Komiteti Teknik i Ekspertëve vendos që maturantët të rikthehen në mësim në shkollat e tyre. Vendimi është marrë sot në mbledhjen e grupit të ekspertëve për frenimin e përhapjes së Covid-19.
Pas pak minutash, Komiteti do të dalë vetë në deklaratë për të konfirmuar ndryshimin e masës për maturantët, duke qenë se ata pas pak muajsh do të japin provimet përmbyllëse të gjimnazit.
Ndërkohë, masat e tjera kufizuese, siç janë ora policore 20.00-06.00, mbyllja e gjimnazeve në Bashkitë “e kuqe”, shërbimi online për disa kategori biznesesh, do të mbeten në fuqi të pandryshuara.
Kujtojmë se gjatë ditëve të fundit vendi ynë ka shënuar numër të ulët të rasteve ditore me Covid-19, mesatarisht 400-500 raste, por vlen për tu theksuar se edhe numri i testimeve është ulur.