Presidenti Ilir Meta ktheu pas ligjin “Për të huajt”, me argumentin se kjo i jep mundësi mbërritjes së emigrantëve nga “vende të botës së tretë” dhe shpopullimit të shqiptarëve. Në tre vitet e fundit, Meta kthen për rishqyrtim rreth 80 % të ligjeve, të cilat janë rimiratuar më pas nga Parlamenti pa asnjë ndryshim. Përplasja Presidencë-Qeveri, më shumë se ligjore duket se është kthyer politike.
Kreu i shtetit Ilir Meta ka kthyer dje për rishqyrtim në Kuvend ligjin “për të huajt” i cili u jepte mundësi shtetasve të huaj që të pajisen me dokumenta shqiptare menjherë pas mbërritjes së tyre në vend, me kërkesë të sipërmarrjeve të ndryshme. Në argumentet që parashtron kreu i shtetit thekson se Shqipëria rrezikon të përballet me një fluks të lartë të kërkesave të detyrueshme për pranim nga shtetas të ndryshëm të vendeve të treta, edhe përtej fushës së rregullimit të këtij ligji, përtej mundësive, kapaciteteve që Shqipëria ka, apo mund të ofrojë, dhe mund të përballojë. Meta thekson se shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit. “Largimi i trurit, i forcave të reja dhe më krijuese, është një plagë e madhe për vendin, që duhet ndalur sa më parë. Mbyllja e perspektivës për të rinjtë është rrënja e shpopullimit të Shqipërisë. Adresimi i menjëhershëm i këtij fenomeni është emergjencë dhe çdo neglizhencë e mëtejshme do të kishte pasoja katastrofike.” thekson Meta ndërsa shton se shqiptarët kanë humbur besimin se kushtet dhe cilësia e jetesës së tyre në vend, mund të përmirësohen, dhe për këtë shkak ata largohen masivisht. “Shumica qeverisëse nuk ka një strategji shtetërore se si do të duhet t`i përgjigjet me masa konkrete, afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata këtij fenomeni të rrezikshëm. Kryeministri ka konfirmuar se qeveria shqiptare nuk është e shqetësuar lidhur me këtë gjendje” vijon nder të tjera Meta. Ndonëse ligji tashmë është rikthyer, i takon Kuvendit të ri që do të mblidhet në shtator të shprehet në lidhje me dekretin presidencial. Ndonëse ligji duket që tani “i miratuar” pasi kërkon shumicë të thjesht dhe votat janë edhe në parlamentin e ri, pavarësisht se ka ndryshuar përbërja dhe pritet rikthimi i opozitës.
Ligji për të huajt
Sipas ndryshimeve të ligjit, shtetasit e pesë vendeve fqinje të Ballkanit Perëndimor si Serbia, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, dhe Maqedonia e Veriut nuk do të kenë më nevojë për leje punë për tu punësuar në Shqipëri. Për punëtorët që vijnë nga këto vende, leja e punës hiqet në mënyrë të përhershme. Por Shqipëria do të hapet edhe për punëtorët e të gjitha vendeve të tjera të botës, në rastin e fatkeqësive natyrore. Sipas projektligjit të miratuar në qeveri, leja e punës hiqet për çdo të huaj, që do të punësohet në sektorë të ndryshëm me qëllim rregullimin e pasojave dhe rimëkëmbjen nga fatkeqësi natyrore. Kjo do të thotë se menjëherë pas miratimit të ligjit në parlament bizneset shqiptare që do të punojnë në ndërtimin e banesave apo infrastrukturës publike të dëmtuar nga tërmeti mund të punësojnë punëtorë nga çdo vend i botës, pa patur nevojë për leje pune. Ndërkaq punësimi i këtyre shtetasve lehtësohet edhe kur nuk ka fatkeqësi natyrore. Aktualisht një biznes shqiptar mund të punësojë një punëtor të huaj vetëm nëse ka publikuar për 4 javë vendin e lirë të punës dhe nuk ka arritur të gjejë punëtor shqiptar. Me projektligjin e ri të qeverisë ky kufizim hiqet dhe bizneset shqiptare mund të aplikojnë direkt për leje pune për të huajt, pa patur detyrimin që të kenë kërkuar më parë për punëtorë vendas. Kjo nismë e qeverisë, e cila më pas mori edhe aprovimin në Parlament në seancat e fundit të legjislaturës së kaluar synon që të tërhiqet fuqi punëtore nga vende të tjera. Kjo ka ardhur edhe si rezultat i ikjes së një pjese të të rinjve dhe sidomos punëtorët e kualifikuar.
Meta: Po “zëvendësohen” shqiptarët
Në seancën plenare të datës 24 qershor 2021, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 79/2020 “Për të huajt”, ligj ky i cili është përcjellë për shpallje pranë Presidentit të Republikës përmes shkresës me nr. prot. 1525, datë 5.7.2021, të Kuvendit të Shqipërisë. Kjo nismë rezulton të jetë depozituar në Kuvend në datën 11.2.2021, nga Këshilli i Ministrave. “Ligji nr. 79/2020 “Për të huajt”, edhe pse hyn në llojin e atyre akteve ligjore që mund të miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë përmes një shumice të thjeshtë, për nga objekti i marrëdhënieve juridiko- shoqërore që rregullon, krijon një impakt afatgjatë për zhvillimet ekonomiko-shoqërore në vend”, argumenton kreu i shtetit. Ndër shkaqet tjera që presidenti rendit është edhe ikja e shqiptarëve jashtë vendit. “Sipas publikimit më të fundit të Eurostat, për vitin 2020[1], Shqipëria sërish renditet mes vendeve shtetasit e së cilës u është refuzuar më shumë hyrja në një vend të Bashkimit Europian (13 300 shtetas), si dhe mes shteteve, shtetasit e së cilës janë urdhëruar të largohen nga një vend anëtar i Bashkimit Europian (23200). Këto shifra kaq të larta, tregojnë se qytetarët shqiptarë në masë të madhe ndërmarin iniciativa të përsëritura për t`u larguar nga vendi. Në vazhdimësi prej kohësh kam shprehur publikisht shqetësimin tim dhe kam përcjellë mesazhe të qarta publike për faktin se, Shqipëria zë vendin e parë në Europë për numrin e azilantëve ekonomikë, duke lënë pas edhe vende të sapodala nga lufta dhe konfliktet civile[2], duke shënuar edhe tkurrjen më të madhe të popullësisë nga migracioni”-shprehet Meta. Sipas tij, ndërkohë që Shqipëria gjendet përballë këtij fenomeni të shpopullimit me këto përmasa, nga ana tjetër duket qartë se shumica qeverisëse nuk ka një strategji shtetërore se si do të duhet t`i përgjigjet me masa konkrete, afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata këtij fenomeni të rrezikshëm. “Jo vetëm kaq, por vet Kryeministri në daljet e tij publike[3] ka evidentuar qartë se nuk ka asnjë plan për të frenuar shpopullimin e vendit, por përmes deklaratave të tij ka evidentuar se trendi i ikjeve të shqiptarëve nga vendi i tyre do të vazhdojë të jetë i lartë edhe për një dekadë, duke konfirmuar se qeveria shqiptare nuk është e shqetësuar lidhur me këtë gjendje”shton Meta duke e komentuar më shumë se ligjërisht edhe politikisht kthimin e ligjit “për të huajt”.
Meta kthen 80% të ligjeve
Presidenti Ilir Meta në tre vitet e fundit ka kthyar rreth 80 % të ligjeve të miratuara nga Kuvendi. Pavarësisht diskutimeve nëse ligjet bien ose jo ndesh me Kushtetutën e vendit, duket se ka një betejë të hapur mes institucionit të presidentit dhe qeverisë. Pavarësisht kthimitv të ligjeve, që të gjithë janë rivotuar në Parlament pa asnjë ndryshim, ndonëse për disa ka pasur nevojë për ndërhyrje. Përplasjet politike kanë nisur thuajse mënjherë pasi Meta mori presdencën me votat e socialistëve në vitin 2017. Kulmi arriti me dy çështje të ndjeshme siç ishte mosdekretimi i ministrave nga ana e Metës, por mbi të gjithë përplasjet për plotësimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të zhdekretimit të datës së zgjedhjeve lokale të vitit 2019 nga kreu i shtetit. Për qeverinë Meta është i shkarkuar kur në qershor Parlamenti vendosi me 104 vota pro shkarkimin e kreut të shtetit me argumentin e shkeljeve të rënda kushtetuese. Do të jetë Gjikata Kushtetuese ajo që do të vendosë për shkarkimin ose jo të tij, por pavarësisht vendimit që do të merret deri në momentin që do të qëndrojë në detyrë pritet të vijojë konflikti “Rama+meta, që tashmë ka marrë përmasë më të madhe Qeveri-Presidencë.