Prag kolapsi, 15 rastet kur duhet mbajtur maska me detyrim

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ina Allkanjari 

Në të gjithë Shqipërinë hyn në fuqi prej ditës së sotme, përdorimi i maskave me detyrim në ambientet e jashtme. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, bëri të ditur se është miratuar “Udhëzuesi mbi përdorimin e detyrueshëm të maskave në ambientet jashtë shtëpisë”, që paraqet kriteret e përgjithshme, rregullat dhe përjashtimet për përdorimin e barrierave mbrojtëse (maskave) në ambientet jashtë shtëpisë, me qëllim zvogëlimin e përhapjes së mundshme të COVID-19. 

Duke filluar nga dita e sotme, mbajtja e maskës do të jetë e detyrueshme kudo në ambientet jashtë shtëpisë. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, maska ndihmon në zvogëlimin e përhapjes së infeksionit në komunitet, duke minimizuar transmetimin e tij nga individë të infektuar. Për këtë arsye, rreth 8 muaj prej fillimit të pandemisë COVID-19 në Shqipëri, ISHP-ja publikon udhëzuesin për mbajtjen e maskave në çdo mjedis jashtë shtëpisë.

Një vendim ky i marrë nga qeveria, moszbatimi i të cilit do të shoqërohet me penalitete. Konkretisht, sipas aktit normativ qytetarët do të gjobiten me 3 mijë lekë për shkeljen e këtij vendimi për herë të parë, dhe me 5 mijë lekë për shkelje të përsëritur. Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico, bëri të ditur se “Udhëzuesi mbi përdorimin e detyrueshëm të maskave në ambientet jashtë shtëpisë” paraqet kriteret e përgjithshme, rregullat dhe përjashtimet për përdorimin e barrierave mbrojtëse (maskave) në ambientet jashtë shtëpisë, me qëllim zvogëlimin e përhapjes së mundshme të COVID-19.

Fico sqaroi se nga ky detyrim përjashtohen fëmijët nën 11 vjeç dhe disa kategori të veçanta të qytetarëve me probleme shëndetësore të konfirmuara nga mjeku. Ndërsa theksoi se maska do të jetë e detyrueshme për të gjithë qytetarët gjatë qëndrimit jashtë shtëpisë, kur ecin në rrugë, në supermarket, në transportin publik dhe jopublik, kur udhëtojnë me persona të tjerë, para dhe pas konsumimit të kafesë etj.

Sipas ISHP-së, përdorimi i maskave të fytyrës në komunitet mund të shërbejë si një mjet për kontrollin e burimit të infeksionit. Në udhëzues theksohet se përdorimi i barrierës mbrojtëse duhet të konsiderohet vetëm si një masë plotësuese dhe jo si një zëvendësim i masave të përcaktuara parandaluese, duhet të zbatohet bashkë me distancën fizike 1,5 – 2 metra dhe higjienën e duarve.

Në lidhje më këtë masë të përcaktuar, më herët ka reaguar edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili i ftoi qytetarët të respektojnë mbajtjen e maskës në ambiente të hapura, nisur nga fakti që mbajtja e tyre bëhet e detyrueshme. “Rastet e shtetasve të infektuar me COVID-19 kanë shënuar një rritje të lehtë, sipas të dhënave nga shëndetësia. Një rritje e tillë e të infektuarve po vërehet edhe në shumë vende të botës. Disa prej këtyre shteteve kanë nisur marrjen e masave të forta për parandalimin e infeksionit.

Edhe në vendin tonë kanë nisur të merren disa masa, në mënyrë që të pengohet përhapja masive e virusit. Duke filluar nga dita e enjte, çdo qytetar është i detyruar të mbajë maskën mbrojtëse që në momentin kur del prej shtëpisë së vet. Kjo masë është në përputhje me udhëzimet e nxjerra nga autoritetet shëndetësore. Mbajtja e një maske në fytyrë ul në mënyrë të ndjeshme rrezikun e përhapjes së infektimit”, u shpreh Veliu, teksa theksoi se me marrjen e një mase të tillë, synojmë të shmangim një mbyllje si ajo e pranverës së këtij viti.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit nënvizoi se patrullat policore do t’i monitorojnë në mënyrë rigoroze të gjitha ambientet dhe hapësirat publike ku nga e enjtja do të jetë detyrim mbajtja e maskës. Në çdo rast të konstatimit të shtetasve që u shmangen detyrimeve ligjore, Veliu tha se Policia e Shtetit do të reagojë në përputhje me ligjin dhe detyrat e saj funksionale.

Në lidhje me këtë vendim reagoi edhe Silva Bino, përgjegjësja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, e cila u shpreh se masa është më se e drejtë dhe vjen në kohën e duhur. Kjo pasi, sipas Binos, kemi shumë fakte që tregojnë se sa i rëndësishëm është përdorimi i maskës në mjedise mbyllura dhe të hapura për parandalimin e përhapjes së Covid-it.

“Mendoj që vendimi vjen në kohën e duhur, pasi sot kemi shumë më tepër fakte dhe të dhëna nga bota, por edhe nga eksperienca jonë, që tregojnë për rëndësinë e përdorimit të maskës në mjedise mbyllura dhe të hapura, në drejtim të parandalimit të përhapjes së COVID-19. Mbajtja e maskës nuk përjashton distancimin fizik, por vërehet se distancimi fizik nuk ruhet përherë, njerëzit takohen, qëndrojnë shpesh afër, pa e kuptuar dhe ruajtur atë”, deklaroi Bino, e cila më tej thekson se njerëzit flasin me njëri-tjetrin në rrugë, në zyra, apo jashtë shtëpisë, dhe kështu mund të ndodhë transmetimi.

Duke qenë se maska tashmë do të përdoret pothuajse gjatë gjithë ditës, Bino theksoi se duhet të përdoren maskat kirurgjikale, por edhe maskat mbrojtëse prej tekstili, të cilat duhet të kenë dy ose më shumë shtresa, pasi, sipas saj, lejojnë frymëmarrjen dhe nuk kanë kosto, meqë mund të lahen dhe të ripërdoren.

“Natyrisht, fëmijët nën një moshë të caktuar, persona të cilët kanë prapambetje mendore dhe nuk dinë të vendosin apo heqin maskën, apo persona që kryejnë aktivitet fizik, nuk mund ta mbajnë gjatë aktivitetit fizik, për shembull vrapit apo kur i japin biçikletës apo gjatë futbollit si dhe të tjera. Po ashtu, kur hamë dhe pimë nuk mund të kemi maskë, por midis këtyre veprimeve maska duhet të mbahet”, deklaroi Bino.

Parimet e përdorimit korrekt të maskave janë: 

Në udhëzuesin e publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik theksohet se maska e fytyrës duhet të mbulojë plotësisht hundën, gojën dhe mjekrën. Ndërsa specifikohet se duhet të pastrohen duart me sapun dhe ujë ose dezinfektues duarsh me bazë alkooli përpara se të vendoset dhe hiqet maska.

Disa nga parimet e përdorimit korrekt të maskave janë: Maska nuk duhet të preket kur vendoset; Maska duhet të hiqet nga pas, duke shmangur prekjen e përparme të saj, duke palosur qoshet e jashtme së bashku; Maska kirurgjikale hidhet në koshin e mbetjeve pas heqjes; Lani duart ose përdorni dezinfektues menjëherë pas heqjes së maskës; Maska jomjekësore prej tekstili, e ripërdorshme, pasi hiqet duhet të lahet pas çdo përdorimi, duke përdorur larës të zakonshëm në 60º C; Maska jomjekësore prej tekstili pasi të hiqet vendoset në një qese, deri sa të lahet.

 Kur duhet të mbahet maska: 

-Sa herë dilni nga shtëpia;

-Çdo individ mbi moshën 11 vjeç;

-Gjatë të gjithë ditës, gjatë të gjithë veprimtarisë jashtë banesës;

-Në çdo dyqan, supermarket apo aktivitet tregtar;

-Në të gjitha mjetet e transportit publik dhe jopublik, kur në to gjenden persona të tjerë përveç drejtuesit të automjetit;

-Edhe gjatë ecjes në rrugë;

-Gjatë qëndrimit në të gjitha vendet publike të hapura, si parqe apo sheshe;

-Gjatë të gjithë aktivitetit të punës në zyra, në të gjitha institucionet publike dhe jopublike, teatër, kinema, muze, biblioteka etj.

-Në hyrje dhe dalje nga banesa, si dhe nëpër ashensorë;

-Përpara dhe pas konsumimit të ushqimit në bare dhe restorante;

-Në motoçikletë kur merr një person tjetër jo anëtar të familjes;

-Nëse jeni duke u kujdesur në shtëpi për një familjar me COVID-19;

-Në të gjitha institucionet fetare;

-Nga personat që e kanë kaluar SARS-COV2 për t’u mbrojtur nga shkaktarët e tjerë infektivë respiratorë;

-Në institucionet arsimore dhe ato të kujdesit shëndetësor, sipas rekomandimeve të mëparshme.

Kur mund ta hiqni maskën:

Vendosja e barrierës mbrojtëse (maskës) nuk mund të jetë e mundur në çdo situatë. Prandaj, ka disa raste kur ju lejohet ta hiqni atë ose të modifikoni përdorimin e saj.

-Nëse kërkohet për qëllime të identifikimit personal nga zyrtarët përkatës në polici, në bankë, postë, gjykatë etj.

Lexo edhe :  Rama për “Corriere Della Sera”: Në 11 maj pres votën e qytetarëve

-Gjatë ngrënies apo konsumimit të pijeve, por në hyrje e në dalje nga baret dhe restorantet maska duhet të vendoset.

-Gjatë procesit të manipulimeve dentare, por në hyrje e në dalje nga klinika maska duhet të vendoset.

-Nga personat që mbajnë/drejtojnë lutjen/shërbesën/ceremoninë fetare.

-Nga persona me humbje të dëgjimit dhe të të folurit ose për personat e tjerë gjatë kohës së komunikimit me ta, nëse nuk kanë mundësi të përdorin maska të posaçme (transparente).

-Nëse kërkohet nga stafi i dyqaneve ose marketeve përkatëse për identifikim të moshës, përfshirë blerjen e produkteve me moshë të kufizuar, siç janë duhani dhe alkooli.

-Nga punëtorët që punojnë në ambiente të jashtme, gjatë procesit të punës, kur sigurohet distancë fizike jo më pak se 1,5 m.

-Nga të ftuarit në emisionet televizive, me kusht që të ruhet distanca jo më pak se 1,5 metra.

Rastet përjashtimore të përdorimit të maskës: 

Udhëzuesi i miratuar përcakton qartë rastet përjashtimore të përdorimit të barrierës mbrojtëse (maskës).

-Në të gjitha rastet kur përdorimi i maskës dëmton shëndetin, sipas rekomandimit të mjekut të familjes.

-Nga persona me sëmundje që i bëjnë të paaftë për përdorimin maskës.

-Gjatë ushtrimit të aktiviteteve sportive.

-Nga persona të cilët lëvizin të vetëm me biçikletë, motoçikletë apo monopatinë.

-Kur në makinë është vetëm drejtuesi i mjetit, ose persona që kanë lidhje familjare me të.

-Në aktivitete që mund të shkaktojnë lagien e maskës, si p.sh. gjatë larjes në pishinë, liqen ose në det.

-Në shtëpi me anëtarët e ngushtë të familjes.

 

Gjoba 

Rreth 8 muaj prej fillimit të pandemisë COVID-19 në Shqipëri, ISHP-ja publikon udhëzuesin për mbajtjen e maskave në çdo mjedis jashtë shtëpisë. Një vendim ky i marrë nga qeveria, moszbatimi i të cilit do të shoqërohet me penalitete. Konkretisht, sipas aktit normativ, qytetarët do të gjobiten me 3 mijë lekë për shkeljen e këtij vendimi për herë të parë, dhe me 5 mijë lekë për shkelje të përsëritur.

 

Rihapen pas 7 muajsh kinematë, publikohet urdhri i ri i masave antiCovid 

Ndonëse shifrat e të infektuarve me COVID-19 vijojnë të rriten, një tjetër vendim është publikuar ditën e djeshme në Fletoren Zyrtare, i cili lejon rihapjen e kinemave. Një vendim i cili pritet të hyjë në fuqi ditën e sotme, pas një mbylljeje prej 7 muajsh. Nga ana tjetër, teatrot dhe koncertet vazhdojnë të jenë të pezulluara, sipas urdhrit të datës 29 maj 2020.

Pas 7 muajsh rihapen sërish kinematë, në përputhje me protokollet antiCovid. Ndërsa ditët e fundit janë marrë disa vendime kufizuese, si përdorimi i maskave në ambientet e jashtme, nga ana tjetër, qeveria ka lehtësuar masat për disa biznese. Me hyrjen e vjeshtës, një ndër masat e para lehtësuese të marra për bizneset, ishte rihapja e bareve, restoranteve dhe pishinave në ambientet e mbyllura.

Ndërkohë një tjetër vendim lehtësues vjen për kinematë. Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar hapjen e kinemave në vend, një vendim i cili hyn në fuqi ditën e sotme. Në një urdhër të botuar në Fletoren Zyrtare, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, parashikon hapjen e kinemave, duke respektuar masat kundër COVID-19. “Aktiviteti i kinemave të ofrohet në përputhje me protokollet e miratuara nga Instituti i Shëndetit Publik për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19”, thuhet në Fletoren Zyrtare.

Kinematë ishin një aktivitet për të cilin qeveria nuk kishte dhënë një afat kohor se deri kur do të qëndronin të mbyllura. Nga ana tjetër, teatrot dhe koncertet vazhdojnë të jenë të pezulluara, sipas urdhrit të datës 29 maj 2020. “Në urdhrin nr. 351, datë 29.5.2020, “Për marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID-19”, të ndryshuar, bëhet ndryshimi si më poshtë vijon: 1. Në pikën 3, germa “b”, termi “kinematë”, shfuqizohet. 2. Aktiviteti i kinemave të ofrohet në përputhje me protokollet e miratuara nga Instituti i Shëndetit Publik për parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.

Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare”, thuhet në vendim. Kujtojmë se vendimi i parë lehtësues u mor më datë 1 tetor për baret, restorantet, si dhe pishinat në ambiente të mbyllura në vend, të cilat u rihapën sipas protokolleve të detajuara të sigurisë, të hartuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Këto subjekte do të duhet të zbatojnë rregullat antiCovid për t’u lejuar të ushtrojnë aktivitetin edhe në ambientet e brendshme.

Ndërkohë në vendim theksohej se do të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura, pub-et, klubet e natës dhe diskot. Në protokollet e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë u bë me dije se në hyrje të bareve ose restoranteve duhet të ofrohet produkti higjienizues i duarve për klientët, duke u kujdesur për rimbushjen e tyre. Përqindja e substancës aktive duhet të jetë minimalisht 60%.

Çdo punonjës i bar-kafe ose restorantit është i detyruar të deklarojë ndaj personit përgjegjës nëse ka pasur kontakt me persona të cilët rezultojnë apo kanë rezultuar pozitivë me COVID-19. Baret dhe restorantet u rihapën me tavolina me nga dy metra distancë, ndërsa asnjë punonjës me temperaturë mbi 37,5 nuk do të lejohet të qëndrojë në punë.

Çdo punonjës i bar-kafe ose restorantit që vëren shenja klinike gjatë qëndrimit në banesë, nuk duhet të paraqitet në punë dhe duhet të lajmërojë menjëherë subjektin pronar. Punonjësi duhet të telefonojë mjekun e familjes. Gjithashtu, çdo bar apo restorant duhet të garantojë të shërbehet me meny elektronike, ose meny të plastifikuara, të cilat pastrohen e dezinfektohen. Ndërkohë ende nuk dihen protokollet e sigurisë për kinematë, ndërsa pritet që të rihapen me rregulla strikte për të parandaluar përhapjen e virusit COVID-19.

Situata epidemiologjike 

Ndërsa vijojnë të merren masa për të parandaluar përhapjen e virusit COVID-19, infektimet po shënojnë shifra të larta. Gjatë 24 orëve të fundit nga 1351 testime të kryera, kanë rezultuar pozitivë 203 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV2.

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 68 raste në Tiranë, nga 17 raste në Fier, Korçë, 15 në Elbasan, 14 në Berat, 12 në Lezhë, 10 në Durrës, 9 në Lushnjë, 6 në Pogradec, nga 5 raste në Vlorë, Sarandë, nga 3 raste në Gramsh, Kuçovë, nga 2 raste në Shkodër, Kurbin, Mirditë, Tepelenë, Roskovec, nga 1 rast në Krujë, Kavajë, Librazhd, Mat, Fushë-Arrëz, Selenicë, Bulqizë, Shijak, Vorë.

Gjithashtu, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 87 qytetarë, duke e çuar në 9762 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe në atë “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 239 pacientë, 15 në terapi intensive, nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar. Në 24 orët e fundit, fatkeqësisht, e kanë humbur betejën me COVID-19, pesë qytetarë. Bëhet fjalë për një 59-vjeçare nga Elbasani, një 79-vjeçare nga Vlora, një 87-vjeçare nga Tirana dhe dy qytetarë nga Durrësi: 66 dhe 85 vjeç.

Ministria e Shëndetësisë rikujton se nga dita e sotme maskat ose barrierat mbrojtëse prej tekstili bëhen të detyrueshme edhe në ambientet e hapura jashtë shtëpisë, në mënyrë që të minimizohet përhapja e infeksionit. “Bëjeni mbajtjen e maskës pjesë të sjelljes suaj të përditshme për të mbrojtur veten dhe të afërmit tuaj. Mos neglizhoni për asnjë moment ruajtjen e distancimit fizik prej të paktën 1,5 m dhe kujdesuni për higjienën personale”, deklaron Ministria e Shëndetësisë.

 

COVID-19 – Statistika (14 tetor 2020) 

Raste të reja ditore                  203

Të shëruar në 24 orë                 87

Humbje jete në 24 orë                5

Testime ditore                       1351

Testime totale                   102004

Raste pozitive                     15955

Raste të shëruara                   9762

Raste aktive                           5759

Humbje jete                             434

 

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve: 

Tiranë                                    2890

Durrës                                      593

Shkodër                                    426

Korçë                                       325

Fier                                           306

Lezhë                                      290

Elbasan                                   246

Vlorë                                       208

Berat                                        168

Kukës                                       159

Dibër                                          82

Gjirokastër                                 66

Jo.Be/Fjala.al

Të fundit

Çfarë fshihet pas zhurmës së Berishës në SPAK për t’u dukur si trim?!

Nga Ylli Pata Siç u pa qartë gjatë ditës së sotme, por edhe në nisjen e procedimit penal të dosjes...

“Vrau, vodhi…”, Beqiri bën deklarata të forta për Berishën: Një politikan i perënduar

Ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit sot në SPAK për masën detyrim paraqitjeje për aferën Partizani. I ftuar në një studio televizive ishte avokati Idajet...

Studimi/ Çfarë ndodh me trurin tonë kur ndalojmë së përdoruri rrjetet sociale

Është fakt që jetojmë në epokën dixhitale. Shumica, nëse jo të gjithë njerëzit, tani kanë të paktën një llogari të mediave sociale, ndërsa shumica...

Berisha në SPAK, gazetari: Protestë për hallet e tij familjare

Ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit në SPAK për të përmbushur masën e detyrimit përpara për aferën “Partizani”. Gazetari Adriatik Doçi komentoi protestën e Berishës, duke...

Projektligji për kufizimin e automjeteve, eksperti tregon arsyet përse nuk realizohet dot

Qeveria ka hedhur për konsultim një projektligj që synon kufizimin e përdorimit të automjeteve nga qytetarët për të ulur trafikun dhe ndotjen, por ekspertët...

Lajme të tjera

Web TV