Leonard Karaj: Basha të marrë teserën e PS-së, nëse bën pakt me Ramën

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Duket se për mazhorancën është thjesht çështje kohe shkarkimi i Presidentit të Republikës. Nga ana tjetër, Kryeministri Rama ka ftuar PD-në, të ulen në bisedime mbi dakordësinë për emrin e një Presidenti të ri. Është ky hap i parë i “bashkëqeverisjes” apo Rama po ofron karrigen e një institucioni, i cili në sistemin aktual nuk ka kompetencë dhe vlerë vendimmarrëse?

Shkarkimi i presidentit është vetëm një tekë e vijueshme e mazhorancës për të çuar deri në fund një inat që ka me kreun e shtetit. Një “mendje e sëmurë” si e Edi Ramës nuk do të pranonte kurrë që ti dilte kundër pikërisht Ai (kupto presidentin), ndaj komisioni gjoja hetimor dhe më pas votimi në parlament, duket se do të jetë totalisht formalë, pasi për mazhorancën, Meta që tani është i shkarkuar. Por, problemi qëndron në faktin se a do jetë Gjykata Kushtetuese në një mendje me Ramën. Dhe në këtë pikë unë gjykoj se jo. Ilir Meta si president ka mbajtur qëndrime politike tejet agresive për një pozicionin që ka si kreu i shtetit, por nëse merr për analogji kushtet në të cilat është gjendur gjatë kësaj periudhe Shqipëria (me një mazhorancë arrogante deri në marrëzi, pa sistem gjyqësor, me zhbalancim total të pushteteve), vetëm një politikan si Meta do të mund ti bënte ballë euforisë diktatoriale të Edi Ramës. Nga ana tjetër, propozimi i Kryeministrit ndaj PD-së për presidentin e ri është më e pakta hipokrizi. Është një fyerje e rëndë e demokracisë në vend. Është qasja tipike e një hajduti ordiner, që pasi të vjedh shtëpinë, kërkon të bëjë paqe me ty, duke të “të falur” pajën e komshiut (edhe atë të vjedhur po nga i njëjti hajdut). Do të ishte çmenduri politike më e pakta dhe vetëvrasje morale për çdo demokrat, nëse Lulzim Basha bie në këtë qorrsokak dhe të pranonte një pakt të tillë. Në fund të ditës, për çfarë i duhet PD-së presidenti(!?) Thjesht për të pasur një vend pune për dikë dhe për disa nënpunës(?!) Nëse do ishte kështu, atëherë PD-ja, më mirë të shkrihet dhe të bëhet shtojcë e “Rilindjes”, ndërsa Basha të marrë teserën e PS-së. Po, pasi kur përballë ke një mazhorancë tejet të korruptuar, si kurrë ndonjëherë në këto 30 vite demokraci, e bërë njësh me krimin e organizuar, afërmendsh që Shqipërisë i duhet veçse një opozitë e qartë, e sinqertë, tejet agresive dhe asesi një forcë politike që bën pazare (qoftë edhe për një vend pune ordiner dhe jo më për pozicionin e presidentit), me atë që i vodhi “ditën për diell”. Madje, në gjykimin tim, Lulzim Basha akoma nuk është artikuluar në mënyrën më të qartë të mundshme, çka do duhej ta kishte bërë, pa lënë asnjë ekuivok, mbi ftesën tinëzare dhe diversive të Edi Ramës. Të bësh ose të pranosh një pakt me Kryeministrin, për çfarëdolloj iniciative (politiko-morale, apo edhe me konotacion gjoja europianist), sot është njëlloj si të kesh tradhtuar hapur çdo votues të PD-së, që më 25 prill besoi tek lidershipi i Lulzim Bashës. Është njëlloj sikur të kesh legjitimuar vjedhjen. Është njëlloj sikur të kesh shkelur mbi çdo parim njerëzor, kryesisht dhe veçanërisht të atyre që të kanë votuar. Është njëlloj sikur si “ti varësh ujkut mëlçitë në qafë”. Dhe ujku në fjalë, është gjithnjë i uritur, madje i pangopur, sidomos kur bënte fjalë për pushtet. Në fund të ditës, mazhoranca i ka të ka numrat për ta zgjedhur vetë presidentin, përse iu dashka që të bëhet kaq “zemërgjerë” me opozitën(!?) Duket qartë se kemi të bëjmë me një lojë të fëlliqur politike, ku sigurisht Lulzim Basha, nëse nuk ka ndërmend që të dalë shumë shpejt në pension, ta refuzojë kategorikisht, madje pa u menduar fare. Çdo pakt, sado i vogël, apo vulgar në dukje, me Ramën, thjesht do të legjitimonte këtë të fundit. Në këtë rast, atëherë Lulzim Basha do duhet të pranojë pa asnjë rezervë “humbjen me nder” më 25 prill, duke mos bërë as kontestimin më të vogël.

Opozita deri më tani, konkretisht PD nuk ka dal në mbrojtje të hapur të Metës, a është kjo një shenjë që Basha po shkëputet përfundimisht nga hija e rendë Berisha-Meta, apo nuk do që të përfshihet në çështjen “President i ardhshëm” për ta lënë mazhorancën si imazh që ka kapur gjithë institucionet?

Tek PD-ja në veçanti dhe te opozita në përgjithësi, nuk ka një çështje të tipit “të shpëtojmë presidentin” apo “të shkëputemi nga Berisha dhe Meta”. Ide të tilla prodhohen për konsum ditor politiko-mediatik vetëm nga mendje të sëmura, në shërbim të verbër ndaj Edi Ramës dhe “Rilindjes” së tij. Nuk ka asnjë arsye që PD të dalë në konferencë për shtyp për tu prononcuar mbi iniciativën qorre të mazhorancës për shkarkimin e Metës, kur një gjë të tillë nuk e ka bërë ende as LSI, parti nga e cila ka dalë pikërisht presidenti. Natyrisht gjithë kjo vjen edhe për faktin se opozita kërkon që ti faturojë qartazi kësaj mazhorance edhe “dëmin” e fundit që do mund ti bëjë këtij vendi, pas korrupsionit galopant; mbylljes të dyerve të Europës për vite me radhë; reformës kokëposhtë në sistemin e drejtësisë që la vendin thuajse pa gjykata; pas zhvillimit të votimeve njëpartiake të 2019-ës; pas ndryshimeve kushtetuese në kodin zgjedhor në mënyrë të njëanshme dhe uzurpimit total të çdo pushteti. Në këtë kuptim, shpresohet fort që edhe “ndërkombëtarët e verbuar” të mund të qartësojnë sadopak shikimin e tyre, jo thjesht në interes të vendeve që përfaqësojnë dhe stabilitetit fiktiv të Shqipërisë (stabilitet kemi pasur edhe në kohën e Enver Hoxhës, madje stabilitet të frikshëm), por edhe në drejtim të të mirës dhe demokracisë shqiptare, e cila nuk mund të vijë asesi nga një neo-diktator i tipit Putin dhe Erdogan. Basha ka nisur turin në Shqipëri me denoncime për parregullsi në procesin zgjedhor. A është kjo fushatë për zgjedhjet e ardhshme lokale apo vërtetë Basha mendon se do ketë një gjysmë fitore në tavolinë me shpresën se në disa qarqe mund të ketë përmbysje të zgjedhjeve dhe betejë individuale për të ruajtur postin e kryetarit të PD? Turi i Bashës është më shumë si një lloj fushate brenda partisë, qoftë për të justifikuar disi vetveten për humbjen e zgjedhjeve, qoftë edhe për të kërkuar llogari kryetarëve të degëve për rezultatet zhgënjyese. Ndërsa sa i përket zgjedhjeve, përpara sesa të shkojmë tek ato lokale, do duhet që PD-ja të tregojë me fakte përpara gjithë shqiptarëve maskaradën e 25 prillit. Po, është e vërtetë se asnjë komisioner i opozitës nuk pati pretendime për parregullsi të mëdha në zgjedhje, apo nuk firmosi ndonjë ankesë, gjatë dhe pas procesit zgjedhor. Por vetëm një mendje e sëmurë, një rilindas i verbër nuk do ta pranonte që këto zgjedhje nuk u vodhën apo nuk u blenë (merreni si të doni). Presioni ndaj administratës dhe jo vetëm; oferta mizore me “tasin e varfërisë” tek zyra e ndihmës ekonomike; biznesmenë sharlatanë, cuba dhe kriminelë, që shkuan shtëpi më shtëpi (kryesisht te njerëz që votonin opozitën), duke u blerë dinjitetin njerëzor, madje edhe duke i kërcënuar; hapja e mijëra vendeve pune të përkohshme (kontrata 3 mujore) në fillim të këtij viti, me fryrje të administratës vendore, duke qenë se kishin thuajse të gjitha bashkitë, etj, etj, etj, bënë që “Rilindja” e Ramës me plot qesëndi, por sigurisht pa pikë morali dhe me damkën e manipulimit të zgjedhjeve, të merrte mandatin e tretë. Dhe ndryshe nga të gjitha herët e tjera, kjo gjë ndodhi përpara sesa të shkohej tek kutia e votimit, ndaj edhe faktimi i vjedhjes është edhe më i vështirë për tu paraqitur nga lidershipi i PD-së përpara organeve ligjzbatuese dhe votuesve të vet. Përndryshe, në një Shqipëri normale, ku çdo votues do të shkonte totalisht i qetë tek kutia e votimit, unë jam i bindur se Rama nuk do mund të merrte as 30% të votave.

Lexo edhe :  Sali Kulla si Ebu Qerimi

Si Rama dhe Basha po planifikojnë “beteja” brenda partive respektive ku mund të priten edhe spastrime, përse kjo nismë e tyre dhe nga kush rrezikohen dy liderët, njëri triumfues për tre herë radhazi, po tjetri humbës me rritje të ndjeshme në elektorat?

Rama ka pasur gjithnjë një strategji: përça, sundo dhe fito duke bërë presion e kërcënime. Pikërisht për këtë arsye Shqipëria është përkeqësuar në raportin e OSBE-ODHIR, përsa u përket zgjedhjeve dhe jo vetëm. Edhe vetë PS-ja, një parti e cila nuk ka vuajtur asnjëherë për kontingjent intelektual, prej kohësh është kthyer në një forcë politike, ku bëhet gjithçka sipas humorit të kryetarit. Është totalisht e ndalur të mendosh ndryshe, pasi në të kundërt del jashtë loje ashtu sikundër u ka ndodhur shumë figurave në të shkuarën e afërt (Malaj, Islami, Dogjani, Harasani, Bello, Blushi, Hafizi, etj), si dhe në të tashmen (Ditmir Bushati, Adnor Shameti, Eglantina Gjermeni, etj). Me këtë lloj qasje Rama thjesht tenton të tregojë arrogancën e tij diktatoriale, sidomos në momentin kur është rikonfirmuar si kryeministër për herë të tretë. Disi më të vështirë në dukje e ka situatën Basha në PD, por as që parashikoj një largim të tij nga lidershpi i kësaj partie. Sot për sot, është gati e pamundur që gjesh një figurë në PD, e cila të mund të japë garanci, qofshin edhe minimale, për ta çuar partinë drejt fitores, në kohën më të shpejtë të mundshme. Nëse e shikojmë me këtë lloj pragmatizmi, atëherë askush më shpejt sesa Basha (pavarësisht 1001 gabimeve dhe fajeve që ka bërë gjatë këtyre viteve në drejtim të PD-së), nuk mund ta çojë në pushtet këtë forcë politike.

Të fundit

Trump pezullon për 90 ditë ndihmat ndërkombëtare: Çfarë dihet deri më tani?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv të hënën, i cili pezullon përkohësisht...

14 vite më pas, drejtësi e munguar për 4 të vrarë

Ditën e djeshme u përkujtua 14-vjetori i ngjarjes së 21 janarit 2011, ku u vranë katër protestues të thirrur nga opozita e kohës PS....

Po ushqehemi me importe, rriten me mbi 30% ato të zarzavateve e kafshëve

Mungesa e prodhimit vendas dhe zhvillimi i turizmit është duke nxitur rritjen e shpejtë te importeve, sidomos në disa grupe ushqimesh ku sasitë u...

REL: Mosmarrëveshjet mes BE-së dhe SHBA-së për rrjetet sociale

Në mesin e pikave të nxehta mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, asaj që duhet kushtuar më së shumti vëmendje është fakti se...

Ylli i Youtube,Mr.Beast po kërkon të blejë TikTok për të shmangur ndalimin e aplikacionit

Ylli i YouTube dhe TikTok, MrBeast (Jimmy Donaldson), ka shprehur interes për të blerë TikTok si pjesë e një grupi investitorësh, në përpjekje për...

Lajme të tjera

Web TV