Ikona e bukurisë, Brigitte Bardot, ka tërhequr vëmendjen e medias pas një deklarate që bëri për Covid, e cila nxiti kritika të njerëzve në rrjetet sociale. 86-vjeçarja e cilësoi virusin si, “Një gjë e mirë për planetin”. Ikona franceze, e cila ka kohë që është tërhequr duke bërë një jetë private për t’iu përkushtuar vetëm kafshëve dhe mjedisit, deklaroi hapur për “Paris Match” se si e percepton pandeminë:
“Unë lexoj shumë libra, gazeta, shikoj TV, flas me miqtë e mi, qëndroj e lidhur dhe shikoj që kjo botë po kthehet një cirk. Është e neveritshme mënyra se si ne e trajtojmë planetin tonë që ankohet, mbytet nën peshën e një demografie të pakontrollueshme nga e cila lindin të gjitha fatkeqësitë që na ndodhin: ngrohja globale, përmbytjet, zjarret…”.
Ish-aktorja, e cila ka qenë protagoniste e historive të mëdha të pasionit, ka shpjeguar disa herë se dashuria e saj e vetme tani janë kafshët dhe se është e lumtur sot nëse përpjekjet e saj të herëpashershme për t’i dhënë fund jetës nuk kanë qenë kurrë të suksesshme. Sepse nëse do të kishte vdekur, nuk do mundte të vazhdonte betejat për planetin.
“Kam frikë se koronavirusi dhe epidemitë e ardhshme që janë tashmë në horizont do të vendosin me dhimbje rekord vdekjesh. Kur pesë miliardë qenie njerëzore më shumë në Tokë të jenë zhdukur, natyra do të marrë përsëri hapësirën e saj”, shpjegoi ish-aktorja për të cilën virusi po vepron si një lloj vetë-rregullimi i një demografie “të cilën ne nuk jemi në gjendje ta kontrollojmë”, dhe i përcakton njerëzit si qenie që nuk kanë grabitqarë: “Vetëm forcat natyrore mund t’i detyrojë ata të arsyetojnë”.
Gjatë deklaratës së saj të sinqertë, Brigitte tha se nuk mbrohet pasi nuk takon askënd: “Nuk do të më infektojnë dhitë”.