E ashpër ka qenë ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim në reagimin e saj, ku i ka tërhequr veshin opozitës që për herë të parë i quan ” ata që kanë qenë në pushtet”, duke i thënë që të mos bëjë gabimet e së kaluarës, duke nxitur dhunë.
Në një kohë që presidenti Ilir Meta dënoi dhunën e policëve, por nuk tha asgjë për aktet jo të hijshme të protestueve, apo nga ana tjetër kryetari Lulzim Basha që deklaroi se “është krenar për rininë që nuk po rri duarkqyr”, Kim thekson se është e gabuar që të sugjerohet se dhuna në protesta është e pranueshme.
Ajo ka zbuluar se ka pasur një komunikim me kryeministrin, Edi Rama, kryedemokratin Lulzim Basha, kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe Drejtorin e Policisë, Ardi Veliu.
Përveç meseazhit të fortë drejtuar opozitës dhe ish- pushtetarëve, ambasadorja ka vlerësuar reagimin e autoriteteve për kapjen dhe vënien përpara drejtësisë të efektivit që kreu aktin, teksa theksoi se qeveria ka “përgjegjësinë të sigurojnë një hetim të plotë dhe transparent të incidentit, të ushtrojnë përmbajtje në mbrojtjen e sigurisë dhe pronës publike”
“Vdekja e Klodjan Rashas është një tragjedi dhe ne i shprehim ngushëllimet më të thella familjes dhe miqve të tij. Ambasadorja Kim bisedoi sot me Kryeministrin Rama, Drejtorin e Policisë Veliu, Kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe Kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim Kryemadhi, për të diskutuar mbi të drejtat e qytetarëve dhe përgjegjësitë e udhëheqësve.
Ajo nënvizoi se ata që janë në pushtet kanë përgjegjësinë të sigurojnë një hetim të plotë dhe transparent të incidentit, të ushtrojnë përmbajtje në mbrojtjen e sigurisë dhe pronës publike, si dhe të sigurojnë përgjegjësi në të gjitha rastet. Në këtë drejtim, ne vërejmë se autoritetet kanë kapur oficerin në fjalë dhe kanë nisur hetimet. Ata që kërkojnë të jenë në pushtet duhet të shfaqin aftësinë e tyre për të udhëhequr në një mënyrë të përgjegjshme, përfshirë edhe duke refuzuar dhunën.
Ata që kanë qenë në pushtet më parë nuk duhet të bëjnë gabimet e së kaluarës, duke sugjeruar se dhuna është e pranueshme. Ambasada e Shteteve të Bashkuara u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, në përputhje me përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë të mbrohen, dhe që zërat e tyre, përfshirë atyre në protestë, të kenë mundësi të shprehen dhe të dëgjohen pa dhunë”, shkruan Kim.
Ky reagim vjen vetëm pak minuta pasi të niste protesta e tretë radhazi për vrasjen e Klodjan Rashës.