“Uria”- romani i ri i shkrimtarit Vullnet Mato klithmon dhimbjet e shpirtit njerëzor

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Mimoza Çobo

Romani “Uria” i shkrimtarit të shquar të letërsisë shqipe, Vullnet Mato, është një kryevepër e re, që kulmon profilin artistik të këtij gjeniu të artit të fjalës së bukur, i cili radhitet te talentet e fuqishme që ka nxjerrë letërsia shqipe, në kapërcyellin midis dy periudhave: të letërsisë së realizmit socialist dhe letërsisë postmoderne shqiptare.

”Uria” është një vepër letrare, me dimensione artistike të jashtëzakonshme, ku rrëfimi i fuqishëm, kristalizon në formën më unikale, fatin tragjik të engjëjve të damkosur, të kërcënuar nga uria, prej ferrit totalitar, të periudhës së diktaturës komuniste. Kjo vepër eksploron me imtësi thellësitë misterioze të psikikës së moshës së re, kur adoleshentët hedhin shtat e duhet të ushqehen për të dalë në jetë, në kushtet e diktaturës, e cila përdor luftën klasore, me urinë e tmerrshme kundër tyre.

Por romani bën dhe pasqyrimin e një muzeu luvrian, për të eksploruar në hapësira të gjëra komunikimi, ku ekspozohen imazhe tronditëse, që kanë në brendi klithmën korale të ekzistencës. Në këndvështrimin e parë romani “Uria” klasifikohet si roman autobiografik ,i fëmijërisë dhe adoleshencës së shkrimtarit Mato.

Por në këtë roman, autori ndërmerr jo vetëm rolin e narratorit, por dhe rolin e protagonistit dhe dëshmitarit okular të çdo sekuence dhe çdo situate të rrëfimit, teksa damka e zezë, që i flinte nën lëkurën e ballit, i kujtonte shpesh, se krahët e tij fluturimtar ishin me ngjitje dylli. Dhe ashtu si Dedali, ishte i destinuar, që pas fluturimit të arritur me përpjekje të mëdha, të provonte rënien në detin e thellë të dëshpërimit.

Mato e fillon ligjërimin e tij, për të ndërtuar artistikisht urën e komunikimit me lexuesin, me përshkrimin e një ëndrre, të cilën, shkrimtari e ka ruajtur të paprekur në kasafortën e trurit, si një epitaf të dhimbshëm, sepse fill, pas kësaj ëndrre fatale, të atin e tij e arrestojnë krejt pa pritur, për propagandë e agjitacion politik: “Gjatë një nate krejt të zakonshme, në gjumin fare të qetë, të një mësuesi, që ka kryer me ndërgjegje të pastër detyrën ditore, babai im, pa një ëndërr të habitshme. Kishte hipur mbi një kalë të bardhë fluturues, që endej nëpër lartësitë e krifave të reve. Nën jelet mjegullore të atij kali fantastik, ai kishte soditur disa qytete të madhërishëm, me shtëpi të bardha, farfuritëse. Një zë i mistershëm, që sillej nëpër qiell, i tha se ishin Korfuzi, Janina, Athina…”

Prej këtij ligjërimi, autori merr përsipër misionin e orientuesit dhe të sqaruesit për trajtimin e mëvonshëm të problematikave të ndërlikuara dhe tematikave të mprehta, që trajtohen në brendësi të 20 kapitujve fabulistik të romanit.

Qysh në moshë të njomë, ai pëson tronditje psikike, pas ëndrrës fatale që pa i ati. Ajo kishte qenë një ëndërr mizore me bukuri të llahtarshme, që shkatërroi jo vetëm jetën e babait të tij, por damkosi përjetësisht tre breza: Rrethin e pjellës së të atit, pjellën e pjellës së tij dhe rrethin e atyre që pollën babanë. Të gjithë të damkosur në shpirt dhe të destinuar për vuajtje e privime pa fund.

Si një sekuencë e shkurtër filmike është regjistruar në hardiskun e trurit të tij, momenti i dhimbshëm i arrestimit të të atit:”Ata e ngjeshën egërsisht në xhipin e frikshëm dhe ia mbathën me ngut. Atë çast mua m’u duk sikur e gëlltiti goja e madhe e kuçedrës dhe me babanë tonë në dhëmbë, u zhduk nëpër mugëtirë.”

Autori, me stilin e tij të jashtëzakonshëm, origjinal, hipotetik dhe të papërsëritshëm, arrin të përshkruajë në mënyrë unike dhimbjet e shpirtit njerëzor, dhimbjen e përbotshme të njerëzve të uritur, të destinuar të jetojnë në një makroferr, me qiell të zymtë diktatorial dhe gjëmime apokaliptike: “Jetonim varfërinë më të dhimbshme e më qesharake që mund të ekzistonte rretheqark. Nxirrnim rrënjë nga dheu i kuq i malit, i thanim dhe i bluanim në një mokër dore, për të bërë me to një lloj buke të mjerë. Bluanim koçanka misri dhe bënim një lloj çerepi të papranueshëm edhe për qentë. Ndërsa gjella përbëhej nga hithra, nena e lëpjeta të egra, të ziera me një dorë kripë. Ushqyerje kjo, e padenjë jo vetëm për ne, krijesat e pafajshme, engjëjt e damkosur, të kryqëzuar padrejtësisht, nga një regjim absurd, që hakmerrej edhe me foshnjat. Por një sjellje antihumane dhe mungesë keqardhjeje e tillë, do të quhej kriminale edhe për kafshët…”

Por përmes këtyre tingujve melankolik të varfërisë, që krejt natyrshëm të ngacmojnë neuronet e trurit, lind dëshira e ethshme, të vjelësh përjetimet magjike të dashurisë mëmësore, të nënë Thëllëzës, për shtatë engjëjt e saj të uritur. Përjetime, të cilat fitojnë dimensione përtej së zakonshmes, duke u ngritur madhërishëm mbi kuçedrën Diktaturë, mbi klithmat e urisë, mbi egërsinë kafshërore të kohës. Duke studiuar subjektin e kësaj vepre epike, që mbetet jo vetëm një element aktiv i strukturës së veprës, por edhe një thesar, me të cilin shkrimtari Mato, ka përsosur organizimin letrar, duke krijuar me mjeshtri, forma e ndërtime poetike unikale dhe për më tepër sociale-filozofike në thelb, si dhe duke u mbështetur në konceptin teorik mbi subjektin, ku analiza synon të jetë sa teorike aq dhe konkrete-analitike.

Romani i ndarë në 20 kapituj, të cilët i kanë dhënë një fizionomi të veçantë subjektit të tij, tenton deri në përfundim të zbulojë dhe të demaskojë sistemin totalitar të periudhës së diktaturës komuniste, të hedhë dritë mbi fakte tronditëse që kanë në qendër konfliktin midis ideologjisë antinjerëzore, që ishte një “makineri vrastare” e trurit intelektual dhe e idealeve, vlerave morale e humane, kundër ngadhnjimit të arsyes dhe të fjalës së lirë.

Gjithashtu nëpërmjet theksit filozofik të mendimit të koncentruar, autori tenton t’u përgjigjet pyetjeve që kanë tronditur vazhdimisht shqiptarët, mbi absurditetin e ekzistencës së një shteti të tillë, tentakulat e të cilit kishin helm të mjaftueshëm për të pickuar në befasi shpirtin e njeriut-promete, deri në paralizën me eliminim fizik, gjatë epokës më të errët të diktaturës komuniste. Ky roman është model i një gjuhe lakonike e shprehëse që përshkohet nga ndjesi të holla dëshpërimi, prej vuajtjeve të tejskajshme nga uria, zhgënjimet për të ardhmen.

Lexo edhe :  "Nuk u kënaqe as kur të bëri Berisha ministër"/ Manja "dhëmbë për dhëmbë" me Alibeajn

Por në antitezë me to, brenda gjithë kësaj drame ka rreze dielli, dashurie, humanizmi dhe mirësie deri në shenjtëri të njerëzve të vuajtur. Materiali gjuhësor, në prozën matojane mbart vlera konotative, me ngjyrime të veçanta semantike, që vihen në funksion të ndërtimit të figurës dhe të zbulimit të vlerave të përfytyrimit artistik të autorit. Tingujt e kohës së fëmijërisë së hidhur dhe adoleshencës lëngimtare, dëgjohen përmes gërmëzimit të fjalive të thikta, të mprehta, por delikate, ku vdesin dëshirat fëmijërore dhe lindin iluzionet e mëdha të adoleshencës për jetën. Tema e romanit, e lidhur pazgjidhshmërisht me idenë qendrore, fiton epërsitë e një teme universale, që prek jo vetëm përvojat njerëzore, por edhe kulmon si një uragan shpirtëror, mes ndëshkimit dhe hakërrimit, si metaforë e mprehtë e të gjitha kohërave.

Simbolika e urisë, drithëron me tehun e saj, jo vetëm kufijtë kohorë e hapësinorë, por,dhe ata shpirtëror. Mato shquhet si një artist gjenial, që i transkripton me një origjinalitet të jashtëzakonshëm ndjenjat, përpjekjet dhe aspiratat e një epoke, apo të një shoqërie në zhvillim, pjesë e së cilës është aspekti karakterial.

Personazhet matojane thellojnë ngarkesën emocionale të rrëfimit, zbulojnë mendime apo ngjarje të përjetuara në kohë, duke e bërë sa më aktiv rrëfimin e brendshëm. Në roman rrëfimi është në vetën e parë dhe protagonisti kryesor që mbart gjithë peshën e rrëfimit është vetë autori. Ai shfaqet në vepër si imazh i një engjëlli të damkosur, si simbol i pafajësisë i pastërtisë dhe çiltërsisë fëmijërore, si promete i ëndrrave të mëdha të adoleshencës, i pranishëm në çdo sekuencë rrëfimi, herë i përzhitur nga uria, e herë i veshur me dritën e shpresës për t’u ringritur mbi goditjet e stuhive klasore dhe gjëmimet e breshërimave të tyre. Duke u përpjekur të mbijetojë brenda ferrit gjigant të kohës, ku mëkatarët e racës njerëzore, shkelnin egërsisht limitet humane, ai e vendos veten jo vetëm në qendër të artit bashkëkohor, por dhe në qendrën e një debati shpirtëror:

“Duhet të mbijetoja, që gjuha ime, si flamuri në gjysmështize, të zhdërvillej lirshëm në eterin e fjalës së lirë, me zanore të forta dhe bashkëtingëllore zëlarta, që të dëshmoja për të sotmit dhe për ata që vijnë pas nesh, se si njolla e zezë e asaj damke zheu e përdhosi, pothuaj të gjitha skajet e shpirtrave tanë të tallazitur. Dhe për ta bërë këtë, mjafton të lëshojë herë pas here një kovë në pusin e thellë të vetes sime, që të nxjerr prej andej lëngun e hidhur të kujtimeve të fëmijërisë fatkeqe.

Uria, përveçse një shushunjë, që ia thithte gjakun në vena, nxjerr në pah intelektin dhe pasionin e moshës për të krijuar “armët”që do t’ia shtypnin kokën shushunjës dhe do t’i jepnin jetë limfës jetësore: “Po damka ime… më lejon ajo ta bëj këtë punë?… Fundja, tani jam vullnetar hidrocentrali, a nuk është kjo një lloj pudre që e mbulon të mos duket…Pasioni i moshës së adoleshencës më nxiste, që krahët e suksesit t’i provoja sërish, ndonëse s’kisha me çfarë t’i ngjitja tjetër, veç dyllit që shkrihej shpejt…”

Në rrugëtimin e rrezikshëm nga ferri, drejt dritës, ai shkruan testamentin piktorik mbi jetën dhe ekzistencën e qenieve njerëzore, si shembuj më të vyer të asaj kohe, në sytë e të cilëve ka gjithmonë tallazitje ndjenjash, tallazitje ujërash, tallazitje qiejsh, tallazitje kaltërsish.

Një nga figurat më të arrira femërore të krijuara nga pena e shkrimtarit Mato, është figura e Thëllëzës, nënës së autorit. Ja si e përshkruan shkrimtari portretin e saj: ”Nëna jonë, me atë fytyrën gjithmonë nusërore, me sytë si ullinj të zinj dhe flokët të shtrirë anëve nën dy karfica, kishte lindur shpejt e shpejt një vajzë dhe gjashtë djem. “Një skuadër volejbolli me trajnerin femër”, bënte shaka dhe krenohej babai.

” Thëllëza shfaqet në roman si një nënë me karakter të fortë, që lufton me të gjitha mënyrat për të përballuar vështirësitë e fatit të trishtë, që ndëshkoi jo vetëm bashkëshortin e vet, por edhe shtatë engjëjt e saj të pafajshëm. Në vorbullën e rrezikshme të varfërisë, figura e saj fiton dimensione mbinjerëzore, gati-gati hyjnore. Personazhet e tjera janë një shumëllojshmëri zërash që krijojnë një strukturë karakteristike, e cila ka në thelb një njësi të caktuar të pozitës së autorit, për t’i dhënë dinamizëm rrëfimit. Si përfundim, duhet theksuar se përgjithësisht, ky roman ngacmon e provokon një varg çështjesh të trajtuara pak, ose të patrajtuara më parë, nga autorë të letërsisë shqipe. Kjo vepër artistike, ndëshkon e fshikullon të keqen dhe shenjtëron njeriun, e parapërgatit atë për të hyrë në tempullin e parajsës tokësore, ku energjia personale dhe energjitë pozitive të kohës krijojnë njeriun e së ardhmes.

Gjatë studimit me imtësi të çdo fraze të shkruar me drithërimën e shpirtit, konstatova se shkrimtari Mato, shpeshherë merr trajtat e një eruditi, sepse tingujt e frymës që i lindën brigjeve jugore, me klithma urie në fëmijëri, mbollën tek ai rrënjët e muzës së hyjnive, që e bënë atë një gjeni në letërsi. Dhe pse tani frymën e ka në dhjetëra copa thërrmuar, nga Akrokeraunet e buta, në Alpet e Veriore, ku ka lënë, tingujt e frymës së fosilizuar, mbuluar me gurë, e akuj pa shkrirje verore, ai do vazhdojë t’i çoj tingujt e frymës së tij deri lart, në kujtesën e përjetshme të vërtitjes tokësore.

Ku, me shkulmet frymore, që sillen përqark globit, në pelegrinazhin e përhershëm të reve qiellore, t’u heqë maskat shpirtrave të zinj, të kohës së shkuar, që detyruan ndarje burrash, të dënuar për mendime, duke u hequr triskat e bukës familjeve, që kundërshtuan, dhe lanë të vuajnë urinë, shtatë engjëjt e nënës së tij, që s’u ngopën kurrë me thërrime.

Këndvështrimin tim rreth romanit “Uria“, po e mbyll me thënien filozofike, shkëputur nga ky roman: “Njerëzit e këtij vendi të bukur e të begatë kanë jetuar këtu në mënyra të ndryshme, por përjetësisht të uritur. Veçse uria e kohës sime, diktatoriale, ka qenë e shoqëruar edhe me urinë e madhe për lirinë e fjalës.”

Të fundit

Apple pranë marrëveshjes me OpenAl, ChatGPT do të integrohet në Iphone

Sipas Mark Gurman të Bloomberg, Apple është afër finalizimit të marrëveshjes me OpenAl që do të shtoë ChatGPT-në në...

Takimi me emigrantët në Athinë/ Pse nuk u takua me zyrtarët grek? Ja si përgjigjet Rama

Kryeministri Edi Rama ka folur për emisionin “Opinion”, lidhuer me takimin e shqiptarët që jetojnë në Greqi, i cili solli reagime të politikës dhe...

Si janë raportet midis qeverisë shqiptare dhe asaj greke? Ja si përgjigjet Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për një emision televiziv ndër të tjera foli edhe për raportet e qeverisë shqiptare me atë...

Ekspertja: Vizita në Athinë, më e suksesshmja për Ramën. Ishte në nivelin më të lartë

Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Enida Bozheku e cilëson vizitën e kryeministrit Edi Rama në Athinë si më të suksesshmen në këto vite që është...

“Do të të laj…”, me kë e ka Xhensila Myrtezaj?

Prej disa kohësh po përflitet një ndarje mes aktorit të humorit Bes Kallaku dhe këngëtares Xhensila Myrtezaj. Kjo u aludua vazhdimisht në media por...

Lajme të tjera

Web TV