Filip Çakuli, gazetari rebel

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Mitro Çela

Viti 1986. Në radio “Tirana” u bë një konkurs për tregimet humoristike. Çmimin e parë e mori Filipi.
Për dhënien e çmimeve u organizua një shfaqje televizive. Paraqitësi i programit pyeti: “Ku e gjeni humorin?” Filipi, hazër-xhevap, edhe pse jetonim në epokën e diktaturës:
-Humori më gjen vetë. Do një fakt? Një javë më parë u organizua një takim për fushatën e korrje-shirjeve në Lushnjë. I deleguar, shoku Pali Miska, ministër i Bujqësisë dhe anëtar i Byrosë Politike. Shoku Pali tha tre gjëra me shumë rëndësi
Së pari: Gruri mbillet në tokë.
Së dyti: Kur piqet, korret me autokombajnë.
Së treti: Buka e grurit bëhet me miell gruri?!” Ka humor më të bukur?”
Një ditë më vonë, në redaksinë e gazetës “Bashkimi” u ankua shoku Pali. Në një dosje të kuqe mbante një raport me 40 faqe. Nxinte në fytyrë dhe shkumëzonte nga inati:
“Ja, shoku kryeredaktor! Këto lexova në seminar?!”…
U mblodh redaksia. Dënimi? Edukim në Dibër?… Ndërsa makina “rënkonte” në të përpjetat e Qafë Buallit, më thotë Filipi:
-Mitro Xhani! Populli thotë: Një fije e ndan të mençurin nga budallai. Edhe humori qëndron në sinorin mes tragjikes dhe komikes! Prandaj humori “dënon” ata që guxojnë të shkruajnë e flasin…
“Për të njohur sa më mirë natyrën e popullit, ka thënë Makiaveli, është e domosdoshme të jesh princ. Ndërsa për të njohur mirë princin duhet të jesh popull.”
Unë e njoh Filipin në rolin e “princit” dhe “popullit”, domethënë e kam pasur vartës në gazetat ‘Bashkimi” dhe “RD”. Tani e kam shef në Top Channel.
Filipi, më i madhi i pesë fëmijëve, ka lindur në Dyrmisht, fshat minoritar në rrethin e Sarandës. (…Shkollën e kishim shumë larg. Prapa malit. Çdo ditë tre orë vajtje-ardhje. Pak bukë e lyer me vaj… për të sjellë në shtëpi vetëm dhjeta…)
Kreu shkollën e mesme pedagogjike në Gjirokastër. Vazhdoi studimet në fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në Tiranë…
(Në drejtimin e gazetës “RD” në shtator të vitit 1991, ishim katër: kryeredaktori, zëvendësi, sekretari i kolegjiumit dhe kryetari i këshillit botues. Me votim të fshehtë u vendos: Dy në kompetencë të kryesisë së PD-së, njëri në hyqmin tim.
“Zëvendësin tënd, u tha në kryesi, do ta zgjedhësh me një kusht: të dijë gjuhë të huaj. Më mirë dy. Por edhe me një pranohet…”
U ktheva në gazetë. Hapa defterët. Nga të gjithë meshkujt gazetarë, mbi 30 vjeç, vetëm njëri ishte me gjuhë të huaj: Filip Çakuli. Nga dokumentet dilte me kombësi greke. Gjuhë të huaj kishte shqipen. Mos ma hedhë ky Filipi dhe nuk e di me gramatikë? Mora rrugën e fakultetit. Takova Profesor Shaban Demiraj.
-Në atë kurs, vetëm një student ka marrë 10 në gramatikën e shqipes, – më tha. E quanin Filip Çakuli…
Fakulteti i dha dy “pasuri”.
Së pari diplomën, të gjitha dhjeta.
Së dyti, gruan. (E dashuroi me shikimin e parë. Ndryshe nuk ke si e shpjegon faktin, që pranoi të punojë në revistën “Hosteni”, me zyrë në Divjakë. Aty e kishte shtëpinë Vasilika?! Fati i humoristit: në sinorët e tragjikes dhe komikes.)
Në revistën “Hosteni”, djali 22-vjeçar nga fshati dhe dhëndri nga Divjaka, kishte për kolegë Dritëro Agollin, Niko Nikollën, Hyskë Borobojkën, Sabri Godon, Qamil Buxhelin. “Baballarë” të letërsisë. Dishepuj të humorit. Mbledhjet e redaksisë bëheshin të hapura. Brenda të rinj e të vjetër.
Filipit, që i hanin brirët, bëri një proçkë, nga ato që do ta ndiqnin gjithë jetën: kritikoi një tregim të Sabri Godos! Hata e madhe…
-Më thotë Hyskë Borobojka në vesh: Këpucar qëndro te këpucët!-Kujton Filipi.- Ngrita supet… Më tregoi fabulën. Goja po pikturonte mbretin. Me penel në dorë, ra në mendime për këpucët… Thirri këpucarin. Ai fliste. Piktori punonte mbi këpucët e mbretit, sipas vërejtjeve të këpucarit… Kur piktori fshiu penelin, këpucari tha:
-Flokët, pak më shkurt… Kishte edhe një nishan… Këpucar, tha piktori, qëndro te këpucët…
Ndërkohë u dëgjua zëri i Godos: Ky djali i ri, duhet ta njohë më mirë vatanë! Ka nevojë për më shumë shërbime në veri…)
Në vitin 1986 u bashkuam të dy në gazetën “Bashkimi”. Unë shef i ekonomisë.
Kur kryeredaktori, zoti Hamit Boriçi, ndau gazetarët nëpër sektorë më tha mua:
-Çdo sektor do të ketë pesë deri në gjashtë gazetarë. Ti do të kesh vartës vetëm Filip Çakulin. Me Filipin jetoj si mbi mina!” …
Një javë më vonë doli profecia e kryeredaktorit. Filipi bëri një shkrim me titull: “Planifikohet edhe numri i të vdekurve”. Përmbajtja: “Sot në Durrës, ndalohet të vdesësh. Është realizuar plani i vdekjeve, si për burra dhe për gra.” Shkrimin e lexoi shoku Ramiz Alia. Mori në telefon redaksinë: “Shoku kryeredaktor! Kaq i mençur qenka Filip Çakuli, sa të tallet me planifikimin e treguesve të ekonomisë socialiste…”
Kaq u desh. Mbledhje. Kritika. Autokritika. Me shkrim e me gojë. Dënime. Filipi në verilindje. Anëtarët e kolegjiumit me në krye kryeredaktorin: vërejtje me paralajmërim pushimi nga puna. Unë edhe një thelë mbi bisht: gjobë një gjysëm rrogë mujore!” Sarkazëm e gjallë: të dënohesh si shef për kusuret e vartësit!
Në vitin 1993, Filipi, bëri një eksperimentim në revistën “Hosteni”. Nisi të botojë disa buste lakuriq. Për koka, përdorte kokat e politikanëve të lartë: Meksi, Arbnori, Dokle, Meta…Mitro. Gjëra me kripë! Por proçka erdhi, kur në faqen e parë të revistës, mbi bustin lakuriq u vendos koka e presidentit tonë të nderuar, zotit Sali Berisha.
Një natë pa hënë, një ditë më parë se revista të shpërndahej, në redaksi mbërritën tre punonjës të SHIK-ut. Me shumë takt, morën me vete revistat me Berishën lakuriq dhe Filipin të veshur. Hipën në një benz të zi. Ndaluan në një zyrë. Mes tyre nisi një bisedë me nota surrealiste:
Shikasi: – Kush janë bashkëpunëtorët e tu?
Filipi: – Sali Berisha, Aleksandër Meksi, Agron Musarai, Mitro Çela…
Shikasi: – Nuk jemi këtu për t’u tallur?!
Filipi: – Po dyshuat në fjalën time, ja ku është telefoni për verifikim…
Kishte kaluar mesnata. Vasilika u shqetësua. Kërkonte burrin. Ai, i humbur. Pa gdhirë mirë mori në telefon dhe përfundoi në zyrën e Agron Musarait, ministër i Brendshëm. Ai ngriti supet dhe formoi numrin e Kryeministrit Meksi. As ai nuk dinte gjë. Asnjë informacion as nga Prokurori i Përgjithshëm, as nga Presidenti Berisha. Meselenë e kishte gatuar Gazidede…
Filipi u gdhi në birucë. Hynë hetuesit. Me tjetër pamje. Pak të hutuar. Pyetën me mirësjellje:
– Të porosisim ndonjë gjë për të ngrënë?…
– Po. Një bërxollë derri, pilaf dhe një gotë verë të kuqe…
– Biruca nuk është restorant!…
– Vetë më pyetët për menunë!…
Ndërkohë një prej hetuesve hartoi një procesverbal… Pasi e lexoi, Filipi shkroi me stilin e Shvejkut: “Zotërinjtë e SHIK-ut, me shumë edukatë më rrëmbyen nga zyra dhe më prunë në birucë. Me shumë kulturë më mbajtën 24 orë në izolim. Me shumë takt më thanë se çfarë duhet të ha e të pi…”
Një javë më vonë problemi i arrestimit të gazetarit Filip Çakuli, u bë objekt rezolute në Bruksel, Strasburg dhe në OKB…
Tragjedi dhe komedi të nakatosura së bashku… Gurrë humori…
Në vitin 2006 Filipi u dekurua “Mjeshtër i Madh i Punës.
Kur Presidenti dorëzoi medaljen, m’u kujtua një proverb i lashtë grek: “Të bësh një kurorë dafine është gjë e lehtë. Të meritosh një kurorë me dafina, është shumë e vështirë.” Po për Filipin? Një “kurorë” e merituar nga Presidenti, por shumë e vonuar në kohë. E mori kur mbushi 51 vjeç, kur zakonisht jepet në përvjetorë të “rrumbullakët”. Koka e Çakulit ishte e denjë për “kurorë me dafina” 25 vjet më parë, kur u bë personazhi më i njohur në revistën “Hosteni”. “Sebepe” pa fund: kur punonte te “Bashkimi” a “RD”; kur u arrestua nga SHIK-u, a kur vuri dy herë kandidaturën për deputet; kur shkruante skeçe për estradat e vendit a kur botonte 5-6 libra me humor…

Lexo edhe :  Qasje e re ekonomike midis dy krizave

la.mi/Fjala.al

Të fundit

E reja nga Kamza denoncon dhunën e tmerrshme të bashkëshortit: Më goditi me grushta në kokë derisa më ra të fikët

Ajo refuzoi që t’u bindej urdhërave të tij. Por urdhëri i tij nuk ishte një kërkesë normale, në një...

Mund të sjellë ndryshimin historik/ Ilaçi i ri për trajtimin e tumorit të trurit

Dy persona me kancer të avancuar të trurit i janë përgjigjur mirë një prove të vogël të një kombinimi eksperimental të ilaçeve kimioterapike dhe...

Të gjitha gratë e Princit Philip, 63 herë shkoi drejt divorcit me Mbretëreshën

Mbretëresha Elizabeth II ka shkuar në prag të divorcit nga burri i saj Philip, Duka i Edinburgut, plot 63 herë. Por nëse asaj do...

Ish-partnerja e Meriton Mjekiqit i çjerr maskën moderatorit: Nuk e ka takuar kurrë djalin tonë live, më kërcënon të mbyll gojën!

Moderatori i emisionit më të ndjekur të momentit në Kosovë, “Gjoni Black”, Meriton Mjekiqi, ditë më parë ishte i ftuar në emisionin “NIN”, ku...

Ana Lleshi e thotë troç: U futa në Për’puthen për një tjetër qëllim dhe do ta përdor!

Ana Lleshi është konkurrentja e parë e përjashtuar nga emisioni “Për’puthen”, e cila u kthye shumë shpejt në personazhin më të njohur e të...

Lajme të tjera

Web TV