Foltorja e Berishës për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar ka hapur debat sa i takon firmave të delegatëve. Edi Paloka, përkrahës i Foltores së Berishës ka hapur për mediat kutitë për të parë anëtarët që kanë firmosur për mbajtjen e Kuvendit, ndërsa pjesa “zyrtare” në PD i konsideron të paligjshme.
Pas debateve në selinë blu për mbledhjen e firmave nga ish-kryeministri Sali Berisha, nënkryetari i Partisë Demokratike dhe Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së Edi Paloka ka kërkuar nga gazetarët që të numërojnë para kamerave firmat e delegatëve që kanë firmosur mbledhjen e Kuvendit kombëtar të PD-së më 11 dhjetor, nismë kjo e ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai tha se formularët janë plotësuar nga delegatët e Kuvendit të PD-së si dhe nga kryetar seksioni, sekretar, kryesia e degëve dhe anëtarë të bordit, anëtarë të këshillit kombëtar si dhe deputetë. “Në zyrën time kanë ardhur 4200 formularë. Qëllimi është që të ulen me durim dhe t’i numërojnë një për një këta formularë dhe kamerave do t’ju kërkoja që të dhënat personale dhe ato që më është kërkuar për të ruajtur fshehtësinë është kërkesë e firmëtarëve. Në këto formularë rikonfirmoj janë 4200 formularë. Kanë ardhur dhe të tjerë. Janë formularë të plotësuar nga delegatët e Kuvendit të PD-së dhe janë nga kryetar seksioni, sekretar, kryesia e degëve dhe anëtarë të bordit, anëtarë të këshillit kombëtar deputetë dhe këta nuk janë anëtarë të thjeshtë, por delegatë të Kuvendit siç i përcakton statuti dhe delegatët nga një kuvend në tjetrin nuk ndryshojnë. Anëtarët e Kuvendit janë po ata”, tha Paloka. Në një deklaratë me gazetarët, Paloka konfirmoi se janë mbledhur 4200 firma dhe theksoi se verifikimin e emrave e kryen Kuvendi i jashtëzakonshëm i PD-së. “Verifikimin e emrave të delegatëve që e kanë firmosur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së e bën kuvendi i jashtëzakonshëm. Edhe unë nuk i njoh të gjithë delegatët. Këtë verifikim e bën komisioni i mandateve në Kuvend, ky verifikim do të bëhet edhe në këtë Kuvend që është i jashtëzakonshëm”, tha Paloka. Duke e përjashtuar veten si firmëtar të mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të PD-së më 11 dhjetor, Paloka thotë se duhet t’i bindet vullnetit të shumicës për të mbledhur, pasi sipas tij PD-ja është në krizë. “Nuk jam firmëtar, nuk e kam kërkuar unë këtë kuvend, por jemi të detyruar t’i bindemi shumicës jemi të detyruar të zbatojmë detyrimet e shumicës. Ne jemi në krizë dhe shumica e delegatëve kërkojnë zgjidhjen e kësaj krize. Ne jemi ndarë në palë, një andej dhe një këtej dhe unë jam në mes”, ka sqaruar Paloka.
Përgjigje Bardhit
Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka ka reaguar përmes një statusi në facebook, pas deklaratave të sekretarit të përgjithshëm Gazment Bardhi lidhur me dorëzimin e firmave për Kuvendin Kombëtar. “Nuk zgjidhet kriza që po kalojmë as duke përsëritur pa fund sllogane pa vlerë e as duke rrotulluar para e mbrapa statutin për t’u fshehur. Po nuk pamë realitetin në sy , po nuk i dhamë zgjidhje problemeve tona, por vazhdojmë të fshihemi pas pikave e presjeve të statutit apo procedurave të sajuara, kjo do të thotë të tallesh me vullnetin, shpresën dhe dinjitetin e demokratëve”, tha Paloka. Sipas tij, “anëtarët e PD nuk kanë hallin se kush do të mbajë zyrat apo karriget në selinë e partisë ndërkohë që ata enden rrugëve nën goditjet e një qeverie e kryeministri monstër! Demokratët presin që drejtuesit e tyre t’i udhëheqin drejt rikthimit të PD në pushtet pasi të kemi rrëzuar këtë regjim antishqiptar e kjo nuk bëhet duke u fshehur”.
Berisha e bën fakt: Më 11 dhjetor mbahet Kuvendi Kombëtar
Me anë të një njoftimi në Facebook, Sali Berisha i është drejtuar të gjithë delegatëve të Partisë Demokratike duke u bërë të ditur se më 11 dhjetor do të mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike. “Rikonfirmojmë për të gjithë delegatët njoftimin për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike në dt 11.12.2021, ora 10:00 te Pallati i Kongreseve, Tiranë. Sipas nevojës, punimet e kuvendit mund të vazhdojnë dhe në datë 12.12.2021”, shkruan Berisha. Më 10 nëntor, Sali Berisha dorëzoi në PD, firmat e 4200 delegatëve, siç ai pretendon për thirrjen e Kuvendit Kombëtar. Më pas, Selia Blu doli me një deklaratë zyrtare me anë të së cilës bëri me dije se ish kryeministri po bën një blof. Në reagimin e PD, shkruhej se Sali Berisha nuk i ka mbledhur ¼ e firmave të nevojshme për të nisur procedurën e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar. Në njoftimin e fundit, Berisha shkruan se Kuvendi do të mbahet në bazë të statutit të PD. “Ky kuvend mblidhet në bazë të statutit të Partisë Demokratike neni 43 pika 2, me kërkesën e 4200 delegatëve të tij. Emrat dhe firmat e tyre janë depozituar në zyrën e Edi Palokës, kryetar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe mund të verifikohen nga kushdo brenda orarit zyrtar”, shkruan ish lideri i PD-së.