Pas vrasjes nga policia të 25-vjeçarit Klodjan Rasha, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen, e cila u pranua edhe nga kryeministri Rama. Kush pritet ta zëvendësojë në postin e rëndësishëm. Edhe pas dorëheqjes së Lleshajt protestat vijuan në Tiranë duke shkaktuar shumë incidente dhe përplasje me strukturat e rendit. Rama kërkon ndjesë për ngjarjen: “Edhe pse nuk kanë qenë të pakta herët kur jemi përballur me inskenime, kurrë nuk e kemi keqpërdorur policinë”
Nga Fernada Cenko
Dy ditë pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha, dhe protestave të zhvilluara tek Ministria e Brendshme dhe Kryeministria, Sandër Lleshaj ka dorëzuar dorëheqjen sapo Rama ka mbërritur në Tiranë nga SHBA-ja. Kryeministri Edi Rama në një komunikim live, me një zë aspak të qetë tha se ministri i Brendshëm i ka dorëzuar dorëheqjen, dhe është pranuar largimi i tij nga ky post. Edhe pse Rama u mundua të shfajësonte forcat e policisë me arritjet e bëra, pranoi se edhe në polici nuk ka pyll pa derra.
“Efektivi i policisë që shkrehu armën kundër Klodjanit është vetëm një veçim. Menjëherë pas ngjarjes, Lleshaj më vuri në dispozicion dorëheqjen e tij, jo vetëm për të larë gojën. I kam thënë “pres të kthehem” se kam dashur ta shoh në sy dhe të jem bashkë me të. U takuam sot (dje) dhe jam shumë krenar për atë që është Sandër Lleshaj. Në këtë vend nuk janë të gjithë njësoj. Ai s’ka asnjë lidhje me aktin e rëndë të policit, as direkt dhe as indirekt”, tha kryeministri Rama. Megjithatë ai nuk la pa vënë në dukje se shumë prej militantëve kanë bërë inskenime, por sipas tij policia e shtetit nuk është përdorur.
“Edhe pse nuk kanë qenë të pakta herët kur jemi përballur me inskenime, kurrë nuk e kemi keqpërdorur policinë. As kur protestuesit kanë qenë militantë dhe fanatikë të partive kundërshtare, të mbledhur në autobusa të paguar, si ata që i vunë zjarrin pemës së Krishtlindjeve. Sot u them të gjithë efektivëve, në radhë të parë atyre që u përballën me protetsuesit dje, të ngrihen krenar me uniformën”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka dënuar aktin e kryer nga efektivi i policisë i cili tha se ajo vrasje ishte krejtësisht e pashpjegueshëm një akt i paarsyeshëm dhe që nuk lidhje me asnjë mision të policisë në atë orë. Rama tha se do të vendos drejtësia për të tashmë.
“Efektivi i policisë ka vrarë një njëri në mënyrën më të pashpjegueshme deri me tani dhe pa lidhje me një mision apo objektiv të policisë në atë orë. Arma ishte e shteti dhe ndjesa i takon shteti dhe angazhimi i zbardhjes së plotë dhe ndëshkimit ligjor të autorit. Ai i ka kaluar drejtësisë dhe do të hetohet dhe gjykohet. Aktet e tij ngjan fare i pakushtueshme dhe i paarsyeshme me aq sa dimë por do jetë drejtësia që do vendoset për autorin. Policia ka nevojë për të hetuar gjithçka. Drejtësisë i duhet koha e saj”, tha Rama.
Kush do ta zëvendësojë Lleshajn
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka pasur përplasje të mëparshme me kryeministrin Rama dhe është lakuar largimi i tij nga detyra. Edhe më herët Taulant Balla është përfolur për të zëvndësuar Lleshajn. Edhe sot pas largimit faktik të Lleshajt është përfolur emri i Taulant Ballës dhe Arbnor Shameti. Por, nga ana tjetër, bëhet me dije se nuk përjashtohet edhe mundësia që në vend të Sandër Lleshajt të vendoset një grua. Se cila do të jetë ajo, mbetet për tu parë.
Lleshaj: Bëra një marrëzi që pranova të bëhesha ministër
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka dalë në një deklaratë për shtyp për dorëheqjen e tij pas vrasjes së 25 vjeçarit Klodian Rrashaj. Ai shkruan se kur Rama e ftoi të bëhet ministër, pranoi të bëjë një marri.
“U gjenda përpara dilemës që kishte përjetuar Patër Anton Harapi, kur pranoi të merrte një post të lartë shtetëror në vitin e mbrapshtë 1943. Dilema e prelatit të madh në ato kohë të tmerrshme ishte: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë; ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Edhe unë me ndërgjegje të plotë vendosa të “baj nji marri”, sepse nuk mund të tregoja dobësi”, tha Lleshaj.
Duke rreshtuar arsyet për të larguar, Lleshaj shkruan: Janë këto arsye që më kanë bindur se tani është momenti për të mbyllur një kapitull angazhimi në krye të Ministrisë së Brendshme, me brengë në shpirt për humbjen e padrejtë të jetës së një djali të ri, i qetë për trajtimin e drejtë të ngjarjes dhe krenar për vendosjen e një standardi diametralisht të kundërt me atë të autorëve të 21 janarit 2011. Edhe sot jam përballë dilemës së fillimit, por në një kuptim tjetër. Nëse në fillim e pranova këtë post për të mos treguar dobësi, sot, në rrethanat e krijuara, dobësi do të ishte ngulmimi për të qëndruar.
Rama pranon dorëheqjen e Lleshajt
Pas një reagimi të gjatë të Lleshajt në rrjete sociale, Rama duket se e ka pranuar largimin e tij nga detyra, dhe e ka falenderuar për punën e bërë gjatë këtyre viteve. Teksa ka shpërndarë deklaratën e ministrit, Rama shkruan: Respekt e faleminderit për përkushtimin, punën, burrërinë dhe vërtetësinë e të treja këtyre i dashur Sandër
Kryeministri shkon për ngushëllim në shtëpinë e 25-vjeçarit të vrarë
Kryeministri Edi Rama sapo ka zbritur nga avioni ka shkuar për ngushëllim në familjen e 25 vjeçarit Klodjan Rrashaj, i cili është vrarë më 8 dhjetor nga një polic në Tiranë.
Kryeministri Edi Rama është parë të shkojë për ngushëllim në familjen Rrashaj i shoqëruar nga Ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali dhe deputeti Ulsi Manja. Menjëherë pas takimit me familjarët, Rama njoftoi daljen e tij në një deklaratë për shtyp.
Rama kërkon ndjesë shtetërore për vrasjen e 25-vjeçarit
“Jam krenar që në këto 7 vite protesta ka rifituar të drejtën e saj”
Kryeministri Edi Rama në fillim të deklaratës së tij para shqiptarëve për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një polic i forcave “Shqiponja” ka kërkuar “ndjesë shtetërore” për vrasjen e pazakontë. Ai ka dënuar aktin e kryer nga efektivi i policisë, i cili tha se ajo vrasje ishte krejtësisht e pashpjegueshëm një akt i paarsyeshëm dhe që nuk lidhje me asnjë mision të policisë në atë orë. Rama tha se do të vendos drejtësia për të tashmë. “Efektivi i policisë ka vrarë një njëri në mënyrën më të pashpjegueshme deri më tani dhe pa lidhje me një mision apo objektiv të policisë në atë orë. Arma ishte e shtetit dhe ndjesa i takon shteti dhe angazhimi i zbardhjes së plotë dhe ndëshkimit ligjor të autorit. Ai i ka kaluar drejtësisë dhe do të hetohet dhe gjykohet. Aktet e tij ngjan fare i pakushtueshme dhe i paarsyeshme me aq sa dimë por do jetë drejtësia që do vendoset për autorin. Policia ka nevojë për të hetuar gjithçka. Drejtësisë i duhet koha e saj”, tha kryeministri Edi Rama.
Protestat
Shefi i qeverisë tha se në këto 7 vite qeverisje shqiptarëve i është rikthyer e drejta për të protestuar, një e drejtë që sipas tij nuk ekzistonte në kohën kur qeveriste PD. Rama përmendi protestën për refuzimin e armëve kimike dhe atë të studentëve, ku kryeministri Rama tha në ato protesta nuk u thye asnjë xham dhe nuk u dogj asnjë fije bari dhe folën qytetarët dhe qeveria dëgjoi. “Jam krenar që në këto 7 vite protesta ka rifituar të drejtën e saj. 7 vite më parë u zhvillua protesta më e madhe dhe qytetare, ajo e refuzimit të armëve kimike, që nuk kishte asnjë lidhje me ketë protestë rrugaçërie. Në atë protestë foli populli dhe dëgjoi qeveria. Po ashtu protesta e studentëve dy vite më parë, asnjë xham nuk u thyer dhe asnjë fije bari nuk u dogj dhe fituan studentë dhe dëgjoi qeveria. Policia e shtetit në asnjë rast nuk i ka shërbyer shtetit po ligjit dhe qytetarëve, ne kurrë nuk e kemi përdorur politikisht policinë. As kur përballë policisë nuk kanë qenë qytetarët por militantë dhe dora e huliganëve. Sot jemi krenar për policinë, efektivi që shtiu kundër Klodjanit është vetëm një rast tragjik, jo kërcënim për jetën dhe të drejtat e qytetarëve”, tha Rama.
Rama: Ilir Meta dhe Lulzim Basha të fundit që mund të flasin për frymë dhune në polici
Kryeministri Rama ka reaguar pas akuzave për një frymë arrogance nga ana e policisë së shtetit. Rama tha se Ilir Meta dhe Lulzim Basha janë të fundit që mund të përbaltin policinë. “Kur, ku, si dhe sa në të gjithë zinxhirin e ngjarjeve provokuese, policia e shtetit e tejkaloi përdorimin e forcës që ia jep ligji. Qindra polici janë lënduar fizikisht. Tragjedia e natës së para dy ditë është një episod fatal, i pafalshëm por i palidhur me një frymë në policinë e shtetit. Dhe presidenti i Republikës është i parafundit që duhet të hapë kamarën e gojës për sjelljen e policisë së shtetit. Kurrë nuk e ka thënë një fjalë të vërtetë solidariteti, por se është një prej shembujve më të këqij për sjelljen shtetërore dhe institucionale. I fundit që duhet të japë është kryetari kukull i opozitës, Lulzim Basha. Ai është shembulli i pafuqisë karakteriale”, tha Rama. Kryeministri tha se nuk ka lidhje policia e djeshme me atë të sotmen. “Policia e Shtetit sot nuk ka asnjë krahasim me dje, gjendja e rendit sot nuk ka asnjë krahasim me dje, sjellja e policisë sot nuk ka asnjë krahasim me dje. Por sigurisht që si çdo pyll me derra, edhe policia e shtetit ka të padenjat e saj. Unë jam krenar që në këto 7 vite protesta e ka humbur qytetarinë e saj”, ka deklaruar Rama.
Dita e dytë e protestës, incidente në shumë zona në Tiranë
Thuajse njëkohësisht me daljen publike të kreut të qeverisë, protestuesit filluan revoltën para ministrisë së Brendshme. Protestuesit e mbledhur qëlluan me gurë efektivët e policisë dhe mjete të tjera rrethanore mbi godinën dhe punonjësit e rendit dhe këta të fundit ndërhynë në disa raste, duke përdorur edhe gazin lotsjellës. Më pas grupe të vogla protestuesish u shpërndanë në shumë zona në Tiranë, duke bllokuar rrugët dhe djegur kazanët e mbetjeve dhe dëmtuar dekoret e vendosura në kryeqytet. Gjatë protestës pati disa policë të lënduar, por edhe protestues, kryesisht të rinj. Krahas grumbullimit në kryeqytet, një tjetër protestë u zhvillua në Lezhë, ku qytetarë të revoltuar kanë bllokuar autostradën Shkodër-Lezhë. Po ashtu edhe në qytetin e Korçës është zhvilluar një tjetër protestë e dhunshme, teksa qytetarët atje sulmuan Bashkinë dhe drejtorinë e Policisë.