Janë indentifikuar dhe shpallur në kërkim 4 persona, të dyshuar si autorët e të shtënave me armë zjarri ndaj lokalit në pronësi të shtetasit Alfred Pjetri, efektiv policie.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në lagjen Dobraç, të Shkodrës, ndërsa në ndihmë të policisë kanë ardhur kamerat e sigurisë të bizneseve pranë vendit të ngjarjes.
Sipas burimeve, mësohet se efektivi i policisë, ditët e fundit ka ndaluar teksa ka qenë në shërbim shtetasin Rivaldo Planaj.
Por ky i fundit ka kundërshtuar dhe nuk i është bindur patrullës, duke debatuar me efektivin Pjetri, i cili i ka sekuestruar makinën.
Efektivi Albert Pjetri ka deklaruar në deponimin e tij pas ngjarjes për këtë konflikt që i ka ndodhur me shtetasin Rivaldo Planaj, por pa ngritur gishtin e akuzës drejt tij për atë që i ndodhi mbrëmë në lokalin që ka në pronësi.
Mësohet se në kërkim, policia ka shpallur si bashkëpunëtorë të Rivaldo Planajt edhe tre të tjerë. Ata janë Orlando Planaj, Bardhok Planaj dhe Mirsad Shpellzaj.
Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja, ndërsa një prej plumbave ka prekur edhe një automjet të parkuar pranë lokalit.
Dy vëllezërit Pjetri janë pjesë e Policisë së Shtetit, ndërsa vëllai i tretë ka qenë ish-administratori i Njësisë Administrative Rrethina./Bl.Ba/Fjala.al