OBSH ka kritikuar Europën dhe përgjigjen e saj ndaj pandemisë, duke nënvijëzuar faktin se nuk arritën të përfitonin nga stina e verës dhe qetësia e saj për të parandaluar valën e dytë.
David Nabarro, zëdhënës i OBSH ka paralajmëruar se Europa mund të përballet me një valë të tretë vdekjeprurëse të pandemisë në fillim të vitit 2021.
‘’Teksa u morën me valën e parë nuk u kujdesën për të dytën. Historia mund të përsëritet me një valë të tretë nëse nuk ndërtohet infrastruktura e nevojshme,’’ tha Nabarro.
Për pak kohë, Europa u qetësua disi nga rastet me Covid-19, por aktualisht mbeten në rritje.
Një problem i madh, shtoi Nabarro, ishte se shumë pak vendimmarrës politikë kuptuan që virusi po përhapet në mënyrë eksponenciale dhe jo aritmetikisht.
“Eksponenciale do të thotë që numrat mund të rriten 8 herë në javë, 40 herë në dy javë, 300 herë në tre javë, mbi 1000 herë në katër javë, dhe kështu me radhë,” tha ai.
Nabarro gjithashtu u shpreh se Europa ka shumë për të mësuar nga vendet aziatike, ku u reagua me shpejtësi dhe ashpërsi ndaj virusit.
Në Azi numrat janë relativisht të ulët sepse njerëzit janë të angazhuar në luftën ndaj virusit. Ata mbajnë distancën, përdorin maska dhe izolohen kur preken nga Covid-19.
Gjithashtu vlerësoi strategjitë e komunikimit të autoriteteve aziatike.
“Ata kanë një mesazh: Nëse duam që ekonomia jonë të jetë e fortë dhe që ne të ruajmë liritë tona, të gjithë duhet t’i përmbahemi disa masave thelbësore,’’ përfundon Nabarro. /Re.D/Fjala.al