë që ka qenë pjesëtar i Sigurimit të Shtetit se sa të mos e zbulosh se ka qenë pjesëtar i Sigurimit të Shtetit. Me një logjikë të ftohë duhet opinion duhet të marrë përgjigje të për disa pyetje të thjeshta por thelbësore: Si ka mundësi që një fakt i tillë del dhe bëhet publik pas 32 vjetësh kur Ilir Meta ka qenë president, kryetar Kuvendi, kryeministër, tre herë zëvendëskryeministër, katër herë ministër dhe deputet në shtatë legjislatura rresht që nga vitit 1992? Si ka mundësi që kundërshtarët politikë të Ilir Metës nuk ia kanë nxjerrë më përpara këtë fakt nëse është i vërtetë. Meta ka qenë nga ata politikanë që ka bërë beteja të forta në këto 32 vjet karrierë të pandërprerë politike. Ai ka bërë beteja të forta me Sali Berishën, me Fatos Nanon, me Edi Ramën, me Pandeli Majkon por edhe të tjerë. Si ka mundësi që këtë që nuk kanë lënë gurë pa lëvizur ndaj Metës për ta dëmtuar atë deri për ta nxjerrë nga politika, nuk arritën të gjenin një të vërtetë për 32 vjet? Si ka mundësi që një fakt kaq i rëndë del nga një e-mail dërguar nga një person, kur shteti ynë, strukturat e tij dhe gjithçka e lidhur me dosjet e Sigurimit kanë qënë objekt i përhershëm i punës të sa e sa specialistëve dhe strukturave të ngritura enkas?
Nëse supozojmë se Ilir Meta do rezultojë se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit, a mbajnë përgjegjësi ajo aradhë drejtuesish dhe personash që janë marrë me këtë çështje dhe u paska kaluar emri I Ilir Metës? Për 47 vjet veprimtari e Sigurimit të Shtetit u përgatitën 120 mijë dosje. Sigurisht që janë zhdukur shumë prej tyre. Kryetari i SHIK Bashkim Gazidede, ka deklaruar se numri i dosjeve të zhdukura ka qenë 10 mijë. Por a ka vlerë kjo deklaratë kur shumë specialistë shprehen se dosjet e Sigurimit edhe nëse zhdukeshin, të dhënat janë në regjistra dhe në dosje të tjera. Nisur nga kjo situatë duhet të themi se lajmi vërtetë është i ri, por stili dhe mënyra duket shumë e vjetër. Jo vetëm Autoriteti por edhe strukturat e tjera duhet të verifikojnë dhe të sqarojnë sa më shpejt opinionin publik për vetëm specifikën dhe karaktin e çështjes. Në mënyrë që konkluzionet të jepen të sakta dhe të qartë: Nëse Meta rezulton bashkëpunëtor ai duhet të largohet nga politika, por ama nëse vërtetohet e kundërta, dikush duhet të mbajë përgjegjësi.

Lexo edhe :  Të gjitha rrugët të çojnë në Romë

SIGURIMI DHE KOMISIONET E PASRIMTI TË FIGURËS

Që nga vitit 1990 e deri më sot Hajri Mezini dhe Nafiz Bezhani janë ata që kanë drejtuar dy komisione të posaçme të pastërtisë së figurës së politikanëve dhe të zyrtarëve të shtetit. I pari nga viti 1995 deri në vitin 1997 dhe i dyti nga viti 1997 deri në 2002. Nuk ka të dhëna sa dosje verifikoi komisioni Mezini, ndërkohë komisioni Bezhani ka verifikuar 6 mijë dosje. Por ç’ndodhi me këto dy komisione? Të dy nuk kishin eksperiencë në fushën e shërbimit sekret dhe përballë kishin arkivat e një strukture shumë të organizuar dhe me teknika nga të specifike. Atyre iu deshën mjaft kohë për të kuptuar se si kishte funksionuar Sigurimi dhe nuk bëhej fjalë të shikonin të 120 mijë dosjet që disponoheshin. Kështu, dosja e bashkëpunëtorit përbëhej nga pseudonimi, raport propozimi për rekrutim, lista e personave të përmendur deklarata e besnikërisë, parrulla dhe kundërparrulla, fotografia, certifikata, lista dhe vlerësimet e punëtorëve operativë, rrethi familjar etj. Të gjithë elementët që përpunoheshin aktivisht regjistroheshin në kartotekën e dytë në 2A dhe në 2B. Në 2A regjistroheshin të gjithë ata elementë armiq që zhvillonin veprimtari kundër pushtetit komunist. Në 2B kategorizoheshin ata që në të kaluarën kishin zhvilluar veprimtari armiqësore por që ishin jo aktivë. Këtu futeshin ish-qeveritarë, ish-pronarë, ish-funksionarë, nëpunës, intelektualë. Për fatin e keq komisioni i drejtuar nga Hajri Mezini ishte politik dhe efektet e tij ishin po politike. Arriti që më shumë të kishte synim largimin nga politika të kundërshtarëve politikë se sa të zbuloheshin ata politikanë që kishin bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit. Kështu, u shkrinë bashkë ish-agjentët dhe bashkëpunëtorët me ata që kishin qenë në detyrë edhe në qeverinë e Fatos Nanos në 1991. Fjala vjen, për dy muaj të Gramos Ruçit si ministër, ndaj tij u vendos largimi nga politika dhe u trajtua njësoj si të kishte qenë oficer I Sigurimi që punonte ministër. Komisioni Mezini shpalli një listë me 35 personalitete të PS që nuk duhet të kandidonin në zgjedhjet parlamentare të majit 1996. Kjo ishte shifër e lartë për kohën por shumë prej tyre morën pas vitit 1997 certifikatën e pastërtisë së figurës. Komisioni dhe vetë Nafiz Bezhani ishe shumë më profesionit. Nuk bëri asnjë kompromis dhe pengesat ndaj tij ishin të natyrës burokratike. Në pesë vjet komisioni i drejtuar prej tij verifikoi dhe pa 6 mijë dosje. Ishin me qindra zyrtarët që Nafiz Bezhani i nxori nga sistemi si pjesë e Sigurimit. Vetëm në Ministrinë e Jashtme Nafiz Bezhani largoi 120 punonjës dhe diplomatë që ishin pjesë e shërbimit të jashtëm dhe shërbenin në ambasada. Por ajo që vlen për tu kujtuar është se në vitin 2000 Bezhani depozitoi një padi në prokurorinë e Tiranës sipas të cilit rezultonte se në arkivin e SHISH ishin zhdukur 52 disqe me të dhëna për bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Kurrë nuk u zbardh kjo çështje por konkluzioni i drejtuesve të SHISH të asaj kohe ishte se kjo nuk ishte e vërtetë sepse gjithçka ishte në regjistra.

AGJENTËT E SHËBIMEVE TË HUAJA

Ajo që I njohin mirë punët e shërbimit sekret shprehen se më shumë se agjentët e Sigurimit, problem më i rëndë janë ata që kanë bashkëpunuar me shërbimet e huaja. Në këto 32 vjet janë bërë disa deklarata se mes tyre dhe politikanë kanë qenë pjesë e këtyre shërbimeve, sidomos ato shërbime që e kanë synuar dëmtimin e Shqipërisë si UDB apo shërbimit sekret grek. Komisionet e drejtuara nga Mezini dhe Bezhani ose kanë parë dhe verifikuar shumë pak, ose aspak për këtë çështje dhe kjo pothuajse nuk zihet fare nëpër raportet zyrtare. Ky është një problem që në fakt e ka ndjekur politikën në këto 32 vjet. Me të drejtë duhet të zbulohen dhe largohen nga politika ata që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit, po me ata që kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja ç’duhet bërë? Ndoshta ka ardhur koha që për këtë kategori duhet të ketë një shtojcë të veçantë ligjore për të bërë të mundur një pastrim edhe më të rëndësishëm se ata që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.

Të fundit

E ironizoi publikisht, Ermal Mamqi i përgjigjet Rezart Veleshnjas?

Ermal Mamaqi duket se i është përgjigjur indirekt Rezart Veleshnjajt pasi e ironizoi publikisht. Ai ka publikuar të dhënat...

Meri Shehu paralajmëron që të keni kujdes në këtë datë/ Shenjat me fat për këtë javë

Në aspektin astrologjik, java do të mbizotërohet nga energjia pozitive e planetëve. Sipas parashikimit nga Meri Shehu vijnë surpriza e lajme shumë të rëndësishme...

Kunata tregon bisedën e fundit me Alma Arrazin:Po ta dija se do mbytej s’do e kisha lënë

Është zbardhur vendimi i Gjykatës së Shkodrës, që mbylli në burg Erdgys Arrazin, babain e 3 fëmijëve dhe gruas së tij të mbytur, në...

Ekspertët bien dakord, ky është i vetmi model flokësh që mund t’i shkojë kujtdo

Brigitte Bardot ka frymëzuar gjenerata të tëra me klasin, pamjen dhe sharmin e saj. Aktorja franceze ka tipare dhe stil të pa ngatërrueshëm me...

Bie me 90% numri i emigrantëve shqiptarë në Britani

Me mbi 90 për qind rezulton të jetë reduktuar numri i emigrantëve shqiptarë që mbërrijnë në Britaninë e Madhe në mënyrë të paligjshme që...

Lajme të tjera

Web TV