Shqiptarët e administratës, ky popull pushimesh e rehatie

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

 

Puna nisi zhurmshëm pas tre ditë të ngrëni, pirje e rehatie deri në palcë.

Duket se 2022-shi do të jetë një vit i mbarë për shqiptarët, sidomos për ata të administratës. Tym fare. Dhe kjo mbarësi filloi që prej datës 1 janar, e cila në kalendar shënohet me ngjyrë të kuqe. Pra pushim. Është njëlloj si të futesh me këmbën e djathtë në shtëpinë e re që të të eci mbarë. Lëre pastaj kur dita e parë e pushimit shoqërohet edhe me ditën pasardhëse, pra datën 2. Dhe gëzimi dyfishohet kur të bëhet me dije se meqenëse datat e festës ranë ditën e pushimit fundjavor, e meqenëse festën nuk e shtyjmë dot, shtyhen ditët e pushimeve. Shkurt edhe 3-shi e 4-tra pushim.

Hajde ç’vete hajde!

Ta lumsha moj demokraci!

Pas kësaj vijnë beneficet e tjera pa kursim: 14 ditë festash pushim. Se kemi Ditën e Verës. Pa kemi Pashkët Katolike e Ortodokse. Po kemi Nevruz edhe Bajram. Po kemi dhe festën e kllasës punëtore në 1 maj. Ndërsa në 2 maj është Bajrami i Madh. Pra sërish pushim. Ndërkohë e gjitha kjo do të shoqërohet edhe me datën 3 maj pushim, sepse na qëlloka që festa e proletariatit bie ditën e diel. Sa keq që na e hoqën si ditë pushimi atë të 5 majit, Ditën e Dëshmorëve. Do kishte shkuar e gjithë java pushim. Por gjende mirë se u zëvendësua me 5 shtatorin, ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës. Po kemi 28 dhe 29-tën. Për shyqyr që e kthyen sërish 29 nëntorin se do mbeteshim vetëm me një ditë pushim. E si qershia mbi tortë kemi gaz edhe hare edhe në 8 dhjetor, ditën e Rinisë, që zëvendësoi 10 shkurtin, ditën e pionierëve debatikas.

Ja, kështu rregullohen punët.

Deri tani jemi mirë me pushime, 14 ditë festash zyrtare të cilave u shtohen dhe 7 të diela të rimbursueshme. Fiks 21 ditë pushimi nga konglomerati i madh i 365 ditëve të ciklit diellor.

-Hajd, pushime të mbara…

Vazhdojmë hesapet.

Viti 2022 ka 53 javë kalendarike, por që kanë 106 ditë fundjava. Të shtunë e të diel demek. Pushim të gjitha këto. Këtu po kursej të numëroj dhe ca bishta, si në rastin e festave të 7-8 marsit, që bëhen “de facto” pushim edhe pse nuk janë shënuar me të kuqe në kalendarin zyrtar. Por edhe 14 shkurti si Shën Valentin thuajse pushim bëhet meqenëse të gjithë jemi të dashuruar e dalim rrugëve për të bërë selfie e për të dhuruar lule të kuqe bashkë me çokollatat në formë zemre.

Kohëzgjatja e pushimit vjetor të paguar që e njohim ndryshe si “leje e zakonshme” është 4 javë kalendarike. Pra 28 ditë. Por meqenëse fundjavat i numëruam një herë, i bie të zbresim 8 ditë. Mbeten 20 ditë pushimi.

Aheng fare. Të bësh plazh edhe në Durrës edhe në Ibiza. Kush ia ka mundësinë kuptohet.

Me një llogari të thjeshtë ndër 365 ditët kalendarike të vitit, nja 147 prej tyre kalohen në relaks të plotë, duke shëtitur e marrë ajër të pastër, duke u futur e duke dalë kafene më kafene, ose duke ia mbathur jashtë shtetit me avionin e parë për të bërë ca shoping. E gjitha kjo për t’u çlodhur e marrë veten nga stresi që po na mbulon e po na i shkurton ditët.

Mbeten 218 ditë punë.

Ec e të punosh kur pushimet ta bëjnë me sy. Nuk ndizet makineria hiç. Sepse sapo nis punën vjen sërish dita e pushimit.

Lexo edhe :  Legjendat elektoralo-amerikane të Sali Berishës

Nejse, kur t’i jep qeveria ditët e pushimit s’ke pse të mos ia marrësh me gjumë. Veç në je idiot e të bësh të kundërtën?! Domethënë, të shkosh në punë, demek. Apo më keq akoma, si një herë e një kohë, të ngrihesh në mbledhjen e kolektivit për të rritur normat.

-Marr zotim se planin…

Ja, prapë në vend të keq vete gjuha.

Deri këtu nuk mund t’i hash hakun njeriu se “të vret Zoti”. Por nëse guxon të thuash me zë të lartë se kjo është disi e tepruar, pasi ka dhe sektorë të tjerë të jetës publike në vend që nuk e kanë një privilegj të tillë, të kthehen plot mllef për të shpjeguar me detaje se, vite më parë, kaq shumë janë lodhur e kanë djersitur duke punuar për të ndërtuar socializmin në vend, me të “diela vullnetare” e “ditët e Enverit”, dhe nuk doli kurrkund ndonjë gjë e hajrit, sa tani e kanë hak që më shumë se një të tretën e vitit ta bëjnë pushim e të mos u lëvizë qerpiku.

Për këtë arsye, dhe jo për punë lekësh e rrogash, – se administrata nuk dallohet për norma të larta pagash, – shumë nënshtetas të kësaj Republike bëjnë çmos të marrin një pozicion në administratën publike. Përpos kësaj, ideja se në zyrat e shtetit mund të punosh sa ta shohësh të arsyeshme e mund të qëndrosh në kafe sa të të dojë qejfi është kthyer në një “legjendë urbane” dhe shihet me zili nga pjesa tjetër. Ndërkohë, në raportin “ditë pushimesh – orë pune”, administrata shqiptare ia kalon edhe disa vendeve të zhvilluara perëndimore edhe pse në statistika për nga ecuria ekonomike është e fundit në listë.

Se pushime javore dhe ditë festash ka dhe bota, mos mendoni se andej matanë punohet 24/7. Por kur vjen puna te minimumi jetik dhe mirëqenia, ne përsëri jemi në fund të listës e nuk bëjmë dot xhap përpara.

Viti 2022 ka po të njëjtin trend, dhe nuk ndryshon aspak nga të mëparshmit, me përjashtim të faktit që këtë herë do të sakrifikohen shtatë të hëna, meqenëse ca nga festat e zyrtarizuara bien në fundjavën e pushimit. Lum si punonjësit e administratës, se me sektorët e tjerë të punës në vend as që mendohet se mund të ndodhë kështu.

Fjala vjen: A mund të mendohet të mbyllen restorantet në fundjavë për hir të pushimeve? Le më kafenetë.

Po ata të shtypit dhe televizionet a i fusin dot një “black” ekranit e të shtrihen në minderin e shtëpisë për një sy gjumë? Nuk bën vaki. Se luksin e kanë që ata të pushimit, të kërkojnë të lexojnë lajmet duke pirë kafe.

-Ore janë shthurur këta të medias, se kanë mendjen për punë hiç. S’marrim vesh kush u vra e kush u pre…

Kështu që pjesa tjetër e shoqërisë duhet të jetë në shërbim të tyre.

Shkurt, ajo që pëlqejnë shqiptarët sot dhe jo vetëm, është: sa më pak kohëqëndrimi në punë dhe ca më shumë se kaq në kafe. Ndaj radha për të hyrë në një punë shtetërore do të jetë gjithmonë e gjatë, ndërsa makinacioni për t’u përshtatur si militant i një force politike do të sofistikohet edhe më shumë.

 

Të fundit

OBSH-ja i kërkon Kinës të tregojë të dhënat origjinale për koronavirusin

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka bërë sërish thirrje Kinës që t’i ndajë të dhënat që ka për...

‘Cila të jetë vallë? Ronela Hajati: Për një këngë nëna nuk më ka folur gjashtë muaj

Ronela Hajati ka qenë e ftuar në “Podcasti Flet” me Ilnisa Agollin, ku ka folur më shumë rreth jetës dhe karrierës profesionale. Artistja  shquhet...

Shqipëria do të blejë pronë në Bruksel/Do shërbejë si seli e misionit shqiptar pranë BE!

Shqipëria do të blejë një pronë në Bruksel që do të shërbejë si seli e Misionit shqiptar pranë Bashkimit Europian. Vendimi është marr sot në...

Kreu i KQZ zbulon si do votojë diaspora në 11 maj: Ja procedurat që duhen ndjekur

Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka zbuluar se në ç’fazë janë përgatitjet dhe si do të duhet të votojnë emigrantët shqiptarë...

“Nga izolimi i Berishës te arrestimi i Ilir Metës”/ SPAK protagonist i vitit në Shqipëri

Në Shqipëri, Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, ishte dhe gjatë vitit 2024 protagonist i zhvillimeve në vend, me një...

Lajme të tjera

Web TV