Drejtësia e re/ Agjentët e FBI-së në Tiranë për dosjet e politikanëve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Byroja Kombëtare e Hetimit, e cila pas ngritjes do të jetë institucioni që do t’i hetojë politikanët e korruptuar dhe kokat e krimit të organizuar, duket se është institucioni më i rëndësishëm për amerikanët.

Tre ekspertë ndërkombëtarë do të monitorojnë procesin e përzgjdhjes së 60 hetuesve për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare. Dy juristë të deleguar nga ambasada amerikane dhe një agjent i FBI-së do të jenë krah prokurorëve Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Enkelejda Minollari për të përzgjedhur 60 më të mirët nga 650 që kanë aplikuar në total.

Nga Elvis Myrta

Byroja Kombëtare e Hetimit, institucioni që po ngrihet për të hetuar të korruptuarit në nivele të larta, duket se do të ketë mbështetje të fortë nga ana e ndërkombëtarëve. Për përzgjedhjen e hetuesve të kësaj strukture do të asistojnë agjentë të FBI-së.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura dhe të bindura që me ngritjen e institucionit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, do të ndëshkohen shumë pushtetarë që janë të korruptuar dhe se do ta luftojë ashpër krimin e organizuar. Që nga ideimi i këtij institucioni, SHBA-ja, përmes ambasadës, ka folur për procedurën e ngritjes së BKH-së, duke i dhënë mbështetje maksimale. Amerikanët, edhe pse kanë investuar dhe mbështetur të gjithë procesin në drejtësi, duket se të gjithë vëmendjen e tyre e kanë përqendruar pikërisht te BKH-ja, e cila për nga stuktura do t’i përngjajë FBI-së, që heton vetëm zyrtarët e lartë. Byroja shihet si organi më i rëndësishëm, pasi falë saj pritet të goditen pushtetarët e korruptuar e, për këtë arsye, amerikanët i kanë kushtuar vëmendje.

BKH-ja është një institucion që ka akses të hetojë zyrtarë të lartë, duke filluar nga presidenti, kryeministri, kryetari i Kuvendit, si dhe anëtarët e KLGJ-së, apo të KLP-së. Sinjalet janë që institucioni më i ri i drejtësisë së re do jetë në dorë të amerikanëve e, për këtë arsye, shqiptarët presin me pa durim ngritjen sa më shpejt të tij, për të parë nëse do të bien apo jo në rrjetë “peshqit e mëdhenj”. Gazeta “Fjala”, përmes burimeve të saj, ka mësuar se në përzgjedhjen e 60 hetuesve që do të jenë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, do të asistojnë edhe ekspertë amerikanë. Ata do jenë pjesë e komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve. Sipas informacioneve që gazeta ka siguruar nga burimet e saj në SPAK, mësohet se prej tri ditësh në Prokurorinë e Posaçme ndodhen tre ekspertë amerikanë. Ata do të monitorojnë të gjithë procesin e përzgjedhjes së 60 hetuesve që do të hetojnë zyrtarët e lartë dhe personazhe të njohura të krimit të organizuar.

Amerikanët do të monitorojnë përzgjedhjen e 60 hetuesve

Interesi për të qenë pjesë e kësaj strukture ishte mjaft i madh. Janë plot 650 kandidatë të cilët “luftojnë” për 60 vende. Ndërsa në ditët në vijim do të nisë edhe përzgjedhja e më të mirëve. Për përzgjedhjen e tyre është ngritur edhe një komision i përbërë nga gjashtë anëtarë. Pjesë e këtij komisioni janë 3 prokurorë të SPAK-ut, si dhe 3 ekspertë ndërkombëtarë, të cilët do të monitorojnë të gjithë procesin e përzgjedhjes së 60 nga 650 kandidatëve që kanë shfaqur interes për t’u bërë pjesë e BKH-së.

Burime nga ky institucion bëjnë me dije se ekspertët ndërkombëtarë janë deleguar nga ambasada amerikane, ku 2 prej tyre janë juristë, ndërsa një tjetër është agjent i FBI-së. Ndërkohë, emrat e përzgjedhur nga Prokuroria e Posaçme që do jenë pjesë e këtij komisioni janë Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Enkelejda Minollai, të cilët në bashkëpunim me shefen e BKH-së dhe amerikanët do t’i filtrojnë të gjithë kandidatët. Gazeta “Fjala”, përmes burimeve të saj, mëson se plani i testimit për kandidatët e BKH-së është bërë nga amerikanët. Por si do të zgjidhen emrat e duhur, për të qenë pjesë e kësaj strukture? 650 aplikantët do të kalojnë në tri faza.

Faza e parë e vlerësimit do të jetë ajo e verifikimit të kushteve ligjore. Pra, fillimisht, do të shihet nëse kandidatët i plotësojnë kushtet bazë të ligjit. Mësohet se aplikantët që do të kenë përparësi për t’u bërë pjesë e këtij institucioni do të jenë ata që kanë arsim të lartë policor, në drejtësi apo edhe në kontabilitet. Por nuk do të mbeten pas as ata aplikantë që kanë arsim të lartë në degë të tjera që kanë lidhje me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nga një universitet vendas ose i huaj. Gjithashtu, të përzgjedhurit duhet të kenë një përvojë pune më shumë se 1-vjeçare në institucionet e zbatimit të ligjit. Kjo është faza e parë e përzgjedhjes.

Më pas kalohet te faza e dytë, ajo e testimit. Kandidatët e kualifikuar në fazën e dytë i nënshtrohen një provimi me shkrim e me gojë, ku përfshihen teste konjitive, të sjelljes dhe të arsyetimit logjik. Do ketë një provim të zgjeruar me shkrim që mat aftësitë e shkrimit të raporteve, si dhe nivelin e shkrimit e leximit.

Më pas do ketë një intervistë nga një komision që mat aftësitë e komunikimit verbal, si dhe aftësinë për t’i komunikuar idetë me efikasitet. Pra, testi psikologjik.

Faza e fundit është poligrafi apo makina e së vërtetës. Atij që kualifikohet në fazat e para në fund do t’i duhet të kalojë dhe poligrafin. Më pas nis një proces trajnimi shumë intensiv, ku të kualifikuarit do të shkojnë në SHBA. Në fund bëhet emërimi i hetuesit. Pas përzgjedhjes 60 hetuesit do të shkojnë në SHBA për trajnim. Më pas FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë do të sjellin ekspertë në Tiranë që do të zhvillojnë trajnime dhe do të instalojnë pajisje speciale që do të dhurohen nga SHBA-ja.

Amerikanët, zyrë të tyren pranë BKH-së

Në ligjin për organet e luftës antikorrupsion është bërë e qartë se prej 2 vitesh amerikanët do të kenë një zyrë të tyren pranë BKH-së, për t’i ndihmuar dhe për t’u dhënë eksperiencën e tyre hetuesve të kësaj strukture. Një ekspert i saj do të qëndrojë aty dhe do të asistojë, ndërkohë që SHBA-ja do të japë shumë pajisje speciale që do të ndihmojnë në hetime.

Lexo edhe :  Ndërron jetë Kryepeshkopi Anastas Janullatos

Kohë më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës miratuan një fond prej 1,5 milionë dollarësh, para të cilat do përdoren për të blerjen e pajisjeve të sofistikuara për të hetuar “peshqit e mëdhenj”, si dhe për rregullimin e ambienteve të këtij institucioni. Pra, sinjalet janë të qarta se sapo të ngrihet Byroja, do të jenë amerikanët ata që do ta marrin në dorë luftën kundër korrupsionit. Ky organ do të luajë rolin e policisë gjyqësore për SPAK-un dhe do të jetë ai që do të zbulojë aferat e pushtetarëve të korruptuar. SPAK-u do të ketë në përbërje gjyqtarë e prokurorë, ndërkohë në varësi të Prokurorisë Speciale do të jetë Byroja e Hetimit. Por BKH-ja shihet si çelësi i luftës antikorrupsion, pasi vëmendja e saj do jetë vetëm te pushtetarët e korruptuar dhe objekt i hetimit janë që nga presidenti e kryeministri, te gjyqtarët dhe prokurorët apo anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së.

Trajnimi në SHBA

Pas seleksionimit të 60 hetuesve të së ashtuquajturës FBI-ja shqiptare, të përzgjedhurit do të nisen drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u trajnuar nga amerikanët. Akademia e Trajnimeve, ku do të shkojnë hetuesit e BKH-së, ndodhet në Uashington dhe është një strukturë kombëtare me shërbime të plota, ku përfshihen salla konferencash dhe klasa, dhoma për të fjetur, vende për të pushuar, palestër, pishinë, bibliotekë dhe një sallë ngrënieje.

Hetuesit e BKH-së do të trajnohen atje për të identifikuar dhe luftuar tendencat e politikës, ekonomisë a faktorëve të tjerë të jashtëm që ndërhyjnë në punët e brendshme të policisë. Trajnime do të ketë, po ashtu, edhe për të shmangur ndikimin e organizatave kriminale në radhët e policisë dhe të hetuesve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm do t’i trajnojnë hetuesit e BKH-së me metodat që përdor FBI-ja, por njëkohësisht do ta mbështesin strukturën e re edhe në anën logjistike.

Byroja Kombëtare e Hetimit do të zëvendësojë Policinë Gjyqësore të Krimeve të Rënda. Ky organ do të shërbejë vetëm pranë SPAK-ut dhe do të ketë në fokus krimin e organizuar dhe korrupsionin. Do të ketë akses në përgjime, në sistemet elektronike dhe në çdo gjë tjetër që konsiderohet e vlefshme për hetimet. Po ashtu, ky organ do t’i monitorojë anëtarët e SPAK-ut, duke u përgjuar telefonat dhe duke u kontrolluar llogaritë bankare. BKH-ja do të ketë në përbërje 60 hetues.

Aplikantët për pozicionin e hetuesit të BKH-së duhet të dinë që procesi i përzgjedhjes do të jetë shumë rigoroz dhe sfidues. Ai është përcaktuar në ligjin për SPAK-un dhe do të vlerësojë aftësitë profesionale, integritetin, si dhe aftësitë mendore e fizike të aplikantëve.

Si u zgjodh drejtuesja e BKH-së

E vetmja femër që ishte pjesë e garës për të marrë drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nga verifikimet e SPAK-ut, doli e pastër në të tria kriteret, dhe për 5 vitet e ardhshme do të jetë njeriu që do të luftojë korrupsionin e niveleve të larta dhe njerëzit më të fuqishëm të botës së krimit.

Dy javë më parë Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi me unanimitet që Aida Hajna të jetë në krye të BKH-së. Numri dy i Policisë së Shtetit do të drejtojë për 5 vitet e ardhshme Byronë Kombëtare të Hetimit, që është një nga institucionet më të rëndësishme të drejtësisë së re. Byroja Kombëtare e Hetimit është njësia hetimore e SPAK-ut (Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Krimit të Organizuar), një institucion i ri, i pavarur dhe i papolitizuar kushtetues, detyra e të cilit është të ndjekë penalisht korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë.

Në shumë mënyra BKH-ja është e ngjashme me FBI-në amerikane, e cila heton krime të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara. Në fakt, hetuesit e BKH-së do të trajnohen në akademinë e FBI-së, në Virxhinia. Ligji mbi SPAK-un, po ashtu, kërkon që një komision ndërkombëtar të mbikëqyrë trajnimin dhe përgatitjet e hetuesve të BKH-së. Pas 8 muaj verifikimesh SPAK-u dhe KLP-ja zgjodhën zyrtarisht drejtuesen e institucionit të ri. Nga 40 kandidatë që ishin në fillim në garën për të drejtuar Byronë Kombëtare të Hetimit, vetëm 4 prej tyre arritën t’i kalonin me sukses fazat e tjera, të cilat kishin të bënin me testet fizike, shëndetësore dhe teste me shkrim për njohuritë në hartimin e raporteve.

Për katër kandidatët finalistë vetë SPAK-u nisi një proces vetingu, duke bërë verifikime në të tria kriteret, atë të pasurisë; figurës dhe të karrierës. Mes kandidatëve Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Fastaj, e pastër në të tria kriteret doli Hajna. Aida Hajna e cila tashmë do të drejtojë BKH-në. Pikëzimi i përafërt e bëri të vështirë përzgjedhjen mes katër kandidatëve, ku pas gati 7 muajsh “luftë” mes tyre, fituese doli zv.drejtoresha e Policisë së Shtetit.

Gara mes katër pretendentëve për të marrë drejtimin e BKH-së ishte mjaft e fortë, pasi sipas informacioneve që gazeta “Fjala” ka mbledhur, të katër kandidatët gjatë këtij procesi morën pothuajse pikët maksimale në të gjitha testet e kryera gjatë kësaj gare, e cila ka zgjatur gati 7 muaj. Makina e së vërtetës ishte ajo që përcaktoi edhe fituesin mes 4 kandidatëve.

Tri fazat që duhet të kalojnë 650 aplikantët për t’u bërë pjesë e BKH-së

1-Faza parë që kandidatët e që aspirojnë për t’u bërë pjesë e strukturës që do të hetojë “peshqit e mëdhenj”, është plotësimi i një formulari me 6 faqe, të cilin duhet ta dorëzojnë me postë elektronike, jo më vonë se data 29 shtator.

2-Në fazën e dytë kandidatët duhet të kalojnë testin e arsyetimit logjik, aftësisë fizike, shkrimin e raporteve, intervistën e strukturuar dhe procesin e verifikimit të pasurisë dhe pastërtisë së figurës.

3- Në fazën e tretë, që është edhe më e rëndësishmja, pasi do të vendoset për rekrutimin e aplikantëve, do të jetë përballja e tyre me makinën e të vërtetës. Kjo pajisje u publikua disa muaj më parë, pas një takimi që zyrtarë të ambasadës amerikane patën me ata shqiptarë.

Re.Gu/Fjala.al

Të fundit

Alibaba prezanton version të ri të IA, më i mirë edhe se DeepSeek

Gjigandi kinez i teknologjisë Alibaba ka njoftuar prezantimin e një versioni të ri të inteligjencës së tij artificiale, të...

Njihuni me njeriun që mati botën

Në një periudhë kur Evropa kishte hyrë në errësirën e Mesjetës, bota islame kalonte një epokë të artë zbulimesh dhe njohurive intelektuale. Një ndër...

Eurodeputeti slloven nominon Elon Musk për Çmimin Nobel për Paqe

Miliarderi dhe sipërmarrësi i njohur Elon Musk është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për kontributin në avancimin e lirisë së fjalës, një vlerë...

Reshjet e dendura të shiut, mungesë energjie në disa njësi administrative në Gjirokastër

Reshjet e shiut të shoqëruara me shkarkime atmosferike kanë prekur sot Qarkun Gjirokastër, me intensitet deri në mesatar. Sipas informacioneve nga Prefekti i Qarkut...

Hirra, kura më e mirë për problemet e mëlçisë dhe pastrimin e gjakut

Hirra e qumështit dhe e kosit është një nga produktet më mirëbërëse dhe funksionon shumë mirë si kurë natyrale për shëndetin. Hirra është e...

Lajme të tjera

Web TV