“Kim foli si gurvenatore, Basha do përdorë Këshillin Kombëtar për largimin e Berishës”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Karaj

Diplomatja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka zhvilluar një takim me kreun e PD-së, Lulzim Basha ku i ka kërkuar që Berisha të mos jetë në parlament në muajin shtator. Si e shihni lëvizjen e diplomates 2 muaj pas shpalljes “non grata” të ish kryeministrit Sali Berisha?

Reagimi i amabsadores ndaj z.Berisha ishte disi i pritshëm, por asesi deri në këto caqe mediatike. Na pëlqen apo jo, Berisha përfaqëson jo thjesht historinë e Partisë Demoktratike, por edhe atë të 30 viteve tranzicion të këtij vendi. Sigurisht dikush e shikon me pozitivitet figurën e tij dhe dikush tjetër me negativitet, por është fakt i pakundërshtueshëm se z.Berisha nuk mund të vihet në asnjë moment dhe për asnjë arsye, në një rang me personazhe sa mediokër po aq edhe të përfolur për mega-afera korruptive sikundër janë Vangjush Dako, Tom Doshi apo edhe Adriatik Lalla, të cilët po ashtu kanë marrë damkën “non grata” nga SHBA. Juridikisht Berishën nuk e pengon asgjë që të marrë mandatin e deputetit. Po ashtu as Partinë Demokratike dhe ca më pak Lulzim Bashën, që të pranojë vullnetin e lirë të një personi që ka qenë në listën fituese, për të qenë pjesë e parlamentit shqiptar. Dhe në këtë aspekt, ajo çka kërkon znj.Kim mund të jetë gjithçka, por asesi një kërkesë profesionale, diplomatike dhe ca më pak juridike. Ok, SHBA, në të drejtën e vet mund të kërkojnë për cilindo shqiptar dhe jo vetëm që të mos shkelë në territorin e Amerikës. Por nga ana tjetër, duke qenë se edhe kjo superfuqi botërore, e cila merret nga neve dhe shumë të tjerë si etalon i demokracisë, ka pranuar, admiruar, proklamuar mbrojtur, kudo në botë të drejtat elementare të njeriut, të drejtën për t’u dëgjuar, gjykuar dhe mos u dënuar pa fakte, të njëjtën gjë, më minimalen do duhet që të bëjë edhe për rastin “Berisha”. Për të gjithë shqiptarët nuk është e rëndësishme që z.Berisha është shpallur “non grata” më shumë sesa provat bindëse që kanë institucionet amerikane ndaj ish-kryeministrit. Shqiptarëve u intereson e vërteta me fakte dhe që askusht të mos “ia hedh paq” pa u dënuar për krimet që ka bërë (nëse ka bërë). Dhe pikërisht në këtë aspekt do duhej të investohej ambasada amerikane, gjë për të cilën, fatkeqësisht apo fatmirësisht, z.Berisha “i ka thirrur në betejë”, duke e çuar çështjen në Gjykatën franceze.
A është kërkesa e ambasadores një ndërhyrje e hapur në punët e brendshme të një shteti apo subjekti politik siç komentohet nga “sovranistët”. Duket se Basha është në mëdyshje ku ka zëra se edhe mund të “dorëzojë” Berishën. Përse është kaq i shantazhueshëm Basha që në tetë vite në krye të PD vetëm ka humbur dhe “lëshuar” gjithçka?
Për ti dhënë përgjigje kësaj pyetje, duhet të dimë një gjë thelbësore: znj.Yuri Kim po flet (foli) si ambasadore apo si gurvenatore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri (?!) Nëse ka folur me pektkun zyrtar të ambasadores së SHBA-së, atëherë, unë them se znj.Kim ka kaluar çdo limit diplomatik dhe jo vetëm karshi një shteti të pavaruar si Shqipëria. Pastaj, nëse e konsiderojmë veten të pavarur vetëm në letër, pra vetëm në teori dhe pranojmë se ne jemi shteti i 51 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atëherë duhet edhe të saktësojmë se tek selia e rrugës së Elbasanit nuk kemi një ambasadore, por një gurvenatore. Sipas meje është fakt i pakundërshtueshëm se znj.Kim ka kaluar totalisht cakun e të qenurit një diplomate e një ambasade të një vendi mik, qoftë ky edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtet ky pa të cilin Shqipëria nuk do të kishte ekzistuar. Duhet të kujtojmë fare mirë se ishte këmbëngulja e presidentit Uillson gati 100 vjet më parë që “vulosi” praktikisht dhe juridikisht ekzistencën tonë si shtet. Këtë gjë nuk mund ta harrojë askush, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë trojet shqipfolëse. Por, historia është një gjë dhe realiteti aktual, totalisht gjë tjetër. Dhe ky vend, nuk mund të merret peng apo të shantazhoihet në mënyrën më vulgare të mundshme, thjesht për shkak të historisë. Me këtë gjë, nuk mbroj aspak z.Berisha, i cili për mendimin tim personal do duhej të ishte larguar nga politika që në 2017-ën. Pra, nuk do duhej të kishte kandiduar për legjislaturën 2017-2021, por kjo nuk do të thotë se meqë kam “inat Berishën”, të shkel mbi çdo parim thelbësor të sovranitetit shtetëror. Sa i përket Bashës, e shkuara e afërt e tij politike ka treguar se ai është një person i shantazhueshëm, ose më e keqja që i pëlqen të shantazhohet. Kujtojmë se vetëm 4 ditë përpara zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, mjaftoi një “ulërimë” nga telefoni e Methju Palmer, që Basha dhe Kryemadhi nga “luanë të shkretëtirës”, të cilët nuk do lejonin asesi zgjedhje vendore pa opozitën, u kthyen në “qingjat e kodrianve të Lushnjës”. Në këtë këndvështrim unë besoj se Basha do t’a kalojë topin në fushën e Këshillit Kombëtar, kjo nga njëra anë për të larë duart me Berishën dhe nga ana tjetër për të mos mbajtur asnjë përgjegjësi për të ardhmen e ish-liderit të PD-së.
Është hera e parë që një ambasador i SHBA-së kërkon largimin nga parlamenti të një deputeti para se sezoni i ri parlamentar, ndërkohë që kemi pasur personazhe të tjera që janë shpallur “non grata” dhe nuk ka pasur kërkesa të kësaj forme. Si e vlerësoni ju këtë gjë?
Nuk është aspak çudi. E thashë edhe më lart: Berisha nuk mund të krahasohet dhe ca më pak të barazohet me askënd tjetër që SHBA ka shpallur “non grata”. Diskursi i tij politik, fryma që ai përçon ende në një pjesë të mirë të elektoratit blu, por edhe karizma si politikan, bën që edhe një superfuqi diplomatike sikundër SHBA të dalë jashtë kornizave të veta, me synimin arritjen e një qëllimi, që siç e thashë edhe më lart, jo domosdoshmërisht është në të mirën e shqiptarëve. E ritheksoj, se për Shqipërinë me vlerë absolute do të ishte që Departamenti i Shtetit dhe Ambasada Amerikane të nxirrni fakte domethënëse korrupsioni, sikundër thonë se kanë, ndaj Berishës dhe më pas ky i fundit të mund të përballej me drejtësinë. Jo thjesht deklarata politike të tipit “non grata”, të cilat nuk sjellin asgjë reale për të ardhmen e këtij vendi. Kujt i intereson nëse Berisha nuk shkon në Amerikë apo jo(?!) Askujt!. Kujt mund ti interesonte nëse ndaj Berishës do të kishte fakte konkrete korrupsioni dhe ai do të shkonte përpara drejtësisë(?!) Çdokujt!
Unë vazhdoj të besoj fort se problemi i këtij vendi janë politikanët aktualë që drejtojnë, të cilët e kanë zhytur këtë vend në mjerim, dhe ata që kanë ikur (por që nëse kanë gabuar dhe ka fakte asesi, të dënohen). Unë nuk e kuptoj sesi një javë më parë Departamenti i Shtetit Amerikan, doli për të disiatin vit radhazi me raport mënxyrë për korrupsionin në vend dhe për klimën jashtëzakonisht negative të biznesit në Shqipëri, dhe sërish ambasadorja Yuri Kim bën marrëveshje me Ramën dhe “rilindasit”, dhe godet ata që kanë 8 vjet në opozitë. Unë nuk e kuptoj sesi ambasadorja amerikane nuk pret as 24 orë për të deklaruar se gjoja zgjedhjet ishin të mira dhe të gjithë duhet të pranojnë rezulttain, ndërkohë që dy muaj më vonë një organizëm kaq prestigjoz në botë si OSBE-ODHIR, i specializuar poër zgjedhje, thekson se ato patëm problematika të theksuara. Tani, ose duhet të besojmë ambasadoren ose Departamentin e Shtetit të cilin përfaqëson kjo amabsadore, ose OSBE-ODHIR. A do jetë në gjendje dhe a do e ketë të mundur kryedemokrati Basha të largojë nga parlamenti “babain e tij politik”?
Do të jetë shumë e vështirë, por jo e pamundur. Ajo që unë besoj dhe e ceka paksa më lart, Basha do të fusë në lojë Këshillin Kombëtar. Këtij organi me shumë gjasa do ti kërkojë që të votojnë nëse duan që Berisha të jetë në parlamnet në shtator apo jo. Unë besoj se do ndodhë kjo. Por nuk di të them sesi do të votojnë më shumë se 400 anëtarë të Këshillit Kombëtar, duke qenë se aty ka shumë, realisht shumë mbështetës të Berishës. Gjithsesi edhe një lëvizje e tillë, nuk do ta nderonte asesi Bashën, kjo më së shumti në liderin që ai pretendon të jetë. Nëse Basha do duhet të gozhdojë pozicionin e tij në krye të PD-së, tani është momengti: ose të mbajë Berishën me koston e një opozite tejet të vështirë në vitet në vijim, ose “të tradhëtojë” duke u hedhur në krahët e SHBA, të cilat mund edhe ti sigurojnë apriori një mbështetje për të ardhur në pushtet në 2025-ën. Topi është në fushën e Bashës….

Të fundit

“Më treguan videot e vajzës”/ Vrasja në Dragoç, babai i autorit: Jemi ngujuar si fis

Prej 15 ditësh, familja Hasaj në Postribe të Shkodrës, është e ngujuar nga frika e gjakmarrjes. Ata nuk mund të...

A jeni në listë? 3 kombinimet më të përshtatshme të shenjave të horoskopit

Jeni kuriozë të dini se cilat shenja të horoskopit krijojnë marrëdhëniet më harmonike dhe të suksesshme? Në astrologji, disa kombinime shenjash kanë një harmoni...

Trump e nis me shkarkime, pushon nga puna mijëra punonjës të Shtëpisë së Bardhë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është në procesin e shkarkimit të mijëra punonjësve të Shtëpisë së Bardhë, të cilët nuk janë në përputhje me...

Francë/ Lëshohet urdhër-arrest kundër Assad për bashkëpunim në krime lufte

Dy gjyqtarë francezë lëshuan të hënën një urdhër arresti për presidentin e rrëzuar sirian Bashar al-Assad për bashkëpunim në krime lufte. Gjyqtarët e bëjnë ish-diktatorin...

Bullizmi politik me 21 janarin!

Nga Ylli Pata 21 Janari është realisht kufiri ndarës i opinionit politik dhe mediatik, që ka ardhur deri më sot në sjellje të aktorëve politik...

Lajme të tjera

Web TV