Nga Leonard Veizi
Bota muzikore u shokua kur u transmetua lajmi se themeluesi i grupit legjendar “The Beatlles” ishte qëlluar me armë fare pranë shtëpisë së tij, e për shkak të plagëve të marra kishte humbur jetën. Skena, në muzg, para kompleksit të banimit “Dakota” në Nju Jork, ishte surreale dhe krejt tronditëse. Xhon Lenoni, qëndronte shtrirë në gjysmë vetëdije, ndërsa gjaku i rridhte nga katër plagët e shkaktuar prej plumbave mbi shpinë. Bashkëshortja Joko Ono ulërinte, ndërsa i mbante kokën mes duarve. Ndërsa vrasësi shtrëngonte në dorë një pistoletë 38-milimetërshe. Ishte 8 dhjetori i vitit 1980. Lenon, ndoshta ylli më i famshëm i rokut në botë, vetëm 40 vjeç…
…Edhe pse kanë kaluar 41 vite për botën humbi një legjendë e cila vazhdon të mbetet i tillë edhe sot në mileniumin e ri. Shumëkush e kujton se në Shqipërinë Socialiste me këngët e tij Djemtë e Liqenit por edhe shumë të tjerë që nuk kishin fort lidhje me kitarat dhe vokalin, përfundonin birucave të komisariateve dhe u bëhej formaliteti. Megjithëse në vitet ’70 të shekullit të kaluar muzika e “Bitëllsave” ishte transmetuar edhe nga Televizioni Shtetëror. Por meqenëse epoka liberale kishte përfunduar pas Festivalit të 11 edhe Xhon Lenon, Mik Xheker apo solistë të tjerë të grupeve rrok dhe hard, do të dilnin nga qarkullimi me motivacionin e muzikës borgjeze e dekadente që shthurte rininë nga idealet e pastra të jetës shoqërore.
Themeli i “The Beatles”
Ai vazhdon të konsiderohet si një personazh tepër i rëndësishëm që i mungon botës së sotme muzikore. Kompozitor me frymë të pazakontë dhe i aftë për ngacmime poetike tepër të fuqishme, Lenon vlerësohet si një yll i rrallë dhe i pashuar. Edhe pse trupi i tij është larguar nga kjo jetë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur me krijimtarinë apo imazhin që ka lënë pas. Ai mbetet gjithashtu i vlerësuar për veçantinë e muzikës dhe për emancipimin që solli me notat e tij.
Lenon ishte një muzikant por dhe shkrimtar. U lind më 9 tetor 1940 në Liverpul, Angli, dhe mbahet mend sepse pikërisht atë ditë pati një sulmi ajror të aviacionit gjerman mbi qytet.
Lenon njihet më shumë si një nga krijuesit, drejtuesit dhe autorët e pothuajse të gjitha këngëve të legjendës “The Beatles”. Grupi në fjalë ishte dhe mbetet një simbol i formimit të muzikës rok në vitet ‘60.
Ndërsa studionte në shkollë, 16-vjeçari Lenon krijoi grupin “The Quarrymen”, në të cilin u bashkuar Pol Mekartni dhe Xhorxh Harrison.
Në vitin 1959, “The Guarrymen” pushoi së ekzistuari dhe Lenon, Mekartnei dhe Harrison organizuan një grup që përfundimisht u quajt “The Beatles”.
Shumica e këngëve të “Bitëlls” kanë një autorësi të dyfishtë të Lenon – Mekartnei.
Baladat e paqes
Në vitin 1962, Lennon u martua me studenten e tij Sinthia, me të cilën jetoi për gjashtë vjet; fëmija i tyre Xhulian Lenon gjithashtu u bë një muzikant.
Në 1966, Lennon u takua me artisten japoneze Joko Ono, e cili tre vjet më pas u bë gruaja e tij e dytë. Fëmija i tyre, Shon Lennon, gjithashtu ndoqi hapat e babait të tij.
Lenon i bënë jehonë stilit të jetës të hippy-ve, që përfaqësuan një brez të tërë. Xhoni ishte një muzikant dhe kompozitor me cilësi të shquara, me një ndjeshmëri të lartë dhe stil të ëmbël, që pati sukses si me baladat intime, ashtu edhe me ritmet e furishme. Pasi u shpërbë grupi dhe u lidh me artisten Joko Ono, ai u bë një ikonë pacifizmi.
Në vitin 1969, në Montreal, Lennon kompozoi himnin anti-luftë “Jepni paqes një shans”.
Vrasja “pa motive”
Një muaj pas daljes së albumit, natën e 8 dhjetorit 1980, Lenon mbeti i vdekur përballë apartamentit të tij në Nju Jork, në ambientin e rezidencës së Dakota House. Vrasësi ishte një 25 vjeçar, që pretendonte se ishte fansi i çmendur i tij. Mark Çapmen, vetëm një çast më parë i kishte kërkuar Lenon t’i hidhte një autograf në diskun e tij të sapopublikuar “Double Fantasy”. Më pas e qëlloi me pesë plumba, por motivi mbeti i paqartë. Çapmen, pak ditë më parë ishte lënë në liri me kusht.
Në libri “Konspiracionet dhe mashtrimet më të famshme të të gjitha kohëve” autorët Xhonatan Vanken dhe Xhon Uelen shkruajnë se vrasja e Xhon Lenonit trajtohet nga të gjithë si një vrasje politike e kryer nga shërbimi i fshehtë amerikan, d.m.th. nga FBI-ja dhe CIA. Vrasësi i tij Çapmeni, ka qenë një njeri krejtësisht normal dhe me sa duket e ka kryer aktin sepse ishte programuar nga këto shërbime të fshehta. Pa dyshim, që është një nga vrasjet më enigmatike dhe më të pamotivuara në historinë e Amerikës.
Lennon u dërgua në spitalin e Roosevelt nga një makinë policie, në vetëm disa minuta. Por përpjekjet e mjekëve për ta shpëtuar ishin të kota. Për shkak të një humbje të madhe gjaku 25 minuta pas sulmit, ai vdiq.
Vrasësi Mark Chapman me kalimin e viteve lidhur me shpjegimin për aktin që kreu, u shpreh se vendimin për vrasjen e kishte marrë nën shtysën e një ‘zëri’ të brendshëm, ku më konkretisht është shprehur me fjalët “Asgjë dhe askush nuk do të më ndalonte’.
Pas vdekjes të yllit të rokut, dolën versione të ndryshme për komplot.
Nga dosja “Lenon” në FBI – afërsisht 300 faqe, del qartë, që ai kishte qenë “nën vëzhgim të vazhdueshëm” dhe konsiderohej si radikal i rrezikshëm, i cili duhej frenuar.
Në listën e pavdekësisë
Xhon Lennon, i cili është padyshim një figurë ikonike, po aq sa dhe kolegët e tij të “The Beatles”, personifikon një epokë të tërë në muzikën rok. Pas vdekjes muzika e tij nisi të qarkullonte në miliona kopje. Në vitin 2002, të anketuarit në një sondazh të BBC për 100 britanikët e mëdhenj, votuan Lennon-in të 8-in. Në vitin 2004, revista Rolling Stone e renditi Lennon-in të 38-in në listën e “The Immortals” apo thënë në shqip “Të pavdekshmit”. Në vitin 2008, nga anketa e po së njëjtës revistë “Rolling Stone” Xhon Lenon u rendit këngëtari i pestë më i mirë i të gjitha kohërave.