Provokacionet e gushtit/ Petrit Dume e Mehmet Shehu, si i sprapsën grekët nga toka shqiptare

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

-Fundi i Luftës II Botërore në Shqipëri dhe Greqi solli sisteme të ndryshme shoqëroro-politike. Lufta civile në Greqi solli jo pak probleme dhe për Shqipërinë. Qeveria greke akuzonte shtetin shqiptar se po ndihmonte partizanët komunistë kundër ushtrisë demokratike greke. Provokacionet me armë ishin shpeshtuar. Ndërkohë ushtria shqiptare shtoi forcat e saj në kufirin e saj me Greqinë.

Resul Bedon, një ish partizan e më pas me detyra drejtuese në brigadën e VI-S, viti 1949 do ta gjente me gradën toger në shtabin e regjimentit të Pogradecit, njësi e cila u fut e para në veprim pas sulmit të ushtrisë grek në fillim të gushtit të po atij viti. Ai i ka kujtuar kështu ato ditë plot tension ku mbetën të vrarë 85 ushtarakë shqiptare dhe 89 të tjerë u plagosën: “Unë isha pjesë e shtabit të regjimentit “26” të Pogradecit, pas transferimit nga një batalion autonom në Ersekë ku isha komisar i saj. Në verën e vitit 1949 dy batalione të këtij regjimenti kishin shkuar për fushim dhe ishin dislokuar në Hoçisht të Devollit. Në ato kohë, provokacione nga ana e grekëve kanë qenë në vazhdimësi, shkelej territori qëllohej me armë, madje kalonin dhe aeroplanë mbi hapësirën tonë ajrore. Megjithatë grekët bënë një sulm të befasishëm, pikërisht ndaj shqiptarëve, kur deri para disa vitesh kishim qenë në të njëjtat llogore për të luftuar nazizmin”.

Po kur do të intensifikoheshin këto sulme? Sipas Resul Bedos: “Mëngjesin e 2 gushtit 1949 ushtria greke bëri një sulm frontal të befasishëm duke marrë postën e kufirit të Vidohovës në lartësinë 1309 metra. Ishte brigada “41” e ushtrisë së shtetit fqinj. Sulmi tokësor u shoqëruar me nga ajri. Në postën shqiptare ishte vetëm një skuadër e armatosur me automatikë dhe mitraloza. Forcat greke vranë ushtarët Tafil Ferhati, Memo Nexhipi, Ferid Bregasi, Shyqyri Avdia, Ibrahim Fetahu, Hasan Ramadani dhe u plagosën 6 të tjerë. Ne si regjiment na u dha urdhri urgjent të rimerrnim Postën e Kufirit. Nga dreka arritëm në Vidohovë dhe të dy batalionet tona u hapën në formacion luftimi. Kishim tërhequr me vete dhe mortajat. Me ne u bashkuan edhe ata ushtarë të kufirit që ishin shpartalluar nga sulmi i befasishëm. Morëm masa për kundërveprim dhe pas disa orë luftimesh arritëm ta merrnin Postën. Ndërkohë ushtarët grekë kishin marrë edhe një pikë tjetër që njihej si lartësia 1441 metra. Artileria greke qëllon dhe predhat bien 300-500 metra në tokën tonë. Forcat greke nisin dhe një sulm ajror duke angazhuar 3 batalione”.

Ndërkohë incidentet e armatosura do të vazhdonin më tej. Ndërsa Resul Bedo ka dhënë këtë dëshmi: “Pas Vidohovës, ushtria greke i shtriu sulmet në pjesët e tjera të kufirit. Sulme sporadike u regjistruan në sektorin e Bozhigradit dhe në drejtim të Leskovi- kut, në afërsi të piramidave Nr. 11, 12, 13 dhe 14. Grekët të mbështetur nga artileria dhe aviacioni, me forca të shumta sulmuan kuotat 1425 dhe 309. I ndodhur në këto kushte, shteti shqiptar mori vendimin për mobilizimin e ushtrisë në gjithë kufirin jugor. Masat e marra për këtë mbrojtje në një urdhër të lëshuar nga Enver Hoxha “Mbi moslejimin e kalimit të forcave monarko-fashiste në tokën Shqiptare”. Por këtu, sipas mendimit tim Enveri bëri një gabim. Ai dha urdhër që asnjë predhë shqiptare të mos binte në togën greke. Kjo bëhej për të mos krijuar asnjë provokim nga pala jonë. Por kjo na i lidhte duart. Vetë grekët e kuptuan një gjë të tillë. Tërhiqeshin e mobilizoheshin sërish në kufi, m’u përpara hundës tonë dhe ne nuk vepronim më pasi urdhri ishte urdhër”.

Por cili nga ushtarakët e lartë do të merrte në dorë organizimin e mbrojtjes? Resul Bedo, si pjesë e shtabit të regjimentit “26” ka rrëfyer: “Petrit Dume ishe organizatori kryesor i cili në atë kohë komandonte divizionin e Korçës. Ajo jo vetëm që drejtoi nga shtabi i divizionit sprapsjen e sulmit të ushtrisë greke dhe marrjen e postave Kufitare, por e shkeli vetë terrenin pëllëmbë për pëllëmbë duke parë me sytë e tij se si ishin zhvilluar luftimet dhe si ku duheshin përqendruar forcat.

Më pas Enver Hoxha dërgoi Mehmet Shehun, si njeri që kishte shumë emër në popull dhe në ushtri. Enver Hoxha erdhi vetë në Korçë për tu njohur nga afër me situatën si dhe vizitoi të plagosurit. Shumë shpejt do të vinin në ndihmë në vijën e parë të sulmit edhe dy regjimente, një i Vlorës dhe tjetri i Delvinës. Ndërsa në thellësi kishte dhe shumë forca të tjera. Në 7 gusht luftimet u zgjatën në vijën e kufirit nga mali i Moravës në drejtim të malit të Gramozit. Vidohova u shndërrua në një arenë të përplasjes shqiptaro-greke. Në piramidën I-55 trupat ushtarake greke kishin mundur të mblidheshin në territorin shqiptar dhe zhvilluan një betejë të ashpër me ato shqiptare, të përbëra nga një togë dhe një nënrepart i ushtrisë popullore. Ishte një betejë frontale ku forcat greke kishin zënë pikat kyçe. Brenda një dite forcat shqiptare arritën të merrnin pikat e zëna në kufirin shqiptar, po nuk mundën t’i mbanin dot deri në mbrëmje. Vetëm një ditë më vonë forcat shqiptare arritën të largonin togën greke.

Në 12-13 gusht sulmet nga ana greke u intensifikuan dhe në sulm u hodhën forcat e divizionit “49” të cilat u drejtuan për nga Bilishti. Luftime pati edhe në Kapshticë. Mëngjesin e 14 gushtit forcat greke nisin një tjetër ofensivë. Brigada e 41-të, e mbështetur me një regjiment artilerie dhe një skuadrilje aeroplanësh “Spitfirë”, vazhduan sulmet e tyre kundër Shqipërisë. Në këtë ditë grekët hodhën shumë predha artilerie në tokën shqiptare në fshatrat Trestenik, Kapshticë e Cangonj-Devoll si dhe në qytetin e Bilishtit. Nga goditjet e artilerisë mbetën disa civilë të vrarë dhe u shkaktuan dëme materiale.

Ditari i Nexhmi Menzelxhiut, Gusht 1949: Si e minuam tokën nga vinin grekët

Ka qenë komandanti i Brigadës autonome të xhenios me qendër në Elbasan. Është shprehur se veprimtarinë e tyre xhenierët e nisën që gjatë kohës së LANC, për të vazhduar me një punë të gjerë e komplekse pas çlirimit. Duke kujtuar ditët e para të gushtit 1949 Nexhmi Menzelxhiu ka dhënë këtë dëshmi mbi situatën: “Me kohë para provokacioneve të monarkofashistëve janë bërë shumë punime fortifikuese me ndihmën e specialisteve xhenierë në brezin kufitar me Greqinë, si dhe në vijën e parë të mbrojtjes së Divizionit të Korçës, që në atë kohë, komandohej nga Petrit Dume. Në to ndërtuan qendra zjarri për mitraloza, shumica të tipit “Kolpak” me përforcim para me mure prej gurësh dhe sipar me “tufjak”, po prej guri. Janë vendosur gjithashtu mijëra mina, sidomos kundër-këmbësorie, në rrugë kalimet mes malesh e grykash në të gjitha pikat në brezin kufitar. Mbaj mend se, shumica e minave e fushave të minuara ruheshin me roje xheniere, dhe pas çdo plasje, nga kalimi i egërsirave, zëvendësoheshin, menjëherë. U përdor sidomos më shumë, një lloj tip mine kundër-këmbësorie gjermane, trofe lufte, e tipit “shrapnel” që ngrihej një metër nga toka, kur e shkelje dhe që ishte tepër efektive. Janë vendosur po kështu, edhe fusha të minuara me mina kundërtanke, në brezin kufitar dhe në Grykën e Cangonjit para Bilishtit, para Zemblakut, etj. Unë, në atë kohë kisha qenë oficer i sapo kthyer i xhenios dhe komandant i Shkollës së nënoficerëve xheniere të Divizionit dhe kam marrë pjesë personalisht bashkë me batalionin e xhenios së Divizionit dhe Shkollën, në të gjitha këto lloj punimesh fortifikuese dhe minuese, që përmenda. Ishte koha, kur, në ndihmë të Shtabit të Divizionit të Korçës, që krijuar një lloj Shtabi Operativ i Armatës, me në Krye Gjeneral Mehmet Shehun. Ne të, nga Drejtoria e Xhenios kish ardhur, vetë Gjeneral Veli Dedi, që kish marrë pjesë, si drejtues edhe në Luftën e Spanjës, në mbrojtje të Republikës Spanjolle kundër Fashistit Franko, si dhe shokë të tjerë si: Pandi Dushku, Remzi Erebara, Mufit Mushi etj.. Shefi i Xhenios së Divizionit ishte Thimi Lapi. Në ato kohë, por edhe më vonë unë mbaja ditar. Disa fletë të këtij ditari po iu jap me qëllim publikimin e tyre… ”Si e përjetuam sulmin e ushtrisë greke”

Lexo edhe :  PD paraqet 15 pikat e programit ekonomik/ Berisha: Fund varfërisë brenda 100 ditëve

1-gusht

Kemi ditë që jemi në alarm. Monarko-fashistët grekë kanë vënë dorë mbi kufirin tonë me shkelje të dendura provokative. Janë tërbuar nga përkrahja që ne i japim luftës së drejtë të partizanëve demokratë greke të EAMIT. Thellë, malet e Vigit, të larta e të zhveshura, gjëmojnë papushim nga krismat. Janë partizanët greke që luftojnë, rezistojnë. Aeroplanë luftarak fluturojnë edhe këtej mbi ne. Natën qielli ndriçohet nga raketat, shpërthimet e plumbat gjurmëlënës, dhe nga predhat e artilerisë së tyre në territorin tonë.

2-gusht

Jemi në piramidën 59. Në errësirë – xhenierë, të këputur për gjumë, po venë minat e fundit para postës së Trestenikut. Mbeteshin ende dy orë natë, kur u tërhoqëm pa zhurmë te kodra, ku kishte zënë vend në llogore. Regjimenti i Mbrojtjes i porsambërritur, të gjithë me helmeta e uniforma të reja të paradës së 10 Korrikut në Tiranë. Me jakën e kapotës mbi vesh, shtrihem edhe unë në një qoshe të transhesë. Më këput gjumi menjëherë. …Po zbardh. Dëgjohen shpërthime të forta poshtë kufirit. Valë-valë plasjet po afrohen edhe drejt nesh. Alarm! Të gjithë, rrufe, zënë pozicione! Komandanti i këmbësorisë, me një trup kolosi, ka dalë deri në breg nga pika e vrojtimit, me dylbitë te sytë. Në dorën tjetër ka telefonin. Krejt i përqendruar, por drejton zjarrin e mortajave që qenë vendosur diku lart. Andej para kërcet pushka e mitralozi. Janë forcat kufitare, që i rezistojnë me trimëri sulmit të armikut. Një zë i fortë njofton lëvizje të orientimi Nr.2. Që lart duken monarkot me uniforma të bardha, që përparojnë në formacione luftimi drejt nesh. Jepen komandat për zjarr. Predha të armikut kanë filluar të na plasin fare pranë. Komandant Tekiu papritur flak telefonin duke sharë dhe më thërret: – “Hej xhenio! Na këtë!” – m’u drejtua pikërisht mua. Me drejton një fletë blloku. – “Do ta çosh vetë tek komandanti i mortajave. Ndiq linjën telefonike. Thuaji edhe me gojë, qe ta përqendrojë zjarrin mbi pozicionet e tyre të artilerisë. Ja, shikon atje? Nisu! Vrap!” Hidhem me shpejtësi jashtë transhesë. Pas meje, vrap, dy ndërlidhësa ndjekin linjën e këputur. Predhat na fishkëllejnë mbi kokë dhe plasin diku përpara. Rrëzohem. Ngrihem. Vrapoj. Më në fund, duke marrë fryme me zor, kërcej rrufe brenda pikës së vrojtimit të mortajistëve. Dorëzoj letrën dhe transmetoj shpejt porosinë e marrë. Pi një gllënjkë uji nga paguri i tyre dhe kthehem vrap poshtë, drejt transheve. Sa nuk përplasem me një infermier të vockël, me një çantë të madhe sanitare, që rend para barel-mbajtësve. Mbi barele,koke krejt e fashuar, dalin rënkime të dhimbshme. Pas tyre, rend një ushtar me dorë të lidhur. Me një të hedhur, gjendem në llogore. Këtu valon pushka. Marr komandën. Bëjmë edhe ne zjarr të dendur me batare. Mitralozat e këmbësorisë sonë grijnë mbi armikun. Monarkot janë ndalur në vend… Ndihet një urra e zgjatur, jemi hedhur të gjithë në sulm, këmbësorë e xhenierë bashkë…

3 gusht

Nuk na kishte shkuar kurrë në mend, se do të luftonim edhe ne si këmbësorë. Jemi përsëri në llogore. Me thonë se do të vijë këtu shefi i xhenios së Divizionit, Thimi Lapi. Diku, majtas, mbi kurrizin e malit, mbi rrugë, krisma e plasje të pandërprera. Aty po lufton Regjimenti i Vlorës. Dëgjoj një zë nga prapa: “Ore, nuk i shikoni monarkot?! Ja ku lëvizin atje. Bjeruni!” Jap komandën për batare. Ja kam marrë pushkën dikujt dhe shtie edhe vet mbi ta. Ashtu bën edhe shef Thimi. Qëllojnë mbi ta edhe mortajat tona. Ulërima e tyre na kalon mbi kokë. Ndjej fishkëllima plumbash. Ul kokën instinktivisht. Thimi më thërret pranë: -Shiko! – më thotë, duke më treguar me laps mbi hartë, – përqendroje repartin këtu, në pyllin pranë shkollës. Një kompani afroje shpejt në grykën këtu, mbi Kapshticë! Vetë hidhu te depot në Zemblak dhe ngarko dy makina me mina KT! Minat do t’i vendosni këtu… dhe këtu….

Arif Bizhga: Enveri cakton Mehmetin për të sprapsur grekët

Arif Bizhga gjatë dëshmisë së tij rreth provokacioneve të gushtit ka thënë se se vetëm pak pasi kishte marrë detyrën e shoqëruesit të Enver Hoxhës, do të udhëtonte për në Korçë, për të siguruar vizitën e Komandantit të Përgjithshëm, i cili shkoi në juglindje të vendit në verën përvëluese të vitit 1949, për shkak se ushtria greke kishte tentuar të hynte në territorin shqiptar. Jo vetëm Petrit Dume e Mehmet Shehu, por ngjarja ishte aq problematike sa edhe vetë Enver Hoxhës iu desh të inspektonte trupat dhe zonën përreth: “Në atë kohë situata ishte ndezur shumë. Me pretekstin e ndihmës që Shqipëria i dha Ushtrisë Çlirimtare greke, forcat monarkiste kishin nisur sulmin kundër tokave shqiptare. Këto njihen si “provokacionet e gushtit ‘49”.

Një pjesë e luftimeve u bë në vijën e kufirit me Devollin. Në atë kohë Komandant i Divizionit të Korçës ishte Petrit Dume, por Komandanti i Përgjithshëm, për të siguruar vijën e frontit kërkoi në krye të operacionit të shkonte Mehmet Shehu. Dhe kështu u bë. Në ato ditë të nxehta, Enver Hoxha u nis vetë drejt vatrës së luftimeve dhe u takua përveç të tjerave dhe me ushtarët e plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit. Ky ishte një shërbim dyditor dhe pas kësaj u kthyem në Tiranë”

Dy bilancet

Në bazë të komunikatave të Ministrisë së Mbrojtjes në vitet 1950, nga rreth 49 provokacionet e ushtrisë greke në kufirin jugor të Shqipërisë mbetën të vrarë 29 ushtarë dhe oficerë të ushtrisë tonë. Por Resul Bedo i cili ka botuar edhe një libër “Yje të Pashuar-19” vetëm me dëshmorët e gushtit thotë se nga pala shqiptare u vranë 60 ushtarë, 25 oficerë dhe u plagosën 89 të tjerë. Ndërkohë që në komunikatë thuhet se në bazë të dëshmive të mbledhura nga robërit e luftës, forcat tona i kanë shkaktuar ushtrisë greke mbi 300 të vrarë dhe 500 të plagosur, ndërsa 270 të tjerë u kapën robër.

Të fundit

Policia aksion ‘blic’ në Krujë, kontrolle mjeteve luksoze dhe atyre me xhama të zinj

Policia e Krujës ka ngritur disa pika kontrolli në akset kryesore të këtij rrethi veçanërisht në akset që lidhin...

Senati amerikan drejt miratimit të ligjit për arrestimin e emigrantëve

Senati po shkon drejt një raundi të fundit të votimit të një ligji që parashikon që autoritetet federale të arrestojnë emigrantët që akuzohen për...

Barack Obama i jep fund thashethemeve për divorc nga Michelle Obama

Ish-presidenti i SHBA, Barack Obama, i ka uruar ditëlindjen bashkëshortes së tij, Michelle Obama, duke i dhënë kështu fund njëherë e mirë thashethemeve për...

PSG prezanton transferimin e Kvaratskhelias, gjeorgjiani pozon me menaxheri. shqiptare

Ylli gjeorgjian Kvicha Kvarsakhelia u prezantua ditën e sotme në radhët e gjigantëve të PSG-së ku firmosi kontratën deri në vitin 2029, ku do...

Çelësat për të shmangur një mënyrë jetese ulur

Një mënyrë jetese e ulur ose mungesa e aktivitetit fizik ka një ndikim negativ në trupin tonë si fizikisht ashtu edhe mendërisht.  Problemi është...

Lajme të tjera

Web TV