Gjashtë ditë protestë/ Beteja mes “shahut politik” dhe gurëve të protestuesve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

 Ekskluzive

Nga Fernada Cenko  

Çfarë ndodhi në gjashtë ditë protestë pas vrasjes nga policia të 25-vjeçarit Klodjan Rasha dhe mënyra e sjelljes së mazhorancës dhe opozitës. Taktika e Ramës për t’i djegur në duar Presidentit kartat e dekretimit të ministrit të ri dhe pasojat e protestës që dorëhoqën një ministër dhe dhanë disa mësime për precedentë në të ardhmen. Flasin për gazetën “Fjala”, analistët Frrok Çupi, Lorenc Vangjeli dhe Leonard Karaj.

Vrasja e 25-vjeçarit Klodjan Rasha, nga efektivi i repartit “Shqiponja” në kryeqytet solli dhimbje e trishtim në familjen e të ndjerit dhe një “mësim” në politikë apo në rrugë, ku për gjashtë ditë pati protesta, disa prej tyre të dhunshme. Autori i krimit është në qeli, ku as dy orë nuk ia mbajtën uniformën në trup, ndërsa politikisht ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen. Politika sërish u nda; disa që tregonin me gisht dhe të tjerë që fshiheshin pas “gishtit”… Në ditën e tretë nga vrasja e Rashës, kryeministri Edi Rama, dukshëm nën trysni dhe me shenja emotive lajmëroi se ministri i kishte paraqitur dorëheqjen dhe shigjetoi kundërshtarët politik se po përdornin protestues, madje edhe minorenë për interesat e tyre. Vala e protestës u shua në ditën e gjashtë, duke lënë pas disa shkatërrime të vogla, kresisht në sinjalistikë rrugore, por la pas një sinjal se çdo krim i kryer, qoftë edhe çmendurisht nga arma e shtetit, le një pasojë.

Kreu i qeverisë nuk priti gjatë dhe sapo flaka e protestuesve u shua dhe gazi lotsjellës u pastrua, propozoi si ministër të Brendshëm Bledi Çuçin, i cili mbante postin e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe në vendin e tij emëroi Milva Ikonomim. Me veprimin e tij duket se i dogji kartat në duar kreut të shtetit Ilir Meta, i cili nuk hezitoi për fare por hodhi menjëherë firmën për dekretimin e ministrave.

Nuk iu la mundësi të kërkonte kohë apo mbante pezull dekretet me “argumentin” e pastërtisë së figurës së ministrave të rinj. Po çfarë ndodhi në gjashtë ditë protestë dhe prapaskenat ku u luajt “muzika klasike” në sallonet politike e gërshëtuar edhe me “rrep fjalëpisët” në rrugë? Tashmë kushdo punonjës policie, sado “nevrik” apo edhe militant partiak qoftë, nuk do e ketë të lehtë të nxjerrë koburen nga brezi.

Gjithashtu edhe posti i madh ministror mund të lëkundet edhe për shkak të krijimit të precedentit. Megjithatë tollovia vijon dhe politika në 30 vjet ka ditur që më shumë se të digjet, të ngrohet nga zjarri që lind nga protesta, qoftë edhe ajo pa kauzë apo qëllim të qartë në vetvete.

 

Lorenc Vangjeli: Çuçit nuk do t’i trokasin me molotov në zyrë

Vrasja e 25-vjeçarit Klodjan Rasha nga një punonjës policie solli reagime dhe protesta në vend, një protestë që zgjati gjashtë ditë, ku aktet e dhunës nuk munguan. Përse ndali kjo protestë, iu “sos durimi” të rinjve, apo policia mori masa të forta që ndaloi grumbullimet?

Nuk është as njëra dhe as tjetra arsye. Së paku ato nuk qëndrojnë veç e veç. Ajo çfarë u pa në Tiranë dhe gjetkë, në harkun e një jave ishte një protestë e cila refuzoi deri në fund të shfaqte thelbin e saj politik. Ju tremb politikës. Në një vend si Shqipëria ku është i politizuar edhe ajri që thithet, ajo protestë tentoi t’i shmanget politikës deri në fund, kurse vetë politika kërkoi gjithashtu deri në fund distancë me të. Ta duartrokasë nga syri i opozitës ose së paku të mos e mallkojë direkt atë nga zyrat e maxhorancës.

Si e tillë ajo nuk pati sinqeritet në thelbin e saj, kusht i domosdoshëm për vijimësi, dinjitet dhe masivitet të zemëratës së qytetarëve. Protesta, si gjithçka tjetër, detyrimisht kërkonte një sistem krahasimi. Dhe i vetmi krahasim vinte nga 21 Janari i 2011-ës, çka e nxirrte në një dritë të ligë sfondin e protestës së re. Diferenca në veprime dhe qëndrime dhe tipologjia tërësisht e ndryshme e krimeve, nuk justifikonin kohëzgjatjen e saj. Në rastin e parë kishte ekzekutim pa gjyq të katër qytetarëve, një krim tërësisht shtetëror i kryer në dritën e kamerave, pak përpara muzgut.

Kurse e dyta ishte një vrasje kriminale me armën e shtetit. Herën e parë, kishte një përfshirje kapilare të të gjitha strukturave të kontrolluara nga maxhoranca për mbulimin dhe mosndëshkimin e tij dhe herën e dytë ndodhi edhe largimi i ministrit të brendshëm. E po kështu edhe një mori detajesh tragjike që e bëjnë shumë më të hidhur këtë krahasim. Për t’u kuptuar më qartë, nëse ish-ministri i brendshëm i asaj kohe do të kishte dhënë dorëheqjen mbas vrasjeve në Bulevard, lideri i opozitës së sotme do të kishte arsye morale për të qenë në bulevard këtë javë dhe për të udhëhequr protestën.

Për fat të keq të të gjithëve, për fatin e keq të demokracisë deri edhe për fatin e keq të vetë të Lulzim Bashës, ish-ministri i brendshëm i asaj kohe jo vetëm që nuk u largua atëherë nga detyra, por është rritur në përgjegjësi: është drejtues i opozitës. Ky lloj arsyetimi nuk justifikon kurrsesi çfarë ndodhi, por është një nga shpjegimet e thjeshta se pse protesta u shua.

Ngjarja solli edhe dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, e cila u pranua nga Rama, ndërsa për kreun e Policisë së Shtetit Ardi Veliun kryeministri tregoi këmbëngulje për të mos e “lëshuar”. A mund të konsiderohet gjykim me dy standarte nga ana e Ramës ku politikisht Lleshajt ia pranoi dorëheqjen, ndërsa për kreun e policisë që gjithsesi indirekt mund të ketë përgjegjësi për ngjarjen pasi ndodhi në strukturën që drejton direkt, vendosi të mos e prekë?

Kryeministri Rama ju përgjigj politikisht një proteste që refuzoi të marrë portretin e duhur politik mbi vete. Në mënyrë totalisht paradoksale, çfarë ishte ngritur dhe sendërtuar pikërisht kundër Ramës, në llogari të fundit, i shërbeu vetë atij si një mjet për të bërë një dalje të butë nga një “bashkëjetesë” problematike me ministrin e tij të brendshëm Lleshaj.

Së paku kështu e quajnë shumë burime pranë tyre marrëdhënien e vështirë të muajve të fundit mes eprorit me probleme dhe dyshimit për problemet që mund të krijonte vartësi. Kaq i mjaftonte Ramës në këtë pikë dhe nuk kishte asnjë arsye për të bërë një koncesion tjetër për opozitën që hidhte gurin duke e fshehur dorën mbas protestuesish të mitur. Të vazhdosh të kërkosh kokën e Ardi Veliut nuk ka më kuptim mbasi është larguar ministri i tij.

Kjo protestë ishte me prapavijë politike që në fillim siç ka ngritur pretendimin qeveria, apo politika filloi ta përdorte në vazhdim?

Në Shqipëri ka vetëm politikë dhe bëhet politikë për gjithçka. Natyrisht që protesta ishte e tillë dhe është e pakuptueshme se pse opozita refuzoi të marrë kontrollin edhe formal të saj, njëlloj siç kishte kontrollin real. Kjo shpjegohet vetëm me komplekset që vijnë nga e shkuara e errët e saj në marrëdhëniet e krijuara mes plumbit dhe qytetarit. Ishte një qasje hipokrite që herët a vonë, do të kuptohej si e tillë.

Sepse opozitës edhe i interesonte dhuna që ushtrohej, edhe donte të dukej e distancuar prej saj. Donte frut politik nga një duf e shfrim urban, por nuk pranonte të ishte pjesë e një beteje urbane e të pakuptimtë. Në fakt, dhe ky është paradoksi tjetër i kësaj jave me tension, dhuna e ushtruar në Tiranë dhe gjetkë, zjarret, shkatërrimet dhe lufta e semaforëve, i shërbeu sërish Edi Ramës. Që nuk e tha, por u ngazëllua nga frika që ndjente një shumicë e heshtur e qytetarëve për rikthimin e vandalizmave në Shqipëri. Kishte shumë mënyra që opozita të kapitalizonte vëmendje dhe simpati nga publiku duke u sjellë totalisht ndryshe.

Në errësirë, një qiri ndrin më shumë se një mijë diej, thotë një këngë e njohur. Një qiri përshpirtje për jetën e ndërprerë brutalisht të Klodianit do të bënte më shumë zjarr se zjarri mbi Tiranë i protestuesve. Opozita nuk e kuptoi këtë të vërtetë të thjeshtë, edhe morale, edhe njerëzore. Ajo zgjodhi mënyrën më të gabuar të mundshme.

Nga dje kemi një emër si Ministër të Brendshëm, ku Bledi Çuçi është propozuar nga kryeministri në atë post. A ishte kjo gjetja më e mirë e Ramës?

Në situatën që ka ardhur vendi, por dhe në resurset politike dhe njerëzore që ka Rama në dispozicion, Blendi Çuçi është ndoshta nga zgjedhjet më të mira të tij. Ai plotëson identikitin e njeriut tek dera e të cilit nuk ka arsye për të trokitur me gurë apo me molotov.

Kaq e vërtetë është një gjë e tillë sa vetë zoti Berisha që është i aftë të dalloje edhe seksin e mizave në fluturim, nuk gjeti gjë më të ligë për t’i përfolur Çuçit, sesa jetën e tij private. Të mos ketë motiv për të protestuar përpara derës së zyrës që në fillim të marrjes së portofolit, nuk është pak për pjesëtarët e një maxhorance e cila po shfaq shenja lodhjeje dhe qëndron fort në garë jo thjesht për shkak të aftësisë ripërtëritëse të saj, por sidomos për shkak të një opozite që rri në dilemën e atij që as të shtrëngon dhe as të lëshon!

Maxhoranca po hyn në Vitin e Ri të fundit të këtij mandati, njëlloj si ata të sëmurët asimptomatikë që e kanë kaluar Covid-in në këmbë. Nuk kanë pasur shumë shenja të dukshme, nuk kanë më dëshira, por kanë ende shije e nuhatje. Ndjejnë vetëm këputje e dobësi të përgjithshme dhe duan vetëm të flenë. Të flenë gjatë, të flenë thellë, por me ëndrrën që askush mos t’u trokasë në derë. Qoftë dhe në emër të popullit.

 

Leonard Karaj: Protesta e stisur, Lleshaj ‘kurban’ për Ardi Veliun

Vrasja e 25-vjeçarit Klodjan Rasha nga një punonjës policie solli reagime dhe protesta në vend, një protestë që zgjati gjashtë ditë, ku aktet e dhunës nuk munguan. Përse ndali kjo protestë, iu “sos durimi” të rinjve, apo policia mori masa të forta që ndaloi grumbullimet?

Protesta nisi pa një organizim të mirfilltë, dhe kësisoj përfundimi nuk mund të ishte i ndryshëm. Asnjë demostrim i tillë nuk mund të ketë jetëgjatësi nëse në krye nuk ka një program dhe synim të qartë. Protestat e fundit, më shumë i ngjanin një lloj spontaniteti të stisur sesa një ideje qytetare. Nëse ditën e parë u panë më shumë njerëz në protestë për shkak të indinjimit që solli një vrasje krejt e pakumptimtë, degjenerimi më pas në dhunë bëri që një pjesë e mirë e pjesëmarrësve të distancioheshin.

Lexo edhe :  Vota e Diasporës/ Rama thirrje shqiptarëve të Greqisë për tu regjistruar (VIDEO)

Unë gjykoj se nëse në këtë tubim solidariteti në mbështetje të jete të këputur në mes, nuk do të kishte pasur dhunë, atëherë protesta do të kishte qenë edhe më e madhe në numër. Ndoshta ky ishte edhe gabimi më i madh i atyre që morën përsipër që të ishin “zëri” i protestuesve. Nga ana tjetër, kam qenë dhe jam kategorikisht kundër çdo dhune joproporcionale të përdorur nga policia e shtetit, që për hir të së vërtetës dhe fatkeqësisht, gjatë viteve të fundit ka demostruar se është më shumë një “armë qorre” e pushtetit sesa një institucion në mbrojtje dhe shërbim të qytetarëve të këtij vendi.

Kjo protestë ishte me prapavijë politike që në fillim siç ka ngritur pretendimin qeveria, apo politika filloi ta përdorte në vazhdim?

Në historinë tonë, përjashto protestat e fillimviteve 90-të dhe ajo e 2014-ës kundër armëve kimike, të gjitha të tjerat kanë qenë të organizuar nga partitë politike, ndaj do të ishte hipokrizi që të mendonim se protestat e fundit nuk kishte parapavijë politike. Sigurisht, nuk është një mëkat që opozita dje dhe sot shfrytëzon vijimësisht të tilla ngjarje për konsum politik, paçka se në rastin konkret PD-LSI u munduan të fshijnë duart si ponc Pilati. Protesta kishte sfond politik, ku dukshëm binin në sy të rinjtë që mbështesin LSI-në, por për mendimin tim, nuk është ky problemi.

Nëse opozita mendonte që vrasja e Klodian Rashës kërkonte më shumë ndërgjegjësim për një polici më të përgjegjshme dhe sigurisht në mbrojtje të jetës së qytetarëve, atëherë do kishte qenë edhe më mirë nëse do të kishte dalë vetë në ballë të protestuesve. Kësisoj, të paktën do të kishte frymëzuar dhe mbajtur ende të karikuar elektoratin e vetë. Në rastin konkret, opozita thjesht “hodhi gurin dhe fshehu dorën”, çka për mendimin tim ishte e gabuar.

 Ngjarja solli edhe dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, e cila u pranua nga Rama, ndërsa për kreun e Policisë së Shtetit Ardi Veliun kryeministri tregoi këmbëngulje për të mos e “lëshuar”. A mund të konsiderohet gjykim me dy standarte nga ana e Ramës ku politikisht Lleshajt ia pranoi dorëheqjen, ndërsa për kreun e policisë që gjithsesi indirekt mund të ketë përgjegjësi për ngjarjen pasi ndodhi në strukturën që drejton direkt, vendosi të mos e prekë?

Sandër Lleshaj ka pasur 1001 mëkate për mënyrën sesi e ka drejtuar Ministrinë Brendshme gjatë dy viteve të fundit, por për hir të së vërtetës përgjegjësia e tij në këtë ngjarje ishte zero. Ministri, cilido qoftë, është një person politik, dhe mban përgjegjësi vetëm politikisht. Në rastin konkret kemi të bëjmë me një ngajrje të rëndë, ku përgejgjesia më shumë sesa politiko-morale, është administrative.

Ndaj në gjykimin tim, i pari që duhej të ishte shkarkuar (jo të jepte dorëheqjen, por të shkarkohej direkt), duhej të ishte Drejtori i Policisë, Ardi Veliu dhe gjithë zinxhiri komandues-epror i policit të “shqiponjave” që kreu vrasjen. Por, sigurisht për të hequr përgjegjësinë morale dhe politike nga vetja (përpara sesa politikisht të ketë përgjegjësi Lleshaj ka eprori i këtij të fundit, pra Rama), kryeministri zgjodhi rrugën më të leverdishme për atë personalisht: shkarkoi Lleshajn (paçka se u tha që gjoja dha dorëheqjen). Në rast se nuk do ta bënte një gjë të tillë, pra nëse do të kishte shkarkuar gjithë zinxhirin komandues të policisë së shtetit dhe do të kishte lënë ministrin, atëherë apriori, përgjegjësia moralo-politike do të binte direkt mbi vetë Ramën.

 Nga dje kemi një emër si Ministër të Brendshëm, ku Bledi Çuçi është propozuar nga kryeministri në atë post. A ishte kjo gjetja më e mirë e Ramës?

Nuk ndryshon asgjë. Madje nga një nënpunës i përulur sikundër ishte Lleshaj, Rama ka sjellë në krye të Ministrisë së Brendshme një besnik të verbër. Kësisoj sërish nuk do të kemi një ministër që të drejtojë sipas personalitetit dhe thagmës së tij, për ti dhënë hije këtij institucioni tejet të rëndësishëm.

Çuçi, në të gjitha pozicionet që ka mbajtur në të shkuarën e afërt dhe të largët ka treguar se është një burokrat i bindur ndaj “urdhërave të shefit” dhe kurrë nuk ka tentuar që të dalë nga kjo lloj suaze për rritur ndoshta edhe personalitetin e tij në skenën politike. Edhe në rastin konkret do të kemi të njëjtën skenë: një ministër që edhe për iniciativën më të vogël në drejtim të këtij institucioni, do të marrë udhëzime të mirëfillta, në mos direkt nga Rama, minimalisht nga Agaçët dhe Fugat që do ta rrethojnë.

 

Frrok Çupi: Protesta pa frymë dhe kauzë, pafajësinë shtetërore në vrasje e pagoi ministri

Vrasja e 25-vjeçarit Klodjan Rasha nga një punonjës policie solli reagime dhe protesta në vend, një protestë që zgjati gjashtë ditë, ku aktet e dhunës nuk munguan. Përse ndali kjo protestë, iu “sos durimi” të rinjve, apo policia mori masa të forta që ndaloi grumbullimet?

Ka disa arsye pse ‘protesta’ u fik shpejt, ndoshta shumë arsye. Një arsye, ndoshta kryesore, pse protesta nuk kishte frymëzim as kauzë. Si të thuash pse shuhet një zjarr që nuk ka as prush as shkarpa… Ata thanë se po protestonin për ‘vrasjen e Klodianit’…

Dhimbja e një vrasjeje, sidomos në ato rrethana, nuk është frymëzim për protestë. Ajo vdekje aq e dhimbshme, do të ishte frymëzim për procesion dhe amëshim, për miliona lule dhe qirinj, për qindra mijëra njerëz në shesh me heshtje e me ‘class stance’. Po kujt t’i thuash? Shoqëria jonë humbi edhe një rast për t’u ndarë nga ateizmi i këtyre që ndotën qytetin; kishte rast të manifestonte deontologjinë e mortjes dhe kodin tonë të lashtë të vdekjes. Po ja… Arsye tjetër është se këta, njëqind a dyqind vetë, i zunë ‘fronin’ popullit. Populli do të dilte të manifestonte Mesinë e vet. Por nuk lejuan popullin në fron,  dhe lëvizja do të mbaronte si flaka e kashtës.

Arsye e tretë e shuarjes është se prapa këtyre ‘protestuesve qëndrojnë fshehurazi dy partitë politike që kanë humbur pushtetin dhe e kërkojnë pa vota. Kjo dëshmoi se populli nuk ka më lidhje me ‘pushtetin e vjetër’. Ka edhe një arsye, që për mua është prezent fatmirësisht: Shtetet e Bashkuara iu kanë bërë me dije dy partive (PD-LSI) se edhe një shkrepëse po të ndezin në bulevard a mbi institucione, atëherë do të shpallen celula të  dhunës. Por a e dini çfarë do të thotë kjo? Ata të të dy partive e dinë shumë mirë, sepse e njohin mirë aromën e pushtetit: Që në atë moment PD do të quhej Hamas dhe LSI- Hasbullah, për shembull. Dhe një arsye shumë e rëndësishme: Policia manifestoi forcën e duhur dhe profesionalizëm në mbrojtje të interesave të kombit.

Ngjarja solli edhe dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, e cila u pranua nga Rama, ndërsa për kreun e Policisë së Shtetit Ardi Veliun kryeministri tregoi këmbëngulje për të mos e “lëshuar”. A mund të konsiderohet gjykim me dy standarte nga ana e Ramës ku politikisht Lleshajt ia pranoi dorëheqjen, ndërsa për kreun e policisë që gjithsesi indirekt mund të ketë përgjegjësi për ngjarjen pasi ndodhi në strukturën që drejton direkt, vendosi të mos e prekë?

Ministri Sander Lleshaj dha dorëheqjen, jo pse kishte përgjegjësi, por për arsye të tjera.

Arsyeja kryesore: Sandër Lleshaj shfryu bulçitë e politikës së ngarkuar për 30 vjet me krime monstruoze dhe me politikanë gjakatarë. Vjen puna që një njeri i pafajshëm duhet të marrë rrugën dhe të ngarkojë pisllëkun e paraardhësve dhe tua heqë qytetarëve nga sytë. Kështu del e panevojshme edhe dorëheqja e Drejtorit të Policisë, Veliu. Pafajësinë shtetërore në vrasjen e Klodianit e pagoi Ministri; as në zakonet tona kombëtare nuk paguhet dy herë për një të pa qenë.

Dhe një arsye tjetër është se: Sandër Lleshaj, me dorëheqjen, vendosi një stekë të lartë për shtetin dhe shtetarët. Paraardhësi i tij vrau katër demonstrues në bulevard  dhe po vrapon nëpër rrugën e pistë drejt pushtetit, ndërsa Sandri u thotë të gjithëve: ‘Këtu ndaloni, kopukë. Se ja ku keni model tjetër’ Sandër Lleshaj e dha dorëheqjen si anëtar i qeverisë, ndërsa Drejtori Veliu nuk është anëtar i qeverisë, është një ‘teknik’ i pa implikuar në faj.

Kjo protestë ishte me prapavijë politike që në fillim siç ka ngritur pretendimin qeveria, apo politika filloi ta përdorte në vazhdim?

Dhuna nxitet nga dy elementë: Nga korrupsioni, dmth., përdoren financat e përfituara nga zyrtarët e lartë në vite, për të paguar dhe nxitur trazira; pastaj në trazira harrohet korrupsioni- kjo është e para. E dyta është frika nga Drejtësia i zyrtarëve të zhytur në korrupsion dhe në krim. Është momenti kur Amerika ka premtuar Drejtësi për shqiptarët, dhe këta ish- pushtetarë të  lartë e dinë ku do ta kenë vendin. Prandaj po luftojnë me ‘zjarr e me hekur’ për ta zhytur vendin në shkatërrim e përgjakje, mjaft të shpëtojnë vetë.

Nga dje kemi një emër si Ministër të Brendshëm, ku Bledi Çuçi është propozuar nga kryeministri në atë post. A ishte kjo gjetja më e mirë e Ramës?

Që është zgjedhja më e mirë për Ramën- pa dyshim që është më e mira- ndryshe nuk do t’i kishte zgjedhur. Por a është më e mira për ne që flasim në gazeta apo nëpër kafe? Jo, nuk është. Por edhe zakoni ynë i keq nuk është gjë e mirë. Zakon i keq është të thuash ‘ah, të isha unë kryeministër…’do të bëja kështu. Në demokraci është kryeministri që i zgjedh dhe mban përgjegjësi për ministrat. Veçse një gjë më bëhet sikur ka pasur parasysh Rama: Ka zgjedhur dy deputetë, ministra njëri aktual e tjetra ka qenë… për të mos ‘grirë ujë’ me Ilir Metën, i cili me zor pret të krijojë pengesa, gërr- mërr-e, prapambetje, ndal-në-vend. Do t’i kishte lënë të pa dekretuar, siç bëri me Sandrin… Ja kjo është.

Të fundit

PSG shkatërron Monacon në derbin francez, Kvaratskhelia gjen golin e parë me parizienët

PSG-ja vijon serinë e rezultateve pozitive në kampionat, teksa mbrëmjen e sotme mposhti Monakon me rezultatin 4 me 1...

Pesë gola në tre ndeshje, Kolo Muani “fluturon” tek Juventus

Kolo Muani është ylli i ri i Juventusit. Sulmuesi francez ka arritur të përshtatet në mënyrën më të mirë të mundshme me skuadrën e...

Së shpejti drejt altarit? Ish-banorja e BBV 3: Nuk e di çfarë plani ka ai, por që…

Ish-banorja e “Big Brother VIP 3”, Dea Vieri, ka qenë një ditë më parë e ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën. Ajo...

Shqipëria mbështet Gjykatën Ndërkombëtare Penale kundër sanksioneve të Trump

Shqipëria iu bashkua të premten një deklarate ndërkombëtare në të cilën shprehet “mbështetje e plotë” për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, pak ditë pasi presidenti i...

Tërmetet në Santorini, sizmiologu tregon zonat me risk në Shqipëri!

Ishulli i Santorinit në Greqi po përballet me lëvizje të forta sizmike prej disa ditësh. Por a duhet të kemi frikë se mund të...

Lajme të tjera

Web TV