Zgjedhjet/ A do të funksionojë votimi dhe numërimi elektronik?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nisma e KQZ-së dhe e subjekteve kryesore politike për votimin dhe numërimin elektronik në dy qarqe të vendit, sjell disa dilemma mbi infrastrukturën, sigurinë dhe trajnimin. Në një intervistë për gazetën “Fjala”, eksperti i çështjeve zgjedhore, drejtuesi i KRIIk Albania Premto Goga, shpjegon favoret e këtij projekti, por edhe dyshimin se nëse nuk ka frymën e duhur nga subjektet politike dhe marrjen e masave teknike, ideja mund të dështojë.

Nga Fernada Cenko

Votimi dhe numërimi elektronik pritet të implementohet në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit. Komisioni Qendror Zgjedhor nuk e ka vendosur ende se ku do t’i vendos aparaturat e para elektronike por tre janë mundësitë e hedhura në tavolinën e saj: Korça, Fieri dhe disa njësi administrative në Tiranë. Pavarësisht se numërimi dhe votimi elektronik është diskutuar në çdo prag fushate, asnjëherë nuk është bërë e mundur futja e teknologjisë së re në zgjedhje. Kësaj radhe pritet që projekti pilot të jetë në këto bashki ose qarqe, pikë e cila ende nuk ka marrë “formën e prerë”.

Fieri është “mollë sherri” mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, ku kjo e fundit nuk dëshiron që në këtë qark të vendosen aparaturat e votimit dhe numërimit elektronik. Por i mbetet Komisionit Zgjedhor për të vendosur se ku do të aplikohet për herë të parë kjo nismë. Futja e teknologjisë së re do të minimizojë abuzimet gjatë votimit, por edhe numërimit të votave, çka do të thotë se do jemi shumë afër vullnetit të qytetarëve në këto zgjedhje dhe marshi i gabimeve mund të jetë shumë i vogël.

Megjithëse për Komisionin Zgjedhor do të jetë sfidë e madhe futja e këtij procesi, pasi ata që do të marrin pjesë në procesin e votimit dhe të numërimit duhet të trajnohen më parë nga ekspertë të fushës. Kur gradualisht po futemi në gjysmën e dytë të janarit, nuk do të mund të arrihet koha fizike për të trajnuar. Mbetet për të parë implementimi dhe rezultatet në këto dy qarqe apo bashki, dhe nëse kjo do të shkojë mirë, në zgjedhjet lokale do të shkojmë me teknologjinë e re në çdo cep të vendit. Megjithëse koha dhe faktet tregojnë se ngado ku futet dora e politikës në administrimin e zgjedhjeve, dalin probleme serioze. Sfidë që do jetë në vazhdim për politikën si fillim dhe më pas Komisionin Zgjedhor është votimi i emigrantëve shqiptarë kudo që ata janë.

Për eksepertët kjo duket pak e pabesueshme për të qenë reale. Kristaq Kume thotë se nuk mund ti besohet dot postierit fleta e votimit. “Besimi i palëve tek mënyra e votimit është kusht. Votimi me fletë që zgjedhësi mund ta shkarkojë vetë online, është proces që nuk besoj se krijon besim tek palët. Fleta e votimit duhet t’i dërgohet me postë zgjedhësit. Në rastin tonë, besimi tek shërbimi i postës publike është problematik. Opozita tashmë ka filluar ta artikulojë këtë mungesë besimi. Votimi me postë mund të bëhet duke përdorur shërbime nga të tjera kompani që ofrojnë shërbimin postar”, tha Kristaq Kume. E meqenëse kjo është larg realitetit shqiptar, mbetemi tek votimi dhe numërimi elektronik.

Gogo: Votimi dhe numërimi elektronik kërkon siguri dhe testim

Në një intervistë për gazetën “Fjala” Premto Gogo, përfaqësues i KRIK Albania (Koalicioni për Feforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara) ka komentuar “integrimin” e votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021.

Këto ditë po diskutohet dhe kërkohet që në zgjedhjet e 25 prillit 2021 të implementohet numërim dhe votim elektronik. A quhet një arritje?

Ashtu si çdo aspekt apo hapësirë e përvojave njerëzore ku teknologjia po bëhet pjesë e rëndësishme, edhe proceset zgjedhore po përfitojnë nga mundësitë që ofron teknologjia e informacionit. Këto mundësi ofrojnë komoditete dhe lehtësira të konsiderueshme në menaxhimin dhe mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore dhe veçanërisht në rritjen e transparencës së tyre duke ofruar garanci më të shumta në sigurinë e tyre, sikurse mbartin, nga ana tjetër, edhe një sërë rreziqesh jo të vogla. Përdorimi i teknologjisë në procesin zgjedhor ka qenë një kërkesë e vazhdueshme sidomos e partive opozitare përgjatë tre proceseve reformuese të kuadrit ligjor zgjedhor të ndodhura që prej 2013-ës. Në rezultante të procesit të fundit reformues, tashmë në kuadrin ligjor të ndryshuar gjatë vitit të shkuar, parashikohet që në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, përveç identifikimit elektronik të votuesve në 100% të qendrave të votimit, do të pilotohet edhe votimi dhe numërimi elektronik në dy qarqe të vendit, të cilat plotësojnë kushtin e pasjes së më shumë se 10 % të votuesve dhe të më pak se 20 % të votuesve.

Në raport me këto detyrime të Kodit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet përgëzuar që në një kohë kaq të shkurtër ka bërë hapa përpara qoftë në pikëpamje të miratimit të akteve nënligjore, ashtu edhe në ndërmarrjen e hapave konkretë, duke realizuar një proces konsultimi gjithëpërfshirës me aktorët politikë dhe aktorë të tjerë të interesuar në çështjet zgjedhore. Por, duhet thënë se në raport me këto projekte pilot, është e nevojshme të sillet në vëmendje tentativa për përdorimin e mëparshëm të kësaj teknologjie gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 në dy qarqet e vendit, respektivisht në Tiranë dhe në Fier. Projektet pilot të atëhershme, për identifikimin elektronik të votuesve dhe numërimin elektronik të votave, dështuan në prag të procesit zgjedhor, ende pa nisur dhe pa patur mundësinë të zbatohen në terren duke shënuar një precedent të rëndë, i cili duhet të mbahet parasysh edhe në këtë përpjekje të tanishme për përdorimin e teknologjisë zgjedhjet e 25 prillit. Gjithashtu, raportet alarmante të KLSH-së apo edhe raportet e vetë KQZ-së lidhur me dështimin e këtyre proceseve duhet të mbahen në konsideratë për t’i paraprirë tërësisë së problematikave që mund të shoqërojnë ndërmarrjen e votimit dhe numërimit elektronik në këto zgjedhje, si procese madhore që përbëjnë risi për stadin dhe ecurinë institucionale të administratës sonë zgjedhore. Përpos lehtësisë dhe rezultatit të shpejtë që do të sjellin këto procese në administrimin procesit të votimit dhe numërimit, duhet sjellë në vëmendje se përdorimi i tyre duhet të parashikojë, ndër të tjera, protokolle të forta dhe të qarta transparence e sigurie, si dhe të përfshijë alternativa proceduriale gjatë eventualiteteve të mundshme, për të mos dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme procesin zgjedhor në qarqet që do të pilotohen. Protokollet e sigurisë kibernetike është e nevojshme të zbatohen maksimalisht konform kërkesave dhe standardeve të konventës mbi krimin kibernetik të Këshillit të Evropës (Konventës së Budapestit) duke mundësuar nga ana tjetër aspektet e moslejimit dhe mosndërhyrjes në zgjedhje nëpërmjet krimit kibernetik. Në këtë aspekt vlen të nxitet një bashkëpunim efektiv edhe me Autoritetin Kombëtar për Çertifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) për të garantuar sigurinë e të dhënave dhe të rrjeteve apo sistemeve kompjuterike që do të përdoren gjatë këtyre proceseve. Paraqitet e domosdoshme, gjithashtu, që edhe aktorët politikë garues të përfshihen me një qasje konstruktive ndaj këtyre proceseve, si dhe në mbështetje të institucionit dhe përpjekjeve të KQZ-së për t’a shënuar të sukseshëm këtë pilotim të rradhës në përdorimin e teknologjisë në procesin e votimit dhe numërimit të votave.

Lexo edhe :  Pse e ke ndryshuar modelin e flokëve? Ja si përgjigjet Basha

Korça, Fieri dhe disa njësi administrative në Tiranë janë kërkuar për të implementuar këtë projekt pilot. Pse Fieri nuk kërkohet nga PS dhe Tirana nga PD? Çfarë mund të fshihet?

Në dijeninë tonë, sikurse ju thoni, Partia Demokratike dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim kanë propozuar qarqet e Korçës dhe të Fierit, ndërkohë që Partia Socialiste propozon disa njësi administrative në Tiranë në vend të Qarkut të Fierit. Në gjykimin e KRIIK, në pikëpamje të lehtësisë, organizimit dhe një mirëadministrimi më të mirë do të ishte i nevojshëm përcaktimi i qarqeve të plota dhe jo i njësive përbërëse administrative të tyre. Kjo e fundit do e komplikonte qoftë organizmin dhe administrimin prej KQZ-së, qoftë edhe të kuptuarin e aktorëve garues dhe të trupave lokale të administrimit të procesit. Në konteksin e një tërësi aspektesh voluminoze përgatitore dhe në mungesën e kohës, një fragmentarizim i tillë i organizimit të procesit me shumë gjasë do të nxiste nivel të lartë gabimesh njerëzore në organizim dhe administrim, duke ndikuar kësisoj në mossuksesin e pilotimit të projektit. Përsa i përket pyetjes suaj se a fshihet diçka mbas dëshirës së PS-së për të mos përfshirë qarkun e Fierit, mund të thuhet se qarku i Fierit është një qark i rëndësishëm që prodhon 16 mandate parlamentare.

Është një qark jo i qetë nga pikëpamja e influencave, interesave të komplikuara dhe përplasjeve politike që duhet thënë se janë prodhuar në vazhdimësi gjatë proceseve të mëparshme zgjedhore. Në gjykimin tonë, testimi i projekteve pilot në këtë qark me shumë gjasa do të nxirrte jashtë loje influencat parapërgatitore për të ndikuar në rezultatin zgjedhor, sikurse edhe mund t’a dështonte qëllimisht procesin e pilotimit. Megjithatë, duhet theksuar se është jetike që, sikurse mbajtja në jetë e marrëveshjes së 5 qershorit 2020 dhe aspiratave që ajo sjell, edhe përdorimi i teknologjisë, i cili pritet të zbehë shumë prej fenomeneve të mëparshme tshëmtuara të ndikimit të paligjshëm apo të korrupsionit zgjedhor, të gëzojë mbështetjen dhe dakordsinë e të gjithë aktorëve politikë, veçanërisht të aktorëve politikë kryesorë. Në këtë aspekt nxiten aktorët kryesorë politikë që të dakordësojnë qëndrimet e tyre për përzgjedhjen konsensuale prej tyre të qarqeve ku do të pilotohen votimi dhe numërimi elektronik.

A do t’ia arrijë KQZ ta finalizojë këtë projekt me sukses?

Le të themi se KQZ-ja deri më tani ka kryer në mënyrë të kënaqshme hapat që duhen ndërmarrë. Por ka një sërë hapash të tjerë që lidhen më mënyrën e zbatimit, testimit të sistemit, planifikimin e detajuar, adoptimin e rregullave plotësuese, nxjerrjen e udhëzimeve specifike e të detajuara për administratën zgjedhore, parapërgatitjes për çalimin e mundshëm të sistemit apo problemeve të tjera që mund të hasen gjatë fazës së testimit. Për këtë është e nevojshme që testimi i sistemit dhe i tërë procesit të ndodhë sa më parë, në mënyrë që të lihet kohë për rikuperimin apo adresimin e problematikave që mund të evidentohen.

Një aspekt me rëndësi që duhet parë se si do të realizohet, në pikëpamje të sigurisë, standardeve dhe transparencës që do të ofrohet ka të bëjë me realizimin e kombinuar të dy proceseve, të cilët nuk duhet të ndërhyjnë asesi tek njëri-tjetri, pra i procesit të identifikimit të votuesve nga njëra anë dhe i procesit të votim/numërimit të votave nga ana tjetër. Duhet thënë se mënyra e parashikuar e funksionimit të makinave kompjuterike të votimit dhe printimit prej tyre të fletëve të plotësuara të votimit, sikundër paraqitet në vendimin e miratuar prej KQZ-së, nuk mbart mundësinë e dështimit të sistemit për shkak të rritjes së numrit të subjekteve zgjedhore që do të kandidojnë në këto qarqe. Shkak i cili dështoi projektin pilot për sistemin e numërimit të votave në qarkun e Fierit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013.

Megjithatë, potencialisht, ekziston një mundësi për rritjen eksponenciale të subjekteve zgjedhore që regjistrohen për të garuar për zgjedhjet e 25 prillit, duke vështirësuar formatimin dhe printimin e fletëve të votimit, gjë që mund të vështirësojë apo edhe dështojë sërish këtë pilotim. Dispozita në fjalë, absurde në gjykimin e KRIIK, paraqitet në nenin 68 të Kodit Zgjedhor. Ajo i jep të drejtë çdo deputeti aktual të Kuvendit të Shqipërisë të mundësojë kandidimin e çdo partie politike pa patur nevojë të mbledhë nënshkrime mbështetëse, mjafton që ai të deklarohet qoftë edhe ditën e fundit të afatit për regjistrimin e subjekteve zgjedhore, se ai i përket asaj partie politike.

Sa të përgatitur janë komisionet zgjedhore për aplikimin e teknologjisë se re? Jemi katër muaj para zgjedhjeve a do arrihet të trajnohen?

Koha në dispozicion është totalisht e pafavorshme. Megjithatë me një rol proaktiv të KQZ-së për nxitje dhe sensibilizim të plotë të aktorëve politikë, përgatitjen e një programi efikas trajnimi duke kërkuar dhe siguruar mbështetjen edhe të partnerëve të ndryshëm të huaj e vendas, besojmë se do të bëhet i mundur trajnimi në kohën e duhur i komisioneve zgjedhore dhe stafeve të tjera mbështetëse në përgjigje të mirëfunksionimit të teknologjisë që do të përdoret. Vlen gjithashtu të theksohet se paraqitet i domosdoshëm edhe sensibilizimi i gjerë i votuesve në qarqet ku do të pilotohet sistemi elektronik i votimit dhe numërimit për mënyrën e funksionimit dhe sigurinë që ofrohet, për të nxitur kjo besimin dhe  pjesëmarrjen e tyre në proces./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

‘Minim i të ardhmes demokratike të vendit’, SHBA sanksionon një tjetër ish-kryeministër

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj miliarderit gjeorgjian Bidzina Ivanishvili, ish-kryeministër dhe udhëheqës de fakto i Gjeorgjisë, duke...

Këto janë tre shenjat e horoskopit që nuk i ecën fati në dashuri

Ne të gjithë njohim njerëz që nuk janë në gjendje të arrijnë një marrëdhënie të gjatë dhe të lumtur. Ndoshta ata kanë pritshmëri shumë të...

Radiografia e linçimit publik, si një diagnozë politike!

Nga Ylli Pata Po pse Fatos Lubonja thotë që bëhet fjalë për një ligj? Sepse narracioni i këtij enturazhi nuk ka as logjikë e as...

Uashington, ekspozohen 2500 objekte të rralla në muzeun e ndërtimit

“Shihni prapa meje. Në fakt duhet të bëjmë një listë të ideve që kanë njerëzit për atë që shohin. Duket si diçka nga filmat...

Mësuesja franceze falënderon Princeshën Kate për punën e saj me fëmijët

Princesha e Britanisë Kate iu bashkua Mbretit Karli III dhe Mbretëreshës Camilla në një shëtitje mbretërore pas shërbesës së kishës së Krishtlindjes, gjatë së...

Lajme të tjera

Web TV