Sekretari i Përgjithshëm në Partinë Demokratike Gazmend Bardhi u shpreh se nuk mund të njohë vendimet e Kuvendit Kombëtar pa u verifikuar një e nga një firmat e anëtarësisë. Ai gjithashtu hodhi akuza se Berisha po bashkëpunon me persona që kanë bërë fushatë për Ramën në zgjedhjet e 25 prillit.
Gazmend Bardhi në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm po edhe si krahu i djathtë i Lulzim Bashës ka dalë në një konferencë për shtyp për të folur për firmat që do të mbledhin Kuvendin Kombëtar. Bardhi i ka shprehur falenderime Sali Berishës që e futi në parti, por i vë “kufirin tek thana” kur vjen puna tek funksionimi i partisë. Edhe pse Berisha prej 30 e ca vitësh në politikë, Bardhi i vë vijën e kuqe se deri ku duhet të shkojë. Sipas Bardhit mbledhja e firmave është bërë nga deputeti aktual i Partisë Socialiste. “Dhe ky shefi i shtabit të Orlando Rakipit do verifikojë mandatet e anëtarëve të Kuvendit të PD? Po pse ca kemi ndërmend të bjëmë ne? T’i dorëzojmë karriget Qifes? Pra kur kemi shefin e shtabit organizator të foltores dhe mbledhës të firmave në rresht të parë që solli dhe mbajti në pushtet Edi Ramën quhet se po luftojnë Ramën, kurse ne që i denoncojmë këto quhemi pengje të Ramës. Tallje më të madhe me demokratët se kjo s’mund të ketë”, u shpreh Bardhi. Sekretari i Përgjithshëm tha se nuk mund të merret shtabi i Rakipit për të bërë gati Kuvendin e PD-së. “Kjo është të tallesh, pra bëjmë një listë shokësh noj emër na jep edhe Qifja që ta fusësh aty, se do dal edhe aty, na jep ta fusim që të mbushim sallën edhe e quajmë kuvendin e PD. Se kështu dëgjova dje që ky grupi nismëtar te rreshti i parë do bënte verifikimin e mandateve. Dhe në rresht të parë e dinit kush ishte, ishte shefi i shtabit të Orlando Rakipit në zgjedhjet e 25 prillit”, tha Bardhi. Ai tha se ka qenë Flamur Noka ai që ka pasur përballë shefin e shtabit të Rakipit. “Nuk ndodh më kjo, nuk ndodh më kjo. S’ka për të ndodhur kurrë se s’mund të tallet askush me djersën e demokratëve, e jemi në pengjet e Ramës?”, ka thënë Bardhi, duke u kujdesur për demokratët të cilët e duan me shpirt partinë. Ai tha se përveç firmave të marra, shefi i shtabit bën edhe organizimet e “Foltores”. “Pra kur kemi shefin e shtabit organizator të foltores dhe mbledhës të firmave në rresht të parë që solli dhe mbajti në pushtet Edi Ramën quhet se po luftojnë Ramën, kurse ne që i denoncojmë këto quhemi pengje të Ramës. Tallje më të madhe me demokratët se kjo s’mund të ketë”, tha Bardhi.
Presioni për firmat
Gazmend Bardhi tha se 30- vjeçari Suel Çela që në zgjdhjet e 25 prillit ka qenë kundërshtari i Partisë Demokratike ka thirrur drejtuesit e PD-së për të firmosur formularin. “Madje më kanë akuzuar se unë flas në telefon me Suel Çelën. Ai e di shumë mirë që unë nuk flas në tel me Suel Celën. E kam pas përballë në 25 prill. Sot ky individi që e kemi pasur përballë në zgjedhjet e 25 prillit thërret drejtues të PD në Elbasan dhe i vendos përpara formularin për nënshkrim. E di edhe Flamur Noka se ka qenë para dy ditësh i thirrur nga ata që kanë besuar tek demokratizimi i PD, për këtë çështje se nuk të pranojnë demokratët e Elbasnait që t’ja mbledhë Kuvendin Kombëtar të PD Suel Çela, nuk e pranojnë kurrë”, tha Bardhi. Në lidhje me 4200 firmat për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, Bardhi u shpreh: “Nëse i kanë firmat, t’i depozitojnë në protokollin e Partisë Demokratike. Por, jeni vetë dëshmitarë, që deri në këto moment, në zyrën e protokollit nuk ka asnjë firmë të depozituar. Firmat nuk sillen me kuti të mbyllura dhe të thuhet “futini në kasafortë” në zyrën e kreut të Këshillit Kombëtar (Edi Paloka). Kryetari i Këshillit nuk ka zyrë, nuk ka as administratë dhe as staf për të kryer procese. Tani po na thuhet që të hyjmë te kasaforta e zotit Paloka për të parë janë apo nuk janë firmat”.
Përgjigje Nokës
Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike iu kundërpërgjigj Flamur Nokës, i cili më parë e kishte cilësuar kreun e PD-së, Lulzim Basha, si “pengkryetar”. “Historitë me pengje dhe pengmarrje do të duhet t’i bëjnë me seriozitet sepse po i flasin demokratëve në një moment të vështirë për ta. Ne e kemi për detyrim që të respektojmë sakrificën e tyre. Hallet e tyre personale t’i mbajnë larg selisë së partisë dhe mbështetësve”, deklaroi Bardhi.
Fotografia e Berishës
Gazment Bardhi teksa shprehu simpatinë e tij dhe respektin për liderin historik të PD, tha se në shtëpinë e tij është rritur me fotografinë e Berishës në të. “Jam rritur me fotografinë e tij në shtëpinë time, vij nga një qytet që është bastion i PD dhe jam rritur me foton e Sali Berishës në shtëpi, e kjo s’më pengon që kur unë shikoj që ngatërrohet interesi i demokratëve me interesin ngushtësisht personal në pozicionin që kam do duhet të mbroj interesin e demokratëve dhe PD”, tha ai. Ai ka akuzuar Berishën se po bën gjithçka për të marrë PD si plaçkë personale. “Si mbrohet? Duke tollovitur demokratët me baltë e shpifje nga mëngjesi deri në darkë ndaj udhëheqsve për hallet personale? Hallet e demokratëve s’janë cështje e halleve dhe inateve personale. Nëse duhet të mbahet kuvendi i PD, ju lutem depozitjioni firmat sipas procedurës së parashikuar nga statuti i partisë”, tha Bardhi në konferencën për mediat.
“Puç nga regjimi”, Basha reagon pas dorëzimit të firmave nga Berisha
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi para gazetarëve se Sali Berisha nuk i ka mbledhur firmat për të vënë në lëvizje mekanizmat e Kuvendit. Ai shprehu zhgënjim për Berishën që sipas tij, u tall me demokratët. “Berisha ka qenë për një kohë të gjatë kreu i PD-së, e njeh shumë mirë statutin dhe i njeh shumë mirë rregullat e partisë. E di shumë mirë se si vihen në lëvizje mekanizmat e Kuvendit. Jam thellësisht i zhgënjyer nga tallja që u ka bërë dje demokratëve. Nëse do t’i kishte mbledhur firmat, do t’i kishte dorëzuar sipas statutit, në mënyrë që të nisnim procedurën statutore. Por, nuk e ka bërë këtë gjë pasi e gjitha ka qenë një blof. Atë që e nisi si betejë për demokratizimin e PD-së, përfundoi si betejë për hallet e tij personale”, u shpreh Basha. Ai tha se Kuvendin Kombëtar mund ta thërrasi sa herë është i nevojshëm. “Kuvendin Kombëtar jam i gatshëm ta thërras sa herë që të jetë i nevojshëm. Dua të hedh poshtë gënjeshtrën e shpërndarë se kreu i PD-së nuk dëshiron Kuvend. Por, asnjë Kuvend nuk do të marrë në shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane dhe PD-ja nuk do të kthehet në bunker të Sali Berishës, por do të mbetet shpresa e demokratëve. Do të ecim përpara sepse kemi përballë një regjim, që po e shikoni që mbështetet në një trekëndësh. Kemi të dhëna se regjimi është bërë pjesë e përpjekjes për një puç brenda Partisë Demokratike”, shtoi Basha.