Komanda Amerikane e Operacioneve Speciale në Europë, (SOCEUR), ka njoftuar së fundmi se një shtab i saj pararojë do të ngrihet në Shqipëri. Si shihet ky zhvillim që më shumë se ushtarak është gjeopolitik për të pasur ndikim në të gjithë rajonin.
Pas stërvitjes së “Defender” në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë parë Shqipërinë si vendin më të mirë për sigurinë rajonale duke ngritur shtabin e saj pararojë. Kryeministri Edi Rama ndau përmes një videomesazhi në rrjetet sociale se Komanda Amerikane e Operacioneve Speciale për Europën, do të ngrejë Shtabin e saj Pararojë në Shqipëri. Sipas kreu të qeverisë, kjo komandë do të sigurojë ndërveprueshmëri më të lartë, si dhe transport e fleksibilitet logjistik. “Nga Gjermania doli deklarata e komandës së forcave operacionale të SHBA-së, e cila operon për Europën dhe ka vendosur të ngrejë në Shqipëri një shtab të bazës së forcave operacionale speciale. Vendndodhja në Shqipëri do të sigurojë një ndërveprueshmëri me aleatët shqiptarë, qasje të transportit dhe fleksibilitet logjistik”, shprehet kryeministri. Gjithashtu ai theksoi se kjo është një shprehje e një besueshmërie shumë të lartë, ndërsa falënderoi edhe ambasadoren amerikane Yuri Kim për kontributin që ka dhënë. “Po e prisnim me padurim këtë lajm të mirë dhe për ata që ankohen se ku i kemi armët apo helikopterët, Jemi jo vetëm një anëtar në NATO, por një vend me shtabin bazë të Komandës së Forcave Operacionale Speciale të SHBA në Europë”, tha më tej ai. Edhe pse nuk ka detaje sa do të jetë numri i ushtarakëve që do ngrenë bazën amerikane në vendin tonë, sërish gjesti duket i madh. SHBA po krijon praninë e saj jo vetëm politike por edhe ushtarake në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ndikimi rus dhe kinez në Ballkan shihet si shqetësim nga diplomacia amerikane dhe në këtë kuadër prania e forcave elitë ushtarake të SHBA-ve, me bazë në Shqipëri kapërcen vetëm “formatin ushtarak”.
Reagimi i Komandës
Komanda Amerikane e Operacioneve Speciale në Europë (SOCEUR) ka njoftuar se një shtab i saj pararojë do të ngrihet në Shqipëri. Në njoftim thuhet se selia e re u bë e mundur falë mbështetjes së jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Mbrojtjes si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për rritjen e aftësive të Forcave të Operacioneve Speciale, si një gur themeli për stabilitetin rajonal. Në deklaratë Komanda e SHBA për Operacionet Speciale në Europë nënvizon se vendosja e selisë në Shqipëri do të sigurojë ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët tanë shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik. “Shqipëria mbetet një aleate e fortë e NATO-s dhe SHBA-të gëzojnë një marrëdhënie të fortë me qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë, gjë që e bën vendosjen e një shtabi pararojë në këtë vend aleat një vendim të natyrshëm. Gjithashtu, kjo vendndodhje redukton në masë të madhe kohën e udhëtimit dhe rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon. Kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe profesionalizmin e ushtrisë shqiptare”, thuhet në deklaratë. Gjeneral Major David H. Tabor, Komandant i Komandës së Operacioneve Speciale në Europë tha se aftësia për të lëvizur dhe trajnuar me shpejtësi brenda Ballkanit, në bashkëpunim të ngushtë me forcat e tjera aleate dhe partnere, e bëri Shqipërinë vendndodhjen më të mirë për këtë përpjekje. “Shqipëria mbetet një aleate e rëndësishme e NATO-s dhe një partnere e çmuar e sigurisë, si në nivel rajonal ashtu dhe global”, tha ai. Sipas deklaratës së Komandos Amerikakne, nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme dhe bashkëpunimit të ngushtë, Forcat e Operacioneve Speciale të SHBA-së sigurojnë një lidhje të rëndësishme midis aleatëve dhe partnerëve tanë në rajon, duke rritur kështu stabilitetin rajonal. “SOCEUR ka një pozicion unik për të stimuluar marrëdhënien tonë me aleatët dhe partnerët për t’iu kundërvënë ndikimeve keqdashëse, për të ndërtuar ndërveprueshmërinë, për t’iu përgjigjur me shpejtësi kërcënimeve që mund të lindin dhe nëse është e nevojshme, për të mposhtur sulme”, përfundon deklarata e ushtarakëve amerikanë.
Reagimi i Kim
Lajmin e ka përshëndetur edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë. “Një mënyrë e jashtëzakonshme për të nisur vitin e ri me një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhënien SHBA-Shqipëri në fushën e mbrojtjes. Hera e parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ngrejnë një seli të këtij lloji në Shqipëri. E rëndësishme për sigurinë rajonale”, shkruan Yuri Kim.
Pagat e mjekëve, rritja në “dorë të të zotit”
Shqipëria ka tani një spital të ri për fëmijët. Kryeministri mori pjesë në inaugurimin e Pediatrisë duke nënvizuar se brenda katër vjeçarit të tretë, Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza do të jetë më modernia në rajon. Por edhe këtë ambicie kreu i qeverisë e tha me gjysmë zëri. “Çdo parashikim ta bëjmë me rezervë se të vjen pa pritur pakuptuar në ekuacion një tërmet larg qoftë, ndonjë pandemi, përmbytje apo dreqi vetë, por sipas të gjitha parashikimeve brenda këtij mandate QSUT kthehet në kompleksin më të madh dhe më modern të rajonit, jo vetëm të Shqipërisë”, deklaroi ai. Bluzave të bardha i është premtuar vazhdimisht rritje pagash, aq më shumë në dy vitet e fundit të cilët kanë qenë në frontin e parë përball COVID-19. “Rritja e pagës do të bëhet vit pas viti. Ambicia është që të shkojmë në +40% brenda mandatit, gjithmonë duke u lutur që ato që na i sjell koha në formën e fatkeqësive natyrore të na i kursejë kush i vendos këto gjëra dhe që nuk e njohim. Prezumojmë që mbase edhe na dëgjon në mënyrë që në këto katër vite të bëjmë ato që kemi planifikuar”, shtoi kryeministri. Për mos ta lënë gjithçka në dorë të Zotit, qeveria ka parashikuar një bonus për mjekët e suksesshëm. “Është një sistem i tërë pikëzimi që sjell tek mjeku të ardhura më të lartë se sa kolegu që vazhdon të paguhet me pagën bazë por për shkak se ka një performancë mesatare nuk merr dot sa merr kolegu në krah”, vijoi Rama. Godina e Pediatrisë është vijim i investimeve të nisura në QSUT, si Spitali i Sëmundjeve të Brendshme apo Kardiokirurgjia.