Qendra në Shqipëri e Lëvizjes Vetëvendosje i ka drejtuar një kërkesë zyrtare institucioneve më të larta në vend, ku kërkohet miratimi i një rezolute për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Në kërkesën e VV-së në Shqipëri thuhet se, prej vitesh Serbia po bën tentativë për të përmbysur të vërtetën e luftës së UÇK-së.
“Drejt së ardhmes shkohet duke nxjerr mësime prej së kaluarës, dhe secili komb e ka për detyrë t’i tregojë botës dhe vetes plagët e shkaktuara prej politikave shfarosëse, veçanërisht kur kemi të bëjmë me krime kundër njerëzimit, si gjenocidi i Serbisë. Rezoluta në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për njohjen dhe dënimin e këtij gjenocidi, megjithëse e vonuar, është një domosdoshmëri tashmë që përpjekjet për ta përmbysur të vërtetën e kombit tonë janë intensifikuar. Mbulimi i të vërtetave dhe plagëve të së shkuarës, jo vetëm që kompromenton mundësinë e ndërtimit të marrëdhënieve të drejta në të ardhmen, por edhe rrezikon arritjet e derisotshme pas shumë sakrificash”, theksohet në kërkesë.
VV thotë se, gjatë luftës, forcat e Serbisë dhe Malit të Zi, por më shumë të Serbisë, dëbuan mbi një milionë shqiptarë, vranë mbi 12 mijë persona, civilë të pambrojtur nga të gjitha etnitë, por shumica shqiptarë. U vranë mbi 1300 fëmijë, u dhunuan mbi 20 mijë vajza dhe gra dhe u bënë mbi 100 masakra.
“Janë gjetur varreza masive në Serbi. Shteti serb vazhdon të fshehë të vërtetën edhe për mbi 1600 persona të zhdukur. U shkatërruan mbi 100 mijë objekte banimi, ndërtesa shkollore, objekte fetare e kulturore, shkolla, xhami dhe kisha katolike”, theksohet në kërkesë.
Sipas degës së VV-së miratimi i rezolutës do të ndihmonte “drejt ndërkombëtarizimit të mëtejshëm të kësaj çështjeje, duke ditur se Kosova nuk është ende anëtare me të drejta të plota në shumë prej organizatave ndërkombëtare dhe ndërqeveritare ku tashmë është anëtarësuar Shqipëria”.
Dega e Vetëvendosjes në Shqipëri ka drejtuar një kërkesë të tillë edhe më herët, në janar të këtij viti, por tashmë i është rikthyer nisur nga situata e krijuar me aktakuzat e Gjykatës Speciale ndaj disa prej ish-drejtuesve të UÇK-së./Re.D/Fjala.al