Kreu i KRIIK Albania/ Politika deri në 8 mars të filtrojë kandidatët

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Flet eksperti Premto Gogo, drejtues i KRIIK. Në një intervistë për gazetën “Fjala” juristi Gogo tregon se nevojitet transparencë në financimin e partive politike ne fushatën zgjedhore.

Nga Fernada Cenko

Partitë politike kanë afat deri në 8 mars të përzgjedhin deputetët që do të jenë në Kuvendin e Shqipërisë pas 25 prillit 2021. Deri në këtë datë, kryetarët e partive politike kanë kohë që të përzgjedhin njerëz me integritet të lartë në shoqëri. Kështu tha në një intervistë për gazetën “Fjala” Premto Gogo, drejtuesi i KRIIK. Në një analizë të detajua, Gogo tha se si oligarkët të cilët i mbijetojnë rotacionit politik, arrijnë të drejtojnë qeverisjen e vendit. Sipas tij, njësimi i partive me individualitetet drejtuese, e shoqëruar nga zbrazja ideologjike si dhe mungesa e një kuadri ligjor efikas për kontrollin financiar, i ka ekspozuar partitë politike gati tërësisht nën influencën apo edhe kapjen nga interesat privatë.

Kur na ndajnë shumë pak kohë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) organizoi Konferencën Kombëtare “Kostot e Demokracisë II; Paratë në politikë dhe Integriteti Zgjedhor”, kush ishte synimi i këtij aktiviteti?

Prej vitesh organizatat vendore të shoqërisë civile, e në veçanti KRIIK, sidomos që pas zgjedhjeve parlametare të vitit 2013, i kanë kushtuar rëndësi të veçantë financave të partive politike, fushatave zgjedhore, cilësisë së kandidatëvë dhe rëndësisisë së ofertës elektorale. Qasje kjo në koherencë edhe me vëmendjen dhe ndjeshmërinë e shprehur prej partnerëve strategjikë të vendit ndaj kësaj çështje, ku përmenden në veçanti SHBA, BE dhe KiE.

Duhet thënë se në vazhdën e monitorimit të proceseve zgjedhore, proceseve politike e institucionale të lidhura me të, KRIIK, në atë kohë edhe në kuadër të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë (KVV), ka adoptuar prej kohësh në aksionin e tij konceptin e vëzhgimit dhe vlerësimit të tërë integritetit të procesit zgjedhor, duke e parë ditën e zgjedhjeve dhe shpalljen e rezultatit, vetëm si një nga momentet e procesit zgjedhor, dhe jo si momenti ku fillon dhe mbaron gjykimi mbi tërë ecurinë e një procesit zgjedhor.

Në këtë qasje, në përpjekje të sigurimit të integritetit zgjedhor, u konstatua se sfida më madhore që duhej përballur e luftuar kishte të bënte me sjelljen politike e institucionale, në raporte të drejtëpërdrejta të konfliktit të interesit, krijimit të përfitimeve abuzive dhe të padrejta, duke cënuar së paku parimin e barazisë në zgjedhje, ishte i ashtuquajturi fenomen i “korrupsionit zgjedhor”.

Ky fenomen, përtej perceptimit të përciptë të krijuar si thjesht “shit-blerje e votës”, shkon në thelb në nivele më të larta duke filluar që prej hartimit të ligjit zgjedhor të njëanshëm, e deri në cilësinë dhe integritetin e ofertës elektorale të paraqitur, ku një vend kryesor zënë edhe kandidatët që do të mandatohen si përçues të vullnetit popullor.

Ekzistenca e fenomenit dhe nevoja për t’a adresuar atë është pranuar prej aktorëve më të lartë politikë e madje ka patur vullnete poltike të shprehura dhe angazhime konkrete të ndërmarra prej tyre. Sjellim në vëmendje Konferencën Kombëtare “Korrupsioni zgjedhor; Nevoja për një reformë elektorale të thelluar dhe gjithëpërfshirëse”, të organizuar nga KRIIK dhe KVV në janar 2016, ku angazhimet u morën nga përfaqësuesit më të lartë të partive kryesore politike në vend në atë kohë z. Rama, z. Basha dhe z. Meta. Angazhime që u pasuan në vijimësi dhe në tetor 2016, në nisje të punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, në tryezën e rrumbullakët “Kostot e Demokracisë I”, nëpërmjet së cilës u synua të nxitej më tej diskutimi publik mbi financat e partive politike e fushatave zgjedhore, si dhe ndikimi i fortë dhe i drejtëpërdrejtë i tyre mbi Integritetin e Proceseve Zgjedhore.

Ecuria e zhvillimeve politike dhe institucionale konkludoi në qershor 2020 me një Reformë Zgjedhore të cunguar, larg pritshmërive, po ku duhet thënë se u bënë disa ndryshime ligjore mbi financimin e partive dhe fushatave zgjedhore, si rezultat edhe i Marrëveshjes Politike të 5 Qershorit 2020. Këto amendime nuk iu nënshtruan një procesi të mirëfilltë konsultativ, dhe nuk përmbushin aspiratat për adresimin e duhur të problematikave serioze me të cilat përballet vendi në këtë stad zhvillimi. Megjithatë, mbetet për t’u vlerësuar në vazhdim se cili do të jetë ndikimi afatshkurtër i këtyre ndryshimeve, si dhe vullneti politik dhe institucional për të zbatuar kornizën aktuale ligjore në sprovën e Zgjedhjeve Parlamentare të 25 Prillit 2021.

KRIIK ka propozuar opinionin dhe rekomandimet e tij ndaj KQZ-së, në përgjigje të procesit konsultues të ndërmarrë prej kësaj të fundit,  duke kërkuar një qasje më proaktive dhe të fortë të KQZ-së, përtej kufizimeve të ngushta të leximit të dispozitave të Kodit Zgjedhor. Ndërkohë vetëm disa ditë më parë, KQZ-ja ka miratuar udhëzimin për caktimin e monitoruesve, dhe mbetet të shohim efektivitetin e qasjes dhe mekanzimit të parashikuar.

Është e rëndësishme të theksohet se përpos plotësimit të kuadrit ligjor, thelbësor dhe jetik mbetet sjellja dhe vullneti i forcave politike garuese, atyre kryesore dhe në veçanti i forcave politike të mazhorancës, në përmbushjen e duhur të kërkesave të ligjit. Për më tepër që në sistemin tonë të administrimit zgjedhor kanë rol të drejtëpërdrejtë në organzimin dhe administrimin e procesit.

Në një kontekst mjaft problematik, pas një përvoje tejet negative institucionale e politike, u gjykua me vend që, në kuadër të publikimit të gjetjeve të studimit “Kontroll, transparencë dhe reformim” të kryer nga KRIIK, me mbështetjen e Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA-së, mbi financimin e partive politike, të organizohej kjo Konferencë Kombëtare ku, ndër të tjera, të mund të nxitej edhe deklarimi i vullnetit politik dhe angazhimit të tij të mundshëm në raport me sjelljen dhe rolin e tij ndaj procesit zgjedhor të ardhshëm, parë kjo nën perspektivën e Marrëveshjes Politike të 5 Qershorit 2020.

Kështu që organizimi i Konferencës Kombëtare “Kostot e Demokracisë II; Paratë në politikë dhe Integriteti Zgjedhor”, rezultoi mirëfilli në ndjekje të angazhimeve të mëparshme prej aktorëve kryesorë politikë. Dhe në vigjilje të fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, synoi të sillte përsëri në vëmendje nevojën për perspektiva të reja në adresimin e mangësive dhe problematikave mbi transparencën dhe mbikqyrjen efektive të financave të partive dhe fushatave zgjedhore, si një përpjekje e mëtejshme dhe e vazhdueshme për t’i adresuar këto mangësi dhe problematika të pranuara gjerësisht menjëherë me mbledhjen e legjislaturë së re të Kuvendit të Shqipërisë në shtator 2021.

Konferenca solli në tryezën e diskutimit, përveç aktorëve më të rëndësishëm dhe kryesorë politikë e institucionalë, edhe përfaqësuesit më të rëndësishëm të trupit diplomatik në vend,  për t’iu dhënë rëndësinë e duhur çështjes së financave dhe integritetit të politikës, në linjë kjo me aspiratat demokratike të vendit dhe Marrëveshjes Politike të 5 qershorit 2020, dhe në qasje afatshkurtër lidhur me ofertat elektorale që aktorët politikë do t’i paraqesin qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e 25 prillit.

Ju jeni një ndër aktorët që në kritikat tuaja kryefjalë keni korrupsionin zgjedhor, transparencën dhe kontrollin e financave të politikës. Sa problematike paraqitet kjo situatë në të vërtetë dhe veçanërisht në raport me zgjedhjet e 25 prillit?

Do të më lejoni të zgjatem pak në paraqitjen e situatës dhe të konstektit real në të cilën shoqëria jonë ndodhet, ku ne si qytetarë apo edhe si aktorë të skenës publike, shpesh humbasim orientimin, nën peshën e rutinës së problematikave të përditshme që na seviren shpesh artificilisht prej “establishmentit aktual politik”.

Shoqëria shqiptare, prej rënies së regjimit komunist e deri më sot, ka ruajtur, thelluar dhe vazhdon të përqafojë fort aspiratat e të qenit pjesë e identitetit europian. Në këtë suazë europiane, shoqëria jonë ka pranuar demokracinë kushtetuese liberale si projektin tonë shtetformues, ku në përvojën e tre dekadave deri më sot është arritur përfshirja në Aleancën Euro-Atlantike apo progresi drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Sot për fat të keq, shpresa dhe besimi i thellë qytetar i dikushëm është zbehur shumë dhe ky projekt shtetformues si një demokraci liberale po përballet me kërcënime dhe një seri mos-suksesesh të vazhdueshme.

Sjellim në vëmendje vetëm dy prej problematikave të mëdha aksesin efektiv të qytetarit në vendimmarrje dhe kontrollin e interesave privatë në drejtimin e partive politike apo në strukturën e pushtetit politik, duke bërë që qytetari të rrezikojë të përfundojë thjesht si një spektator në proceset vendimmarrëse. Sjellim në vëmendje rolin e tij në proceset zgjedhore, lëvizjet protestuese, përfshirja në vendimmarje apo edhe në debatet politike etj.

Nga ana tjetër, struktura politike deri më sot ka kërkuar dhe ka nxitur një qytetar të pa formuar dhe të pa informuar, duke siguruar kështu dhe legjitimin e status quo-së së imponuar, madje një qasje e tillë duket se po vazhdon ende në unsion prej tërë aktorëve ekzistues politikë.

Një qytetar i pa formuar dhe i pa informuar mund të vendoset më lehtësisht nën imponimin e dinamikës politike dhe të bëhet subjekt i retorikave partiake. Kjo bën që në rezultante të së tërës, pushteti politik të mos paraqitet më si një përfaqësim demokratik, por si një korruptim i tij në kuptimin e tij më të gjerë.

Fenomeni i korruptimit në kuptimin më të gjerë, jo vetëm në sensin e keqpërdorimit të aseteve publike, por në një ecuri të qendrueshme të rëndimit gjithnjë e më shumë të saj, duket se ka përfshirë tashmë tërë frymëmarrjen shoqërore.

Korruptimi sistematik qendron prezent që prej organizimit të proceseve zgjedhore e deri në gati tërë proceset qeverisëse, sikundër thuhet në raporte serioze ndërkombëtare, duke rrezikuar e madje duke arritur të shndërrohet si pjesë e konstruktit shoqëror. Dhe si implikime të këtij fenomeni përmendim përmbysjen e sistemit të vlerave shoqërore, raportin me vlerat, apo përkushtimin ndaj publikes.

Në këtë mënyrë, aksesi në vendimmarrje dhe roli i partive politike prej të qenurit instrumenta të sferës publike mund të shndërrohen si makinacione të përfitimeve individuale, e në më të shumtën e rasteve edhe si pjesë e organizimeve apo aktiviteteve të jashtëligjshme.

Duhet thënë se në tërë këtë situatë dhe gjendje kritike, vlerësohet se ka munguar kontributi i nevojshëm prej shoqërisë civile. Bota akademike, organizatat joqeveritare, sindikatat, media, arti, përgjithësisht shfaqen të shumtë dhe të zëshëm përgjithësisht vetëm në skenarë të ofruar apo të volitshëm për partitizëm apo qëllime të tjera politike.

Për shkak të një politizimi të thellë të thuasje gjithë aspekteve të shoqërisë, këta aktorë të rëndësishëm për ndërtimin e një sistemi demokratik nuk kanë mundur të ofrojnë deri më sot një kundërpeshë të konsiderueshme ndaj strukturës së pushtetit politik. Madje, në më të shumtën e rasteve janë bërë pjesë e strukturës së pushtetit duke u bërë palë në agjendat partiake. Kështu që përpjekjet e aktorëve me integritet apo të pavarur, në vijimësi, përballen me izolimin nga sistemi apo me forma të tjera de-faktorizimi.

Pavarësisht se kuadri ligjor për funksionimin e institucioneve ka njohur progres në adresimin e informimit publik si në rastet e konfliktit të interesit, keqpërdorimit të aseteve publike apo edhe të parandalimit të korrupsionit,  nuk është arritur të sillet rritje cilësore dhe e ndjeshme në zbatimin e ligjit apo në luftën ndaj korrupsionit.

Perceptimi publik mbi korrupsionin dhe analizat mbi pasojat e korrupsionit vazhdojnë të jenë alarmante. Punësimi partiak, mungesa e profesionalizmit, mitmarrja, keqpërdorimi i fondeve vazhdojnë të jenë pjesë e instaluar në veprimtarinë e administratës publike.

Lufta ndaj korrupsionit është shoqëruar nga një seri mekanizmash ligjorë dhe procesesh reformuese, ku më madhori është Procesi i Reformës në Sistemin e Drejtësisë. Një proces i nisur me pritshmëri të larta që prej vitit 2016, por që ende nuk ka nisur me kapacitet të plotë funksionimin e tij. Ndërkohë, pavarësisht arritjeve të deritanishme, pritet gjerësisht prej qytetarëve që arrihet ndëshkimi i zyrtarëve të lartë politikë, të cilët në diskutimin e gjerë publik shihen si autorë apo promotorë të sistemit të grand-korrupsionit kapilar të instaluar.

Sistemi i grand-korrupsionit ka prekur tërë establishmentin apo përfaqësimin politik, duke përfshirë të gjithë sferat publike të ndërveprimit si median, sferën akademike, organizatat jofitimprurëse dhe kulturën. Kjo strukturë korruptive mbështetet në qarkullimin e interesave privatë financiarë, të ligjshëm ose jo.

Qendërzimi i këtyre interesave privatë, si faktorë që qendrojnë përtej rotacioneve politike, kanë bërë që gjithmonë e më shumë të flitet për oligarkë që drejtojnë qeverisjen e vendit, burimet dhe qëndrueshmëria financiare e të cilëve mbetet një çështje mjaft e diskutuar në opinionin publik. Madje, evidentohet se këto flukse interesash privatë shpesh akuzohen se arrijnë të drejtojnë e madje të deformojnë deri dialogun dhe opinionin publik.

Në tërë këtë ekspoze, po kaq problematike paraqitet gjendja e partive politike në vend. Në ecurinë e tyre, në vijueshmërinë e përvojës demokratike, pavarësisht luhatjeve, ato kanë shkuar një mbyllje gjithnjë e më të madhe. Kjo mbyllje ka konsistuar në zhbërje të demokracisë së brendshme, duke u njësuar tashmë si organizime të individualiteteve drejtuese.

Lexo edhe :  Njohja e pensioneve me Italinë, miratohet marrëveshja në Komisionin e Ligjeve në Kuvend

Më konkretisht, partitë politike kanë pamundësuar në statutet e tyre fraksionet, kanë eleminuar opozitarizmin e brendshëm dhe zhvillimin e individualiteteve partiake. Madje tashmë në sinkron me trendin global, ato kanë lënë pozicionimet e brishta ideologjike të formësuara disi pas rënies së regjimit komunist, duke marrë kështu natyrë thelbësisht elektorale.

Reforma zgjedhore dhe kushtetuese e vitit 2008-të, ishte një pikë thelbësore në stabilizimin e mbylljes së partive politike dhe në frenimin e aktorëve të rinj politikë jashtë establishmentit. Frenimi i pluri-partitizmit drejt një dualiteti partiak ka vazhduar përgjatë tërë dekadës së fundit. Kjo është shoqëruar me qendërzimin e pushtetit vendimmarrës tek partitë politike, për shkak të vertikalizimit dhe politizimit të tërë mekanizmit institucional. Frenimi i pluripartitizmit real i shoqëruar me njësimin e partive me individualitetin e Kryetarit, e ka shndërruar arenën politike në përplasjen e dy individualiteteve. Dhe në mungesën e një shtrati ideologjik, kjo shfaqje po rrezikon t’a deformojë dialogun politik dhe elektoral në avokaturë apo akuzim të ndërsjelltë drejt këtyre dy individualiteteve.

Prej vitit 2008, edhe kuadri ligjor për transparencën dhe kontrollin e veprimtarisë financiare të partive politike dhe subjekteve zgjedhore ka njohur progres. Ky kuadër ligjor ka parashikuar mekanizma institucionalë në sigurimin e transparencës dhe kontrollit.

Megjithatë këto mekanizma mbeten lehtësishëm të anashkalueshëm, sidomos në kontekstin e një ekonomie vendase që vuan nga informaliteti. Vulnerabiliteti ligjor thellohet edhe më shumë nën presionin e flukseve të interesave privatë, të ligjshëm apo të jashtëligjshëm. Natyrshëm në një shoqëri si kjo, interesat privatë kanë për objekt primar veprimtarinë financiare të përfaqësuesve apo të vetë partive politike, apo edhe të subjekteve të tjera zgjedhore.

Njësimi i partive me individualitetet drejtuese, e shoqëruar nga zbrazja ideologjike si dhe mungesa e një kuadri ligjor efikas për kontrollin financiar, i ka ekspozuar partitë politike gati tërësisht nën influencën apo edhe kapjen nga interesat privatë.

Në tërë këtë ekspoze, Raporti i Monitorimit të publikuar nga KRIIK në korrik 2020, mbi gjendjen institucionale dhe ligjore të vendit, evidenton së fundi qartazi se ligjzbatimi dhe sjellja institucionale është tashme më së shumti vullnet individual i tituallarit apo i forcës poltike të cilës ai i përket. Dhe në këtë vazhdë ajo që është evidentuar dhe faktuar nga ne dhe për të cilën po advokohet fort është përpjekja për t’a zhbërë këtë vatër të moszbatimit të ligjit dhe pandëshkueshmërisë që vjen prej tij. Dhe kjo vatër është ndërveprimi, sa herë jepet rasti, i partive politike me shtetin ligjor. Në gjykimin tonë, adresimi i këtij problemi serizosht, thelbësisht dhe në mënyrë të qëndrueshme është ai i cili do të shënojë daljen e vërtetë të vendit tonë nga vendet me demokraci të brishtë dhe ende në tranzicion.

Dhe në këtë kuadër adresimi i integritetit të ofertës elektorale të partive politike dhe veçanërisht i kandidatëve që ata promovojnë në pikëpamje të financave, aseteve dhe interesave që ndjekin, është fillimi i funksionimit të vërtetë dhe të konsoliduar të shtetit ligjor dhe të së drejtës.

Mesazhet e përcjella vinë në kohë apo jemi pak vonë, pasi dy muaj e gjysëm para zgjedhjeve jemi. A kanë kohë partitë politike të kalojnë në filtër kandidatët?

Sigurisht që ka kohë për të siguruar cilësi dhe integritet në kandidaturat që do t’iu ofrohen shqiptarëve, pavarësisht reagimeve të nxituara dhe aspak të maturuara, në gjykimin tonë, që janë publikuar deri më tani, përfshirë këtu edhe reagimin e Kryeministrit të vendit.

Përvoja e deritanishme 30 vjeçare në ndërtimin sistemit tonë demokratik është një shenjë alarmi ndaj çdo arsyetimi objektiv që mund të serviret edhe sot prej liderëve politikë, të cilët kërkojnë t’a konsiderojnë ende Shqipërinë si një shoqëri në tranzicion dhe që kërkon ende kohë për të dalë nga kjo gjendje, pasi, sipas disave prej tyre, ky është niveli kulturor i shqiptarëve.

Është e vërtetë se vërehen ende probleme serioze lidhur me konceptet themelore si liria e shprehjes, i menduari kritik apo nevoja për pluralizëm të ideve. Madje mund të thuhet se herë pas here në raport me këto koncepte vërehet gjendje stanjacioni, ecejake para-mbrapa apo edhe hapa regresive, të cilat duhet thënë se në diskutimin publik gjithnjë e më shumë ushqehen nga një kulturë jo dialoguese që nxit seperatizëm shoqëror, por që fatkeqësisht manifestohet më së shumti prej partive politike dhe eksponentëve të saj.

Nga ana tjetër , moszbatimi i ligjit i ushqyer de fakto prej partive politike, është një fenomen që passjell një efekt zinxhir duke kontribuar në përsëritjen e tij dhe në rëndimin akoma edhe më shumë të gjendjes. Secili akt i pandëshkuar i mosbatimit të ligjit ushqen humbjen e besimit të qytetarit tek ligji dhe institucionet.

Në këtë vakum, korrupsioni gjen mundësi shfaqjeje dominante në marrëdhëniet e qytetarit me institucionet. Në vazhdim, në një shoqëri ku institucionet dhe qytetari qendrojnë distant, mund të rrezikohet e të shkohet drejt një skenari akoma më të agravuar.

Institucionet mund të ndjekin platforma progresi të presupozuara, por që nuk afektojnë cilësinë e jetës të qytetarëve.

Qendrueshmëria e një gjendje të tillë tenton t’i nxisë qytetarët që të vazhdojnë të ushqejnë besime tek ideologji anti-institucionale, si dhe të shkojnë drejt ndërtimit të qasjeve shoqërore oligarkike apo autokratike.

Kërcënimi nga format e kapjes së pushtetit është tanimë një koncept gati i gjithëpranuar në diskutimin publik si në partitë politike, media apo në çdo ndërveprim tjetër shoqëror. Diferenca në këtë pranim nga aktorët vendas, është se gjithmonë kërcënimi i kapjes iu përket aktorëve të tjerë. Ky lloj instrumentalizimi i këtij fenomeni për retorikë publike, vazhdon të pamundësojë një qendrim të shëndetshëm në përballjen e problematikës, dhe ku rolin kryesor në nisje dhe në përfundim të çdo qasje e kanë partitë poltike dhe lidershipi i tyre.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton demokracinë përfaqësuese dhe atë të drejtëpërdrejtë si dy instrumenta të njëvlefshëm në vendimmarrjen qytetare.  Kjo e fundit, pra demokracia direkte, është aktualisht e pamundur objektivisht të ushtrohet.

Ndërkohë që lidhur me përfaqësimin nëpërmjet deputetëve, nisur edhe nga konteksti i sjellë më lart si dhe nga përvoja aspak pozitive e mëparshme, mbetet një përgjegjësi direkte e lidershipeve të partive politike, dhe veçanërisht e liderëve të tyre për të siguruar kandidatë që manifestojnë integritet moral, profesional, financiar dhe në pikëpamje të interesave që përfaqësojnë apo ushqejnë, duke provuar dhe bërë më dije pastërtinë e figurës së tyre dhe të kapaciteteve që ata mbartin në mundësinë për të përfaqësuar denjësisht interesat e qytetarëve të zonave në të cilat ata do të kandidojnë dhe kërkojnë votëbesimin.

Këto kritere nuk janë aspak kundër ligjit, por është një shprehje e plotë e tij dhe e detyrimeve kushtetuese në raport më përfaqësimin e vullnetit të sovranit.

Koha deri më 8 mars kur është edhe afati për paraqitjen e listave të kandidatëve është mëse e mjaftrueshme për të adresuar këtë domosddoshmëri, e cila duhet theksuar se nuk është thjesht një kërkesë e ndërkombëtarëve, por është një kërkesë e natyrshme që rrjedh nga angazhimet publike të marra në vazhdimësi prej vetë aktorëve kryesorë politikë dhe, nga ana tjetër, kërkesë e hershme e aktorëve dhe grupimeve qytetare vendase që prej shumë kohësh më parë.

Ajo që duhet dhe mundet që partitë politike të sigurojnë lehtësisht për kandidatët e tyre, është bërja e transparencës së plotë mbi figurën e tyre, përvojën, pasurinë, asetet dhe detyrimet e tyre e familjarëve të tyre ndaj të tretëve, interesat në raport me të tretë, etj, të cilat në rast të fitores së tyre do të bëhen publike gjithësesi vetëm 9 muaj më pas, si një detyrim ligjor tashmë i Deputetit të Kuvendit të Shqipërisë.

Ky publikim i këtyre të dhënave, si dhe i platformave ideore e programore, të tyret dhe të partive politike që ata përfaqësojnë, nuk është as më pak dhe as më shumë se sa një detyrim minimal për të informuar, siguruar dhe respektuar qytetarët të cilëve iu kërkohet vota.

A ka interes politika që të fusë njerëz të lidhur me krimin për të maksimalizuar vota? Sepse edhe nëse largohen mandatin e merr po ajo parti, pra është një karrike që zëvëndësohet brenda të njëjtës parti? A e shmangim dot dhe si, që paratë e krimit mos përdorën në zgjedhje?

Përdorimi i parave të krimit, individëve të lidhur me të apo edhe vetë eksponentëve të tij, është një sfidë e vërtetë për vendin tonë. Duhet thënë që sfida të tilla janë të vështira edhe për vende me demokraci të konsolidur, me një shtet ligjor funksional dhe instrumenta të sprovuar dhe efikasë.

Në tërë kontekstin problematik të vendit tonë, të mosfunksionimit të institucioneve, ligjit, besimit të ulët qytetar dhe në përvojën e krijuar deri më sot, pavarësisht instrumentit të ligjit të ashtuquajtuar të dekriminalizimit, futja në garën zgjedhore e vetë eksponentëve të krimit, të afërmve apo familjarëve të tyre, si dhe e burimeve financiare të ofruara prej tyre, mbetet një rrezik eminent dhe serioz, i cili nuk mund të luftohet veç me angazhimin solemn të krererëve të partive për mospërdorimin e këtyre mjeteve të paligjshme, dhe me të cilën u mjaftua politika shqiptare për adresimin e kësaj problematike madhore për të ardhmen demokratike të vendit.

Pavarësisht përmirësimeve të bëra në ligjin zgjedhor, apo edhe përpjekjeve të mëtejshme në zbatim të këtyre amendimeve që mund të bëjë KQZ-ja, sërish tërë procesi mbetet vulnerabël ndaj përdorimit të këtyre burimeve të paligjshme që mund të vijnë nga krimi, apo edhe si rezultat i korrupsionit shtetëror të zhvilluar.

Raportet e fundit ndërkombëtare kanë vënë theksin qartë mbi evidentimin dhe rrezikun madhor që mbart bazueshmëria e ofertave politike në këto burime të paligjshme.

Një fakt i tillë, i faktuar ose jo ligjërisht, i arritur të përceptohet ose jo publikisht, nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të vendosë katërvjeçarin e ardhshëm nën hyqmin e këtyre interesave, të cilat në çdo rast nuk mund të jenë kurrë në të mirën e së ardhmes së shëndetshme e demokratike të vendit dhe të qytetarëve të tij.

Në praktikën e rotacioneve politike në vend, vlen të sillet në vëmendje se qeverisja tetëvjeçare e mazhoranës socialiste nga njëra anë, dhe kërkesa e natyrshme për të ardhur në pushtet e forcave opozitare, e cila është deklaruar për nevojën e një fronti të gjerë mbështetësish, risjell momentet tranzicionale të zgjedhjeve të 2013-ës, në të cilën palëve do t’iu duhet të komunikojnë dhe vendosin ura të ndërsjellta interesash me këdo prej aktorëve të shoqërisë me influencë, përfshirë këtu edhe aktorë që në bazë të tyre, mund të kenë direkt apo indirekt veprimtari të paligjshme.

Mungesa e platformave politike e programore, të qarta e të detajuara, të publikuara në kohë, dhe nga ana tjetër vetëm fushata derë më derë, apo në grupime të ngushta, favorizojnë një qasje që shkon më shumë drejt platformave të ndërtuara në interesa të ngushta e të ndërsjelljta, se sa një qasje që shkon në drejtim të platformave të plota programore e vizionare me efekt tërë shtresat e popullsisë.

Fushata hije, fushata nga të tretë apo mbulimi i zërave të shpenzimeve të cilat nuk deklarohen, madje as nuk përmenden, është një nga format e përdorimit të financimeve të paligjshme që bëjnë të mundur realizimin e fushatës në terren, e cila duhet thënë që ka kohë që ka filluar.

Gjithë sa më sipër është e pamundur të evidentohet nga mekanzimat aktualë ligjorë në kompetencë të KQZ-së, ndërkohë që nga ana tjetër edhe institucionet e tjerë që mund të ndërveprojnë dhe japin një kontribut në këtë drejtim,  janë totalisht dhe qëllimisht të lënë jashtë.

Ndaj mbetet thelbësor në këtë situatë vullneti politik dhe sjellja e duhur prej partive politike, liderëve të tyre dhe kandidatëve, duke dhënë mesazhe të drejtëpërdrejta e të forta ndaj qytetarëve shqiptarë, të cilat nevojitet të nisin minimalisht me refuzimin apo shmangien e kontakteve, qofshin këto edhe rastërore, me individë apo subjekte mbi të cilat janë ngritur dyshime se mbartin ndërveprim apo sjellje paligjshmërie, qoftë në mënyrë të drejtëpërdrejtë, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë.

Liderët politikë dhe tërë klasa politike nevojitet të reflektojë thellë e të tregojë maturi duke e konsideruar thelbësore sjelljen e duhur politike të saj, jo thjesht në raport me rezultatin e këtyre zgjedhjeve, por në raport me përmbajtjen thelbësore të reformave dhe projektit shtetformues në dekadën e ardhshme, nisur edhe nga aspiratat e pranuara në marrëveshjen politike të 5 qershorit 2020.

Të fundit

‘Euronews Travel’: Lugina e Thethit, vendi i përsosur për t’u çlodhur

Destinacionet në të gjithë Evropën po luftojnë kundër turizmit masiv. Nuk është për t’u habitur që shumë vizitorë po...

Çfarë po ndodh?/ NATO nis manovrën më të madhe ushtarake që nga Lufta e Dytë Botërore

Një manovër e madhe e NATO-s që përfshin trupat ajrore nisi të hënën fazën e saj kryesore në Rumani me parashutistët të zbritur në...

“A bën Ramushi punë shtëpie?” Ja si përgjigjet Anita Haradinaj

Ramush Haradinaj është një figurë e dashur për shumë shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri. Daljet e tij mediatike janë më së shumti në lidhje...

Sot protesta e opozitës, policia zbulon cilat janë rrugët që do bllokohen në kryeqytet

Opozita mban sot protestën e saj të radhës para Bashkisë së Tiranës. Policia e Shtetit me anë të një lajmërimi ka dhënë detaje për...

Hidhet në qarkullim monedha metalike shqiptare, 10 Lekë, emetim i vitit 2023

Banka e Shqipërisë njofton publikun se duke filluar nga data 28 maj 2024 do të hidhen në qarkullim, monedhat metalike shqiptare me vlerë nominale...

Lajme të tjera

Web TV