Gjykata Speciale ka bërë me dije se këtë të hënë do të mbahet paraqitja e parë e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Aktakuza kundër Hashim Thaçit u konfirmua më 26 tetor të këtij viti dhe u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor. Në të njëjtën ditë ai u transferua në paraburgimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (‘Ligji’), akuzon: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin për krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, të ndëshkueshme në bazë të neneve 13 dhe 16(1) të Ligjit dhe krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare, të ndëshkueshme në bazë të neneve 14 dhe 16 (1) të Ligjit, sikurse shtjellohet në vijim”, thuhet në aktakuzë.
Seanca e parë publike e Krasniqit do të mbahet në orën 11:00, ndërsa e Thaçit në ora 15:00. Të dyja do tw transmetohen online nw faqen zyrtare tw institucionit.
Në njoftim thuhet se gjatë paraqitjes së parë, gjykatësi siguron që të respektohen të drejtat e të akuzuarve, ndër të cilat e drejta për përfaqësim ligjor dhe që të akuzuarit të kuptojnë akuzat kundër tyre.
Kujtojmë se më 5 nëntor në një konferencë për media, Thaçi bëri të ditur edhe për dorëheqjen e tij nga posti i presidentit pasi siç u shpreh ai “s’do të lejojë në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti prandaj për të mbrojtur integritetin e Presidencës së Kosovës dhe shtetit të Kosovës, unë sot jap dorëheqje nga pozita e Presidentit të Kosovës”. /r.g/Fjala.al