Presidenti Meta në konferencën për shtyp, këtë të premte sqaroi arsyet pse e ktheu për shqyrtim ligjin për Metrologjinë si dhe i kërkoi SPAK të hetojë. Sipas tij, ky shërbim që i takon publikut, jo vetëm i jepet privatit, por i jepet një privati preferencial.
Meta tha se të vetmit që humbasin në këtë mes janë qytetarët shqiptarë, të cilët rrezikojnë të paguajnë një çmim të caktuar për një sasi jo të saktë.
“Në jetën e përditshme për çdo shërbim që marrin qytetarët përballen me mallra që kalojnë nga peshëmatja, pra përmes shërbimit Metrologjik shteti garanton kontrollin e Metrologjisë që qytetarët të paguajnë për aq sa marrin në shpërblim edhe vjelja e taksave merret mbi sasinë e mallrave që qarkullojnë. Ky shërbim duhet të garantohet nga shteti.
Ata e kanë dhënë me koncension Metrologjinë nga shteti në privat, ligj me përmbajtje të rëndë antikushtetueshmërie, shkelet tregu i lirë dhe konkurrues. Skemë klienteliste, dhënia nga shteti te privati pa negociuar asnjë kusht kur vjen puna tek mbrojta e konsumatorit.
Shteti heq dorë nga ky shërbim publik. Shërbimi kaloi në 4 P, Partneritet Publik Preferencual i Paracaktuar. Kjo është forma më e rëndë e shpërdorimit, e kam quajtur korrupsion legjislativ, nuk e ka shpikur Presidenti këtë term”, u shpreh Meta.
Ndërsa në lidhje me situatën e pandemisë në vendin tonë, Presidenti I kërkon nga qeveria që të marrë masa për Covid, teksa përsërit disa pika që opozita i ka përfshirë në planin e saj.
“Jam shumë i shqetësuar për numrin e të të prekurve dhe numrin e personave që kanë humbur jetën. Duhen marrë masa të menjëhershme për të frenuar përhapjen masive të COVID. Është domosdoshme që qytetarët të testohen që të mbrojnë veten dhe familjarët.
Të trajtohen me protokolle mjekësore të qarta që shëndeti i tyre të mos jetë objekt improvizimesh që kërcënon jetën e tyre dhe kthehet në biznes për të tjerët. Duhet miratuar sa më parë nga qeveria rimbursimi i barnave për të sëmurët që trajtohen në banesat e tyre“, tha Meta./Bl.Ba/Fjala.al