Media e njohur britanike “The Telegraph” i ka kushtuar një hapësirë të madhe një fenomeni të çuditshëm që po ndodh aktualisht në ishull, i cili lidhet me vjedhjen e orave luksoze prej të moshuarve.
“The Telegraph” i referohet disa rasteve, ku të moshuar mesatarisht 80-vjeçarë janë grabitur në mes të rrugës përmes një praktike të çuditshme, ndërsa dyshohet se në to janë përfshirë dy vajza me origjinë nga Shqipëria, raporton abcnews.al.
Të dyja ato i afrohen të moshuarve me ora të shtrenjta me një bllok në dorë duke i kërkuar që të marrin firma për ndërtimin e një shkolle apo një kauzë të ngjashme. Ndërkohë që të moshuarit firmosin, vajzat i marrin atyre orat e shtrenjta në duar dhe më pas zhduken nëpërmjet makinave të shpejta që i presin aty pranë.
Policia britanike dyshon se bëhet fjalë për një grup kriminal të fokusuar në këto lloj grabitjesh.
77-vjeçari Derek Freestone në Hampshire mendohet të jetë personi i dhjetë i grabitur nga kjo bandë.
Një tjetër tregon:
“Ne ishim me makinën tonë pranë një farmacie dhe na afrohen dy vajza duke na kërkuar të merrnin firmën tonë për një peticion me qëllim hapjen e një shkolle. Na thanë që nuk kërkonin fonde, por thjesht një firmë. Teksa firmosa ajo më mori orën me vlerë 4.500 paund dhe pastaj u zhduk me një makinë që e priste aty”.
Policia dyshon se bëhet fjalë pikërisht për dy vajza, me flokë të zeza, të imta në trup, të cilat bashkëpunojnë me një grup për kryerjen e grabitjeve të tilla.