Është ndarë nga jeta në moshën 57-vjeçare kryetari i Këshillit Bashkiak të Kavajës, Ramazan Cara.
Mësohet se Cara ishte i shtruar prej disa ditësh në një spital Covid në Tiranë, por pavarësisht kujdesit dhe përpjekjeve të mjekëve nuk ka mundur dot që të mposhtë Covid, duke lënë pas dhimbje te familjarët, por edhe qytetarët e Kavajës, të cilët e përshkruajnë si një mik të mirë, dhe intelektual aktiv.
Lajmin për ndarjen nga jeta të Carën e ka bërë të ditur kryebashkiaku Redjan Krali. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Krali ka shprehur dhimbjen për humbjen e mikut të tij, siç e quan ai.
“Shumë u lutëm për ty o mik i mirë, por kjo flamë të mundi!
Tepër e hidhur është ikja jote sot, për secilin nga ne që pati fatin të të njihte.
Të të njihte zemrën e butë, urtësinë e mendimit, besnikërinë e një miku të rrallë.
Nuk ka ngushëllim kjo humbje për familjen tënde; Zoti i dhëntë durim dhe forcë!
Të qoftë dheu i lehtë Ramazan Cara!”, shkruan kryebashkiaku.
Përpara se të zgjidhej në postin e Kryetarit të Këshillit Bashkiak, Cara ka shërbyer për disa mandate edhe si anëtar, nga radhët e Partisë Socialiste, ndërsa ka qenë një emër i njohur për komunitetin lokal.