Në 35 vite jetë artistike interpretoi më shumë se 100 role 30 prej të cilave në kinema
Nga Leonard Veizi
Në rrugët e Tiranës ai dukej po aq fisnik e madhështor sa dhe imazhi i doktor Borovës apo i dhaskal Todrit të cilat i pat “gdhendur” me aq mjeshtëri. Por në kujtesën time të hershme qenien e tij prej artisti e kam fiksuar me një llullë në gojë po aq sa dhe profesor Mirushi tek “Dora e ngrohtë”, e pak flokë të gjata sa më kujtonte daj Vranën tek “Yjet e netëve të gjata”.
Ndërsa po aq imazhi i tij hijerëndë të linte mbresën e një burri të fortë, ashtu si dhe i mahnitshmi Jaho Labi, që luhej nga i njëjti njeri, nën të njëjtën lëkurë. Por padyshim nëse do të përmendet emri i tij si aktor, ai do të lidhej rrufeshëm me atë të Ismail Qemalit, personazhit historik që i dha aq shumë vërtetësi në një interpretim të jashtëzakonshëm.
Por jo më pak qenësia e tij aktruese lidhet menjëherë me një tjetër personazh emblematik gjithashtu, me atë të gjeneralit të “ushtrisë së vdekur”, të cilit i dha aq shumë elegancë: “Vërtet je kaq e lehtë Beti, apo më duket mua kështu nga lumturia. Sa e lehtë që je ti Beti… Ndërsa tani ti je vetë më i lehti i njerëzve në botë, 3-4 kg, jo më shumë”.
Ky ishte Sandër Prosi… Dhe vazhdon të jetë, gjithashtu…
…Si aktor brilant që interpretoi në skenën e teatrit shqiptar dhe në sheshxhirime, ai do të linte pas një mori personazhesh të cilët vazhdojmë t’i kemi në ekran. Statistikat thotë se ka interpretuar më shumë se 100 role.
Galeria e personazheve të tij është e thellë dhe e gjatë. Por përsëri kjo mbetet një statistikë. Sepse në realitet do t’i mjaftonte vetëm një prej tyre me të cilin do të identifikohej. Dhe për këtë mund t’i mjaftonte Sefedini: “O popull sa shumë gjëra bëhen nën emrin tënd, biles edhe naltmadhnija flet nën emrin tënd…”
Ndërsa ai ka shumë më tepër se kaq.
Fillimet
Në jetëshkrimin e tij zyrtar thuhet se u lind në Shkodër më 6 janar 1920. Familja e tij u shpërngul drejt Tiranës kur qe 14 vjeç. Në vitin 1938, pas mbarimit të gjimnazit, përfitoi një bursë, për të studiuar në një nga universitetet e Vjenës. Për dy vite studioi stomatologji dhe pas pushtimit italian të Shqipërisë bursa iu ndërpre.
Në vitet 1942-‘43, maturantët e gjimnazit shtetëror të Tiranës, ku midis të cilëve ishte dhe aktori Naim Frashëri, vunë në skenë dramën “Vilhelm Tel”. Për këtë ata kërkuan ndihmën e shokëve të tyre më të rritur, që kishin mbaruar të njëjtën shkollë, Sandër Prosit dhe Prokop Mimës.
Në Teatër
Më 1947 fiton konkursin pranë Teatrit Popullor. Prej këtej filloi veprimtaria e tij artistike. Krijoi dhjetra role në veprat e autorëve shqiptarë si A.Z. Çajupi, K. Jakova, B. Levonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj.
Interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role që kanë hyrë në fondin e artë të kinematografisë shqiptare. Përvoja e 35 viteve jetë artistike, në krijimin e më shumë se 100 roleve, bashkë me përvojën e aktorëve të tjerë të këtyre përmasave, krijuan dhe shkollën shqiptare të aktrimit.
Rolet
Për herë të parë luante në vitin 1948 tek komedia “Prefekti” të Besim Levonjës. Më pas do të vazhdonte në teatër me role tek “Cuca e maleve”, “Orët e Kremlinit”, “Hamleti”, “Fytyra e dytë”, “Doktori pacient”, “Otello”, “Makbethi”, “Epoka para gjyqit”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Familja e peshkatarit”, “Çatia e të gjithëve”, “Revizori”, “14 vjeç dhëndër”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Rrënjët e thella”, “Xhaxha Vanja” etj.
Pas vitit 1961, ku interpretoi në filmin “Debatik”, rolet i takojnë kinematografisë me: “Detyrë e posaçme” (1963), “Vitet e para” (1965), “Horizonte të hapura” (1968), “Plagë të vjetra” (1968), “Guximtarët” (1970), “Gjurma” (1970), “I teti në Bronz” (1970), “Mëngjese lufte” (1971), “Yjet e netëve të gjata” (1972), “Shtigje lufte” (1973), “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1975), “Në fillim të verës” (1976), “Përballimi” (1976), “Fijet që priten” (1977), “Njeriu me top” (1977), “Gjeneral Gramafoni” (1978), “Udha e shkronjave” (1979), “Yje mbi Drin” (1979), “Vajzat me kordele të kuqe” (1980), “Plumba perandorit” (1980), “Plaku dhe hasmi” (1981), “Qortimet e vjeshtës” (1981), “Nëntori i dytë” (1982), “Dora e ngrohtë” (1983), “Kush vdes në këmbë” (1984). Më 25 mars 1985, Sandër Prosi ndahet nga jeta ndërsa ishte me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur”, të regjisorit Muharrem Fejzo.
Vlerësimi
Për ndihmën e tij të madhe në zhvillimin e artit skenik e kinematografik është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe urdhra e medalje të tjera. Në 25-vjetorin e vdekjes, Presidenti i Republikës nderoi Sandër Prosin me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Në 24 shkurt 2017, Prosi u nderua me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” pas vdekjes.
Dëshmia e Melpomeni Çobanit
Prosi, aktori që interpretonte nën presion
Sandër Prosi, iku vetë nga kjo jetë, me një dëshirë të papërmbajtur për të mos qenë më pjesë e saj, ndërkohë që vetë skena shqiptare kishte ende shumë nevojë për të. Në një intervistë të realizuar me aktoren Melpomeni Çobani, e të botuar në gazetën “Shekulli” më 10 shkurt 2014, ajo pat rrëfen çastet e fundit të aktorit të madh shqiptar, pasi bëri dhe një portret interesant të tij.
Dhe citoj si më poshtë: “Me Sandër Prosin kishim njohje të vjetra e miqësi familjare. Ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm. Ishte njeri me shumë kulturë, ose me “dojç kulturë” do ta cilësoja unë, sepse kishte bërë studimet në Austri. Sandri vinte nga një familje e pasur, kishte shtëpi të madhe. Ai na priste në shtëpinë e tij gjithmonë. Ishte shumë bujar. Te ambientet e teatrit, nëse nuk kishte prova apo nuk kishte rol, Sandrin e gjeje duke lexuar. Nuk rrinte kot. Madje mund të them se njerëzit që lexonin më shumë në Teatër ishin Sandër Prosi, Prokop Mima dhe Injac Saraçi. Por Sandri ndihej në një lloj persekutimi, ndoshta për shkak të goditjes që iu bënë shumë intelektualëve që kishin studiuar në perëndim. Punonte nën presion. Disa nga rolet që i dhanë e impresionuan negativisht, por kishte dhe njerëz të tjerë që nuk ia donin të mirën dhe ndikonin keq në jetën e tij. Të gjitha këto probleme psikike iu rënduan. Në pranverën e vitit 1985 ai po xhironte një film në Durrës. Ne si Estradë kishim shkuar po në Durrës për të dhënë shfaqje. Më kujtohet që darkën e fundit e hëngrëm bashkë tek hotel “Vollga”. Aty ishin strehuar artistët. Ai kërkoi të largohej shpejt. “Më duhet të ngrihem në orën 03.00 të mëngjesit pasi në 04.00 nisin xhirimet” më tha para se të largohej. Nuk kaloi shumë kur dëgjuam një zhurmë. Ai ishte hedhur… Ngjarje e rëndë e s’dua ta kujtoj më tej”.