Lefter Çipa në eterin e përjetshëm

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Artistët po ikin njëri pas tjetrit. Pa radhë, pa konfuzion, pa ditirambe. Në një qetësi të plotë e thuajse të frikshme…

Teksa marrin rrugën për në banesën e fundit, shoqërohen nga një kortezh miniaturist, në distancë, pa shtrëngime duarsh e përqafime për të shprehur dhimbjen. Por vetëm me lotë të vetmuar. Zija është një luks tanimë. Po braktiset. Nuk mund të mbahet.

Kemi fituar kulturë pandemie. Për mort nuk dërgojmë telegrame ngushëllimi por hedhim statuse në rrjetet sociale dhe ato asociale.

Lefter Çipa iku.

Ishte artist, poet e studiues si ai. Ndoshta i fundit e pa pasardhës.

Nuk është e thënë se për të duhet të luante një marrsh banda e shtetit. Dhe pse gabim nuk do ishte gjithsesi. As arkëmorti nuk kish sens të vendosej mbi një shtrat topi. Sepse në fund të fundit ai ishte një poet. Sepse një poeti me shpirt të ndjerë, mjetet luftarake e ndonjë batare armësh të shkrepura drejt qiellit, do t’ia trembnin brishtësinë e gjumit të sapozënë. Dhe pse në fakt ai vinte një vend i ashpër e luftarak siç është Piluri i Himarës dhe Vlorës marrë së bashku.

Aleksandër Çipa, mik dhe koleg gazetar, por dhe djali i Lefterit të Madh, bënte të njohur faktin e hidhur vetëm me një fjalë “Lamtumirë”. Dhe më poshtë postuar një foto e babait me kostum të bardhë, si ne kohën e djalërisë së hershme. Ky ishte lajmësi.

Pas tij, rrjeti, – ai sociali dhe asociali në mund ta quajmë kështu, – do të mbushej me statuse të njëra pas tjetrës.

“Poeti na la…”

Poeti kishte ikur vërtet. Poeti i polifonisë. Nuk kish dyshime. As lajm i fabrikuar nuk mund të ishte. Ikja e tij ishte po aq e zhurmshme sa ishte dhe e heshtur njëkohësisht. Ndërsa lajmet poshtë e lartë nëpër portalesh gjithfarësh, bënin të ditur se prej gati një viti poeti përpëlitej me sëmundjen e tij në një luftë të ethshme për mbijetesë.

Por nuk ia doli dot këtë herë.

Aleat me duhanin që nuk e ndante nga dora, kundër vetes, në një aleancë tjetër me optimizmin për ti mundur dy të parët. Por fati njerëzor dihet. Herët a vonë duhet ta lesh këtë botë. Nuk e thonë librat e shenjtë. E thotë vetë jeta, cikli i saj. Vërtet, Lefteri nuk ishte aq i madh në moshë sa të thuash se e kishte ngrënë livadhin e vet e nuk kishte çfarë të bënte më mbi dhe. Ishte 79-vjeç. La pas një thesar të vërtetë; 18 libra me poezi. Por është gjithashtu dhe autor i rreth 1250 këngëve. Kaq thuhet në jetëshkrimin e tij zyrtar. Po kush ia numëroi… Sepse me gjasa mund të jenë edhe dhe ca më tepër. E padyshim, mund të bënte më shumë se kaq. Sepse Lefter Çipa ishte i lindur për të thurur vargje. Atij vargu i buronte. Nuk kish nevojë ta thërriste, as ta kërkonte. Poezia ish me të, gjatë gjitha kohës.

Me të drejtë i madhi Dritëro Agolli, për poezinë e Lefter Çipës do të shprehej “Ai nuk merr fryme, po frymon poezi”.

Lefter Çipa konsiderohet si “princi i sotëm” i polifonisë shqiptare. Dhe të ulesh në fronin e princit nuk është e lehtë. Sepse nuk ka një mbret që të ta dhurojë fronin për shkak të lidhjes së gjakut apo të ADN-së së përbashkët. Për të qenë një “princ poetik”, e për më tepër i një gjeje fort të rrallë siç është polifonia, të duhet shumë talent, shumë muze dhe shumë punë gjithashtu. Lefteri i kishte të tria. Dhe jo më kot vlerësohej si autori më kreativ i polifonisë gjatë 40 viteve të fundit.

Lexo edhe :  Berisha-Meta sulmojnë Veliajn, pafuqi përballë Ramës e zhurmim ndaj SPAK!

Madje vlerësohej si një prej studiuesve dhe hulumtuesve më këmbëngulës të poezisë orale popullore në trevat jugore të vendit.

Ai ka qenë pjesëmarrës me krijimet e veta në gjashtë Festivale Folklorike Kombëtare të zhvilluara në Gjirokastër, Berat dhe Lezhë duke qene i laureuar në çdo njërin prej tyre.

Por sot nuk është më në botën e frymorëve. Dhe ndoshta kjo nuk ka pikë rëndësie. Sepse ai dashur a pa dashur, e ka çuar emrin në përjetësi. Në eter, polifonia dhe vargjet e tij lëvizin shtruar e janë të gjalla në çdo kohë. Do të humbin vetëm nëse atmosfera do të shpërbëhet e Toka të kthehet në një planet të ngurtë e pa jetë. Por me gjasa kjo kërkon edhe disa miliona vjet të tjerë. Prandaj dhe quhet: përjetësi.

Ikja e Lefterit i ka shqetësuar miqtë e tij, artistë e politikanë qofshin ata.

“Poeti i vargut elegant, i poezisë me dritë rapsodi famëmadh që rilindi këngën e Bregut”, – do të thoshte për të shkrimtari Sadik Bejko.

“Miku, poeti dhe njeriu që s’kishte frikë nga vdekja”,-  do të shprehej muzikologu akademik Vasil Tole.

“Krijuesi brilant i Bregut, me frymëzim thellësisht kombëtar”, – do të shkruante presidenti Meta.

Ndërsa vlerësimi i kryeministrit Rama ishte: “Zëri gurgullues i bregut shqiptar”

Vetëm pak muaj më parë Lefter Çipës i ishte akorduar titullin “Nderi i Kombit”. Ndërkohë ai ishte mbajtës i urdhrit “Naim Frashëri” në të tre klaset e tij. Ndërsa para pak ditësh u botua vepra e fundit përsa ishte gjallë “Njerëz me dritë”.

Dhe si shumë poetë të tjerë edhe Lefter Çipa e paralajmëron ikjen e tij në një prej poezive, në atë me titull: “Shpirti në venitje”, ku shkruan:

Si kalojnë vitet, si gjumi në varre,

Fuqia më pritet, gjaku s’më ka zjarre.

Shpirti më venitet, se s’pret më behare,

Nëpër mall zvarritem, shpresa s’duket fare.

Apo si në vargjet e tjera të poezisë “Shpirti im në amanet”

Ikën zogjtë, ika unë,

Lamtumirë o miq dhe shokë!

Do shkoj atje ku kam punë,

Do shkoj në një tjetër botë

Lefter Çipa iku… Por në fakt ai vazhdon të jetë midis nesh.

Krijimtaria

Mes poezisë dhe isopolifonisë

Lefter Çipa është autor i një numri shumë të madh të këngëve popullore dhe polifonisë labe.

Ishte konsideruar si një vlerë Kombëtare pasi pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij ja përkushtoj “Polifonisë Labe”, e cila është një vlerë e popullit shqiptar dhe gjithashtu është edhe në listën e UNESCO.

Këngët e njohura si “Bejkë e bardhë”, “Nga kjo baltë e kësaj toke”, “Naim Shqipëria”, “Kënga e manushaqes”, “Shqipëri pse të qan syri”, “Këngë kurbeti”, “O shokë vdekça nga kënga”, “Lundroj në lundrën e këngës”, “Zoga kaçake në male”, “Zonjë e bukurisë”, “Vijnë djemtë nëpër vapë” dhe shumë e shumë të tjera janë pjesë e krijimtarisë se tij.

Por Lefter Çipa është gjithashtu dhe autor i 18 librave të botuar me poezi si: “Bejkë e bardhë”, “Bilbilat e vendit tim”, “Shqipëri moj ballëhapur”, ” Këngët e Ruzanës”, “Dheun tim përsipër mbaj”, “Për Kosovën prapë do të ngrihem”, “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akroqeranit”,”Princi i Dashurise”, etj.

Të fundit

Real Madrid nuk dorëzohet kurrë, Los Blancos përmbysin Bayernin dhe shkojnë në finale

Real Madrid-Borussia Dortmund. Kjo do të jetë finalja e këtij edicioni në Champions League. Në mitikun Wembley, 1 qershor. “Los...

Presidentin e PSG nuk e mbajnë nervat, shpërthen në ofendime ndaj gazetarit (Video)

Nasser Al-Khelaifi, Presidenti i PSG, deklaroi pas eliminimit të ekipit të tij nga Borussia Dortmund në gjysmëfinalet e Champions League se fati ju mohoi...

Aktorja e njohur zyrtarizon lidhjen me ish-banorin e BBV (Foto)

Aktorja e njohur, Ana Lika prej disa kohësh është përfolur për një lidhje me ish-banorin e Big Brother Vip, Bjordi Mezini. Pavarësisht spekulimeve të shumta,...

Nisma e Ramës/ Avokati zbulon çfarë do sjellë: Do të na bëjë anëtar të BE-së

Avokat Idajet Beqiri zbuloi se çfarë funksioni do të ketë rezoluta e propozuar nga Rama duke shtrirë edhe dorën ndaj opozitës për të çuar...

Moti i keq godet juglindjen, breshëri shkakton dëme në pemëtari

Moti i keq ka përfshirë juglindjen në orët e pasdites. Reshje të dendura breshëri kanë goditur njësinë administrative të Leskovikut. Goditjet nga breshëri i fortë kanë...

Lajme të tjera

Web TV