Nga Eduart Gjokutaj
Për momentin, inflacioni nuk është jashtë kontrollit dhe duket e pamundur që të ndodhë rritje e pakontrolluar e tij në ekonominë tonë të vogël. Informaliteti, që shërben si amortizator i një rritje të inflacionit është në favor të një inflacioni të ulët. Nëse ekonomia do të ishte më e organizuar dhe e formalizuar nga sa është aktualisht, inflacioni do të ishte një ndër problemet më të mëdha për të gjithë. Nisur nga ky fakt, duket se edhe ndryshimet e çmimeve të disa produkteve të tregjeve ndërkombëtare kanë ndikime afatmesme në ekonominë shqiptare dhe në çmimet e produkteve për tregtim. Një ndikim afatmesëm dhe me efekte negative është ndikimi i çmimeve të disa produkteve që përfshihen në kostot e prodhimeve shqiptare, të cilat janë më të prekurat nga luhatje të tilla, por edhe më pak të subvencionuarat në çdo rast që kjo ciklikë ndodh nëpër botë.
Efekti i jashtëm nga çmimet e energjisë mjaft të larta tashmë në bursat e huaja mundet edhe të zbuten pas dimrit, për specifikat e sezonit me ndikim pozitiv në rritjen e rezervave ujore. Në vitin e ardhshëm përhapja e vaksinave dhe trajtimeve të reja për Covid-19 duket se do të zvogëlojnë ndërprerjet e ekonomisë për shkak të tij. Konsumatorët mundet të shpenzojnë më shumë për shërbimet që jepen nga shumica e ekonomisë shqiptare. Stimuli fiskal, i zbatuar në Shqipëri më i tkurrur se në vendet e zhvilluara duket se më së shumti ndikoi në një pjesë të vogël në ndihmë të ekonomisë, bizneseve dhe qytetarëve. Por, e gjitha sa kaloi edhe pse ka shkaktuar dëme në disa segmente të ekonomisë, si dhe ka prekur direkt kursimet e gjithë bizneseve dhe qytetarëve është tashmë para sprovës së vështirë të efekteve pas krizës pandemike. Kriza ka goditur ofertën dhe kërkesën afatgjatë, duke rezultuar në ndryshime të forta në modelet e investimeve.
E gjithë situata që vjen pas kësaj përmban pasiguri, paqartësi dhe një pritshmëri se çfarë vjen pas vitit 2021. Parë në një qasje që vlen më shumë se momenti politik, Kryeministri mund të nxitë një vendimmarrje për të rritur konsumin nëpërmjet rritjes së shpenzimeve për ata qytetarë dhe aktivitete që mundet të rikthejnë optimizimin në konsum (shtresat në nevojë) dhe të rritin vlerën e shtuar në ekonomi (agroindustria, turizmi dhe infrastruktura). Kjo do të jetë njësoj si paketa e parë antikrizë vitin e kaluar në ndihmë ndaj të pafuqishmëve për ta përballuar dhe vlera e saj nuk i rëndoi buxhetit më shumë se 2.8 miliardë lekë. Po ashtu, duke kaluar momentin e vështirë të pragdimrit duket se sektori i ndërtimit të banesave dhe i infrastrukturës rrugore kanë hyrë prej fillim vitit në një zgjerim jashtë të zakonshmes dhe ndikimi që do të japin te punësimi dhe rritja e kontributit në ekonomi do të jenë pararoja e rritjes ekonomike, pra edhe rikuperimit të kostove aktuale për paketën e ndihmës nga buxheti. Ndërkohë që ky sektor i lidhur me aktivitetet e lëndëve të para për ndërtim si dhe aktivitete të tjera që lidhen me konsumin nuk ka nevojë për ndihmë direkte, por vetëm për monitorim dhe zbatim të ligjeve për ruajtjen e integritetit fiskal.
Por, kujdes!
Niveli kaq i lartë i ndërtimit të banesave në Shqipëri (veçanërisht të përqendruara në kryeqytet dhe në zona turistike e bregdetare) do të thotë që kërkesa mund të bjerë, duke u rikthyer në kushtet e ngadalta të shitjeve të viteve 2009 – 2012. Ndërsa, një nxitje e investimeve në disa industri përfundimisht do të përkthehej në më shumë kapacitete për vlerë të shtuar dhe produktivitet më të lartë afatgjatë. Kjo nuk mund të përkthehet vetëm në industrinë energjetike. Shqipëria (bizneset, opozita, ekspertët, shoqëria civile dhe qeveria) duhet të mendojnë për rrugët për përshtatjen e ekonomisë, për të (a) balancuar zinxhirin e furnizimit për prodhimin, shërbimin dhe tregtinë, (b) konsoliduar ekonominë e mbështetur në investimet në IT, aftësitë dhe siguri në rritje bazuar te kërkimi dhe zhvillimi për teknologji të kohës, (c) mbyllur zinxhirin e vlerës së shtuar për industritë efektive duke synuar uljen e kostos për lëndë të para/makineri të importit, si dhe (d) të mbështeten në sinkron të plotë mes gjithë aktorëve ndikuesë të shërbimeve, që përkojnë me traditën dhe jo domosdoshmërisht të bazohen vetëm mbi burimet natyrore.
Zhvillimet e ekonomisë dhe tendenca e tregut të brendshëm në fundvitin 2021 dhe në vitin 2022 do të shoqërohen me rrezikun e inflacionit, i cili është nën autoritetin dhe detyrimin e Bankës së Shqipërisë që ta mbajë brenda targeteve të miratuara. Banka qendrore ka fuqinë dhe detyrën për ta mbajtur inflacionin nën kontroll. Mirëpo, nuk mjafton vetëm politika e Bankës qendrore për të efektivizuar inflacionin me performancën fiskale e buxhetore. Trauma e ekonomisë shqiptare në dekadat e fundit ka shfaqur një refuzim të qeverive për të mos zbatuar me konsekuencë rregullat e Kejnsianizmit. Qeveritë shqiptare të nxitura nga paqëndrueshmëria sistemike fiskale (përtej optimizmit të deklaruar nga secila qeveri për rritje të ardhurash në raport me më përpara) kanë ndjekur më së shumti rregulla për një disiplinim të shpenzimeve buxhetore, në çdo kohë që e kanë patur “lakun” e deficitit buxhetor në fyt. Kjo qasje do të kishte me pak pasoja nëse do të kishte ndodhur në pak raste. Në praktikën e zbatimit të buxheteve të shtetit, realisht ka ndodhur që pasi ka humbur sensi i masës në zbatimin e një disipline fiskale të nevojshme është adresuar si zgjidhje shkurtimi i shpenzimeve publike, ku me të prekurat kanë qenë investimet. Ndërprerja e projekteve të investimeve ka ndikuar me efektin negativ të mosfutjes së tyre në shfrytëzim, sipas planifikimeve që ato të shërbenin si një ndihmë në nxitjen ekonomike. Mosmarrja parasysh e cikleve ekonomike, si dhe vendimet politike të bazuara te momenti kanë qenë një qasje që kane shërbyer për momentin dhe për ti treguar qeveritë në sytë e votuesve si të përgjegjshme, kur e gjitha kjo mund të mos ketë qenë e vërtetë.
Rreziku i ekonomisë po vjen nga përballja, si me rrisqe të brendshme që reflektojnë dobësitë në zinxhirin e furnizimit të aktiviteteve produktive dhe politika të keqorientuara/keqzbatuara, po ashtu edhe nga një ndikim nga rritja e çmimeve zinxhir nga ekonomitë europiane dhe fqinje, me efekt në rritjen e pashmangshme të kostove të energjisë dhe transportit. Ndërsa rritja e çmimeve të energjisë në Europë është e diktuar në masë të madhe nga politikat e uljes së ndotjes (ndalimi i prodhimit të energjisë nga lëndët djegëse që ndotin ambjentin), rritja e kostove të transportit nga efekti i problemeve të furnizimit me gaz dhe naftë të ekonomive europiane do të japë efektin rritës të gjithë lëndëve të para dhe produkteve e shërbimeve që ekonomia shqiptare merr për plotësimin e ciklit të biznesit të saj.
Kostot e karburantit dhe energjisë elektrike duke se do të rriten dhe me këtë rast mund të ketë një reagim të ashpër në gjithë segmentet e konsumatorëve, për arsye të një politike jo transparente përsa lidhet me kostot, tarifat dhe përdorimin e energjisë si instrument politik. Qeveria do të duhet të planifikojë me kujdes për të përballuar kostot më të larta të energjisë dhe rritjen më të ngadaltë që do të rezultojë nga fenomene kontradiktore të mënyrës si bëhet ekonomi në Shqipëri. Forcat ndikuese më të thella pas mungesave që reflekton ekonomia shqiptare nuk janë larguar bashkë me krizën. Politikanët lehtësisht si dhe deri më sot mund të miratojnë politika të rrezikshme të drejtuara gabimisht përsëri në ata sektorë, që nuk kanë arritur të ndihmojnë deri më sot në qëndrueshmërinë ekonomike nëpërmjet diversitetit dhe konkurueshmërisë. Kjo do të thotë se, ndërsa me energjinë ka një zhvillim sektorial më të avancuar se të tjerët, përtej mangësive në politikat e zbatuara që e kanë penguar reformimin e tij të plotë nevojitet që efektivizimi i sektorëve të tjerë bazuar te teknologjia do të nevojitet të aktivizohen burime dhe kapacitete të përshtatshme me tregun, që të jenë në sinkron me përdorimin efektiv nga ekonomia. Në ekspozimin e pashmangshëm prej rreziqeve të jashtme, ekonomia duhet të kërkojë të minimizojë ndikimet e goditjeve negative të lidhura me zinxhirin e ekonomisë që punon për turizmin. Kjo nënkupton ruajtjen e konkurrencës në tregun e punës dhe forcimin e produktivitetit në përgjithësi.
Shumë biznese mund të fajësojnë qeverinë për rritjet e çmimeve dhe krizat energjetike. Por në rastin kur me ta nuk flitet me transparencë prej shumë kohësh, atyre nuk u mjafton më që sa herë ka situata krizash problemi zgjidhet nga qeveria duke e shtyrë në kohë nëpërmjet mbartjes së borxhit te buxheti i radhës. Politikanët mund t’i shpëtojnë përgjegjësisë duke e transferuar rriskun tek elementët e paqëndrueshëm të ekonomisë shqiptare dhe te zinxhirët e brishtë të furnizimit, por biznesi nuk duhet të pranojë edhe më tej këtë mënyrë të trajtimit të ekonomisë nga qeveria. Kryeministri dhe Banka Qendrore, secili në pavarësinë e vet për të marrë vendime mund të rezultojnë shpëtimtarë për momente krizash afatshkurtra. Por këto qasje nuk mund të konsiderohen se ndihmojnë një shëndoshje afatgjatë të ekonomisë, por thjesht janë shtyrja e efekteve të një krize deri në krizën e ardhme.