Botimi i një libri të ri, aq më tepër një libri që analizon në këndvështrimin akademik e shkencor realitetin dhe sfidat më të rëndësishme ekonomike, sociale e politike të kësaj periudhe të shenjuar si “periudha e covid-19”, është përpjekje e kontribut për tu përshëndetur. Mjedisi ynë shoqëror, shkencor, akademik e profesional është gjithmonë kërkues dhe i hapur ndaj botimeve të reja të kësaj natyre. Aq më tepër në këtë kohë sfidash, pikëpyetjesh e zhvillimesh të reja e të shpejta, sic janë këto 2 vitet e fundit.
Të gjithë duhet të reflektojmë sa më thellë, sa më drejt dhe në mënyrë sa më shkencore për gjithçka të re e të panjohur që na përballi “kriza e koronavirusit”. Gjithkush në fushën e tij të studimit apo profesionit specifik duhet të reagojë me shpejtësi e koherencë përballë situatave të reja mjaft sfiduese me të cilat po përballemi.
Në këtë kontekst, doli nga shtypi dhe u promovua botimi i titulluar “PËRBALLË KRIZËS – Sfidat e teorisë dhe politikave ekonomike” përgatitur nga Akademik, Prof.Dr.Anastas Angjeli dhe Akademik i Asociuar, Prof.Dr.Adrian Civici, një botim i dy ekonomistëve të angazhuar publikisht që prej fillimit të pandemisë dhe efekteve të rënda të saj, për trajtimin e sfidave të kësaj “kohe të re”.
Ekonomia, financat, punësimi, papunësia, biznesi, konsumi, të ardhurat, mirëqënia,etj., e gjithkujt nga ne, por edhe në shkallë globale, ishin nga sektorët e fushat që u përballën direkt me krizën e koronavirusit – politikat ekonomike, financiare, sociale, ato pro-biznes, politikat sociale, sistemi i kreditit, bankat, paraja, etj., u bënë sfidat kryesore dhe kryefjala e shqetësimeve dhe veprimeve të shteteve e qeverive. Vetë teoritë kryesore ekonomike u ndjenë të sfiduara nga kjo kohë e re që kërkonte propozime e zgjidhje të reja.
Libri “PËRBALLË KRIZËS – Sfidat e teorisë dhe politikave ekonomike” qershor 2020 – qershor 2021, me analizat, komentet, informaciodet, debatet dhe propozimet e tij konkrete, është një reagim e përgjigje adekuate e këtyre sfidave, është një dokumentim shumë i mirë i tipareve themelore ekonomike, financiare e sociale që përjetuam në këtë periudhë … është një dokumentim cilësor nga këndvështrimi ekonomik e financiar i asaj që ndodhi në Shqipëri dhe në botë gjatë kësaj përiudhe.
Një vit më parë, u promovua libri i Prof. Angjeli dhe Civici : “Kriza Ekonomike në kohën e koronavirusit” mars – qershor 2020, i cili hapi siparin e këtyre analizave e reflektimeve ekonomike e financiare në një Shqipëri dhe botë të traumatizuar dhe plot paqartësi. Pikërisht mbas një viti promovohet vëllimi i dytë i tij, që në faqet dhe trajtimet e tij duket se e ka tejkaluar sfidën e të panjohurës traumatike, duke duke trajtuar në mënyrë më thelbësore sfidat e teorive dhe politikave ekonomike, përmbajtjen dhe efektet e paketave speciale të ndihmës, skenarët e rimëkëmbjes ekonomiko-financiare e sociale, reagimet konkrete të shteteve më të zhvilluara të botës, analizat krahasuese me veprimet e politikat e Shqipërisë, evolucionin e tregut të punës dhe profesioneve të reja, situatat e reja që na presin, etj.
Gjatë dekadës së fundit, ekonomistët dhe politikëbërësit kanë pranuar që modeli ortodoks neoklasik ka kufizime, duke pranuar se tregjet e liberalizuara nuk janë gjithmonë efikase dhe dështimet e tregut mund të jenë domethënëse. Ata e kanë parë të domosdoshme nevojën për ndërhyrje të qeverisë, në fusha të tilla si: fuqia punëtore, politikat rajonale dhe ato të tregut të punës, si dhe në politikën monetare dhe financiare.
Brenda fushave të ekonomisë dhe ekonomisë politike, dekada e fundit ka parë lulëzimin e formave të tjera, më të thella të mendimit ekonomik. Teori ekonomike, dëshmi dhe teknika të reja janë zhvilluar, të cilat ofrojnë mënyra më të pasura, për të kuptuar se si funksionojnë ekonomitë, dhe si mund të bëhen, që të funksionojnë më mirë. Metodat dhe modelet analitike të bazuara në fuqitë e reja të mbledhjes së të dhënave dhe informatikës, p.sh., kanë hapur njohuri jo të disponueshme për brezat e mëparshëm.
Të marra së bashku, një ekonomi e shekullit të 21-të ka filluar të shikohet më shumë për të ndihmuar hartuesit e politikave të gjejnë zgjidhje për problemet ekonomike të shekullit 21 me të cilat përballen tani. Debatet kanë qenë të thella dhe shumë është mësuar. Tani është e mundur të shihet, sa prej përballjes me këto realitete të reja dhe sa prej këtyre kritikave dhe eksplorimeve, mund të afrohen mendimet, për të krijuar “një rrëfim të ri
ekonomik’’.
Besojmë se ky libër do të lexohet e përdoret gjerësisht nga specialistët e ekspertët e ekonomisë dhe financave, nga politikanët dhe vendimmarrësit, nga profesorët dhe studentët, por dhe nga shumë të tjerë të interesuar për të kuptuar thelbin dhe tiparet e kësaj krize, për të vlerësuar vfarë bëmë mirë dhe cfarë nuk bëmë siduhet me masat dhe politikat tona anti-krizë, për të patur një informacion sa më të gjerë të gjithshkaje që ndodhi në këto 18 muaj të kësaj kohe e krize koronvirusi.
• * *
Pandemia dhe mendimi ekonomik në ndryshim
Me kalimin e kohës po vërtetohet çdo ditë e më shumë se pandemia e Covid-19 është ngjarja më e madhe historike e 30 viteve të fundit, që po sjell ndryshime social ekonomike në gjithë botën. Si bazat teorike, ashtu dhe në politikat ekonomike po i nënshtrohet transformimeve rrënjësore dhe pikërisht këto ndryshime janë objekt i këtij punimi. Në të analizohen në aspektin teorik dhe praktik efektet e pritshme të politikave të përdorura, për kapërcimin e kësaj situate. Vend të veçante zënë ndryshimet në raportet ekonomike të fuqive botërore, ndryshimi e modeleve të zhvillimit në përgjithësi dhe të sistemeve ekonomike në veçanti.
Në aspektin metodik, analiza mundohet të vërtetojë pasojat e përdorimit të levave ekonomike në ekonomitë e vendeve më të zhvilluara, ndryshimet në tregun e punës, efektet e mikroklimës ekonomike të çdo vendi si dhe rolin e grupimeve ekonomike të organizatave ndërkombëtare në kapërcimin e pasojave të pandemive. Ai evidenton caqet e parashikimeve makroekonomike, format e reja të vlerësimit të risqeve të zhvillimit, rolin e digjitalizimit në ekonomi, ristrukturimin e tregut shëndetësor, etj.
Në konkluzionet, mundohemi t’i japim përgjigje pyetjeve: A jemi përpara ndryshimeve epokale? A po ndryshon roli i Bankave Qendrore? Borxh, Deficit apo Inflacion? Si do zgjidhet problem i papunësisë dhe kush janë ndryshimet e tregut të punës? A do ndryshoje modeli ekonomik i zhvillimit? A do te kemi një “Revolucion” apo thellim të pabarazisë sociale.
Përhapja e Koronavirusit ekonomikisht nuk mund të klasifikohet vetëm si një tronditje e kërkesës, e ofertës apo të dyjave njëkohësisht, por dhe një ristrukturim rrënjësor në mënyrën e konceptimit ekonomik. Ndikimi i Koronavirusit në ekonomi është shumë i madh, duke marrë parasysh shkallën e përhapjes së kësaj pandemie dhe dobësinë e strukturës ekonomike të çdo shteti.
Recesioni, virtualizimi i komunikimit dhe nevoja në rritje e tij, mund të detyrojë shtetet dhe organizatat ndërkombëtare të forcojnë bashkëpunimin në shkallë globale, rajonale dhe vendore. Nga ana tjetër, tendencat e de-globalizimit, të cilat pavarësisht se mund të jenë në stadet e tyre fillestare, po kushtëzojnë faktorë që riformatojnë bashkëpunimin ekonomik, kooperimin ndërkombëtar dhe lëvizjen e lirë të njerëzve.
Në mendimin ekonomik, shumë autorë po i quajnë këta elementë “post-normal”, për të treguar se rrugët për zgjidhjen e enigmave të shkencës normale nuk janë më të përshtatshme si më parë. Kjo për shkak të sjelljeve të reja konsumatore, për shkak të konceptimit virtual të realitetit, inteligjencës artificiale, etj., por mbi të gjitha për shkak të pasigurive natyrore dhe ekzistenciale të racës njerëzore.
Ndoshta është ende shumë shpejt të japim receta e formula për politikat ekonomike dhe efektet e tyre, por në të njëjtën kohë, vlerësimi i rreziqeve të kësaj krize në aspektin ekonomik, duhet të jetë shumëdimensional. Kjo situatë mund të na bëjë të vetëdijshëm për gjërat thelbësore të jetës së përditshme dhe njëkohësisht të na ndihmojë të rishikojmë modelin tonë të prodhimit dhe konsumit që sundonte deri më sot.
• * *
Borxhi publik – Tri pyetje pa një përgjigje:
Pyetja e parë: A ka arritur borxhi publik i disa vende të zhvilluara në nivele të pafinancueshme? Sado paradoksale të duket kjo, ne jetojmë në një kohë kur problemi i borxhit po zgjidhet me më shumë borxhe (një gjë që nuk zgjidhet me para, zgjidhet me më shumë para). Në gjithë momentet e krizave të mëdha ekonomike pas viteve 80, por, veçanërisht pas vitit 2008, 2011 dhe në 2020 u përdor e njëjta politike: “injektimi i parave në ekonomi”.
Sot shumë ekonomistë po fillojnë të pranojnë që ekonomia botërore po i ngjan një të droguari, që sa vjen dhe rrit dozën e tij. Tezën e “injektimit të parave në ekonomi” e riprovojnë edhe financimet e fundit të miratuara nga BE (Next Generation prej 750 miliardë eurosh) dhe Kongresi Amerikan (900 miliard usd).
Pyetja e dytë: Si do të rifinancohet borxhi pas pandemisë? Nga pikëpamja teorike ka një përgjigje. Çdo subjekt ekonomik (shtet, kompani, individ) konsiderohet financiarisht i vlefshëm, kur është i besueshëm për të marrë borxh dhe akoma më i besueshëm për të transferuar detyrimet e pagesës se borxhit të tij në të ardhmen. Kështu teorikisht hyjmë në rolin që luan në
ekonominë e një vendi institucioni i Bankës Qendrore. A ka një institucion ekonomik më të besueshëm se një Bankë Qendrore? Asnjëherë nuk i mbarojnë paratë, për sa kohë që ka aftësinë t’i “shtypë” (të emetojë) ato në sasitë e dëshiruara (të nevojshme).
Pavarësisht se ky është një model që, përveç se është “i pamoralshëm”, pasi i kalon faturën brezave të ardhshëm, nuk mund të jetë i qëndrueshëm pafundësisht. Shkon në kundërshtim me ligjet e natyrës dhe vetë logjikës ekonomike. Shtetet nuk mund të bëhen piramida dhe aq me tepër kur këto piramida janë të mëdha dhe efektet ekonomike të falimentimit të tyre janë katastrofike.
Në literature ekonomike në mënyrë që, borxhi të vazhdojë të kthehet (shlyhet ose rifinancohet), pasuria e krijuar duhet të rritet me një rritëm më të shpejtë sesa borxhi i gjeneruar. Është siç veprohet kur hipet në një biçikletë. Nëse ndalet pedalimi, për shkak të inercisë, ajo vazhdon të eci për një fare kohe, por, pastaj, biçikleta bie.
Shumë analistë nënvizojnë se nëse GDPja është negative për 12 muajt e ardhshëm, atëherë nuk ka asnjë shumë parash që, mund të mbulojë borxhet. Nëse një rritje në deficitin e bilancit të Fed me 2-3 trilionë dollarë frikëson botën, imagjinoni borxhet e vendeve si i Italisë, Spanja apo Francës, sa do ta shqetësojnë Botën dhe veçanërisht Europën e Bashkuar.
Pyetja e tretë: Ku do të gjejnë shtetet paratë për të mbuluar deficitin, por edhe për të paguar borxhet e prapambetura që skadojnë? Le ti kthehemi prapë teorisë ekonomike. Përgjigjja klasike është e thjeshtë: “Ata do të emetojnë bono thesari”. Por kush do t’i blejë ato? E sigurt jo qeveritë e vendeve të tjera që, kanë suficite apo borxh të ulet, siç ndodhte gjithmonë, as shoqëritë e mëdha financiare. Ata përkundrazi do të shesin bono, sepse u duhen likuiditete, sepse edhe ata janë goditur nga pandemia. Kush tjetër do të shesë bonot ekzistuese? Kompanitë e mëdha për të kompensuar të ardhurat e humbura, fondet e pensioneve për të shtuar të ardhurat e tyre sepse nuk marrin dot interesa dhe të gjithë ato subjekte që, ju duhet likuiditet. E sigurt që në kushtet e pandemisë nuk janë të pakët. Kush do të gjendet atëherë për të blerë? Bankat Qendrore. Ku do t’i gjejnë paratë? Ato thjesht do të shtypin(emetojnë) para.
Bankat Qendrore e konsiderojnë veten të gjithëfuqishme. Sepse ata mund të rrisin bilancin e tyre vazhdimisht e përgjithmonë. Siç thonë tashme të gjithë ata që, analizojnë funksionet e reja të bankave vetëm Zoti mund të krijojë nga asgjë, diçka me vlerë. Zoti dhe sistemi bankar! Dhe mbi të gjitha nuk do të shtohet paraja letër, por paraja në llogaritë bankare që do të shpenzohet me kartat e kreditit dhe debitit. Ky është një nga ndryshimet më thelbësore të sistemit monetar.
• * *
Cilët ishin profesionet që u goditën më shumë nga kriza?
Këtu mund të përmendim: profesionet që lidhen me ofrimin direkt të shërbimeve, të cilët kanë pak apo aspak mundësi të ofrojnë shërbime në distancë, si dentistët, berberët, avokatët, hoteleria dhe shërbimet turistike në përgjithësi, restorantet, barkafetë, artizanati, hidraulikët, mekanikët, transporti, tregtia me pakicë, aktivitetet industriale, industria fason, call center, shërbimet financiare, ndërtimi, produktet dhe shërbimet artistike e kulturore, profesionet e lidhura me sportin dhe modën, industria e kënaqësisë dhe relaksit, etj.
Natyrisht, një pjesë e madhe e tyre u goditën si pasojë e “lockdown” total, dhe me “qetësimin e situatës” apo kthimin gradual në normalitet në muajt në vazhdim, mund ti rifitojnë pozitat e humbura, por, për shumë prej tyre kanë filluar “këmbanat e alarmit” duke i konsideruar si “profesione pa të ardhme nëse nuk bëjnë ndryshime thelbësore në përmbajtjen, kualifikimin, format e organizimit dhe shërbimet e tyre”. Dhe të punësuarit në këto profesione nuk janë pak, përkundrazi, në nivel mesatar global ato zënë rreth 60-70% të të punësuarve. Në Shqipëri, duke përjashtuar të punësuarit në sektorin bujqësor, ato zënë mbi 80% të të punësuarve.
Një pjesë e madhe e bizneseve shqiptare të përballur me këtë realitet të ri, kanë filluar të kenë probleme serioze me rikthimin në punë “me kohë të plotë” të një pjese të madhe të punonjësve të tyre, me vështirësitë e respektimit të kontratave afatgjatë të punës në këtë kategori profesionesh e zanatesh, duke menduar seriozisht për nevojën e “ndryshimeve të domosdoshme të strukturës profesionale, njohurive e kompetencave të reja; që kërkojnë rikualifikime masive cilësore të tyre” në përputhje me ndryshimet që po pësojnë sektorët e ndryshëm ekonomikë e financiare në “këtë periudhë post covid-19”. Përveçse një kosto shtesë për bizneset dhe sistemin arsimor e kualifikues, një proces i tillë kërkon largpamësi e vizion të qartë për “perspektivat e të ardhmes” në këto lloj aktivitetesh e shërbimesh.
Cilët ishin profesionet që i rezistuan më mirë dhe u përshtatën me krizën?
Gjatë kësaj periudhe krize të rëndë të shkaktuar nga pandemia e Covid-19, një kategori e caktuar aktivitetesh ekonomike, financiare apo shërbimesh, u prekën pak apo aspak nga kriza për të stopuar apo ngadalësuar aktivitetin e tyre. Bile disa prej tyre u përshtatën shpejt me situatën, kufizimet dhe kërkesat e reja, duke ndryshuar strukturën menaxheriale, riorganizuar modelin e biznesit, përshtatur aktivitetin e tyre me rregullat e reja të protokolleve sanitare, adaptuar me mënyrat e reja të konsumit të klientëve të tyre, ofruar produkte të reja të kërkuara me urgjencë në treg, dhe mbi të gjitha, duke filluar në shkallë të gjerë rikualifikimin e stafit me kompetencat dhe njohuritë e reja.
Në analizat që i bëhen këtij grupi biznesesh e shërbimesh, ato cilësohen si “profesionet e shërbimeve esenciale të frontit të parë, të domosdoshëm për funksionimin e shoqërisë” ku futen: mjekët dhe infermierët, farmacistët, arkitektët dhe dizenjuesit e mjediseve të banimet apo shërbimeve, një pjesë e rëndësishme e profesioneve e shërbimeve që lidhen me digjitalizimin e informatikën, mësuesit dhe pedagogët, specialistët e marketingut, shitjeve dhe komunikimit me klientët, tregtia me shumicë, industria agroushqimore, e-marketingu, një pjesë e shërbimeve financiare dhe bankat, disa linja prodhimi të sektorit fason, shërbimet e personalizuara për disa kategoritë caktuara sociale, sektorët e prodhimit dhe shpërndarjes së detergjenteve e dezinfektuesve, etj.
Edhe në këtë periudhë të vështirë, kjo kategori biznesesh e mbajti të pa prekur numrin e punonjësve dhe pagat e tyre. Siç dëshmojnë mjaft statistika në vende të ndryshme të Botës, por edhe në Shqipëri, shërbimet dhe bizneset e këtyre profesioneve e zgjeruan aktivitetin e tyre gjatë periudhës kufizuese të pandemisë, vazhduan me investimet për modernizimin dhe digjitalizimin e ofertave të tyre, përfituan nga kreditë me kushte lehtësuese të ofruara nga bankat, garantuan fitime të qëndrueshme të aktivitetit të tyre, etj.
Në kontekstin e rezistencës dhe përshtatjes me tregun dhe kërkesat e reja, evidentohen disa elemente thelbësore të kësaj rezistence apo përshtatje të shpejtë e eficente. Tregtia elektronike ose e-commerce. Izolimi social dhe mbyllja e një numri të madh distributorësh apo shitësish me shumicë e pakicë e ndryshoi rrënjësisht natyrën e tregtisë dhe pagesave. Vëllimi i shitjeve dhe pagesave on-line, brenda pak javësh, u rrit 300-400% në krahasim me periudhën përpara pandemisë.
Po kështu dhe përdorimi i pagesave dhe transaksioneve online. Profesionet dhe specialistët e tregtisë elektronike, digjitalizimit të ofertës dhe shërbimeve, digjitalizimit të pagesave, reklamës dhe publicitetit, komunikimit dhe psikologjisë konsumatore, etj., u bënë nga më të vlerësuarat dhe më të kërkuarat gjatë kësaj periudhe krize. Kjo kategori biznesesh e shërbimesh, jo vetëm që nuk u prek nga kriza, por në shumë raste, e rriti me 20-30% aktivitetin e saj, krahasuar me të njëjtat periudhe të viteve të mëparshme.
Adoptimi i modeleve të biznesit me shkallë të lartë digjitalizimi. Veçanërisht gjatë periudhës së pandemisë dhe izolimit social, digjitalizimi “pushtoi” çdo detaj të jetës sonë të përditshme, si në planin profesional ashtu dhe në planin personal. Asnjëherë nuk kishim qenë kaq shumë të varur, edhe për shërbime jetike e profesionale, nga interneti dhe digjitalizimi. Bizneset dhe sektorët e shërbimeve më largpamëse e inteligjente ju përgjigjën menjëherë kësaj situate duke krijuar apo zgjeruar “telework” për një pjesë të rëndësishme të shërbimeve të tyre, krijuan profesione të reja të lidhura me digjitalizimin të tilla si “ekspert në komunikimin digjital”, “specialist i projekteve digjitale”, “Webmaster”, “Webdesigner”, “ekspert i marketingut digjital”, etj.
Një pjesë e këtyre “profesioneve” apo “zanateve” ekzistonin dhe përpara shfaqjes së pandemisë së Covid-19 dhe situatës së jashtëzakonshme shkaktuar prej saj, por, “situata dhe sfidat e reja” ju dhanë atyre një rëndësi dhe zhvillim shumë më të shpejtë se rritmi i zakonshëm i kohës përpara pandemisë. Tashmë, “pjesën e luanit” në shpenzimet e bizneseve për “kërkim-zhvillimin” dhe kualifikimin e stafit, e zënë të ashtuquajturat “profesionet digjitale”. Kur gjithçka u duk sikur u “fundos”, digjitalizimi rezistoi mrekullisht duke treguar rrugën e së ardhmes!
Cilat janë profesionet e reja që po lindin post Covid-19?
Tashmë është e qartë se kriza e Covid-19 ka “provokuar” lindjen e nevojave të reja në një Botë në ndryshim radikal. Nevojave dhe sfidave të reja po i “përgjigjen flakë për flakë” profesionet e reja që po profilizohen çdo ditë e më tepër. Veçanërisht bizneset e prodhimit dhe shërbimeve po përballen çdo ditë me “domosdoshmërinë e digjitalizimit sa më të gjerë të aktivitetit të tyre”, me ndryshime radikale të mënyrës së tyre të punës, dhe mbi të gjitha me konstatimin shqetësues të mangësive serioze të digjitalizimit të deritanishëm të punës së tyre në gjithë hallkat e zinxhirit menaxherial dhe modelit të biznesit”. “Telework” së bashku me digjitalizimin masiv të teknologjive të prodhimit, shërbimeve e proceseve të punës, tashmë është pjesë e çdo diskutimi, projekti, prioriteti e strategjie për të ardhmen.
Këto ndryshime kërkojnë dhe një evolucion të shpejtë të kompetencave të burimeve njerëzore në të gjithë hallkat e skemave menaxheriale. Prodhimi në distancë, puna në distancë, shitjet në distancë, komunikimi me klientët në distancë, marrëdhëniet me bankat në distancë, kontrolli në distancë, organizues eventesh online, etj., të gjitha nëpërmjet ekranit të kompjuterit, janë shembulli më i mirë i kësaj epoke të re post covid-19. Inteligjenca artificiale, automatizimi dhe robotika, inovacionet dhe start up-et, etj., të përfshira tashmë në nocionin e “revolucionit 4.0” po krijojnë kompetenca dhe profesione të reja: Specialist në sigurinë kibernetike, ekspert në mbrojtjen e të dhënave, inxhinier në inteligjencën artificiale, zhvillues të dhënash dhe ekspert në Big Data, këshilltar dhe analist inovacioni, ekspert eficence dhe aplikimi start up-esh, menaxher tranzicioni dixhital, analist dhe këshilltar risku e paqartësie, Community Manager (Menaxher i Komunitetit), Product Owner (Pronar i Produktit), ekspert dialogimi, asistent virtual, ekspert videografie, multichannel communication consultant, menaxher rendimenti apo optimizues aktiviteti, ndërlidhës financiar, inxhinier i autonomisë financiare, ekspert tregjesh dhe monedhash virtuale, Zoom support specialists, etj., janë disa nga profesionet e reja që po zhvillohen me shpejtësi duke qenë njëkohësisht dhe më të kërkuarat në treg.
• * *
Reforma në drejtësi dikton vazhdim të reformave në ekonomi
Tridhjetë vite tranzicion kanë shënuar transformimin tërësor të ekonomisë sonë në ekonomi tregu. Rrethanat aktuale të zhvillimit të ekonomisë, Reforma në Drejtësi me ndryshimet që solli në ligjin themeltar të shtetit- Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe paketën ligjore të kësaj reforme, faza finale ku vendi ynë ndodhet për hapjen e negociatave me BE, diktojnë nevojën e vazhdimit të reformave ekonomike për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e social të vendit. Shtuar kësaj edhe situatën në recension ekonomik, rrjedhojë e pandemisë Covid-19,ndryshimet dhe reformat janë më të domosdoshme.
Së pari, kemi nevojë për një reformë të thellë ligjore dhe jo vetëm, në fushën ekonomike dhe të financave publike, jo thjesht nga pikëpamja e vazhdimësisë së tyre (kjo është e domosdoshme), por më së tepërmi, për të harmonizuar më tej Reformën në Drejtësi (kuadrin ligjor të saj dhe atë ekonomik e financiar) me standardet dhe kuadrin ligjor europian. Reforma në sistemin e Drejtësisë kërkon edhe një përgatitje më të madhe, serioze dhe intensive, për zbatimin e ligjit në të gjitha fushat e në veçanti në ekonomi (kërkohet përgatitja e stafeve administrative për të qenë të gatshëm për hapjen e negociatave dhe të kapitujve me BE-në).
Rrjedhojë e krizës aktuale, përballja me të na ka imponuar ndryshime ligjore ekonomike, financiare dhe sociale (të domosdoshme për këtë periudhë emergjente dhe situatë recensioni), të cilat duhet të bëhen pjesë solide e këtij legjislacioni. Një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore të rrjedhura prej tyre do të duhet të rishikohen për të qenë më koherente me Reformën në Drejtësi, me legjislacionin europian dhe kushtet dhe stadin aktual të zhvillimit ekonomik dhe nxitjes së klimës së biznesit në vend (edhe pse për një pjesë të tyre disa ndryshime janë bërë).
I tillë është legjislacioni që lidhet me kodin tregtar, ligjet e pronave, Kodi i Procedurës Penale, Kodi i Procedurës Civile, ligji për shërbimin përmbarimor privat, Kodi Fiskal (ligji i procedurave tatimore), Ligji i falimentimit, Ligji i prokurimeve, çështjet ligjore që kanë të bëjnë me gjykimin administrativ; zhvillimi i legjislacionit të arbitrazhit në kuptim të konventave ndërkombëtare etj.
Së dyti, kriza aktuale, duke u parë dhe si një oportunitet për një zhvillim të ri, kërkon zhvillimin e reformave të thella strukturore në ekonomi, drejt sektorëve të rinj ekonomik dhe të shërbimeve e profesioneve të reja. Një situatë e tillë do të kërkojë një bazë të re ligjore, për të cilën duhet të përgatitemi.
Së treti, Reforma në sistemin e Drejtësisë është dhe një garanci – një instrument i fuqishëm në dobi të zhvillimit të “një ekonomie që punon për të gjithë”. Kjo kërkon “…vendosjen e një drejtësie më të madhe ekonomike përmes zhvillimeve të ardhshme ekonomike dhe politikave më të drejta fiskale…”, që kërkojnë një bazë ligjore më bashkëkohore dhe të konsoliduar.
Së fundi, qytetarët presin më shumë drejtësi në përfitimin nga këto reforma, në shërbime të ndryshme publike, në arsim, në shëndetësi dhe sigurimet 229 shëndetësore etj. Kjo kërkon një përdorim më cilësor të shpenzimeve publike, një transparencë më të madhe të prokurimeve dhe përdorimit të dobishëm të tyre, një shpërndarje dhe rishpërndarje optimale në territor dhe popullsi. Kjo do të ndihmonte për më shumë drejtësi ekonomike dhe sociale dhe do të zbuste papunësinë dhe varfërinë. Kësisoj do duhet të kemi një “Kthim të një vështrimi të ri ligjor për më shumë drejtësi ekonomike e sociale”.