Një ditë pas takimit të sekretarit amerikan të Shtetit Anthony Blinken me ministrin e jashtëm grek Nikos Dendias, mësohet se kreu i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane Joseph DioGuardi me orgjine arbëreshe, i pati dërguar presidentit Biden një letër ku i kërkonte që SHBA ti ushtrojë presion Greqisë lidhur me dy çështje. E para për të njohur Kosovën si shtet të pavarur, dhe e dyta për të shfuqizuar “Ligjin për Luftë me Shqipërinë nga viti 1940.”
“Kam rezerva të mëdha për rolin e Greqisë në rajon, dhe po shpresoj se cilado iniciative madhore diplomatike SHBA-Greqi nuk do të ndërrojë balancin e forcave në Evropë Juglindore, duke e kthyer Greqinë në një lloj “bosi të Ballkanit.” Deri më sot, Greqia ende nuk e ka njohur Kosovën, dhe refuzon ekzistencën e minoriteteve etnike në territorin e vet,” ka shkruar DioGuardi. “Deri më sot Greqia ende e mban në fuqi Dekretin e vitit 1940 për Statusin e Luftës me Shqipërinë, përkundër faktit që Lufta e Dytë Botërore ka përfunduar para më shumë se 75 viteve”, shkruan ish-kongresmeni DioGuardi.
Në këtë letër, DioGuardi i kërkon Presidentit Biden që të drejtojë “Departamentin e Shtetit t’i përcjellë qeverisë greke insistimin amerikan që Greqia të anulojë menjëherë dhe pa asnjë kusht dekretin 2636/1940 mbi Statusin e Luftës me Shqipërinë,” duke i rikujtuar atij së “si kampion të së drejtës ndërkombëtare dhe lirisë në botë, SHBA-të kanë kapacitetin për të vënë presion dhe për t’ia imponuar Greqisë rregullimin e këtyrë çështjeve.”
DioGuardi dhe Biden kanë shërbyer bashkë në Kongresin e SHBA-ve gjatë viteve 80. “Siç e dini, ne kemi dekada të punës së përbashkët nga e kaluara në përpjekjet tona për ti promovuar vlerat politikës së jashtme amerikane dhe për të sjellë paqe e stabilitet në Ballkan. Si rezultat i lidershipit tuaj në Senatin e SHBA-ve atëherë, dhe si President yni sot, SHBA-të gëzojnë respektin dhe popullaritetin më të lartë në vende si Shqipëria e Kosova…,” ka shkruar DioGuardi.