Nga Fernada Cenko
Po lëmë pas një vit të vështirë për qytetarët që u përballën me pasojat e tërmetit dhe pandemisë. Si pritet të jetë ky vit ku përveç çështjeve ekonomike dhe shëndetësore jemi edhe në periudhë elektorale, me zgjedhjet e 25 prillit 2021. Flasin për gazetën “Fjala” analistët Ilir Kalemaj dhe Leonard Karaj.
Pasojat që la tërmeti i 26 nëntorit 2019 ishte kryefjala e qeverisë Rama për vitin 2020, por maisi i këtij viti shtoi edhe një tjetër barrë të rëndë; përballja me pandeminë e koronavirusit. Qeverisë ju desh të ecte në dy rrugë të vështira në 2020, ku baza ishin finacat dhe jetët njerëzore. Sapo u sigurua premtimi nga Konferenca e Donëtorëve prej 1.2 miliardë euro për rindërtim, lajmi i trishtë vijoi në muajt që erdhën. Bota u përfshi në kolaps nga përhapja e Covid-19, duke vënë në vështirësi çdo qeveri. Ndaj për qeverinë Rama ky ishte një vit i vështirë pasi ngjarjet nuk ishin parashikuar as në buxhet edhe as në sjelljen e njerëve ndryshe, por dëshpërues për gjithë qytetarët të cilët përveç se duhet të përballen me një buxhet të tkurur ndihen të pasigurt nga përhapja e Covid-19. Edhe më i vështirë mbetet për bastin që Rama ka hequr me shqiptarët që vaksinën do e sjelli në janar 2021. Por viti që presim do të jetë më optimistë për shqiptarët? Po politika? Duket se interesat janë të ndryshme, por problemet të njëjtat. Beteja politike paralajmëron se do jetë mjaft e fortë, ndërsa të gjithë palët në konkurim nuk kanë siguri nëse do të mbvajnë pushtetin, apo do të marrin pushtetin. Dita që ndan një epokë mbetet 25 prilli, ku do të vihen në balancë nga qytetarët premtimet elektorale, por edhe vota e tyre në “peshoren” e pushtetit apo të opozitës.
Nga Ilir Kalemaj:
“Zgjedhje me shumë të panjohura, opozita duhet të ‘bindë’ elektoratin gri”
Hymë në një vit të vështirë pas tërmetit të 26 nëntorit në 2019 dhe po lemë një vit akoma më të vështirë për qytetarët por edhe për qeverinë nga pasojat e pandemisë. Si është reflektuar kjo klimë në ekonomi, jetën sociale dhe politikën shqiptare?
Viti që po lëmë pas ishte ndër më dëshpëruesit si në rang global, ashtu dhe në vendin tonë që u godit pas tërmetit dhe nga karantina dy mujore si rezultat i pandemisë e cila fatkeqësisht po vijon të marrë jetë, të përhapet masivisht dhe të vërë në pikëpyetje balancën e brishtë mes emergjencës mjekësore dhe nevojës për të shpëtuar sa më tepër jetë nga njëra anë dhe rrokullimës ekonomike ku deri tani vetëm për 2020-ën është vlerësuar se janë humbur rrumbullak 1 miliardë euro nga ekonomia apo se kemi rritjen më të madhe të borxhit në Europë (si përqindje ndaj PPB-së), apo se kemi shpenzuar më pak nga të gjithë (vetëm 1.2 përqind të PPB-së) jo vetëm krahasimisht me vendet e BE-së por të fundit absolut edhe në rajon për mbështetjen shtetërore të bizneseve në krizë ku shpeshtësia e falimentit të tyre krahasohet vetëm me vitin e mbrapshtë 1997, njëlloj si rënia ekonomike e këtij viti.
Futemi në një vit elektoral. Si e parashikoni fushatën elektorale dhe vecanërisht ditën e votimit më 25 prill? Precedentet e mëparshëm kanë treguar se të gjitha zgjedhjet kanë shënuar incidente të rënda, po këtë herë…
Këto palë zgjedhje kanë shumë të panjohura. Së pari do të hymë në zgjedhje me ndryshime kushtetuese të miratuara në mënyrë të njëanshme dhe ndryshime në kodin zgjedhor që janë larg konsensusit të kërkuar nga ndërkombëtarët por edhe pjesa më e madhe e opinionit publik në lidhje me reformën zgjedhore. Në një vend ku çdo palë zgjedhje (me përjashtim të atyre të vitit të largët 1992), kanë qenë të kontestuara dhe ku me raste ju është mohuar legjitimiteti nga opozita e kohës, këto palë zgjedhje na fusin si në një spirale të njohur, ashtu dhe në ujëra të panjohur kur vjen puna te vecantitë që do të kenë këto palë zgjedhje. Përpos faktorëve të renditur më sipër, vlen të theksohet harta territoriale që rrezikon të prodhojë një salamandër elektorale në favor të partisë në pushtet. Gjithashtu, mosfutja e opozitës në zgjedhjet lokale, bën që mazhoranca të jetë dukshëm më e favorizuar duke pasur në përdorim edhe asetet që garanton pushteti lokal në Shqipëri, nga vendet e punës te tenderat e me radhë. Gjithashtu pritej që zgjedhjet të ishin me lista të hapura por në fakt u mbyllën thuajse plotësisht ku renditja e kryetarëve praktikisht nuk ndryshon. Nëse në zgjedhjet e kaluara fenomeni më i përhapur ka qenë i ashtuquajturi “asfalt elektoral” në këto zgjedhje për shkak të deficitit korrent, rritjes inflacioniste të borxhit por edhe bllokimit për koncesione dhe ppp-ra të detyrueshëm për qeverinë katër muaj para zgjedhjeve do të bëjnë që shtrëngimi ekonomik të ndjehet akoma më tepër. Këtë e rëndon edhe fakti që qeveria e re nuk pritet të fillojë punën përpara shtatorit të 2021-shit.
Akuzat për shitblerje votash, përdorimin e parave të krimit të organizuar kanë qenë akuza për zgjedhet e 2017 dhe në vijim. A do kemi të njëjtin refren edhe në këto zgjedhje?
Akuza në Shqipëri për fat të keq po zhvlerësohen nga mungesa sistematike dhe madje deri në kufijtë e kriminales për t’a marrë seriozisht krimin zgjedhor dhe nga pandëshkueshmëria, retorika politike të duket gati bezdisëse në veshët e njerëzve të lodhur nga fenomene përsëritëse ku gjithmonë ka së paku dy interpretime të kithëta.
Nga parashikimet e deri tanishme por edhe në ato që mund të ndodhin në katër muajt në vijim nga do të anojë pushteti? Do kemi një mandat të Ramës pa koalicion, apo blloku opozitar mund të arrij të marrë shumicën qeverisëse?
Është ende herët për të dalë me profeci të shkruar mbi gur, por nga sa duken bathët, në rast se opozita do të arrijë të maksimizojë energjitë e saj përmes formulës së koalicioneve (për shembull me dy të tillë), por mbi të gjitha të arrijë të depërtojë në sytë, veshët dhe mendjen e shumicës së heshtur, e së ashtuquajturës pjesës “gri” apo të arrijë të bëjnë të votojnë pjesën më të madhe të shoqërisë që është e lodhur, e zhgënjyer apo e braktisur nga një republikë ekzekutive që sillet përditë e më shumë si një qeveri oligarkësh, atëherë shanset më të mëdha janë të shohim një rotacion pushteti. Kjo edhe sepse është gati e pamundur që në sisteme proporcionale si ky i yni, një parti e vetme të arrijë të fitojë një super-mazhorancë. Gjithnjë nëse flasim për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por shumëçka do të varet nga oferta politike e opozitës por edhe nga ekipi me të cilin zgjedh të përfaqësohet.
Nga Leonard Karaj:
“25 prilli do jetë i qetë, përplasja do të ndodhë nëse kemi rezultat të ngushtë”
Hymë në një vit të vështirë pas tërmetit të 26 nëntorit në 2019 dhe po lëmë një vit akoma më të vështirë për qytetarët por edhe për qeverinë nga pasojat e pandemisë. Si është reflektuar kjo klimë në ekonomi, jetën sociale dhe politikën shqiptare?
Për të kuptuar realisht sesa ka ndikuar tërmeti dhe sidomos pandemia, në ekonominë shqiptare mjafton të përmendin vetëm një shifër: 1 miliardë €uro. Kaq ka humbur biznesi gjatë 2020, fakt ky i pranuar nga të gjitha instancat në vend dhe ato që na monitorojnë. Thënë ndryshe, ekonomia jonë është reduktuar sa 1/5 e gjithë buxhetit vjetor të shtetit shqiptar. Kaq besoj mjafton për të kuptuar sesa është varfëruar qytetari gjatë këtij viti që po lëmë pas. Ndërsa, në sferën politike, gjykoj se as tërmeti dhe as pandemia nuk kanë ndikuar thuajse fare. Përkundrazi këto dy dukuri natyrore, jashtë mundësive njerëzore, kanë shtuar edhe më shumë dozat e një politike të fëlliqur që nuk kursen asgjë për të marrë sadopak besueshmëri falso në elektorat. Dhe në referencë të ligjërimit të përditshëm qoftë ky i opozitës (i njëjti referen si në një kohë normale), por edhe të qeverisë, e cila nuk ka kursyer në asnjë moment që të bëjë politikë dhe korrupsion edhe me fatkeqësinë, mund te themi se si tërmeti dhe pandemia janë shfrytëzuar në maksimum, sidomos nga pushteti, për përfitime ekonomiko-elektorale. Madje kur vëren mënyrën sesi është bërë dhe proklamuar rindërtimi pas tërmetit (në fillim u tha me zë dhe figurë se brenda 31 dhjetorit nuk do të kishte asnjë familje në qiell të hapur, tani kjo gjë u shty deri ca ditë para zgjedhjeve), dhe kur shikon tenderat ekstremisht abuzivë në shendetësi, me pretekstin gjoja të pandemisë, atëherë vlen më së miri ajo shprehja: “ujku vetëm mjegull do”!
Futemi në një vit elektoral. Si e parashikoni fushatën elektorale dhe veçanërisht ditën e votimit më 25 prill? Precedentet e mëparshëm kanë treguar se të gjitha zgjedhjet kanë shënuar incidente të rënda, po këtë herë?
Unë parashikoj një fushatë elektorale të përqendruar më së shumti në media, rrjetet sociale dhe në një rreth të ngushtë personash, kjo edhe për shkak të pandemisë. Shqipëria zor se do të mund të kryejë vaksinimin e popullatës përpara 25 prillit, ndaj normalisht pritet që të mos kemi një fushatë tipike sikundër jemi mësuar ndër vite. Pikërisht për faktin se nuk do të ketë mitingje të mëdha, të gjitha forcat politike do të mundohen që t’i afrohen votuesit në mënyra të tjera, sigurisht shumë më pak demokratike, pse jo edhe të ndëshkueshme nga Kodi Penal (nëse do ketë prokurorë që do mund ta shikojnë këtë gjë….). Por asgjë e jashtëzakonshme nuk pres që të ndodhë. As deri më 25 prill dhe as ditën e zgjedhjeve. Jam i bindur se do të kemi një fushatë të qetë, pasi në ndryshim nga zgjedhjet e mëparshme, edhe vetë partitë, kryesisht ato të mëdha, kanë kuptuar se fitohet më shumë kur punohet nën rrogoz dhe fshehtësi. Problemin unë e shoh pas 25 prillit, pasi nëse do të kemi një rezultat të ngushtë (personalisht, të tillë e parashikoj), atëherë përplasja politike mund të degjenerojë me dhunë militantësh. Uroj dhe shpresoj që të gabohem, por vështirë që një opozitar të mund të durojë edhe për katër vite të tjera sesa “rilindasit” pasurohen në kurriz të pjesës tjetër të qytetarëve.
Akuzat për shitblerje votash, përdorimin e parave të krimit të organizuar kanë qenë akuza për zgjedhjet e 2017 dhe në vijim. A do kemi të njëjtin refren edhe në këto zgjedhje?
Shqipëria nuk ka pasur problem të shitblerjes së votës, të paktën deri në zgjedhjet e 2009-ës. Kemi pasur probleme me incidente të rënda në qendra të ndryshme të votimit, por jo blerje direkt me lekë në dorë ose “clering” të votës. Në zgjedhjet e 2009-ës, kjo gjë u vërejt më së shumti tek LSI (kujto deklaratën e ish-deputetit dhe ministrit, Dritan Prifti, i cili vetë pohoi asokohe se bëri fushatë duke u blerë lopë fshatarëve të zonës së Lushnjës dhe Fierit), dhe më pas u përdor gjerësisht në 2013-ën, 2015-ën dhe 2017-ën, edhe nga dy partitë e mëdha (kryesisht dhe gjerësisht të majtët). Sigurisht, paraja më e madhe është e përqendruar tek pushteti dhe nga aty pritet që të kemi edhe më shumë devijime të elektoratit, të cilat kanë qenë edhe një nga gangrenat e zgjedhjeve të dekadës së fundit (kujto përgjimet e BILD për Durërsin dhe Dibrën). Dhe, kur vëren “urinë” e madhe sa të opozitës që kërkon pas 7 vitesh që të vijë në pushtet dhe të Ramës, i cili po lëviz çdo gur të mundshëm për të qëndruar në kolltukun e kryeministrit, kjo të bën të besosh se paratë që do të harxhohen gjatë kësaj fushate elektorale do të jenë disa fish më të larta.
Ndonëse nuk do të kemi mitingje për shkak të pandemisë, “lufta” do të bëhet në imazh, propagandë dhe joshje direkte me para në dorë, ndaj votuesit. Shembulli më tipik janë “çamët e Dibrës dhe ata të Elbasanit, qarqe këto që në 2017-ën falë parasë ta jashtëzakoshme që u hodh në fushatë, sollën në parlament tre deputetë të PDIU. Dhe veç këtyre të fundit, natyrisht një rol të madh pritet të luajë edhe biznesi i lidhur fort me politikën, i cili është dhe do jetë sponsorizuesi më i madh në gjithë këtë lukuni zgjedhore. Dhe, nëse prokuroria shqiptare do të mund të merrte në gjykatë, gjatë muajve mars-prill, urdhër përgjimi telefonash për pjesën më të madhe të atyre që do të menaxhonin fushatën, atëherë, me shumë gjasa ajo që ndodhi në Kroaci me ish-kryeministrin Sanader, do dukej si një pikë uji në oqean, krahasuar më pas me çka mund të dilte në pah në Shqipëri.
Nga parashikimet e deri tanishme por edhe në ato që mund të ndodhin në katër muajt në vijim nga do të anojë pushteti? Do kemi një mandat të Ramës pa koalicion, apo blloku opozitar mund të arrij të marrë shumicën qeverisëse?
Në një vend normal, dhe kur them “normal” nuk po mundohem ta krahasoj me Francën, Gjermaninë, apo Danimarkën, por me vende si Malin e Zi apo Maqedonia e Veriut, me një opozitë normale, Rama nuk do kishte mundur që të mbyllte as mandatin e dytë dhe jo më të pretendonte për të tretin. Por ne nuk jemi një vend normal. Ne qeverisemi nga një kastë njerëzish që na vjedh ditën për diell, me tendera abuzivë, korrupsion dhe PPP vrastare nga njëra anë dhe nga ana tjetër një opozitë apatike, që akoma pa fituar zgjedhjet ka nisur luftën brenda vetes për një pushtet që realisht as e ka dhe as e di nëse do ta ketë apo jo. Në këto kushte, duke parë edhe rrethanat, të tilla si: ndryshimet e njënashme të kodit zgjedhor që favorizojnë ndjeshëm “Rilindjen” e Ramës; largimin e numërt të shqiptarëve, grupe këto të evidentuara gjerësisht si votues ose gri ose i opozitës; shtim i madh i administratës shtetërore nga 115 mijë në 2013 në 170 mijë në 2019; pasja jo vetëm i gjithë pushtetit qendror por edhe 100% i atij vendor, kjo natyrisht falë edhe “vetëvrasjes politike” të opozitës; propaganda deri në marrëzi që nga zyrat e Lali Erit dhe deri tek bashkia më periferike në vend, e drejtuar nga “Rilindja”; si dhe ç’organizimi i organizuar i opozitës, e përçarë në më shumë se 12 parti (PD, LSI, PDIU, PAA, LN, PBDNJ, BD, NISMA, LDSH, BK, BDSH, LDE, PDS, etj), të sjell në përfundimin se peshorja, tejet fatëkqesisht për këtë vend, mund të anojë sërish majtas. Thënë më shkoqur: PS-ja e Ramës me shumë gjasa do të jetë përsëri parti e parë, pra me më shumë deputetë në parlament, por ka thuajse zero shanse që të marrë 71 mandate dhe të formojë e vetme qeverinë.
Edhe në ëndërrën më të bukur; edhe pse ka vënë në dispoziion të fitimit të zgjedhjeve gjithë arsenalin me oligarkë; edhe pse kodi zgjedhor e favorizon ndjeshëm; edhe pse PD-LSI janë ku “thërret qiameti”, në raport me votuesin (nuk arrij ta kuptoj sesi baza e këtyre partive është në një gjumë letargjik), edhe pse në kushtet më të këqija të mundshme, për shkak të arsyeve të mësipërme, gjykoj se shqiptarët (pse jo edhe vetë të majtët), do jenë aq të zgjuar sa të mos lejojnë Ramën që të bëhet një “Enver Hoxha i dytë”. Kjo, natyrisht e krahasuar me jetëgjatësinë në pushtet: diktatori qëndroi 40 vjet në pushtet, ndërsa Edi Rama deri tani ka 20-21 vjet, i dyti në gjithë historinë e kombit shqiptar.
Në këto kushte, opsionet e të ardhmes së afërt qeverisëse pritet të jenë shumë të paqarta. Ramës do ti mbetet ose të dalë në opozitë ose të “të blejë” deputetë nga opozita për të mbajtur kolltukun e Kryeministrit. Dhe duke iu referuar të shkuarës, varianti i dytë, ndonëse më vrastari për demokracinë, shihet si më i mundshmi për t’u realizuar. Ndërsa, Bashës i duhet me çdo kusht “të zgjojë vetveten dhe të tijtë nga gjumi”, dhe të drejtojë një front të përbashkët opozitar, duke lënë mënjanë çdo mëri, qoftë edhe tejet personale (që besoj dhe gjykoj se nuk e ka), me qëllimin e vetëm: rrëzimin e Edi Ramës dhe orientimin e Shqipërisë drejt Europës. Në të kundërt ky vend është i destinuar të “putinizohet” ose më e pakta, të “erdoganizohet”.