Fan Noli, jeta e një intelektuali të shquar

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Shtypi i huaj e ka përshkruar Nolin si një burrë që do të kishte qenë i shquar në çdo vend

Lindi më 6 janar 1882 në fshatin shqipfolës İbriktepe, në Trakinë Lindore, jo shumë larg nga Edreneja (Turqi). Noli e konsideronte fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës. Si disa fshatra të tjerë të asaj krahine të banuar me shqiptarë, İbriktepe kishte ruajtur gjuhën, doket dhe traditat e të parëve.

I ati, Stilian Gjergj Noli, ishte psallt në kishën ortodokse të fshatit; e ëma, Marie Gollaqi, ishte shtëpiake. Theofani ishte i dyti ndër 13 fëmijë, 7 prej të cilëve vdiqën në foshnjëri. Në vogëli Noli kaloi sëmundje të rënda, ndaj shkollën e nisi me vonesë. Në fshatin e lindjes kreu shkollimin fillor greqisht për 6-të vjet, më tej prindët e dërguan në gjimnazin grek të Edrenesë, ku qëndroi 4 vjet.

Më 1900 vendosi të shkonte në Greqi, por në Stamboll u sëmur, qendroi atje për t’u kuruar. Vitin tjetër u nis për në Athinë. U regjistrua në Fakultetin e Filozofisë në kryeqytetin grek. Më tej, meqë kishte prirje për aktor, punoi si kopist, sufler e aktor me një trupë teatri me të cilën u end nëpër Greqi për gati dy vjet.

Gjatë endjeve me trupën shkroi dramën “To ksipnima” (“Zgjimi”), e cila u luajt nga trupa në Pirgos të Peloponezit. Atë periudhë nisi të shkruante skeletin e dramës “Israelitë dhe filistinë”. Në fillim të 1903 shkoi në Egjipt, ku gjeti punë si mësues lëvizës greqishtes dhe po atë vit përktheu në greqisht traktatin e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”.

Po atje filloi të bjerë në kontakt me veprimtarët e Rilindjes Kombëtare në koloninë shqiptare të Egjiptit, ndër të cilët Thanas Tashko dhe Jani Vruho e ndihmuan në botimin e përkthimit të Samiut, e po ashtu e lidhën me Nikolla Naçon, Shahin Kolonjën e Kristo Luarasin. Pas tre vjetësh qëndrimi në Egjipt, në prill 1906 u nis për në Shtetet e Bashkuara.

Pasi ndenji në Buffalo, ku punoi në një fabrikë, Noli shkoi në Boston. Në gushtin e po atij viti Sotir Peci i ofroi të bëhej zv/redaktor i së përkohshmes “Kombi”. Në Boston disa shqiptarë ishin pjesë e Kishës Ortodokse Greke, e cila i kundërvihej me forcë çështjes kombëtare shqiptare.

Kur një prift ortodoks refuzoi t’ia kryente shërbesat e fundme të ndjerit Kristaq Dishnica, Noli me një grup shqiptarësh patriotë krijuan Kishën e pavarur (Autoqefale) Ortodokse Shqiptare. Noli, prifti i parë i kishës së re, u shugurua prift më 8 mars 1908 nga kryepeshkopi Platon Rozhdestvensky i Kishës Ruse në Shtetet e Bashkuara.

Ekselenti i Harvardit

U regjistrua në Universitetin e Harvardit, duke e përfunduar më 1912 Bachelor of Arts. Zuri vendin e Pecit si redaktor i “Kombit”, detyrë që e kreu deri në janar të 1909. Një muaj më vonë, nisi të botojë e drejtojë fletoren “Dielli”, zëdhënëse e bashkësisë shqiptare të Bostonit.

Më 10 gusht 1911 udhëtoi drejt Evropës, ku ndenji katër muaj duke vizituar dhe mbajtur shërbesa fetare e takime patriotike ndër kolonitë shqiptare të Kishinjovit, Odesës, Bukureshtit e Sofies. Pas shkrirjes së shoqatave të shqiptarëve të Amerikës, “Dielli” u bë organi i shtypit i shoqërisë panshqiptare Vatra, bashkëthemelues i të cilës qe edhe Noli me Konicën.

Në pragun e Luftës Ballkanike, Noli shprehej me luajalizëm kundrejt perandorisë që të mund të bënte qëndresë kundrejt armiqve. Me shpalljen e pavarësisë përkrahu qeverinë e Ismail Qemalit, mori pjesë në Kongresin e Triestes, organizuar nga Konica në marsin e 1913. Më 10 mars 1914 u ndodh në Durrës, ku dhe e gjeti Lufta e Parë Botërore; më 24 maj 1915 u kthye në Amerikë.

Nga 21 dhjetori 1915 deri më 6 korrik 1916, u bë përsëri kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, tashmë gazetë e përditshme. Në korrik 1917 u bë edhe një herë kryetar i Federatës Vatra. Në shtator të vitit 1918 Noli drejtoi organin The Adriatic Review gjashtë muajt e parë të saj, të cilën e botonte si shtojcë “Dielli” i Vatrës.

Me fondet e Vatrës, të mbledhura nën drejtimin e Nolit, u dërguan në Paris, Londër dhe Uashington delegatë shqiptaro-amerikanë për të promovuar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë.

Më 24 mars 1918, Noli u caktua administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në fillim të korrikut të atij viti mori pjesë në një konferencë për popujt e shtypur në Mount Vernon, Virxhinia, ku u takua me presidentin Udrou Uillson, përkrahës i të drejtave të pakicave në Evropë.

Më 27 korrik 1919 Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, që tashmë ishte dioqezë e pavarur. Një vit më pas, duke pasur parasysh rritjen e figurës së Nolit si udhëheqës politik e fetar i bashkësisë shqiptare dhe si shkrimtar, orator dhe komentator politik i talentuar, ishte e logjikshme që ai të zgjidhej kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku arriti ta anëtarësonte Shqipërinë më 17 dhjetor 1920. Gazeta The Manchester Guardian, në një koment më 23 korrik 1924, e përshkruante Nolin si një burrë që do të kishte qenë i shquar në çdo vend.

Në politikën shqiptare

Me zgjedhjet e mbajtura më 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921 – 30 shtator 1923). Ai shërbeu si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit, vetëm për pak kohë përpara se të dorëhiqej. Noli ishte kryetar i Partisë Popullore, e majta e asaj kohe, kundrejt Partisë Përparimtare.

Lexo edhe :  Spanja aplikon rregulla strikte për influencuesit në rrjetet sociale

Përkrah Luigj Gurakuqit dhe Stavro Vinjaut është ndër oratorët më shpotitës të foltores parlamentare. Më 21 nëntor 1923, u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit në Durrës, ndërsa më 27 dhjetor 1923 zgjidhet deputet i Korçës.

Gjatë Lëvizjes së qershorit 1924 Noli nuk ishte për përmbysjen me forcë që ndodhi; ai u vendos në krye të saj vetëm si kërkesë e krahut të të rinjve, që shihnin tek ai një njeri me formim perëndimor e amerikan.

Qeveria ligjshme e rikthyer me “Fitoren e Legalitetit” më 24 dhjetor, e dënoi Nolin me vdekje në mungesë. Programi me 20 pika për modernizimin e demokratizimin e Shqipërisë, ndër të cilat edhe reforma agrare, ishte tejet i nxituar e idealist për një vend të prapambetur dhe pa tradita parlamentare. Më vonë Noli i shkroi arsyet e dështimit të tij në një letër që ia drejtonte një mikut të tij anglez. Pasi zbarkuan në Bari me ftesë të Duçes u zhvendos në Vjenë pasi Italia lidhi marrëveshjet me Shqipërinë.

Ikja pa kthim

Pas vrasjes së kolegut Luigj Gurakuqi në Bari, i kushton elegjinë “Syrgjyn vdekur” në shkurt të 1926-s, Berlin. Ndërsa vrasjes së mikut Bajram Currit elegjinë “Shpell’e Dragobisë”. Selia e Kominternit në Vjenë e ndihmon për të organizuar KONARE-n. Në nëntor 1927 vizitoi Rusinë si delegat i Ballkanit në Kongresin ‘Miqtë e Bashkimit Sovjetik’ me rastin e 10-vjetorit të Revolucionit të tetorit, dhe më 1930, pasi mori një vizë gjashtëmujore, u kthye në Shtetet e Bashkuara.

Me kthimin e tij në Boston, Noli themeloi të përjavshmen “Republika”, vetë emri i së cilës i bënte sfidë të hapur Ahmet Zogut, i cili më 1 shtator 1928 u vetëshpall Zogu I, Mbreti i Shqiptarëve. “Republika” u botua edhe si opozitë ndaj “Diellit”, tashmë nën drejtimin e Faik Konicës, i cili ishte bërë ministër i plotfuqishëm i Shqipërisë në Uashington.

Me mbarimin e afatit të vizës, gjashtë muaj më vonë, Noli u detyrua të kthehet në Evropë dhe “Republika” mbeti nën drejtimin e Anastas Tashkos, deri sa u mbyll më 1932. Më 1932, me ndihmën e pasuesve të tij, mundi të kthehej nga Gjermania në Shtetet e Bashkuara, ku fitoi edhe lejen për qëndrim të përhershëm. Noli u tërhoq nga jeta politike dhe nga ky moment iu kushtua përsëri detyrave si drejtues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Në vitin 1935 Noli iu kthye njërit prej pasioneve të tij të hershme – muzikës – dhe në moshën 53-vjeçare u regjistrua në Konservatorin e Muzikës të Nju England, në Boston, nga i cili u diplomua më 1938.

Kisha Ortodokse Autoqefale

Më 12 prill 1937, Nolit iu plotësua ëndrra e madhe për një kishë kombëtare shqiptare kur Patrikana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Noli nuk u mjaftua vetëm me detyrat kishtare dhe filloi studimet pasuniversitare në Universitetin e Bostonit, ku mori doktoratën më 1945 me një disertacion për Skënderbeun.

Në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, Noli pati marrëdhënie pak a shumë të mira me regjimin e ri komunist në Tiranë dhe ushtroi ndikimin e vet për ta bindur qeverinë amerikane që ta njihte atë. Më 1953, në moshën 71 vjeç, Fan Nolit iu dhurua shuma prej 20.000 dollarësh nga Federata Vatra, me të cilën bleu një shtëpi, në Fort Lauderdale Florida, ku vdiq më 13 mars 1965. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit. Kisha Autoqefale që kishte krijuar u bë më vonë Kryedioqeza ortodokse shqiptare në Amerikë e Kishës ortodokse në Amerikë.

Veprimtaria letrare

Vepra e parë e Nolit qe drama me tre-akte Israilitë dhe Filistinë, e botuar në Boston 1907. Kjo dramë qe shkruar qysh më 1902, bazuar në historinë e Samsonit dhe Dalilës në Dhjatën e Vjetër. Duke ndjerë nevojën e besimtarëve për të mbajtur meshë në shqip, përkthen ritualet dhe liturgjinë ortodokse në dy vëllime Librë e shërbesave të shënta të kishës orthodokse, Boston 1909, dhe Libre é te krémtevé te medha te kishes ortodokse, Boston 1911. Përkthime që ai i çmonte si arritjet më të mëdha të tij. Më 1921 doli vepra e tij madhështore në prozë “Historia e Skënderbeut (Gjerq Kastriotit), mbretit të Shqipërisë 1412-1468”, Boston.

Në 1947 botoi përpunimin që i bëri George Castrioti Scanderbeg (1405-1468), New York 1947; që do i shërbente si temë diplome në Universitetin e Bostonit. Tjetër vepër e tij në anglisht “Bethoveni dhe Revolucioni francez” në 117 faqe, e botuar në New York 1947, pasqyronte figurat e mëdha të historisë (Jul Çezari, Jezusi, Skënderbeu dhe Napoleon Bonaparte). Vëllimi me vjersha Albumi u botua më 1948. Brenda viteve 1961-1963 botoi dy vjershat e fundit origjinale dhe disa shqipërime vjershash të poetëve të njohur. Kontributi më i gjerë i Nolit qe në fakt ai i stilistit, siç shihet ndë përkthimet e tij. Bashkë me Faik Konicën mund të vlerësohet si ndër stilistët më të mëdhenj të dialektit Toskë. Noli përktheu mjaft autor amerikanë dhe europianë të shek. XIX, duke vënë në punë veshin muzikor, mundi të pasqyronte stilin dhe ngjyrat e ritmit të origjinalit.

Të fundit

“Hirushja” e Champions League, Dortmund mposht PSG dhe shkon në finalen e lavdishme

Borussia e Dortmundit shuan ëndrrën e PSG-së për të prekur për herë të dytë në histori finalen e Championsit....

TikTok padit SHBA për të bllokuar ligjin që mund të ndalojë platformën e mediave sociale

TikTok dhe kompania e tij mëmë kineze ByteDance po padisin SHBA-në për një ligj që do të ndalonte aplikacionin e njohur të ndarjes së...

“Pse nuk dole pas Romeos”, banorët e ‘bëjnë për ujë të ftohtë’ Heidin, ja si përgjigjet

E vënë përballë pyetjeve të banorëve dhe opinionistëve, Heidi u shpreh se në ato momente ishte e trishtuar dhe e mendoi të dilje, por...

Histeria në Tiranë, pas një horrori në Shkodër!

Nga Ylli Pata Jemi tre ditë pas një ngjarje të tmerrshme në Shkodër. Ku Alma Arrazi dhe tre fëmijët e saj janë mbytur në ujrat...

Hyri në apartament për të vjedhur, hajdutin e zë gjumi në krevatin e pronarëve

Një 19-vjeçar, i cili hyri në një apartament në qendër të Romës për të vjedhur, nuk ia ka dalë. Në fakt, ai kishte mbushur një...

Lajme të tjera

Web TV